
Profeti Muhammed s.a.v.s. kishte natyrë të thjeshtë. Nuk trembej kur përballej me ndonjë brengë, as nuk tregohej i papërmbajtur për ndonjë dëshirë që i vinte.
Në biografi u përmend që pa lindur akoma, i kishte vdekur babai, ndërsa nëna i ndërroi jetë, që në kohën kur ai ishte fëmijë. Tetë vitet e para, gjyshi i tij u kujdes për të e më pas u rrit pranë xhaxhait të tij, Ebu Talibit. Xhaxhai kishte merak për nipin, jo vetëm sepse kishte lidhje gjaku me të, por edhe gjyshi, në kohën kur po jepte shpirt, ia kishte lënë amanet, duke thënë që të kishte kujdes të veçantë ndaj tij. Për këtë arsye, ai e donte shumë Muhammedin s.a.v.s., ndaj edhe kujdesej për të.
Por, nusja e xhaxhait nuk e kishte atë dashuri amënore e as nuk ndiente ndonjë përgjegjësi fisnore ndaj tij. Kur sillej në shtëpi diçka për të ngrënë, disa herë, ajo ua jepte vetëm fëmijëve të saj, duke e harruar Muhammedin s.a.v.s.. Kur Ebu Talibi kthehej në shtëpi, nuk e gjente nipin të brengosur ose duke u ankuar, por shikonte që edhe pse fëmijët e tij hanin diçka, ai qëndronte i vetëm me plot dinjitet.
Në këso rastesh, Ebu Talibin menjëherë e kaplonte dashuria ndaj nipit dhe përgjegjësia fisnore. Ai me vrap e merrte, e përqafonte dhe thoshte: Pse ma harroni djalin! Pse ma lini djalin vetëm?!
Kjo ndodhte shpesh, por dëshmitarët tregojnë që Muhammedi s.a.v.s. asnjëherë nuk ankohej, as nuk shfaqte ndonjë shqetësim në fytyrë e as nuk i lindi në zemër urrejtje për djemtë e xhaxhait.[1] Këtë gjë e dëshmon jeta e tij e mëvonshme, kur gjërat kishin ndryshuar krejtësisht dhe Profeti, jo vetëm që mori Aliun r.a. dhe Xhaferin r.a. nën kujdesin e tij, por bëri të gjitha përpjekjet për të mirën e tyre.
Po ta shohim jetën e Profetit s.a.v.s. nga një këndvështrim material, del në pah se ajo kishte qenë plot me hidhërime. I vdiq babai që para lindjes, pas të cilit i vdiq edhe e ëma, e më pas edhe gjyshi. Pastaj, kur u martua, vazhdimisht i vdiqën fëmijët, i vdiqën edhe shumë nga bashkëshortet, njëra pas tjetrës, ndër të cilat, ishte edhe Hatixhja, bashkëshortja e tij besnike dhe e dashur. Por, Profeti Muhammed s.a.v.s. i përballoi të gjitha hidhërimet, të cilat jo vetëm që nuk ia thyen kurrizin, por nuk ia larguan dot as buzëqeshjen. Dhimbjet e zemrës së tij kurrë nuk u pasqyruan në lot. Fytyra gjithmonë i mbeti gazmore për çdokënd, dhe rrallëherë ajo mund ta ketë shfaqur dhimbjen e së kaluarës.
Njëherë, një gruaje i vdiq djali. Ajo po vajtonte te varri i të birit, teksa kaloi Profeti s.a.v.s. pranë saj. “Ki durim! Dëshira e Zotit mbizotëron gjithçka”, e këshilloi Profeti s.a.v.s.. Ajo nuk e njihte Profetin s.a.v.s., prandaj, iu përgjigj: “Po të të vdiste ndonjë fëmijë edhe ty si mua, atëherë do të kuptoje se çfarë do të thotë durimi!” Atëherë Profeti s.a.v.s. vetëm i tha:
“Jo një, më kanë vdekur shtatë fëmijë”,
dhe pa shtuar asgjë, shkoi më tutje.[2] Pra, në raste të tilla Profeti s.a.v.s. na del duke folur për vështirësitë e së kaluarës, por kurrë nuk u kursye ndonjëherë për shërbimin ndaj njerëzimit, e as nuk u zbeh në ndonjë rast buzëqeshja e tij e çiltër.
(Për virtytet e tij, ju ftojmë ta lexoni pjesën e parë të kësaj biografie)
[1] Es-siretul Helebija, vëll. I, Egjipt, 1932, f. 138.
[2] Buhariu, Kitabul-ahkam, bab dhikrin-Nebiji s.a.v.s. lem jekun lehu buab; Ebu Daudi Kitabul-xhenaiz, bab es-sebri indes-sedma.