
Pas çdo fitoreje të muslimanëve, Profetit Muhammed s.a.v.s. i vinin pasuri dhe gjëra të çmuara, të cilat ai ua shpërndante të varfërve. Kështu, një herë, i kishte ardhur shumë pasuri. Fatimja r.a., e bija e tij, i erdhi dhe i tha:
“O i Dërguari i Allahut, m’i shikon pak duart se sa të plagosura i kam duke rrotulluar mokrrat e mullirit. Jepmë të lutem një skllav apo skllave, që të më ndihmojë për këtë punë”. “Fatime, o bija ime”, u përgjigj Profeti s.a.v.s., “të të jap një gjë që është më e mirë sesa të kesh një skllav apo skllave në shtëpi. Para se të flesh, thuaj tridhjetë e tri herë ‘elhamdulillah’, tridhjetë e tri herë ‘subhanallah’ dhe tridhjetë e katër herë ‘Allahu ekber’”.[1],[2]
Një herë, Profetit s.a.v.s. i erdhën disa gjëra, të cilat ai i shpërndau. Gjatë shpërndarjes, ra një dinar që mbeti i fshehur pas diçkaje dhe Profetit i iku nga mendja për ta kërkuar atë. Pasi mbaroi shpërndarjen e gjithë pasurisë që kishte ardhur, ai erdhi në xhami dhe udhëhoqi faljen. Pas namazit, ndryshe nga siç bënte zakonisht, që rrinte duke medituar për kujtimin e Allahut, ose u jepte mundësi të pranishmëve që t’i paraqisnin kërkesat apo problemet e tyre, ai shkoi nxitimthi drejt shtëpisë së tij. Ishte me kaq ngut saqë sahabët r.a., që ishin ulur në xhami, thonë se atij iu desh të kalonte duke kapërcyer shpatullat e tyre. E kërkoi dinarin dhe vetëm pasi e gjeti, doli jashtë dhe ia dha një nevojtari. Pastaj u tha sahabëve:
“Kisha harruar që më kishte rënë një dinar, që m’u kujtua gjatë faljes, pastaj gjatë gjithë kohës isha jashtë mase i shqetësuar duke kujtuar se po të më vinte vdekja dhe ai dinar i të tjerëve të mbetej tek unë, si do të përgjigjesha para Zotit! Prandaj shkova me nxitim për ta kërkuar atë”.[3]
Mbi të gjitha, Profeti s.a.v.s. e shpalli të ndaluar marrjen e lëmoshave (e sadakasë) për pasardhësit e tij, në mënyrë që njerëzit të mos kursenin lëmoshat vetëm për ta, duke marrë në konsideratë respektin dhe nderin ndaj tyre dhe duke i privuar të varfrit e tjerë nga ato. Një herë dikush i dërgoi Profetit s.a.v.s. ca hurma që të shpërndante për sadaka. Nipi i tij Imam Hasani r.a., atëherë dy a dy vjeç e gjysmë, po gjendej pranë tij dhe papritmas, ai mori një hurmë dhe e futi në gojë. Profeti s.a.v.s. menjëherë e nxori duke futur gishtin në gojën e tij dhe tha:
“Kjo hurmë nuk na takon neve. Është e robërve të varfër të Zotit”.[4]
[1] Buhariu, Kitabud-dawat, bab et-tekbir uet-tesbih indel-manam.
[2] “Elhamdulillah” do të thotë “lavdi Allahut”; “subhanallah” do të thotë “i shenjtë është Allahu”; “Allahu ekber” do të thotë “Allahu është më i madhi”.
[3] Buhariu, Kitabul-adhan, bab men sela bin-nasi fedhekir haxhatahu.
[4] Buhariu, Kitabuz-zekat, bab ekhdhis-sadakatit-temr indes-siramin-nekhl.