
Fiset idhujtare të Medinës pranojnë Islamin
Shumica e njerëzve të fiseve idhujtare të Medinës, brenda shumë pak ditësh pas ardhjes së Profetit s.a.v.s., ishin bërë muslimanë. Kishte nga ata, që nuk e kishin pranuar Islamin me zemër, por iu bashkuan për sy e faqe muslimanëve të tjerë dhe kështu, për herë të parë, brenda muslimanëve u krijua një grup i hipokritëve, të cilët më vonë, pjesërisht u bënë muslimanë të sinqertë, ndërsa një pjesë tjetër qëndruan gjithmonë të angazhuar në kurdisjen e planeve dhe intrigave kundër muslimanëve. Ishin edhe disa të tjerë, që as në dukje nuk u bënë muslimanë, por të tillët nuk e duruan dot madhështinë e Islamit në Medinë dhe mërguan në Mekë.
Në këtë mënyrë, Medina ishte qyteti i parë në botë ku u manifestua aq thekshëm adhurimi i Zotit të Vetëm. Me të vërtetë, nuk kishte asnjë qytet apo fshat deri atëherë që adhuronte dëlirësisht Zotin e Vetëm. Çfarë gëzimi dhe suksesi i madh ishte për Profetin s.a.v.s. dhe për shokët e tij, që vetëm disa ditë pas mërgimit, Zoti i Lartësuar e ktheu një qytet të tërë në adhurues të Tij dhe ku nuk adhurohej më asnjë idhull tjetër, as i dukshëm, as i padukshëm!
Megjithatë, ky ndryshim nuk do t’ua garantonte paqen muslimanëve. Edhe në Medinë ishte një grup hipokritësh, që ishin armiq të jetës së Profetit s.a.v.s.. Edhe hebrenjtë pleksnin intriga. Profeti s.a.v.s. e ndiente rrezikun dhe gjithnjë ishte vigjilent ndaj tij dhe i këshillonte shokët të ishin të vëmendshëm. Në fillim, kishte ca ditë, kur ai u detyrua të rrinte i zgjuar tërë natën. Një natë të tillë, kur ai ishte shumë i lodhur duke qëndruar vazhdimisht zgjuar, tha:
“Nëse ndonjë i devotshëm do të shërbente si rojë, do të flija pak çaste”.
Menjëherë u dëgjua zhaurima e armëve. “Kush është?”, pyeti Profeti s.a.v.s..
“Jam Sad ibn Ebi Uekasi. Erdha t’ju mbroj ju o i Dërguari i Allahut”,
iu përgjigj i porsaardhuri. Vetëm atëherë, Profeti u rehatua.[1]
Edhe ensarët ishin të vetëdijshëm që qëndrimi i Profetit të Zotit s.a.v.s. në Medinë u ngarkonte përgjegjësi të madhe dhe që Profeti s.a.v.s. nuk ishte i siguruar nga sulmi i armikut. Ata u këshilluan me njëri-tjetrin dhe vendosën që fiset t’i shërbenin si rojë radhazi dhe po në këtë mënyrë vepruan, duke qëndruar rojtarë para shtëpisë së tij, njëri pas tjetrit.
Kështu që, ndryshimi i vetëm që kishte midis jetës mekase dhe asaj medinase të muslimanëve, ishte që tani muslimanët pa pengesë falnin namazet e pesë vakteve në xhaminë e ngritur në emër të Zotit.
Planet e tërbuara të mekasve për të persekutuar sërish muslimanët
Pas dy apo tre muajsh mekasit e rimorën veten dhe sërish zunë të thurnin plane për të dëmtuar muslimanët. Pas këshillimeve, ata kuptuan që nuk do të kishin ndonjë sukses duke persekutuar vetëm muslimanët që jetonin në Mekë apo përreth. Sipas tyre, ata do të mund ta shfarosnin Islamin vetëm nëse arrinin ta dëbonin Profetin s.a.v.s. nga Medina.
Kështu që, ata i dërguan një letër Abdullah bin Ubej bin Sululit, i cili, siç e thamë më përpara, ishte kandidati i vetëm për t’u bërë mbreti i Medinës para se të vinte Profeti s.a.v.s.. I tërhoqën vëmendje që pas largimit të Muhammedit ( s.a.v.s.) nga Meka, mekasit ishin mjaft të tronditur nga kjo ikje. Medinasit nuk duhej ta strehonin atë dhe shokët e tij. Në fund të kësaj letre, thuhej:
“Tani që keni strehuar në shtëpitë tuaja njeriun tonë (Profetin Muhammed s.a.v.s.), ne deklarojmë, duke u betuar në Zot, se ju banorët e Medinës duhet ta luftoni atë, ose ta dëboni nga qyteti juaj, përndryshe, ne të gjithë do t’ju sulmojmë dhe do të vrasim gjithë burrat tuaj që kanë aftësi për të luftuar dhe gratë tuaja do t’i bëjmë skllave”.[2]
Nga kjo letër, Abdullah ibni Ubej ibni Sululi dëshiroi të përfitonte me tinëzi. Ai u lidh me hipokritët e tjerë dhe i këshilloi për problemet e shumta që mund të dilnin, nëse do ta mbronin Profetin Muhammed s.a.v.s.. Prandaj, u pa e domosdoshme që të luftonin kundër tij dhe t’i kënaqnin mekasit. Profeti Muhammed s.a.v.s. e mori vesh këtë gjë dhe shkoi te Abdullah bin Ubej bin Sululi dhe e këshilloi:
Ky veprim yti ty do të të sjellë dëm, sepse ti e di që shumë nga medinasit tashmë janë bërë muslimanë dhe që janë gati edhe për t’u flijuar për Islamin. Nëse do të shpallni luftë, të gjithë muslimanët e Medinës do të luftojnë për muhaxhirët[3] dhe ju do të shkatërroheni. Abdullah bin Ubej bin Sululit iu hapën sytë dhe hoqi dorë nga ky plan.
[1] Muslimi, Kitab fedailis-sahaba, bab fi fedli Sa’ad ibni Uekas.
[2] Abu Daud, Kitabul-kharaxh uel-fi, bab fi khebrin-nefir.
[3] Fjala muhaxhir do të thotë mërgimtar. Në kontekst, muslimanët mekas që mërguan në Medinë, quhen muhaxhirë. [Përkhtyesi]