
Edhe vetë Profeti Muhammed s.a.v.s. nuk ishte i sigurt. Edhe ai u torturua në mënyra të ndryshme. Një herë, ndërsa po adhuronte Zotin, disa njerëz i hodhën një pëlhurë në qafë dhe filluan ta tërhiqnin. Të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. gati i dolën sytë përjashta. Ndërkohë erdhi Ebu Bekri r.a. që e liroi dhe më pas u bërtiti:
“O njerëz, a do ta vrisni, vetëm sepse thotë që Zoti është Udhëheqësi i tij?!”.[1]
Një herë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte duke u falur, ndërkohë dikush i vendosi në shpinë zorrët e devesë. Nga ngarkesa, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk e ngriti dot kokën derisa disa njerëz erdhën dhe ia hoqën nga shpina.[2]
Një herë tjetër, tek po kalonte ai në pazar, u grumbullua një grup vagabondësh të Mekës rreth tij, të cilët gjatë gjithë rrugës e qëlluan në qafë me shpulla, duke thënë:
“Ja ky është ai që thotë se është profet!”
Shpesh i hidhnin gurë në shtëpinë e tij dhe pisllëqe në kuzhinë, që përbëheshin edhe nga zorrët e dhive apo të deveve. Kur ai falej, i hidhnin pluhur apo rërë, derisa ai u detyrua të gjente një vend diku midis shkëmbinjve për të falur namazin.
Këto torturat, megjithatë, nuk po shkonin kot. Njerëzit e sinqertë kur i shikonin këto gjëra, tërhiqeshin pas Islamit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërsa ishte i ulur një ditë në kodrën Safa, afër Qabes, kaloi pranë tij Ebu Xheheli, armiku i tij më i egër, së bashku me disa krerë të tjerë të Mekës. Ai e sulmoi Profetin Muhammed me sharje fyese, ndërsa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dëgjoi gjakftohtësisht dhe nuk i ktheu asnjë përgjigje. U ngrit i heshtur dhe u kthye në shtëpi.
Një skllave e fisit të tij i shikonte këto pamje. Xhaxhai i tij, Hamzai r.a. ishte një njeri shumë i fuqishëm dhe trim, saqë banorët e qytetit i trembeshin. Si zakonisht ai kishte dalë për gjah dhe kur ra muzgu u kthye. Me hark në shpatulla hyri në shtëpi me mburrje. Skllavja ishte shumë e dëshpëruar nga ngjarja e mëngjesit dhe kur e pa Hamzanë në këtë gjendje, nuk e duroi dot dhe i tha e hidhëruar:
“Mjaft u tregove trim me këto armët e tua! A ke ndonjë haber se si u soll Ebu Xheheli me nipin tënd sot në mëngjes?!”.
“Çfarë i bëri Ebu Xheheli?”
e pyeti Hamzai. Ajo i tregoi gjithçka që kishte ndodhur. Hamzai, edhe pse nuk ishte musliman, ishte njeri zemërmirë. Kishte dëgjuar mësimet e Islamit dhe duhej të kishte qenë ndikuar nga ato, por ngaqë kishte një jetë të shkujdesur, akoma nuk kishte menduar seriozisht rreth tyre. Kur e mori vesh se çfarë kishte ndodhur me nipin, ai nuk mund të qëndronte i qetë.
Duke ndjerë që po bëheshin tentativa për të zhdukur një gjë të çmueshme, ai i dha fund çdo ngurrimi. Doli nga shtëpia dhe turrshëm u drejtua për në Qabe, që ishte kuvendi kryesor i krerëve të Mekës. Nxori harkun nga shpatulla dhe me gjithë forcë i ra Ebu Xhehelit me të dhe i tha:
“Dëgjo! Edhe unë po e përvetësoj fenë e Muhammedit s.a.v.s.. Në mëngjes guxove ta shash, sepse ai nuk bën kundërpërgjigje. Po qe se je trim, përgjigju goditjes sime!”.
Gjithçka kishte ndodhur në mënyrë të menjëhershme dhe Ebu Xheheli shtangu. Shokët e tij u ngritën për të luftuar me Hamzanë, por Ebu Xheheli mori parasysh trimërinë e tij dhe bashkimin e fisit të tij dhe e kuptoi që nëse do të ndizej lufta, do të kishte pasoja shumë të rënda, andaj i ndaloi shokët duke thënë:
“Lëreni se me të vërtetë ia kam sharë keq nipin”.[3]
[1] Buhariu, Kitabul-manakib, bab keulin-Nebiji s.a.v.s. “leu kunt mutehidhen khelilen”.
[2] Buhariu, Kitabus-salat, bab el-mer’ati tetrahu enil musela.
[3] Siret Ibni Hisham, vëll. I, Egjipt, 1936, f. 311-312.