Për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. përmendet që ai kurrë nuk fliste fjalë të rënda, as nuk bënte betime të kota.[1] Kjo me të vërtetë ishte e jashtëzakonshme për sa kohë që ai jetonte me arabët. Nuk mund të themi se arabët e kishin shprehi komunikimin me fjalë të këqija, por nuk ka dyshim në faktin se ata betoheshin rëndom, madje edhe sot, ata i kanë shprehi betimet. Por, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte kaq shumë respekt Zotit të Lartësuar, saqë nuk e pëlqente përmendjen e emrit të Tij vend e pa vend.
Për pastërtinë, sidomos, ai kujdesej shumë. Rregullisht pastronte dhëmbët me misvak dhe kaq shumë i jepte rëndësi kësaj pune, saqë nganjëherë thoshte:
“Nëse nuk do të druaja që muslimanët do të futeshin në vështirësi, do t’u jepja urdhër për pastrimin e dhëmbëve me misvak para çdo namazi”.[2]
Ai lante duart edhe para buke, edhe pas saj dhe shpërlante gojën, madje, e shpërlante çdo herë kur hante ndonjë gjë të gatuar. Ai nuk pëlqente faljen e namazit pa shpërlarë gojën pas ushqimit.[3]
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kushtonte vëmendje të veçantë pastërtisë së xhamive, të vendeve ku mblidhen muslimanët. Ai vazhdimisht u bënte thirrje muslimanëve që xhamitë t’i mbanin të pastra, sidomos gjatë ditëve kur zhvilloheshin mbledhjet, dhe t’i parfumonin, që ato të bëheshin të këndshme.[4] Po ashtu, ai gjithmonë i këshillonte, që, gjatë mbledhjeve të mos vinin në xhami pas konsumimit të ushqimeve me aromë të rëndë.[5]
Shpesh këshillonte edhe për pastrimin e rrugëve. Nëse shikonte shkurre, gurë apo diçka të pistë në rrugë, vetë i largonte dhe thoshte:
“Zoti gëzohet nga ai që interesohet për pastrimin e rrugëve dhe e shpërblen atë”.[6]
Po ashtu, ai thoshte:
“Nuk duhet të bllokoni rrugët. Zotit nuk i pëlqen të uleni rrugëve ose të hidhni në rrugë gjërat që pengojnë udhëtarët a të kryeni jashtëqitje në të”.[7]
Ai kujdesej shumë edhe për pastërtinë e ujit. Gjithmonë i këshillonte sahabët që të mos hidhnin mbeturina në ujë të palëvizshëm dhe rreptësisht e ndalonte urinimin apo kryerjen e nevojës në të.[8]
[1] Buhariu, Kitabul-edeb, bab ma jenha mines-sebabi uel-le’en; Buhariu, Kitabul-edeb, bab lem jekunin-Nebiju s.a.v.s. fahishaten.
[2] Buhariu, Kitabul-xhumua, bab es-sivaki jeumal-xhumua.
[3] Buhariu, Kitabul-at’imah, bab el-medmedati ba’det-ta’am.
[4] Mishkat, Kitabus-salah, bab el-masaxhid.
[5] Buhariu, Kitabul-at’imah, bab ma jekrehu mineth-theumi uel-bekul.
[6] Muslimi, Kitabul-birri ues-silah, bab fedli izaletil-edha.
[7] Mishkati, Kitabut-taharah, bab adabul-khala’.
[8] Buhariu, Kitabul-vudu, bab el-beuli fil-maid-daim.