
Pasi u nda me Surakanë, Profeti s.a.v.s. e vazhdoi udhëtimin dhe iu afrua Medinës. Banorët e saj e prisnin me padurim. A mund të kishin ndonjë gëzim tjetër më të madh sesa ky që dielli që kishte lindur në Mekë, tani qëndronte në qytetin e tyre! Ata e prisnin Profetin që nga dita kur e morën vesh lajmin që ai nuk gjendej në Mekë. Çdo ditë njerëzit dilnin grupe-grupe, disa kilometra jashtë qytetit, për t’u kthyer të dëshpëruar në mbrëmje.
Kur Profeti s.a.v.s. iu afrua Medinës, ai vendosi të qëndronte pak në fshatin Kuba. I pari që i pa devetë e karvanit ishte një hebre. Ai e kuptoi se kush ishin. U ngjit në një kodër dhe njoftoi me zë të lartë: “O bijtë e Kilës! (Kila ishte një fshat i Medinës) Mbërriti ai që po prisnit!”. Me të dëgjuar këtë, të gjithë banorët vrapuan drejt Kubasë. Banorëve të Kubasë u shkëlqenin sytë nga gëzimi, ngaqë kujtonin se i Dërguari i Zotit s.a.v.s. do të qëndronte te ta.
Atë ditë ndodhi një gjë që pasqyron bukur thjeshtësinë e skajshme të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Shumica e medinasve nuk e njihnin me fytyrë Profetin s.a.v.s.. Ndërsa vinin njerëzit nga Medina në Kuba, ai ishte ulur nën hijen e një peme, me shumë thjeshtësi. Ebu Bekri r.a. gjithashtu ishte atje. Edhe pse shumë pak më i ri në moshë me Profetin s.a.v.s., ai kishte pak thinja në mjekër dhe, edhe veshjen e kishte më të mirë sesa ajo e Profetit s.a.v.s.. Vizitorët, për këtë arsye, Ebu Bekrin e kujtonin si Profetin Muhammed s.a.v.s., andaj, kur vinin, uleshin me respekt duke iu drejtuar atij. Ai e vuri re se po ndodhte një keqkuptim. Menjëherë u ngrit, mori çarçafin dhe e hapi para Profetit s.a.v.s. duke thënë:
“Po ju pengon dielli o i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Do t’ju bëj hije”.[1]
Me këtë mënyrë të urtë, ai u tregoi njerëzve ku gabonin.
Pas një qëndrimi dhjetëditor të tij, medinasit e sollën Profetin e Zotit s.a.v.s. në qytetin e tyre. Burrat, gratë, fëmijët, të gjithë dolën për ta pritur dhe për t’i uruar mirëseardhje. Fëmijët dhe vajzat i këndonin:
Nga Thenijati na doli hëna e plotë
falënderimi na u obligua derisa të mbetet ndonjë thirrës i Allahut
O ti i Dërguar mes nesh!
Të bindemi në çdo urdhër që na jep.[2]
Në Medinë, Profeti Muhammed s.a.v.s. nuk hyri nga lindja, andej nga shfaqej hëna e plotë. Medinasit në këto vargje tregonin që hëna e vërtetë është ajo shpirtërore dhe se ata, deri më tani, jetonin në errësirë. Atyre tani u kishte lindur hëna, për herë të parë, në drejtimin ku zakonisht nuk shfaqej. Dita kur Profeti Muhammed s.a.v.s. kishte hyrë në Medinë ishte e hënë. Ditën e hënë ai kishte dalë nga shpella Theur dhe çuditërisht po ditën e hënë ai do ta triumfonte Mekën.
Deveja e Profetit s.a.v.s.
Kur ai hyri në Medinë, çdo njeri dëshironte që Profeti s.a.v.s. të qëndronte në shtëpinë e tij. Hareja i kishte mbështjellë të gjithë. Ngado që kalonte deveja e tij, familjet e asaj rrugice dilnin për ta mirëpritur dhe për t’i thënë:
“Urdhëroni o i Dërguar i Allahut në shtëpinë tonë. U flijoftë jeta dhe pasuria jonë për ju! O i Dërguar i Allahut! Jemi të aftë t’ju mbrojmë. Qëndroni në shtëpinë tonë!”.
Disa prej tyre dilnin përpara nga gëzimi dhe përpiqeshin t’ia kapnin frerin devesë së tij, në mënyrë që ta ndalnin te shtëpia e tyre. Por Profeti s.a.v.s. çdokujt i thoshte:
“Lëreni devenë time. Sot ajo drejtohet nga Zoti i Madhërishëm dhe do të ndalet atje ku dëshiron Ai”.
Më në fund, deveja u ndal në një truall, që u përkiste bonjakëve të Benu Nexharit.
“Duket se dëshira e Zotit të Lartësuar është që ne të qëndrojmë këtu”, u shpreh Profeti s.a.v.s..[3]
Pastaj pyeti se i kujt ishte trualli. Kujdestari i jetimëve doli përpara dhe iu përgjigj se trualli ishte i këtyre jetimëve, por ai tashmë ishte në shërbim të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. refuzoi ta merrte tokën pa pagesë. Iu caktua një çmim dhe Profeti s.a.v.s. e mori atë për të ndërtuar xhaminë dhe shtëpinë e tij.[4]
Qëndrimi në shtëpinë e Ebu Ejub Ensarit r.a.
Pastaj Profeti Muhammed s.a.v.s. i pyeti: Kush ka shtëpinë më afër nga këtu? Ebu Ejub Ensari r.a. doli përpara dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë e kam shtëpinë më afër. Bujrëm!”. Profeti s.a.v.s. i tha të shkonte një herë në shtëpi dhe të rregullonte ndonjë dhomë për të. Ebu Ejubi r.a. kishte një shtëpi dykatëshe dhe Profetit s.a.v.s. i la katin e dytë. Por, duke marrë parasysh vështirësitë që mund të kenë vizitorët, Profeti s.a.v.s. parapëlqeu katin e poshtëm.
Dashuria e zjarrtë që kishin ensarët (siç u quajtën muslimanët e Medinës), ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s. u shfaq këndshëm edhe në këtë rast. Nga insistimi i Profetit s.a.v.s. Ebu Ejubi r.a. e pranoi propozimin e tij që ai të qëndronte në katin përdhe. Por tërë natën ai dhe bashkëshortja e tij mbetën të pagjumë nga shqetësimi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po flinte poshtë tyre. Pandehnin se kjo ishte mungesë respekti ndaj Profetit s.a.v.s.. Shqetësimin e tyre ua shtoi edhe një gjë tjetër: u rrëzua një enë që ishte mbushur me ujë. Ebu Ejubi nxitimthi e mbuloi vendin me mbulesën e tij që ta thithte ujin, me qëllim që të mos pikonte në katin e poshtëm. Të nesërmen në mëngjes ata ia treguan shqetësimin e tyre Profetit s.a.v.s., derisa ai pranoi të qëndronte në katin e dytë.
Familja e Ebu Ejubit r.a. përgatiste ushqim çdo ditë dhe ia çonte Profetit s.a.v.s.. Nga pjesa që mbetej prej ushqimit të tij, hanin të gjithë pjesëtarët e familjes. Pas pak ditësh, edhe ensarë të tjerë kërkuan pjesën e tyre të mikpritjes. Për sa kohë shtëpia e Profetit s.a.v.s. nuk ishte ende gati, muslimanët e Medinës me radhë i çonin ushqim në shtëpinë e Ebu Ejubit r.a..[5]
Dëshmia e Enesit r.a., shërbyesit të Profetit Muhammed s.a.v.s.
Një e ve e Medinës kishte vetëm një fëmijë tetë apo nëntë vjeç, të quajtur Enes r.a.. Ajo e solli djalin te Profeti s.a.v.s. dhe i kërkoi që ta pranonte si shërbyes. Nga dashuria ndaj Profetit, ajo donte ta sakrifikonte të birin. Sikur ta dinte vallë që djali i saj po pranohej jo për t’u sakrifikuar, por për të fituar përjetësi!
Duke qëndruar në shoqërinë e Profetit s.a.v.s., Enesi r.a. do të bëhej jo vetëm një dijetar i shquar i Islamit, por gradualisht edhe një njeri shumë i pasur. Ai jetoi mbi njëqind vjet dhe gëzonte respekt të madh në mbretërinë muslimane. Ai thotë:
“I kam shërbyer Profetit s.a.v.s. që në vogëli dhe i qëndrova pranë gjatë gjithë jetës së tij. Ai kurrë nuk më tha ndonjë fjalë të rëndë. Kurrë nuk më qortoi. Kurrë nuk më ngarkoi me ndonjë punë që nuk mund ta bëja”.[6]
Gjatë jetës së tij në Medinë, Profeti Muhammed s.a.v.s. mori vetëm shërbimet e Enesit r.a., kështu që, dëshmia e Enesit hedh dritë të qartë mbi virtytet e tij.
Prurja e familjarëve nga Meka dhe themelimi i xhamisë së Profetit s.a.v.s.
Pas ca ditësh, Profeti Muhammed s.a.v.s. dërgoi shërbëtorin e tij të liruar, Zejdin r.a., në Mekë që t’ia sillte familjarët e tij. Mekasit, ngaqë ishin paksa të tronditur nga mërgimi i beftë, përkohësisht kishin ndalur mizoritë e tyre. Ky ishte edhe shkaku që ata nuk i penguan familjarët e Profetit s.a.v.s. dhe të Ebu Bekrit r.a. që të largoheshin nga Meka dhe, në këtë mënyrë, ata erdhën shëndoshë në Medinë. Gjatë kësaj kohe, Profeti fillimisht vuri gurthemelin e xhamisë në tokën që kishte blerë[7] dhe më pas ndërtoi shtëpi për veten dhe për miq të tjerë, periudhë kjo që zgjati afërsisht shtatë muaj.
[1] Siret Ibni Hisham, vëll. II, Egjipt, 1936, f. 137.
[2] Sherah Mavahibil-Ledunijah, vëll. I, Egjipt, 1325 Hixhri, f. 359.
[3] Siret Ibni Hisham, vëll. II, Egjipt, 1936, f. 140-141.
[4] Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 86-87.
[5] Buhariu, Bab hixhretin Nebiji s.a.; Zerkani, vëll. I, ngjarja e mërgimit.
[6] Muslimi, Kitab fedailis-sahaba.
[7] Buhariu, Bab hixhretin-Nebiji s.a.; Zerkani, vëll. I.