
Profeti Muhammed s.a.v.s. gjersa përpiqej të njihte terrenin e jashtëm, nuk ishte i pavëmendshëm ndaj reformimit të brendshëm. U përmend pak më lart që shumica e idhujtarëve të Medinës e kishin pranuar Islamin me sinqeritet, kurse disa të tjerë me hipokrizi. Për këtë arsye, Profeti s.a.v.s. u mor me vendosjen e sistemit të qeverisjes që mëson Islami.
Vendosen për herë të parë ligje administrative dhe rregulla urbanistike
Më përpara, arabët merrnin të drejtat e tyre sipas traditës së tyre, në mënyrë individuale, me dhunë. Tani ishin caktuar gjykatës (kadi), pa vendimet e të cilëve, asnjëri nuk mund të merrte të drejtën e tij. Më përpara medinasit nuk kishin fare vëmendje për të fituar dije. Tani, me ardhjen e Profetit s.a.v.s., u vendos sistemi që, të shkolluarit të mësojnë të pashkolluarit. Dhuna, armiqësia dhe padrejtësia u ndaluan. U dhanë të drejtat grave.
Sipas Sheriatit, të gjithë të pasurve iu vu një taksë që do të përdorej për mirëqenien e të varfërve dhe për zhvillimin e sektorëve të tjerë të qytetit. U mbrojtën të drejtat e punëtorëve. U vendos sistemi për arsimin e të pastrehëve. U vendos ligji për të dokumentuar çdo marrëveshje financiare. U ndalua rreptësisht dhuna ndaj skllevërve. Rëndësi e veçantë iu dha pastërtisë dhe rregullave të shëndetësisë. Filloi regjistrimi i popullsisë. U dekretuan vendime për zgjerimin e rrugëve e rrugicave. Me pak fjalë, erdhën në jetë të gjitha normat shoqërore dhe qytetare, u morën masa që garantonin praktikumin e këtyre rregullave dhe Arabia, për herë të parë, u njoh me rregullat e një shoqërie të sistemuar e të civilizuar.
Profeti s.a.v.s. po u paraqiste arabëve një kod, që do t’u sillte nder, dinjitet, paqe dhe zhvillim, jo vetëm në atë kohë, por përjetësisht, dhe jo vetëm atyre, por edhe popujve të tjerë të botës. Ndërkohë në anën tjetër, tanimë në mënyrë të mirëfilltë, njerëzit e Mekës ishin të angazhuar në nisjen e një lufte kundër Islamit, përpjekje kjo që do t’i pararendte betejës së Bedrit.