
Pasi u lirua nga kjo betejë, Profeti s.a.v.s. tha:
“Nga sot e tutje mohuesit arabë nuk do të na sulmojnë”.
Domethënë, sprova e muslimanëve kishte arritur kulmin e saj dhe tani do të fillonte epoka e triumfit të tyre. Në të gjitha betejat që ishin bërë gjer atëherë, ose mohuesit e kishin mësyrë Medinën, ose muslimanët kishin dalë nga Medina për t’i parandaluar mësymjet e tyre. Muslimanët vetë nuk kishin bërë ndonjë përpjekje për ta vijuar luftën. Sipas rregullave të luftës, një luftë që ndizet mund të përfundojë vetëm në dy mënyra: të dyja palët të pajtohen, ose njëra prej tyre të dorëzohet. Por deri më tani, nuk kishte ndodhur asnjëra prej tyre, pra, ishte vendosur një armëpushim në beteja sipas praktikave të kohës së vjetër, por lufta po vazhdonte akoma dhe nuk kishte marrë fund. Prandaj, muslimanët e kishin të drejtën ta sulmonin armikun kur të donin dhe ta detyronin të dorëzohej.
Por ata nuk bënë ashtu. Çdo herë kur binte armëpushimi, edhe muslimanët heshtnin, për arsye se ndoshta mohuesit do të pajtoheshin dhe lufta do të merrte fund. Por për sa kohë mohuesit nuk bënë asnjë hap drejt kompromisit dhe as nuk iu dorëzuan muslimanëve, madje ndezën akoma më shumë kundërshtimin e tyre, atëherë për muslimanët, kishte ardhur koha që çështja të vendosej në mënyrë luftarake, ose të dorëzohej njëra nga dy palët, në mënyrë që të vendosej paqja në vend.
Prandaj, pas betejës së Ahzabit, Profeti Muhammed s.a.v.s. vendosi që të arrinte njërin prej dy synimeve, ose muslimanët dhe mohuesit të pajtoheshin, ose njëra palë të dorëzohej. Është e qartë që atë të dytën mund ta bënin vetëm mohuesit, sepse për triumfin e Islamit Zoti i Lartësuar e kishte dhënë paralajmërimin, të cilin, Profeti s.a.v.s. e kishte përhapur që në kohën kur ishte në Mekë.
Për sa i përket kompromisit, duhet të dimë që ai mund të bëhet edhe nga pala mbizotëruese, edhe nga pala e mbizotëruar. Kur kjo e fundit bën kërkesë për paqe, atëherë ai i nënshtrohet palës mbizotëruese duke paguar si haraç një pjesë të tokës apo të ardhurave të tij, përjetësisht apo përkohësisht, ose në raste të tjera, duke pranuar kushtet e vëna prej palës mbizotëruese.
Ndërsa pala mbizotëruese, kur bën propozimin e paqes, i drejtohet palës tjetër:
Ne nuk duam t’ju shtypim plotësisht. Nëse do të na nënshtroheni në disa çështje, ne nuk do të cenojmë pavarësinë tuaj, të plotë apo të pjesshme.
Në luftën midis Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe mohuesve mekas, këta të fundit vazhdimisht kishin pësuar disfata, por disfata e tyre nuk nënkuptonte se ata kishin humbur luftën, por vetëm se u dështonin sulmet. Humbja e plotë e tyre do të quhej ajo kur ata të thyheshin tërësisht e nuk do të mund të rezistonin më. Vetëm dështimi i sulmit nuk quhet humbje e plotë, për më tepër ata sërish mund të bënin ndonjë sulm për ta arritur synimin e tyre. Kështu që, sipas rregullave luftarake, mekasit ende nuk konsideroheshin të mundur, por vetëm se atentatet e tyre barbare nuk e kishin arritur synimin. Kurse muslimanët, nga pikëpamja luftarake, mund të quheshin të mundur, edhe pse as atyre nuk u ishte tulatur forca rezistente, përfundim ky që ka këto arsye:
Së pari, muslimanët ishin një pakicë shumë e vogël. Së dyti, ata deri më tani nuk kishin bërë asnjë atentat agresiv, domethënë nuk ishin nismëtarë të ndonjë beteje, që të arsyetonim që ata e kujtonin veten të pavarur nga mohuesit. Në këto rrethana, propozimi për kompromis nga ana e muslimanëve do të thoshte vetëm se ata janë dërrmuar duke u rezistuar dhe tani donin t’i hiqnin qafe.
Çdo njeri i mençur mund të kuptojë që, në këto rrethana, nëse muslimanët do të bënin një gjë të tillë, ajo do të ishte shumë e rrezikshme, madje e barabartë me vetëvrasje. Edhe mohuesit arabë, që po shkurajoheshin nga dështimet e vazhdueshme në mësymjet e tyre barbare, nga propozimi i muslimanëve për kompromis, do të rigjallëroheshin e do të mbusheshin sërishmi me synimet e tyre. Dhe në këtë mënyrë do të konsiderohej që muslimanët, sado që e kishin mbrojtur Medinën nga shkatërrimi, ishin zhgënjyer nga suksesi përfundimtar.
Prandaj, propozimi i kompromisit në asnjë mënyrë nuk mund të bëhej nga ana e muslimanëve. Nëse dikush mund ta bënte atë, ata ishin mekasit, ose një palë e tretë. Por, në Arabi nuk kishte mbetur ndonjë palë e tretë. Në njërën anë ishte Medina dhe përballë saj qëndronte e gjithë Arabia. Kështu që, praktikisht vetëm mohuesit mund ta bënin këtë propozim, gjë që ata nuk e mendonin fare. Kjo gjendje edhe po të vazhdonte për njëqind vjet, sipas normave luftarake, lufta civile e Arabisë nuk do të ndalej.
Ngase mekasit nuk kishin bërë ndonjë propozim për paqe, kurse medinasit në asnjë rrethanë nuk ishin të gatshëm për të pranuar për veten nënshtrimin ndaj mohuesve, por pasi e kishin kthyer mbrapsht sulmin e përgjithshëm të Arabisë, atyre u kishte mbetur vetëm një rrugë: të dilnin e t’i detyronin mohuesit arabë që të pranonin nënshtrimin ndaj tyre, ose të pajtoheshin me ta. Pikërisht këtë rrugë e zgjodhi Profeti Muhammed s.a.v.s., rrugë e cila në pamje të parë, dukej se ishte luftë, por në të vërtetë, nuk kishte asnjë rrugë tjetër për të vendosur paqe.
Nëse Profeti s.a.v.s. nuk do ta zgjidhte këtë, kishte mundësi që lufta të vazhdonte edhe deri në njëqind vjet, ashtu siç kishte ndodhur në kohët e vjetra, në rrethana të tilla. Shumë nga luftërat e mëparshme arabe vazhduan deri në tridhjetë apo dyzet vjet. Arsyeja e zgjatjes së tyre ka të ngjarë të ketë qenë pikërisht fakti që asnjë përpjekje nuk bëhej për t’i dhënë fund luftës. Siç u tha edhe më lart, ka vetëm dy mënyra për t’i dhënë fund luftës: lufta, ose të bëhet në atë mënyrë që gjithçka të vendoset njëherë e mirë dhe njëra nga palët të dorëzohet, ose të dyja palët të pajtohen.
Profeti Muhammed s.a.v.s. mund të zgjidhte heshtjen duke qëndruar në Medinë dhe të mos sulmonte, por, ishin mohuesit arabë ata që kishin shpallur luftën, andaj, një heshtje e Profetit këtu, nuk mund t’i jepte fund luftës, përkundrazi, ajo do të nënkuptonte fillimin e nënshtrimit të tij ndaj mohuesve. Në këtë rast, mohuesit arabë do të sulmonin Medinën sa herë t’u shkrepej, pa pasur asnjë provokim. Përveç kësaj, sipas rregullave të kohës, veprimi i tyre do të konsiderohej i drejtë, sepse heshtja në luftë, në atë kohë, nuk merrej si fundi i saj, por si pjesë e saj.