
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte shumë i kujdesshëm në sjelljen sa më të butë dhe të drejtë ndaj bashkëshorteve. Nganjëherë gratë e tij tregoheshin edhe të rrepta, por ai vetëm me buzëqeshje i anashkalonte. Ajshes r.a. i kishte thënë një ditë: “O Ajshe, unë e kuptoj kur mbetesh e pakënaqur me mua”. “Si e kupton?”, e pyeti ajo. Profeti s.a.v.s. i tha:
“Kur je e gëzuar me mua dhe nëse qëllon ndonjë rast kur dëshiron të betohesh, thua – pasha Zotin e Muhammedit – e kur je e pakënaqur, thua – pasha Zotin e Ibrahimit”.
Ajshja r.a. zuri të qeshte nga kjo vërejtje dhe e pohoi që Profeti s.a.v.s. kishte të drejtë.[1]
Hatixhja r.a. ishte bashkëshortja e parë e Profetit s.a.v.s., e cila kishte bërë sakrifica nga më të mëdhatë për hir të tij. Pas vdekjes së saj, gra të tjera, më të reja, u martuan me të, megjithatë, ai nuk mundi ta harronte lidhjen me Hatixhen r.a. Sa herë që vinin shoqet e saj në shtëpi, ai çohej në këmbë për t’i mirëpritur.[2] Nëse para tij i vinte ndonjë gjë e bërë prej Hatixhes r.a., sytë i mbusheshin me lot.
Në betejën e Bedrit, ndër të burgosurit erdhi edhe një dhëndër i Profetit s.a.v.s., i cili s’kishte para për të shpaguar për lirimin e tij. E shoqja, domethënë, Zejnebja, e bija e Profetit s.a.v.s., kur pa që bashkëshorti nuk kishte asnjë gjë, dërgoi në Medinë varësen e së ëmës, të vetmin kujtim të saj, si shpagim për lirimin e bashkëshortit. Kur ia sollën varësen para Profetit s.a.v.s., ai e njohu menjëherë dhe sytë iu mbushën me lot. U tha sahabëve që ishte i vetëdijshëm se varësja ishte e Zejnebes, së cilës i kishte mbetur kujtimi i fundit i së ëmës dhe ngaqë s’mund t’u jepte urdhër në këtë çështje, i rekomandoi sahabët e tij që vajzës t’ia kthenin kujtimin e fundit të nënës së saj. Sahabët thanë “O i Dërguari i Allahut, çfarë tjetër mund të na japë më shumë kënaqësi se kjo!”, dhe varësen ia kthyen Zejnebes r.a..[3]
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte aq shumë i ndikuar nga sakrificat e Hatixhes r.a. saqë shpesh ua përmendte mirësitë e saj bashkëshorteve të tjera. Kështu një ditë, i kishte përmendur Ajshes r.a. një mirësi të tillë. Asaj i mbeti qejfi dhe tha
“O i Dërguari i Allahut, mos e kujtoni më atë plakë. Zoti i Lartësuar tashmë ju ka dhënë gratë më të reja e më të bukura sesa ajo”.
Profeti s.a.v.s. u prek thellë nga kjo dhe tha:
“Oj Ajshe, nuk e ke idenë se si më ka shërbyer Hatixhja mua!”.[4]
[1] Muslimi, Kitabul-fedail, bab fedaili Ajshja.
[2] Muslimi, Kitabul-fedail, bab min fedaili Khetixha.
[3] Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 205.
[4] Buhariu, Kitabul-menakib, bab tezuixhin-Nebiji s.a..