Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
Jeta

Koha kur lindi Profeti Muhammed s.a., duhet të studiohet si pjesë e jetës së tij, sepse, në të vërtetë, vetëm duke shkoqitur gjendjen e asaj kohe, njeriu mund të kuptojë mirë jetën e tij.

Profeti s.a.v.s. lindi në Mekën e shenjtë. Në bazë të llogaritjeve del, që ai lindi në gusht të vitit 570 e.s. sipas kalendarit gregorian. Ai u quajt Muhammed, që do të thotë i lavdëruar. Në kohën kur Profeti s.a.v.s. kishte lindur, thuajse e gjithë Arabia besonte në idhujtari. Prejardhjen e tyre arabët e lidhnin me Ibrahimin a.s.. Ndonëse ata e dinin se Ibrahimi a.s. kishte dhënë mësimin e monoteizmit, ata kishin besime politeiste, madje ishin të dhënë pas praktikës së ritualeve të tyre. Si justifikim, ata thoshin se disa njerëz gradualisht i afrohen aq shumë Zotit, saqë Ai pranon ndërmjetësinë e tyre për të tjerët. Derisa Zoti është i Madhërishëm, sipas tyre, njerëzit e thjeshtë e kishin të vështirë ta arrijnë Atë, andaj, atyre patjetër u duhej ndërmjetësimi i një njeriu të përsosur për të fituar pëlqimin dhe ndihmën e Tij.

Duke iu mbështetur kësaj ideje paradoksale, ata e justifikonin besimin e tyre politeist, duke pranuar njëkohësisht prejardhjen e tyre nga Ibrahimi a.s. monoteist. thoshin se Ibrahimi ishte një njeri i shenjtë dhe si i tillë ai kishte mundësi për të arritur te Zoti pa ndërmjetësim, ndërsa mekasit nuk ishin të këtij niveli. Për këtë arsye, atyre u duhej të bënin ndërmjetës disa qenie të epërme, nëpërmjet të cilave, ata mund të arrinin Zotin duke i adhuruar e duke i bërë blatime. Ky besim i mekasve ishte tepër i mangët, i palogjikshëm dhe i cunguar, por ata aspak nuk shqetësoheshin për këtë, ngaqë nuk kishin pasur ndonjë mësues monoteist. Besimi në shumë zota, nëse një herë hedh rrënjë në shoqëri, ai përhapet dhe nuk njeh më kufi. Zotat sa venë, rriten.

Në kohën kur lindi Profeti Muhammed s.a., sipas historianëve, vetëm në Qabe, në xhaminë e shenjtë të fesë Islame dhe faltoren e ndërtuar nga Ibrahimias dhe djali i tij Ismaili a.s., kishin qenë 360 idhuj. Si duket, për çdo ditë të vitit hënor, mekasit kishin nga një idhull të veçantë. Përpos kësaj, në vendbanimet e mëdha që ishin përreth, dhe në qendrat e fiseve kryesore, kishte edhe idhuj të tjerë. Kështu që, mund të pohojmë se çdo cep i Arabisë ishte i zhytur në besime politeiste.

Arabët ishin të pasionuar pas folklorit. Ata ishin shumë të interesuar për pasurimin e gjuhës së tyre dhe i jepnin rëndësi të veçantë lëvrimit të saj, megjithatë, ambiciet e tyre intelektuale thuajse ishin të shteruara. Për fusha të tjera, si historia, gjeografia, matematika, etj. nuk dinin asgjë, por ngaqë jetonin në shkretëtirë dhe u duhej të orientoheshin pa pasur asnjë shenjë, ata ishin bërë mjeshtër në astronomi. Në gjithë Arabinë nuk kishte asnjë shkollë. Në Mekën e shenjtë, thuhej, se shumë pak njerëz dinin shkrim e këndim.

Nga pikëpamja morale, arabët ishin njerëz kontradiktorë. Ata kishin të meta të skajshme morale, por njëkohësisht zotëronin edhe disa cilësi të admirueshme, të cilat e dallonin dukshëm popullin e tyre.

Alkooli dhe kumari

Alkoolin e pinin aq shumë saqë dehjen e zdërhalljen e konsideronin jo ves, por virtyt. “Zotëri” në konceptin e tyre, ishte edhe ai që zbaviste shokët dhe fqinjët e tij duke iu shërbyer me sa më shumë pije alkoolike. Të pasurit duhej të organizonin gosti pijesh të paktën pesë herë në ditë. Kumari ishte loja e tyre kombëtare, të cilën ata e kishin kthyer në art. Luanin kumar, jo për t’u bërë të pasur, por për t’u mburrur e për të treguar bujarinë e tyre. Për shembull, fituesi caktohej të zbaviste shokët ose t’i ftonte në gosti. Në kohë lufte, paratë grumbulloheshin nga kjo lojë. Edhe sot, në kohë lufte, po përhapet gjithnjë e më shumë moda e lotarisë, por kumarxhinjtë evropianë dhe amerikanë duhet të dinë se pionierët e kësaj tradite ishin arabët. Kur ndizej ndonjë luftë, fiset arabe organizonin gosti kumari. Ai që fitonte, hiqte shumicën e shpenzimeve të luftës. Kështu që, mungesën e komoditeteve të tjera të kohës e kishin zëvendësuar me alkool dhe kumar.

Tregtia

Zanati kryesor i arabëve ishte tregtia. Karvanët e tyre tregtarë udhëtonin shumë larg, deri në Abisini, Siri, Palestinë, madje edhe në Indi. Të pasurit e Arabisë vlerësonin shumë shpatat indiane. Tekstilin më shumë e merrnin nga Jemeni dhe Siria. Qytetet e Arabisë ishin qendra të tregtisë, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e saj, përveç Jemenit dhe disa zonave veriore, kishte një jetë nomade, në të cilën nuk kishte as qytete, as vendbanime të qëndrueshme. Fiset e kishin ndarë vendin në mes vete në zona përkatëse, ku mund të endeshin lirisht. Kur shteronte uji, shpërnguleshin nga ai vend në një vend tjetër ku kishte ujë. Pasuria e tyre përbëhej nga delet, dhitë dhe devetë. Nga leshi i tyre ata bënin veshje, ndërsa nga lëkurat bënin çadra. Gjërat që mbeteshin i shisnin në treg.

Karakteristika dhe zakone të tjera të arabëve

Ari dhe argjendi nuk ishin gjëra të panjohura për ta, por padyshim, rrallë i gjenin. Të varfrit dhe njerëzit e zakonshëm i bënin stolitë me guaska ose me substanca aromatike. Me karafilat, farat e pjeprit dhe të kastravecëve etj., përgatisnin varëse për femra. Edhe pse nuk ishin stoli, ato kënaqeshin me to.

Imoraliteti dhe krimi në Arabi ishin në kulm. Vjedhjet ishin më pak, por rrëmbimet ishin të zakonshme. Rrëmbimin e njëri-tjetrit e kujtonin si të drejtë kombëtare. Megjithatë, arabët e ruanin besën më fort sesa popujt e tjerë. Nëse dikush vinte te ndonjë person i fuqishëm ose te ndonjë fis dhe i binte ndore, atëherë për të ishte detyrë ta strehonte, përndryshe ai njeri a fis poshtërohej në gjithë Arabinë. Poetët gëzonin autoritet të lartë, madje konsideroheshin liderë kombëtarë. Për udhëheqësit ishte e nevojshme të ishin gojëtarë dhe poetë. Mikpritja e tyre ishte e shkallës më të lartë. Nëse vinte ndonjë udhëtar i humbur dhe i këputur te ndonjë fis dhe thoshte – jam mysafir te ju – ata nuk ngurronin t’i thernin qengja ose deve. Atyre nuk u interesonte se çfarë miku vinte, vetëm ardhja e tij ishte e mjaftueshme për ta, sepse kjo konsiderohej si nder për fisin e tyre. Kështu që, fisi ishte i detyruar që ta nderonte mikun, sepse edhe vetë fisi, në këtë mënyrë, nderohej.

Femrat në shoqërinë arabe nuk kishin asnjë të drejtë. Në disa fise, nëse babai vriste vajzën e tij, ky akt i sillte nder. Historianët gabojnë kur shkruajnë që vrasja e vajzave ishte zakon në të gjithë Arabinë. Natyrisht nuk mund të ndodhte kështu, sepse do të zhdukej raca e njeriut në vend. Në të vërtetë, ky zakon ishte i përhapur vetëm në disa fise të Arabisë, Indisë dhe të vendeve të tjera. Familjet, që e kishin këtë zakon, e konsideronin veten të lartë në status dhe mbase duke kujtuar se vajzave të tyre nuk mund t’u gjenin bashkëshortë të denjë për statusin e tyre, ata e kryenin këtë krim. Ligësia e këtij zakoni ekziston më tepër te egërsia dhe mizoria e tij sesa në pasojën që vjen në popullsinë e një kombi. Metoda të ndryshme përdoreshin për të vrarë vajzat. Disa familje i varrosnin për së gjalli, disa i mbytnin me duar dhe disa të tjerë praktikonin edhe metoda të tjera.

Arabët, vetëm nënës biologjike i jepnin statusin e nënës. Njerka nuk konsiderohej nënë dhe pas vdekjes së babait, djali edhe mund të martohej me të. Martesa me shumë gra ishte normale, madje për burrin nuk kishte ndonjë kufi që deri në sa gra mund të mbante njëkohësisht. Një burrë edhe mund të martohej njëkohësisht me dy ose më shumë se një grua kur ato ishin motra.

Në luftë, arabët tregoheshin shumë mizorë. Nëse dikë e urrenin shumë, ia çanin trupin pasi e vrisnin, disave u kafshonin mëlçinë, ose u prisnin hundën, veshët, madje disave u nxirrnin sytë. Skllavëria ishte një fenomen shumë i përhapur. Sulmonin fise të dobëta përreth dhe i skllavëronin. Skllavi nuk kishte asnjë të drejtë. Pronari sillej si të donte me të dhe për këtë ai nuk i jepte llogari askujt. Ai edhe nëse e vriste nuk akuzohej për të. Edhe kur i vriste dikujt tjetër ndonjë skllav, ai nuk rrezikohej nga dënimi me vdekje, por shpëtonte vetëm duke dhënë një shpagim të vogël. Arabët kishin të drejtë ligjore për të shfrytëzuar skllavet për çlirimin e epsheve të tyre. Fëmijët që lindnin skllavet, konsideroheshin po skllevër dhe, edhe skllavet që bëheshin nëna, të tilla mbeteshin. Sa i përket civilizimit dhe zhvillimit shoqëror, arabët ishin shumë të prapambetur. Toleranca dhe sjellja e mirë ndaj popujve të tjerë nuk njihej. Për sa i takon sjelljes me gjininë e brishtë, arabët ishin shumë mbrapa nga popujt e tjerë. Me gjithë këto të meta, ata kishin disa cilësi individuale. Për shembull, trimërinë e kishin deri në atë masë që ndoshta nuk e kishin popujt e tjerë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp