
Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve
Gjatë këtyre ditëve, Profeti Muhammed s.a.v.s. bëri një tjetër hap të rëndësishëm për forcimin e Islamit. Ai mblodhi të gjithë muslimanët, ensarët e muhaxhirët, dhe vendosi vëllazëri midis çdo dy muslimanëve. Ensarët e mirëpritën vëllazërinë me aq entuziazëm, saqë secili prej tyre mori vëllanë e tij muhaxhir në shtëpinë e tij dhe i paraqiti gjithë pasurinë e vet për ta ndarë në dy pjesë në mënyrë të barabartë.
Njëri prej tyre shkoi gjer aty sa këmbënguli që vëllai i tij muhaxhir të martohej me njërën prej dy grave të tij, pasi ai të ndahej nga ajo.[1] Megjithatë, muhaxhirët refuzuan t’i pranonin pasuritë e tyre duke i falënderuar për dashamirësinë e jashtëzakonshme që u kishin treguar. Por ensarët i kërkonin me ngulm Profetit s.a.v.s. duke thënë se nëse muhaxhirët janë shpallur vëllezër të tyre, si është e mundur që ata të mos merrnin pjesë në pasurinë e tyre. Nëse muhaxhirët merreshin me tregti, thoshin ensarët, dhe nuk ishin bujq si ata, atëherë, të paktën duhet të pranonin diçka nga të ardhurat e tyre që u vinin nga bujqësia.
Muhaxhirët qëndruan të palëkundur dhe u morën me tregtinë, zanatin e tyre të trashëguar, dhe për shumë pak ditë, disa prej tyre u bënë të pasur, por, ensarët e kishin ndarë mendjen për ndarjen e pasurisë së tyre. Pasardhësit e disave prej tyre që ndërruan jetë, mbajtën zakonin arab, duke u dhënë vëllezërve të tyre muhaxhirë pjesën që u takonte. Kjo risi vazhdoi për shumë vite, derisa zbriti urdhri i shfuqizimit të saj në Kuranin Famëlartë.
Marrëveshja midis muhaxhirëve, ensarëve dhe hebrenjve
Përveç vendosjes së vëllazërisë që përmendëm më lart, Profeti Muhammed s.a.v.s. realizoi një marrëveshje midis të gjithë banorëve të Medinës. Ai mblodhi krerët e hebrenjve e të arabëve duke u treguar se më përpara në Medinë jetonin vetëm dy grupe: arabët e qytetit dhe hebrenjtë. Por me ardhjen e muhaxhirëve ishin bërë tri. Prandaj, ata duhej të bënin një marrëveshje për të bashkëjetuar paqësisht. Me dakortësinë e ndërsjellë u arrit marrëveshja, fjalët e së cilës ishin:
“Marrëveshja midis Profetit të Zotit, besimtarëve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të hyjnë në të.
Nëse vritet dikush nga muhaxhirët, të tijtë do të mbajnë përgjegjësi dhe vetë do të lirojnë të burgosurit e tyre. Po ashtu, edhe fiset e ndryshme të Medinës, vetë do të mbajnë përgjegjësi në këto çështje. Ai që përhap rebelizëm, ndjell armiqësi apo krijon përçarje në shtet, të gjitha palët do të ngrihen kundër tij, edhe sikur ai të jetë djali i tyre. Nëse ndonjë mohues vritet në luftë nga dora e ndonjë muslimani, të afërmit e mohuesit të vrarë nuk do të hakmerren ndaj muslimanit, e as nuk do të mbështesin një mohues të tillë kundër një muslimani.
Çdo hebre që bashkohet me këtë marrëveshje, të gjithë bashkërisht do ta ndihmojnë atë. Hebrenjtë nuk do të futen në vështirësi dhe as armiku i tyre nuk do të mbështetet kundër tyre. Asnjë jomusliman nuk do të strehojë mekasit në shtëpinë e tij, as nuk do të mbajë pasuritë e tyre si amanet e as nuk do të bëjë ndonjë ndërhyrje në luftën midis mohuesve dhe besimtarëve. Nëse ndonjëri do të vrasë ndonjë musliman padrejtësisht, të gjithë muslimanët bashkërisht do të bëjnë përpjekje kundër tij.
Nëse një armik idhujtar do të sulmojë Medinën, atëherë hebrenjtë do t’i mbështesin muslimanët dhe sipas asaj që u takon, do t’i mbulojnë shpenzimet. Fiset hebraike që kanë bërë marrëveshje me fise të ndryshme të Medinës, të drejtat e tyre do t’i kenë të njëjta me të drejtat e muslimanëve. Hebrenjtë do të praktikojnë fenë e tyre, ndërsa muslimanët të tyren. Të drejtat që do t’i kenë hebrenjtë, do t’i kenë edhe pasardhësit e tyre. Asnjë nga banorët e Medinës nuk do të nisë luftë, pa marrë lejen e Profetit Muhammed s.a.v.s. Por, ky kusht nuk do të privojë askënd nga hakmarrja e tij e drejtë.
Hebrenjtë, për organizimin e tyre, shpenzimet do t’i mbulojnë vetë, po kështu edhe muslimanët, por në gjendje lufte, ata do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
Medina do të jetë një vend i shenjtë për të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë marrëveshje. Çdo i huaj që vjen në mbrojtjen e banorëve të Medinës, do të trajtohet ashtu siç trajtohen banorët vendas. Banorët e Medinës nuk do të lejohen të mbajnë ndonjë grua në shtëpitë e tyre, pa dëshirën e të afërmve të saj. G
rindjet dhe trazirat do të drejtohen për t’u gjykuar nga Zoti dhe i Dërguari i Tij. Ata që janë pjesëtarë në këtë marrëveshje, nuk do të bëjnë ndonjë pakt tjetër me mekasit dhe me fiset aleate të tyre, pasi anëtarët e kësaj marrëveshjeje, nëpërmjet saj kanë rënë në ujdi kundër armiqve të Medinës. Ashtu siç lufta nuk do të lejohet të bëhet individualisht, edhe paqja nuk do vendoset individualisht. Por askush nuk do të detyrohet për të marrë pjesë në luftë. Nëse dikush bën ndonjë mizori, ai do të meritojë të ndëshkohet.
Me të vërtetë, Zoti i mbron mirëbërësit dhe të drejtët dhe Muhammedi (s.a.v.s.) është i Dërguari i Zotit”.[2]
Kjo ishte një përmbledhje e marrëveshjes në të cilën vazhdimisht ishte theksuar që askush nuk do të lërë drejtësinë, vërtetësinë dhe sinqeritetin dhe se ata që do të bënin mizori, do të mbanin përgjegjësi. Nga ana e Profetit s.a.v.s. gjithashtu, marrëveshja u garantonte fuqishëm paqen dhe sjelljen dashamirëse si hebrenjve, ashtu edhe atyre banorëve të Medinës që nuk e kishin pranuar Islamin, madje në të theksohej se ata do të trajtoheshin si vëllezër. Megjithatë, konfliktet dhe grindjet që u ndezën më vonë, gjithmonë ishin nisur nga hebrenjtë.
[1] Tirmidhiu, Kitabul-birri ues-silah, bab ma xha’a fi mevasat.
[2] Siret Ibni Hisham, vëll. II, Egjipt, 1936, f. 147-150.