Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
Related Contents from Topics
beteja e hendekut

Kemi treguar më parë rreth dy fiseve hebraike, të cilat, për shkak të luftës, trazirave, vrasjeve dhe atentateve për vrasje, ishin dëbuar nga Medina. Prej tyre, një pjesë e Benu Nedirit kishte mërguar drejt Sirisë, ndërsa pjesa tjetër kishte mërguar në Khejber, një qytet në veri të Medinës. Khejberi ishte një qendër kryesore e hebrenjve në Arabi dhe ishte mjaft i fortifikuar. Benu Nedirët kur shkuan atje, filluan t’i ngërmonin arabët kundër muslimanëve. Mekasit edhe më parë i kundërshtonin muslimanët dhe nuk kishin nevojë fare për nxitje. Po ashtu edhe fisi Getfan që vinte nga Nexhdi dhe që zinte një vend kryesor ndër fiset arabe, për shkak të miqësisë që kishte me mekasit, mbante qëndrim armiqësor kundër Islamit.

Përveç kurejshëve (mekasve) dhe getfanëve, hebrenjtë nxitën kundër muslimanëve edhe dy fise të tjera të fuqishme, Benu Selimin dhe Benu Esedin. Edhe fisin Benu Sad, që ishte aleat i hebrenjve e bindën t’i përkrahte mohuesit e Mekës.

Pas një përgatitjeje të gjatë, u themelua një bashkim i përgjithshëm i të gjitha fiseve të fuqishme arabe, në të cilin bënin pjesë edhe mekasit. Ishin edhe fiset që jetonin përreth Mekës, edhe fiset që jetonin në Nexhd dhe në zonat veriore të Medinës dhe po ashtu, edhe hebrenjtë. Të gjitha këto fise gatitën një ushtri gjigante për ta mësyrë Medinën. Kjo ndodhi në muajin sheval të vitit të 5-të të hixhretit, domethënë në fund të shkurtit apo në fillim të marsit të vitit 627.[1]

Historianë të ndryshëm kanë dhënë shifra të ndryshme të kësaj ushtrie, që variojnë nga dhjetë mijë deri në njëzet e katër mijë ushtarë. Dihet që bashkimi i gjithë arabëve nuk mund të përmblidhej vetëm në dhjetë mijë ushtarë. Varianti i njëzet e katër mijë ushtarëve ka më tepër të ngjarë të jetë i besueshëm dhe, në mos qoftë i saktë, numri i ushtrisë patjetër duhet të ketë qenë deri në tetëmbëdhjetë a njëzet mijë ushtarë.

Medina ishte një qytezë e vogël. Mësymja e gjithë Arabisë kundër saj nuk mund të ishte e vogël. Meshkujt e Medinës (duke përfshirë të moshuarit, të rinjtë dhe fëmijët) mund të ishin vetëm deri në tre mijë, kurse ushtria e armikut ishte nga njëzet deri në njëzet e katër mijë veta, që të gjithë burra, të stërvitur dhe të rrahur në zjarrin e betejave. Dihet që nëse lufta bëhet në vendin ku banon, mund të marrin pjesë edhe fëmijët, edhe pleqtë. Por nëse ushtria udhëton larg për të bërë ndonjë sulm, atëherë vetëm burrat e fortë marrin pjesë në të. Prandaj, kjo ishte padyshim e vërtetë, që në ushtrinë e mohuesve, e cila përbëhej nga njëzet mijë apo njëzet e pesë mijë ose sado të ishin, të gjithë duhet të kenë qenë ushtarë të provuar, të rinj dhe të fortë.

Por, medinasit meshkuj mezi ishin tre mijë, duke përfshirë fëmijët dhe të gjymtët. Nëse medinasit konsiderohen tre mijë meshkuj, atëherë, e llogaritur me të njëjtin kriter, ushtria e armikut duhet konsideruar deri në dyzet mijë. E, nëse ushtria armike ishte njëzet mijë ushtarë, atëherë ushtarët e Medinës nuk mund të ishin më shumë se një mijë e pesëqind veta.

Gërimimi i hendekut

Kur Profeti Muhammed s.a.v.s. mori lajmin e mbledhjes dhe të përgatitjeve të kësaj ushtrie dhe të sulmit të saj, ai thirri sahabët r.a. e tij dhe u këshillua me ta se çfarë duhet të bënin në këtë situatë. Ai pyeti Selmanin r.a., muslimanin e parë pers, se si veprohej në kësi rrethanash në vendin e tij.

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.!”, iu përgjigj Selmani r.a., “kur qyteti është i pambrojtur dhe ka pak ushtarë, atëherë, në vendin tonë, njerëzit hapin hendek rreth qytetit dhe mbyllen brenda tij”.

Profetit s.a.v.s. i pëlqeu kjo strategji. Medina, në një anë ishte e mbyllur me kodra; në anën e dytë kishte mëhalla ku shtëpitë ishin të ngjitura me njëra-tjetrën, nga ku armikut i duhej të vinte duke kaluar përmes disa rrugicave të ngushta; në anën e tretë përsëri ishin disa shtëpi, kopshte dhe pak më larg ndodheshin fortesat e fisit hebre, të Benu Kurejdhës. Ngaqë ata kishin bërë marrëveshje për bashkimin me muslimanët, kjo anë u mendua të ishte e sigurt. Në anën e katërt, shtrihej një fushë e gjerë, që përbënte shumë rrezik. Profeti s.a.v.s. vendosi që të mihej një hendek në pjesën e fushës, në mënyrë që armiku të mos hynte befas në qytet. Ai i dha çdo njësie prej dhjetë sahabëve, nga dhjetë jardë tokë për të gërmuar. Hendeku u hap, afërsisht një milje i gjatë.

Gjatë mihjes, në tokë doli një gur i madh që nuk thyhej dot nga sahabët r.a.. Ata e lajmëruan Profetin s.a.v.s. dhe ai erdhi për ta vëzhguar pengesën. Mori kazmën dhe e goditi fuqishëm. Përplasja e kazmës me gurin lëshoi një shkëndijë dhe Profeti s.a.v.s. tha:

“Allahu Ekber”.

Ai për herë të dytë i ra me kazmë dhe sërish doli shkëndijë dhe ai sërish tha:

“Allahu Ekber”.

Ai e goditi gurin për të tretën herë dhe edhe një herë u pa shkëndijë dhe guri u ça më në fund. Profeti s.a.v.s. edhe herën e tretë shqiptoi:

“Allahu Ekber”.

Sahabët r.a. e pyetën:

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.! Përse keni thënë Allahu Ekber të tria herët?”

Ai u përgjigj:

“Duke i rënë gurit me kazmë tri herë dolën shkëndija dhe të tria herët Zoti më ka treguar përparimet e ardhshme të Islamit. Në shkëndijën e parë Ai më tregoi kështjellat e Sirisë, të Perandorisë Romake dhe m’i dha çelësat e tyre. Në shkëndijën e dytë më tregoi kështjellat llamburitëse të Medainit dhe m’i dha çelësat e Perandorisë Perse. Ndërsa me shkëndijën e tretë Zoti më tregoi portat e Sanasë dhe m’i dha çelësat e Perandorisë së Jemenit.[2] Prandaj, besojini premtimet e Zotit. Armiku nuk mund t’ju sjellë dëm aspak”.

Ata pak njerëz padyshim nuk mund të hapnin një llogore të gjatë me parametra ushtarake. Ngjarjet që do të përmenden në vijim, tregojnë se hendeku i gërmuar prej sahabëve do t’u shërbente vetëm sa të mos hynte befasisht armiku në qytet, përndryshe, kapërcimi i tij nuk qe i pamundur. Armiku e kishte marrë parasysh vendndodhjen e Medinës për të bërë sulmin nga ana e fushës. Më në fund, ushtria gjigante e kundërshtarëve iu afrua Medinës. Profeti s.a.v.s., sa u njoftua për këtë, la një garnizon të vogël në qytet dhe bashkë me të tjerët, që ishin rreth një mijë e dyqind veta, shkoi për ta mbrojtur hendekun.

Sa ka qenë ushtria muslimane në betejën e Hendekut?

Historianët kanë mendime kundërthënëse për sa i takon numrit të ushtarëve muslimanë në betejën e hendekut. Disa shkruajnë se numri i ushtrisë muslimane ka qenë tre mijë, disa thonë një mijë e dyqind apo një mijë e treqind dhe disa të tjerë thonë se muslimanët kanë qenë vetëm shtatëqind. Kjo diferencë e madhe krijon një problem që duket se është vështirë të zgjidhet, dhe me të vërtetë historianët nuk arritën në një konsensus. Por këtë çështje, e kam të zgjidhur.

Në fakt, të tria burimet janë të sakta. Kemi thënë që në betejën e Uhudit, pas largimit të hipokritëve, numri i ushtrisë muslimane ka qenë vetëm shtatëqind veta. Beteja e Ahzabit ndodhi vetëm dy vjet pas saj dhe gjatë kësaj periudhe asnjë fis i madh nuk u vendos në Medinë duke pranuar Islamin. Prandaj, rritja drastike nga shtatëqind deri në tre mijë veta nuk është shumë e besueshme. Po ashtu, nuk mund të jetë e vërtetë as kjo që, dy vjet pas betejës së Uhudit, pavarësisht se muslimanët kishin përparuar, muslimanët e aftë për ushtri të mbeteshin prapë aq sa ishin gjatë betejës së Uhudit. Prandaj, pas analizës së këtyre dy burimeve, varianti më i besueshëm duket ai që tregon se muslimanët ushtarë gjatë betejës së Ahzabit ishin afërsisht një mijë e dyqind.

Mbetet pyetja se përse atëherë disa historianë kanë shkruar tre mijë dhe disa të tjerë shtatëqind? Përgjigja e kësaj është që këto rrëfime lidhen me pozicione dhe rrethana të ndryshme. Beteja e Ahzabit kishte tri pjesë: e para ishte ajo kur armiku akoma nuk i ishte afruar Medinës dhe hendeku po vazhdonte të mihej. Në këtë detyrë, mund të shërbenin edhe fëmijë dhe gra, të cilët mund të bënin të paktën mbartjen e dheut nga një vend në një tjetër. Kështu që, gjatë hapjes së hendekut, në ushtrinë muslimane kanë qenë tre mijë veta, ku përfshiheshin edhe fëmijë, edhe ato gra që digjeshin nga dëshira për t’i shërbyer Islamit, të cilat nëse nuk mund të punonin për gërmim, mund të kryenin punë që bëheshin sipër toke.

Ky mendim imi vërtetohet edhe historikisht. Për shembull, shkruhet që për mihjen e hendekut ishin mbledhur të gjithë, i madh e i vogël. Ndërsa kur erdhi armiku dhe krisi beteja, Profeti s.a.v.s. të gjithë fëmijët që ishin nën moshën pesëmbëdhjetëvjeçare i porositi të ktheheshin në qytet. Ata që kishin mbushur pesëmbëdhjetë vjeç, i lejoi të zgjidhnin në donin të qëndronin apo të ktheheshin.[3]

Ky rrëfim tregon se numri i muslimanëve gjatë hapjes së hendekut kishte qenë më shumë, ndërsa gjatë betejës ishte reduktuar, sepse të miturit u urdhëruan të ktheheshin. Ato burime që tregojnë se ushtria muslimane ka qenë prej tre mijë vetash, flasin për kohën kur gërmohej hendeku, ku pjesë e saj ishin jo vetëm fëmijët, por edhe gratë, përfundim të cilin e kam nxjerrë duke marrë parasysh pjesëmarrjen entuziaste të grave në beteja të tjera. Ndërsa, numri i ushtarëve, atëherë kur kishte nisur beteja, në të cilën luftonin vetëm burra, duhet të ketë qenë një mijë e dyqind.

Mbetet në shqyrtim pyetja se deri ku është i vërtetë rrëfimi i tretë që tregon se numri i ushtarëve ka qenë shtatëqind? Ky rrëfim përmendet në historinë që është shkruar nga Ibni Is’haku, i cili është një historian mjaft i besueshëm. Madje, edhe një dijetar i madh si Ibni Hezemi e mbështet fort këtë rrëfim. Prandaj, nuk mund të dyshohet për vërtetësinë e këtij burimi. Nëse shkoqitim mirë historinë, na del që gjatë betejës, Beni Kurejdhët, pra hebrenjtë, iu bashkuan mohuesve dhe deshën ta sulmonin Medinën në befasi. Por, kur u zbulua sekreti i tyre, Profeti s.a.v.s. llogariti që edhe ajo pjesë e Medinës ku banonin Beni Kurejdhët, duhej mbrojtur, pjesë e cila ishte lënë e lirë duke marrë parasysh që ata ishin aleatë të muslimanëve dhe si të tillë nuk do ta lejonin armikun të hyjë nga ana e tyre.

Kur pabesia e tyre doli në shesh, atëherë, gratë e qytetit mbetën të pambrojtura, sepse ato ishin vendosur pikërisht në pjesën që lidhet me kështjellat e Beni Kurejdhëve. Profeti s.a.v.s. atëherë e pa të nevojshme mbrojtjen e grave. Ai nisi dy forca për këtë punë: të parën në njërën anë me dyqind ushtarë nën komandën e Muslima bin Eslemit r.a. dhe të dytën me treqind ushtarë, në anën tjetër, nën komandën e Zejd bin Harithës r.a.. Ata ishin urdhëruar që herë pas here të thoshin tekbir (Allahu Ekber) me zë të lartë për të njoftuar që gratë ishin të mbrojtura.

Ky rrëfim na e zgjidh problemin se përse Ibni Is’haku përmend që numri i ushtrisë Islame në betejën e hendekut ka qenë shtatëqind. Sepse, nga një mijë e dyqind ushtarë, kur kishin kaluar pesëqind për t’i mbrojtur gratë, atëherë në front kishin mbetur vetëm shtatëqind. Në këtë mënyrë, pohimet kundërthënëse të historianëve të ndryshëm, rreth numrit të ushtrisë muslimane në betejën e hendekut, përputhen përfundimisht.

Shkurt, në një vështirësi kaq të madhe, Profeti Muhammed s.a.v.s. kishte vetëm shtatëqind njerëz për mbrojtjen e hendekut. Megjithëse ata e kishin mihur hendekun, prapëseprapë bllokimi i një ushtrie kaq të fuqishme ishte i pamundur me aq pak njerëz. Por, me bindjen dhe besimin në Zotin e Lartësuar, ushtria e vogël muslimane, tani po qëndronte e hekurt këtej hendekut, duke pritur një ushtri të fundbotshme, atë të mohuesve. Ndërsa, gratë dhe fëmijët ishin mbledhur në dy vende të ndryshme. Armiku arriti te hendeku dhe për të kjo ishte diçka e paparë, për këtë arsye, ai nuk tregonte gatishmëri për ta filluar betejën. Ata ngritën tendat dhe u vendosën andej hendekut, për të gjetur mënyrën sesi të hynin në Medinë.

Pabesia e Beni Kurejdhëve

Ngaqë një pjesë e madhe e Medinës ishte mbrojtur për shkak të hendekut, dhe në anën tjetër kishte kodra, shtëpi të forta dhe disa kopshte, ushtria kundërshtare nuk mund të sulmonte menjëherë. Ata u këshilluan dhe ranë dakord që të bënin aleancë me fisin hebre Benu Kurejdhën, që banonte në Medinë, dhe nëpërmjet tij të gjenin një rrugëkalim për të hyrë në qytet. Ebu Sufjani, kryekomandanti i ushtrisë së mohuesve caktoi Hej bin Ehtebin, kryetarin e fisit të dëbuar hebre Benu Nedir, që, me çdo kusht ta bindte fisin Benu Kurejdha për t’iu bashkuar atyre. Ishte pikërisht Ehtebi, i cili mblodhi gjithë Arabinë me intrigat e tij për ta sulmuar Medinën. Ai arriti te fortesat e hebrenjve dhe u parashtroi kërkesën që t’i takonte krerët e tyre.

Fillimisht ata e refuzuan. Por Ehtebi u tregoi që tanimë e gjithë Arabia kishte ardhur për t’i shpartalluar muslimanët dhe kjo qytezë assesi nuk mund t’i bënte ballë asaj. Ai u tha që ushtria që po qëndronte përballë muslimanëve, nuk mund të konsiderohej vetëm një ushtri, por një det tmerrësisht i trazuar. Me këto fjalë Ehtebi arriti t’i bindte Benu Kurejdhët për të bërë pabesi dhe për ta shkelur marrëveshjen.

U vendos që ushtria e mohuesve të tentonte ta kapërcente hendekun dhe kur ta arrinin këtë, nga ana e kështjellave, Benu Kurejdhët do të sulmonin atë pjesë të Medinës ku qëndronin gratë dhe fëmijët, pjesë të cilën muslimanët e kishin lënë të pambrojtur duke iu besuar Benu Kurejdhëve. Me këtë strategji, ata do ta dërrmonin krejtësisht forcën e muslimanëve. Do të vriteshin jo vetëm burrat, por edhe gratë e fëmijët njëherësh.

Ishte e sigurt që nëse mohuesit do të kishin qoftë edhe suksesin më të vogël në këtë strategji, muslimanëve nuk do t’u kishte mbetur asnjë vend mbrojtës. Benu Kurejdhët ishin aleatë të muslimanëve dhe megjithëse nuk do të merrnin pjesë haptazi në betejë, muslimanët besonin që askush nuk do të vinte për t’i sulmuar nga ajo anë.

Kjo ishte arsyeja që ajo pjesë u la krejtësisht e pambrojtur. Këtë e dinin edhe Benu Kurejdhët edhe mohuesit dhe të dy bashkërisht vendosën që Benu Kurejdhët deri në fund të mos dilnin në luftë kundër muslimanëve, në mënyrë që këta të fundit të mos tregonin vigjilencë për ta mbrojtur edhe këtë pjesë, strategji, e cila do të rezultonte shumë e tmerrshme për muslimanët. Për ta, do të bëhej krejtësisht e pamundur mbrojtja e pjesës ku ndodheshin fortesat e Benu Kurejdhëve, nëse këta të fundit do të dilnin të pabesë, fill pas sulmit të lemerishëm të ushtrisë së mohuesve.

Pasi iu krijua mundësia mohuesve për një sulm të dyanshëm kundër muslimanëve, ushtria mekase nisi sulmin nga ana e hendekut. Fillimisht ata nuk arritën të gjenin zgjidhje se si ta kapërcenin llogoren. Pas dy tri ditësh, ata hartuan një tjetër strategji. Harkëtarët e tyre iu ngjitën kodrave dhe filluan t’u vërshonin shigjeta muslimanëve, që ishin vendosur për mbrojtjen e hendekut. Trupa të tilla qëndronin në vende të ndryshme përgjatë hendekut. Nga shigjetat që u binin si rrebesh, ata detyroheshin të sprapseshin dhe ndërkohë kalorësit më të stërvitur të mohuesve tentonin ta kapërcenin hendekun. Ata kishin llogaritur që nëpërmjet këtyre atentateve të vazhdueshme do të dilnin në ndonjë vend, nga i cili edhe ushtarët këmbësorë, në një numër të madh, të mund të dyndeshin përtej.

Sulme të tilla bëheshin aq dendur, saqë disa herë muslimanët mezi mbanin frymën. Një ditë, sulmi ishte tejet i llahtarshëm dhe muslimanët nuk arritën t’i falnin as namazet në kohët e tyre të caktuara, gjë që e shqetësoi kaq shumë Profetin Muhammed s.a.v.s., saqë ai u lut:

“O Zot! Ndëshkoji mohuesit, sepse ata na prishën namazet”.[4]

E përmend këtë ngjarje për të treguar sesa i fortë kishte qenë sulmi i armikut, por edhe për të dëshmuar se kjo ngjarje rrezaton dritë edhe mbi karakterin e Profetit s.a.v.s.. Ajo tregon se për Profetin s.a.v.s. gjëja më e shtrenjtë ishte adhurimi i Zotit të Lartësuar. Edhe në kohën kur Medina po gjendej në unazën e hekurt të rrethimit të armikut dhe kur brenda saj, jo vetëm burrat, por edhe gratë e fëmijët ishin në rrezik vdekjeje, kur drithërohej çdo banor i saj se mos u dilte befas armiku, Profeti s.a.v.s. donte që adhurimi i Zotit të Lartësuar të bëhej me përpikëri dhe me përkushtim.

Adhurimi që bëjnë muslimanët nuk bëhet një herë në javë siç bëhet adhurimi nga hebrenjtë, të krishterët apo hindutë. Muslimanët adhurojnë pesë herë në ditë. Në një kohë kaq të rrezikshme, ishte e vështirë të faleshe qoftë një herë në ditë, pale të mendoje për t’u falur pesë herë me përkushtim dhe me xhemat. Por, Profeti s.a.v.s., edhe në atë kohë i falte pesë namaze në kohët e tyre. Ai u brengos shumë kur një ditë, për shkak të sulmit të fortë të armikut, u pengua të kujtonte Zotin e tij qetësisht dhe në kohë të caktuar. Ishte dita kur armiku i sulmonte nga para kurse, nga mbrapa, Benu Kurejdhët prisnin me padurim momentin e përshtatshëm që të futeshin në Medinë e t’i vrisnin gratë e fëmijët muslimanë, pa u ndeshur me burrat që luftonin me armikun për jetën e tyre.

Benu Kurejdhët, një ditë, dërguan një spiun për të mësuar nëse gratë dhe fëmijët ishin vetëm, apo atje kishin ushtarë të mjaftueshëm që i mbronin. Spiuni hyri në qytet dhe vëzhgonte gratë, sidomos ato që u përkisnin familjeve kryesore, nga të cilat armiku kishte më shumë rrezik. Ndërsa ai përhijonte si re, për të vëzhguar në çdo cep se mos kishte ushtarë muslimanë që qëndronin të fshehur për t’i mbrojtur gratë dhe fëmijët, atë e vërejti Sefija r.a., halla e Profetit s.a.v.s.. Rastësisht aty gjendej vetëm një burrë musliman, edhe ai i sëmurë. Sefija r.a. i tha atij:

“Ky i panjohur duhet të jetë një spiun, sepse ka shumë kohë që po vërtitet këtu poshtë e përpjetë. Shko dhe lufto me të, para se ai të na zbulojë sekretet para armikut”.

I sëmuri refuzoi të luftonte. Atëherë Sefija r.a. vetë mori një shkop të gjatë bambuje dhe me ndihmën e grave të tjera arriti ta vriste atë.[5] Pas hulumtimeve, doli që ai me të vërtetë ishte një spiun i hebrenjve dhe vinte nga Benu Kurejdha. Nga kjo ngjarje muslimanët u frikësuan akoma më shumë, sepse e kuptuan që edhe kjo anë nuk ishte e sigurt tashmë. Por mësymja e armikut nga ana e hendekut ishte kaq dendur, saqë ata nuk mund t’i bënin derman vështirësisë së saposhfaqur. Megjithatë, Profeti Muhammed s.a.v.s. i dha përparësi mbrojtjes së grave dhe, siç thamë më lart që, prej një mijë e dyqindëve, pesëqind ushtarë, ai i dërgoi në qytet për t’i mbrojtur ato.

Lutjet e Profetit s.a.v.s.

Në këtë mënyrë, përballë një ushtrie prej tetëmbëdhjetë apo njëzet mijë luftëtarësh, kishin mbetur vetëm shtatëqind ushtarë muslimanë. Në këtë gjendje makthi, disa muslimanë erdhën te Profeti s.a.v.s. dhe thanë:

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.! Gjërat janë përkeqësuar shumë. Nuk po duket ndonjë shpresë që Medina do të shpëtojë. Lutjuni Zotit të Lartësuar në mënyrë të veçantë dhe edhe neve na mësoni ndonjë lutje për të bërë, që bekimi i Allahut të Lartësuar të zbresë për ne”.

“Mos u shqetësoni!”, u tha Profeti s.a.v.s., “lutuni Zotit që Ai t’jua mbulojë dobësitë, t’jua forcojë zemrat dhe t’jua largojë frikën”. Ai bëri disa lutje:

beteja e hendekut“O Ti që më zbrite Kuranin Famëlartë, që robërve të Tu mund t’u kërkosh llogari shumë shpejt, këtë mizëri që është mbledhur këtu, munde! O Allah! Të lutem sërish, mundi ata dhe neve na dhuro fitoren mbi ta dhe shkatërroji planet e tyre.[6] O Ti që dëgjon lutjet e të brengosurve! O Ti që i përgjigjesh klithmës së të ndrojturve! Largoma brengën dhe shqetësimin tim, sepse Ti i di shumë mirë vështirësitë me të cilat jam rrethuar unë dhe shokët e mi”.[7]

Përshkrimi i gjendjes së hipokritëve dhe besimtarëve

Këtë herë hipokritët u trembën aq shumë saqë ata nuk e kishin fare mendjen as për gratë, as për fëmijët e tyre. Por, ngaqë nuk donin të poshtëroheshin para popullit, ata dredhonin për t’i ikur ushtrisë.

beteja e hendkutNjë grup prej tyre i kërkoi leje Profetit s.a.v.s. duke thënë: “Shtëpitë tona kanë mbetur të pambrojtura” (meqë edhe hebrenjtë ishin bërë armiq dhe Medina nuk ishte e sigurt nga ajo anë). Por ato nuk kishin mbetur të pambrojtura (sepse Zoti i Lartësuar qëndronte për mbrojtjen e Medinës). Ata vetëm donin të përvidheshin.[8]

Ndërsa gjendjen e muslimanëve, Kurani Famëlartë e përshkruan kështu:


beteja e hendekut beteja e hendekut beteja e hendekutKujtoni kohën kur ushtria ju sulmoi nga lart dhe nga poshtë (nga poshtë sulmuan mohuesit dhe nga lart hebrenjtë), kur sytë tuaj u errësuan dhe zemrat ju erdhën në fyt dhe shumë nga ju filluan ta paragjykonin Zotin. Atëherë u sprovua besimi i besimtarëve dhe ata u tronditën nga koka gjer në këmbë. Kujtoni kohën kur hipokritët dhe ata me zemra të sëmura, zunë të flisnin: “Allahu dhe i Dërguari i Tij na bënë premtime të rreme”. Sërish, kujtoni kohën kur një grup prej tyre shkoi te besimtarët dhe tha: “O banorët e Jethribit
(Medinës)! Nuk mund t’ju shpëtojë më as ndonjë kështjellë as ndonjë strehim tjetër, andaj mbathjani! [9]

Por, gjendja e besimtarëve ishte ndryshe përballë gjendjes së hipokritëve dhe muslimanëve të dobët. Rreth besimtarëve, Kurani thotë:

 beteja e hendekutbeteja e hendekut “Kur besimtarët e panë ushtrinë gjigante, thanë: “Kjo është ajo që na ka premtuar Allahu dhe i Dërguari i Tij prej kohësh. Sulmi i saj është një provë e vërtetësisë së Allahut dhe të Dërguarit të Tij”. (Ajo ushtri gjigante nuk arriti t’ua lëkundte besimin), madje ata u forcuan edhe më shumë në bindje e në besim. Besimtarët janë burra të atillë që po e përmbushin besëlidhjen që kishin bërë me Allahun. Disa prej tyre e kanë arritur qëllimin e tyre duke dhënë jetën, kurse disa të tjerë ende nuk e kanë gjetur këtë mundësi, andaj, ata gjithnjë janë duke pritur momentin kur të gjejnë mundësinë (të dhurojnë jetën në rrugën e Zotit). Që nga dita e parë ata janë duke përmbushur besëlidhjen e tyre që kishin bërë me Zotin e Lartësuar”.[10]

Nderimi i kufomës në Islam

Armiku që vazhdimisht e sulmonte hendekun, disa herë edhe arrinte ta kapërcente atë. Një ditë, disa gjeneralë të mëdhenj të mohuesve e tejkaluan dhe u futën në anën e muslimanëve. Por muslimanët bënë një sulm kaq të fortë, saqë ata nuk kishin rrugë tjetër veçse të ktheheshin andej nga kishin ardhur. Gjatë këtij ballafaqimi, Neufeli, njëri ndër krerët e mëdhenj të mohuesve, u vra. Ai ishte një lider aq i madh, saqë mohuesit mendonin që nëse kufoma e tij do të dhunohej, nga turpi ata në gjithë Arabinë nuk do të kishin vend të ktheheshin.

Për këtë arsye, ata i dërguan një mesazh Profetit Muhammed s.a.v.s. duke thënë se ata mund t’i paguanin dhjetë mijë dirhamë, nëse ai do t’ua kthente kufomën e Neufelit. Ata kujtonin që muslimanët me siguri do ta masakronin kufomën duke ia prerë hundën dhe veshët për t’i poshtëruar në popull, sepse ashtu kishin bërë ata me kufomat e krerëve muslimanë, madje edhe me trupin e xhaxhait të Profetit s.a.v.s., në betejën e Uhudit. Por, Islami nuk e lejon dhunimin e kufomës. Prandaj, Profetit s.a.v.s. kur i erdhi mesazhi i mohuesve, u tha se nuk i interesonte fare kufoma dhe se nuk i shërbente për asgjë, prandaj s’kishte nevojë t’i paguanin për të. Ai ua dorëzoi kufomën.[11]

Sulmet e ushtrive të bashkuara kundër muslimanëve

Se me çfarë intensiteti sulmonin mohuesit gjatë atyre ditëve, Uilliam Mjuri (Sir William Muir) e përshkruan me këto fjalë:

“Mëngjesin tjetër, Muhammedi gjeti gjithë forcën e aleatëve, të rreshtuar kundër tij. Kjo kërkonte veprimtari maksimale dhe një vigjilencë të vazhdueshme nga ana e tij për të prishur manovrat e armikut. Tashmë ata paralajmëronin një sulm të përgjithshëm; pastaj duke u shpërndarë në divizione ata do të sulmonin pozicione të ndryshme, sulme të cilat do të ishin të shpejta dhe çorientuese; dhe më në fund, duke parë mundësinë, ata do të grumbullonin trupat e tyre në vendin më pak të mbrojtur, dhe, nën mbulimin e breshërisë së shigjetave të vazhdueshme e të mundimshme, do të përpiqeshin të shtrëngonin llogoren.

Herë pas here disa goditje guximtare ishin bërë në qytet, edhe në tendën e Muhamedit nga udhëheqës të njohur si Khalidi dhe Amri; dhe këto ishin sprapsur vetëm me kundërsulme të vazhdueshme shigjetarie të pandërprerë. Kjo vazhdoi gjatë gjithë ditës dhe, duke qenë se ushtria e Muhammedit ishte thuajse e mjaftueshme të ruante linjën e gjatë, nuk mund të kishte qetësi për mohuesit. Madje edhe natën Khalidi, me një grup të fortë kalorësish, mbante gjallë alarmin, duke kërcënuar vazhdimisht linjën e mbrojtjes, me intervale të shpeshta, dhe kështu i detyronin muslimanët t’i mbanin pozicionet gjithmonë të angazhuara. Por të gjitha përpjekjet e armikut ishin pa rezultat. Hendeku nuk u kapërcye”. [12]

Ndonëse kishin kaluar dy ditë që beteja vijonte pandërprerë, ushtritë nuk përplaseshin drejtpërdrejt. Prandaj, në një sulm njëzetekatërorësh, ishin vrarë vetëm tre veta të ushtrive të bashkuara dhe pesë të muslimanëve. Gjatë këtij sulmi, Sad bin Muadhi r.a. kryetar i fisit Eus dhe sahab i flijuar i Profetit s.a.v.s. u plagos rëndë. Mësymjet e vazhdueshme, sidoqoftë, e dëmtuan edhe hendekun në një pjesë, dhe kjo e bënte sulmin e mëtejshëm më të lehtë nga kjo pjesë.

Por këndej hendekut, po rrëfeheshin shembuj të jashtëzakonshëm të trimërisë nga ana e Profetit s.a.v.s. dhe të besnikërisë nga ana e muslimanëve. Ishte një natë e ftohtë, por Profeti s.a.v.s. vazhdimisht çohej dhe qëndronte roje pikërisht në atë pjesë që ishte dëmtuar. Ajshja r.a. tregon:

“Duke shërbyer si rojë ai kur lodhej dhe këputej, kthehej në çadër dhe shtrihej në jorgan me mua, për të shkuar përsëri për ta mbrojtur pjesën e brishtë, sapo të merrte pak veten”.

Një ditë u dërrmua krejtësisht, duke qëndruar zgjuar vazhdimisht në këtë mënyrë. Gjatë natës u shpreh:

“Sikur të kisha pranë ndonjë musliman të përkushtuar, do të flija pak çaste”.

Sakaq u dëgjua zëri i Sad bin Uekasit r.a.. Profeti e pyeti se përse kishte ardhur. “Për t’ju shërbyer roje”, u përgjigj Sadi r.a.. Profeti s.a.v.s. tha

“Nuk kam nevojë për rojë. Shkoni te hendeku, atje ku është prishur pjesa anësore e tij dhe mbrojeni, në mënyrë që muslimanët të jenë të sigurt”.

Sadi r.a. menjëherë shkoi atje për ta zbatuar urdhrin dhe Profeti s.a.v.s. fjeti.[13] (Çuditërisht, edhe gjatë ditëve të para, pasi kishte ardhur Profeti s.a.v.s. në Medinë, kur kishte rrezik nga armiku, ishte pikërisht Sadi r.a., ai që kishte ardhur për t’i shërbyer roje Profetit s.a.v.s.)

Gjatë kësaj periudhe, një ditë, Profeti s.a.v.s. papritmas dëgjoi zhaurimën e armëve. “Kush është?”, pyeti ai. Ishte Ibad bin Beshiri. Profeti s.a.v.s. iu drejtua Ibadit: “A ka të tjerë me ju?” Ibadi tha: “Kam një grup sahabësh dhe kemi ardhur për të shërbyer roje pranë çadrës suaj”.

“Lëreni çadrën time! Shkoni të luftoni me idhujtarët, sepse ata janë duke tentuar të kapërcejnë hendekun!”, i porositi Profeti s.a.v.s.[14]

Përgatitjet e sulmit nga Benu Kurejdhët në bashkëpunim me idhujtarët dhe dështimi i tyre

Siç e kemi përmendur më lart, hebrenjtë ishin përpjekur të hynin vjedhurazi në Medinë dhe në këtë përpjekje, një spiun i tyre u vra. Kur ata e kuptuan, që intriga e tyre u nxor në shesh, ata filluan t’i ndihmonin arabët më hapur. Ata nuk bënë ndonjë sulm të madh nga pjesa e prapme e Medinës, sepse atje nuk kishte vend të mjaftueshëm nga mund të bëhej një sulm i tillë, gjatë kohës kur trupat muslimane ishin të pranishme atje. Megjithatë, të dyja grupet, pra, edhe hebrenjtë, edhe idhujtarët, vendosën të dyndnin ushtritë e tyre njëherësh për të bërë një sulm të beftë kundër muslimanëve. Por, pikërisht në atë kohë, mënyra se si u shfaq ndihma e Zotit të Lartësuar, e cila do të përshkruhet në vijim, ishte e jashtëzakonshme:

Ishte një njeri që quhej Nuaim, me zemër muslimane që vinte nga fisi Getfan. Ai kishte ardhur në luftë, bashkë me mohuesit, por priste ndonjë moment, kur mund të ndihmonte muslimanët. çfarë mund të bënte një njeri i vetëm! Por kur pa që edhe hebrenjtë iu bashkuan mohuesve dhe muslimanët kishin humbur çdo mundësi për t’u mbrojtur, atëherë ai u prek aq shumë saqë vendosi që të bënte çmos nga ana e tij për ta eliminuar këtë gjëmë.

Kështu që, kur u mor vendimi që të dyja grupet të bënin një sulm befasisht, ai shkoi tek hebrenjtë, pra te Benu Kurejdhët, dhe krerëve të tyre u tha:

“Nëse ushtria arabe do të marrë arratinë, atëherë më tregoni se çfarë do të bëjnë muslimanët me ju? Ju jeni aleatë të tyre dhe mund të paramendoni se çfarë ndëshkimi do të pësoni duke thyer besëlidhjen që keni bërë me ta”.

Ata u trembën dhe e pyetën:

“Çfarë të bëjmë atëherë?!”

Nuaimi u tha:

“Kur arabët t’ju kërkojnë të bëni sulmin duke bashkëpunuar me ta, kërkoni që ata t’ju dërgojnë shtatëdhjetë veta si garanci, të cilët do t’ju mbrojnë kështjellat, ndërkohë që ju të sulmoni nga pjesa e prapme”.

Më pas, Nuaimi shkoi te krerët e idhujtarëve dhe atyre u tha:

“Hebrenjtë janë banorë të Medinës. Çfarë do të bëni nëse në momentet e fundit do t’ju tradhtojnë? Si do të veproni nëse ata ju kërkojnë njerëzit tuaj si garanci dhe thjeshtë për t’i kënaqur muslimanët dhe për ta shlyer fajin e tyre, trupat tuaja t’ua dorëzojnë muslimanëve? Së pari juve ju duhet t’i provoni hebrenjtë nëse ata janë të qëndrueshëm apo jo. Ftojini një herë për të bërë një sulm të përbashkët, sa më shpejt”.

Krerët e mohuesve e konsideruan të drejtë këshillën e Nuaimit dhe të nesërmen, ata u dërguan mesazh hebrenjve duke thënë:

“Nesër, përgatitemi të bëjmë një sulm të përgjithshëm. Edhe ju bëhuni gati për të vepruar në të njëjtën mënyrë!”

Benu Kurejdhët thanë:

“Pikë së pari, nesër është sabet, dita jonë e shenjtë, një ditë kur ne nuk mund të luftojmë dhe së dyti, jemi banorë të Medinës dhe ju jeni të huaj. Nëse ju do të ktheheni, duke hequr dorë nga lufta, çfarë do të ndodhë me ne?! Na jepni shtatëdhjetë personat tuaj si garanci, atëherë edhe ne, duke qenë të bindur, do të marrim pjesë në luftë”.

Mohuesit, që tashmë kishin rënë në dyshime, e refuzuan kërkesën e tyre dhe ia kthyen:

“Nëse bashkimi ynë është i sinqertë, një kërkesë e tillë nga ana juaj është e pakuptimtë”.

Kjo ngjarje u lindi më shumë dyshime si hebrenjve ashtu edhe mohuesve. Dihet që kur futen dyshime, shpirti i trimërisë vdes. Me këto mëdyshje e pasiguri, ushtria e mohuesve natën u kthye për të pushuar në çadrat e tyre dhe Zoti i Lartësuar hapi derën e ndihmës së Tij qiellore. Të njëjtën natë, shpërtheu një furtunë e llahtarshme, e cila ua shkuli anësoret çadrave të ushtrisë, ua rrëzoi enët që kishin lënë në zjarr dhe disa fiseve iu fik edhe zjarri.

Idhujtarët arabë kishin zakon që, gjatë luftës, tërë natën ta linin të ndezur zjarrin, gjë që e mbanin si ogurmirë. Atij që i shuhej zjarri, mendohej që ajo ditë ishte e nëmur për të, dhe ai shkulte çadrën dhe tërhiqej nga fushëbeteja. Edhe atë natë të frikshme, fiseve që iu shua zjarri, sipas zakonit të tyre, i morën çadrat dhe u tërhoqën, që t’i bashkoheshin sërish ushtrisë, pas pritjes njëditore.

Ngaqë krerët i kishin zënë dyshimet për shkak të replikave që ndodhën gjatë ditës, ato fise që qëndronin pranë të larguarve, kujtuan se mbase hebrenjtë bashkë me muslimanët kishin bërë një agresion nate. Prandaj, edhe ata filluan t’i palosnin ngutas çadrat e tyre për të dezertuar. Tek po shtrihej qetësisht në shatorren e tij, Ebu Sufjanit i erdhi lajmi. Ai u çua i trembur dhe pamenduar i hipi devesë së tij të lidhur. I nguli disa herë shporet. Në fund, shokët e tij i treguan se ç’marrëzi po bënte. Ata ia liruan devenë dhe bashkë me të, ikën nga fushëbeteja.[15]

Deri në pjesën e tretë e të fundit të natës, logu që mbante rreth njëzet apo njëzet e pesë mijë ushtarë me çadrat e tyre, u shndërrua në një vend të shkretë. Allahu i Lartësuar e njoftoi Profetin Muhammed s.a.v.s. përmes shpalljes:

“Ne ia dhamë arratinë armikut tuaj”.

Për të dërguar dikë që të zbulonte realitetin, Profeti s.a.v.s. thirri sahabët r.a. që gjendeshin pranë. Ishin ditë dimri dhe muslimanët nuk kishin rroba të mjaftueshme. Edhe gjuhët u kallkanoseshin. Disa sahabë r.a. rrëfejnë që ata e kishin dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe donin t’i përgjigjeshin, por nuk mundeshin. Vetëm Hudhejfa r.a. tha shkathtësisht:

“Çfarë mund të bëj, o i Dërguari i Allahut s.a.v.s.?”

“Jo ju. Më duhet ndonjëri tjetër”, u përgjigj Profeti s.a.v.s. dhe ai sërish thirri: “A ka njeri?” Por as ata që ishin zgjuar nuk arritën t’i kthenin përgjigje. Hudhejfa r.a. përsëri tha: “O i Dërguari i Allahut s.a.v.s. unë jam këtu”. Më në fund, ai e dërgoi Hudhejfanë duke thënë:

“Zoti i Lartësuar më ka njoftuar që Ai e arratisi armikun. Shkoni dhe kontrollojeni gjendjen një herë”.

Ai shkoi te hendeku dhe pa që fusha ishte boshatisur krejtësisht nga ushtarët. U kthye dhe duke pohuar shehadetin e njoftoi që armiku ia kishte mbathur. Në mëngjes, muslimanët i palosën çadrat dhe filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre.[16]


[1]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 334.
[2]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 335.
[3]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 338.
[4]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 345.
[5]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 345.
[6]  Buhariu, Kitabul-magazi, bab gezueti hendek.
[7]  Po aty.
[8]  Kurani Famëlartë 33:14.
[9]  Kurani Famëlartë 33:11-14.
[10]  Kurani Famëlartë 33:23-24.
[11]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 336.
[12]  Muir William, Life of Mohammad, London, 1878, f. 322.
[13]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 346.
[14]  Po aty.
[15]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 349-350.
[16]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 354.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp