
Ishte kjo shoqëri, në të cilën kishte lindur Profeti Muhammed s.a.. Babai, Abdullahu, i kishte vdekur para lindjes së tij dhe më pas, për të dhe nënën e tij u kujdes gjyshi, Abdul Mutalibi. Sipas traditës arabe, Muhammedi s.a.v.s. iu dorëzua një mëndeshe, e cila jetonte në një vend që ndodhej pranë Taifit. Fëmijët e tyre, arabët ua jepnin grave fshatare, që ata të bëheshin të shëndetshëm dhe të mësonin gjuhë të pastër prej tyre.
Kur lindi Profeti Muhammed s.a.v.s.? Klikoni këtu për të mësuar për datën dhe ditën
Kur Muhammedi s.a.v.s. ishte gjashtë vjeç, i ndërroi jetë edhe e ëma, rrugës teksa po kthehej për në Mekë nga Medina, ku ajo kishte shkuar për vizitë te dajat. Ajo u varros atje ku ndërroi jetë, ndërsa fëmija u soll në Mekë nga një shërbëtore, e cila ia dorëzoi gjyshit të tij. Kur Muhammedi s.a.v.s. ishte tetë vjeç, i ndërroi jetë edhe gjyshi duke ia lënë nipin amanet djalit të tij, Ebu Talibit, pra, xhaxhait të Profetit s.a.. Muhammedi s.a.v.s. dy apo tri herë pati rastin të udhëtonte jashtë Arabisë, ndër të cilat, një herë ai udhëtoi drejt Sirisë për tregti me xhaxhanë e tij në moshën dymbëdhjetëvjeçare. Me gjasë, ky udhëtim ishte vetëm deri në qytetet juglindore të Sirisë, sepse nuk përmendet asnjë nga vendet si Jerusalemi etj. Më pas, deri në moshën e rinisë, ai qëndroi në Mekë.
Pjesëmarrja në shoqërinë Hilful-Fudul
Që nga fëmijëria, Muhammedi s.a.v.s. mendonte e meditonte. Nuk merrte pjesë në grindjet apo në sherret e të tjerëve, madje jepte kontributin e tij për t’u dhënë fund grindjeve dhe padrejtësive. Disa të rinj të Mekës, duke u shqetësuar nga grindjet ndërfisnore që ndodhnin në qytet e përreth, krijuan një shoqëri që u quajt “Hilful- Fudul”, e cila kishte marrë përsipër t’i ndihmonte të shtypurit. Muhammedi s.a.v.s. me zell të madh iu bashkua kësaj shoqërie, anëtarët e së cilës ishin betuar në emër të Zotit që:
“do të ndihmonin të shtypurit dhe do t’ua mundësonin të drejtat, deri në pikën e fundit të detit. Edhe nëse nuk arrinin ta bënin këtë, vetë me mjetet e tyre do t’i dëmshpërblinin viktimat”.[1]
Këtë betim, mbase askush nga anëtarët e tjerë nuk arriti ta përmbushte, përveç Profetit, i cili i qëndroi besnik betimit edhe pasi kishte deklaruar të ishte profet. Kundërshtari i tij kryesor ishte pikërisht Ebu Xheheli, kryetari i Mekës, i cili kishte filluar të thoshte që askush të mos bisedonte dhe të mos kishte marrëdhënie me Muhammedin (s.a.), madje ta poshtëronte atë në të gjitha mënyrat. Një ditë, erdhi një njeri në Mekë për t’i kërkuar paratë e tij Ebu Xhehelit, që ky i fundit ia kishte borxh. Ai e refuzoi dhe huadhënësi iu ankua banorëve të Mekës për të. Disa djem çapkënë, thjesht për lojë, i treguan adresën e Muhammedit s.a.v.s. duke i thënë që vetëm ai mund ta ndihmonte. Me këtë ata kishin si qëllim që Muhammedi s.a., duke mos patur guximin të ballafaqohej me kundërshtimin e mekasve në përgjithësi, dhe me atë të Ebu Xhehelit në veçanti, ose do të refuzonte ta ndihmonte atë, dhe kështu, duke e thyer besën, do të poshtërohej tek arabët, ose nëse do të shkonte për ta ndihmuar, Ebu Xheheli do ta përzinte duke e poshtëruar atë. Personi në fjalë, kur mbërriti te Muhammedi s.a.v.s. dhe iu ankua për Ebu Xhehelin, Profeti u çua pa ngurrim dhe shkoi së bashku me të te Ebu Xheheli dhe i trokiti në derë. Ebu Xheheli doli dhe pa që huadhënësi i tij qëndronte i shoqëruar me Muhammedin s.a.. Profeti i tërhoqi vërejtjen që t’ia lante borxhin. Ebu Xheheli ia pagoi menjëherë, pa bërë hile. Kur krerët e tjerë të Mekës e morën vesh këtë lajm, e qortuan Ebu Xhehelin duke thënë se si mund të dilte kaq kontradiktor ai, që atyre u thoshte ta poshtëronin Muhammedin (s.a.) dhe të mos kishin marrëdhënie me të, ndërsa vetë iu bind dhe e nderoi atë. Por, ai u kishte thënë:
“Për Zotin, nëse ju do të ishit në vendin tim, të njëjtën gjë do të bënit, sepse Muhammedit në të dy krahët i qëndronin dy deve të tërbuara, të cilat ishin të gatshme të më vërsuleshin nëse nuk do t’i bindesha atij”.[2]
Zoti e di më mirë se sa i vërtetë është rrëfimi i Ebu Xhehelit. A ishte kjo ndonjë mrekulli prej Zotit, apo atë e mposhtte fakti, që njeriu më i qortuar dhe më i kundërshtuar i Mekës qëndronte pa asnjë përkrahje para derës së kryetarit të qytetit, për të ndihmuar një të shtypur dhe i thoshte që menjëherë t’ia lante borxhin që kishte ndaj tij, dhe kjo e mbyti ligësinë e tij, madje e detyroi të ulte kokën para së vërtetës?!
[1] Es-siratul-Halabija, vëll. I, Egjipt, 1932, f. 154.
[2] Siret Ibni Hisham, vëll. II, Egjipt, 1936, f. 29-30.