
Profeti s.a.v.s. gjithmonë këshillonte për mirësjellje ndaj skllevërve. Thoshte: ai që ka ndonjë skllav që nuk mund ta lirojë, por që e rreh ndonjëherë apo e shan duke u zemëruar, atëherë shlyerja e veprimit të tij është që ta lirojë atë gjithsesi.[1]
Po ashtu, ai i kushtonte kaq shumë rëndësi lirimit të skllevërve saqë thoshte se për çdokënd që do të lironte qoftë një skllav, Allahu i Lartësuar do të shpallte të ndaluar zjarrin e xhehenemit, në këmbim të çdo gjymtyre të skllavit të liruar.[2]
Profeti s.a.v.s. porosiste që çdokush të merrte nga skllavi i tij vetëm aq punë sa ai mund të bënte, dhe gjithashtu të bashkëpunonte me të në punët me të cilat e ngarkonte, në mënyrë që skllavi të mos ndiente ndonjë poshtërim.[3]
Ndërsa, për udhëtimet, Profeti kishte porositur që pronari të ulej bashkë me skllavin në kafshë, ose të dy të hipnin radhazi. Mirësjelljen ndaj skllevërve, Profeti s.a.v.s. e kishte theksuar aq shumë, saqë Ebu Hurejra r.a., i cili, pasi e pranoi Islamin, gjatë gjithë kohës i qëndronte pranë dhe që shpesh e dëgjonte mësimin ndaj skllevërve, thotë:
“Pasha Atë Zot, në dorën e të Cilit gjendet jeta e Ebu Hurejrasë! Po të mos gëzoja mundësinë për të marrë pjesë në xhihad në rrugën e Zotit, po të mos gëzoja mundësinë për të bërë haxh dhe po të mos ishte e gjallë nëna ime e plakur, ndaj së cilës e kam të obligueshëm shërbimin, atëherë do të doja të vdisja në gjendje skllavërie, sepse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thoshte fjalë shumë të mira rreth skllevërve”.[4]
Ma’rur ibni Suédi r.a. rrëfen se kishte parë Ebu Dherr Gefarin r.a., sahabin e Profetit s.a.v.s., që ai dhe skllavi i tij kishin veshur të njëjtat veshje. E pyeti për arsyen dhe Ebu Dherri r.a. iu përgjigj:
“Gjatë kohës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., një ditë, dikujt i kisha përmendur nënën me qesëndi, e cila ishte skllave. Për këtë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më kishte thënë që jam një njeri që akoma kam shenjat e mosbesimit dhe më pas më këshilloi duke më thënë se skllevërit janë vëllezërit dhe përkrahësit tanë, të cilët Zoti i Lartësuar, me një urtësi të posaçme e për një kohë të caktuar, na i ka sjellë në dorë. Andaj, çdokush që gjen një vëlla të tillë skllav, duhet ta ushqejë me të njëjtën gjë që ha vetë dhe t’i veshë të njëjtat veshje, me të cilat vishet vetë. Askush nga ju të mos ngarkojë skllavin e tij me ndonjë punë, që ai nuk mund ta kryejë dhe gjithashtu, kur t’i jepni ndonjë punë, bashkëpunoni me të”.[5]
Profeti Muhammed s.a.v.s. gjithashtu thoshte:
“Kur shërbëtori juaj ju sjell ushqim, atëherë uleni edhe atë bashkë me ju dhe jepjani të hajë qoftë një pjesë të vogël nga ushqimi, sepse, me gatimin e ushqimit, ai e ka fituar të drejtën mbi të”.[6]
Respektimi i atyre që i shërbejnë njerëzimit
Profeti s.a.v.s. kishte respekt të veçantë për ata që i kushtonin kohë shërbimit ndaj njerëzimit. Kur njerëzit e fisit Tei kishin luftuar me Profetin s.a.v.s. dhe disa prej tyre u kapën e u sollën para tij, atëherë ndër të robëruarit ishte edhe e bija e Hatimit, që ishte një bamirës i shquar arab. Kur ajo i përmendi Profetit s.a.v.s. që ishte e bija e Hatimit, ai u soll me të me respekt dhe nderim të madh dhe me rekomandimin e saj, ia fali të gjitha dënimet popullit të saj.[7]
[1] Muslimi Kitabul-iman, bab it’amil-memluk mima je’kulu.
[2] Buhariu, Kitab kafaratil-iman bab keulillahi ta’ala eu tahriru rakabatin.
[3] Muslimi, Kitabul-iman, bab suhbatil-mamalik.
[4] Muslimi, Kitabul-iman, bab theuabil-abdi ue exhrihi.
[5] Muslimi, Kitabul-iman, bab it’amil-mamluk mima je’kul.
[6] Po aty.
[7] Es-siratul-Halabija, vëll. III, serija Ali ibni Ebi Talib keremallahu uexh’hahu, f. 227.