Letrat drejt mbretërve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
letrat mbretërve

Pas kthimit në Medinë, Profeti Muhammed s.a.v.s. dëshiroi të përhapte mesazhin e tij në mbarë botën. Kur ia shprehu këtë dëshirë sahabëve të tij, disa prej tyre që kishin njohuri për oborret mbretërore, thanë:

“O i Dërguari i Allahut! Mbretërit nuk i pranojnë letrat pa vulë”.

Profetit s.a.v.s. i pëlqeu kjo këshillë dhe ai porositi një vulë, të gdhendur me fjalët

“Muhammed Resulullah” (Muhammedi i Dërguari i Allahut).

Për respekt ndaj Zotit, emrin Allah e vendosi sipër, më poshtë fjalën i Dërguari dhe në fund emrin e tij Muhammed.[1]

Në muajin muharrem që ra gjatë vitit 628 e.s., sahabë të ndryshëm morën letrat e Profetit s.a.v.s. për t’u nisur në drejtime të vendeve të ndryshme. Njëra letër i drejtohej Kejserit, mbretit Romak, njëra i drejtohej mbretit të Persisë, njëra mbretit të Egjiptit, i cili në atë kohë ishte vasal i Kejserit, dhe një letër i drejtohej Negusit, mbretit të Abisinisë. Përveç këtyre, Profeti s.a.v.s. u dërgoi letra edhe disa mbretërve të tjerë.

Letra drejtuar Kejserit

Letra, drejtuar Kejserit romak, u dërgua nëpërmjet Dihja Kelbi r.a.. Profeti s.a.v.s. e kishte porositur që së pari të shkonte te Guvernatori i Basrasë, që ishte arab me etni, dhe nëpërmjet tij të shkonte te Kejseri romak. Gjatë kohës kur Dihja Kelbi r.a. mbërriti te Guvernatori i Basrasë, rastësisht Kejseri ishte në një udhëtim dhe ndodhej në Siri. Kështu që, Guvernatori e dërgoi Dihjanë direkt te Mbreti. Oborrtarët e tij i thanë që çdokush që vjen në oborrin e Kejserit është i detyruar t’i bëjë sexhde mbretit. Dihja r.a. refuzoi ta bënte duke u thënë që muslimanët nuk i bëjnë sexhde asnjë njeriu.

Kështu që, pa bërë sexhde ai u paraqit para mbretit dhe ia dorëzoi letrën, e cila iu lexua nga një përkthyes. Mbreti urdhëroi që nëse vinte ndonjë karvan mekas, ta sillnin në oborrin e tij, në mënyrë që të informohej nga ata për gjendjen e Profetit s.a.v.s.. Rastësisht, Ebu Sufjani kishte ardhur atje gjatë atyre ditëve. Autoritarët e sollën atë në oborrin e mbretit. Mbreti urdhëroi që Ebu Sufjani të rreshtohej i pari, ndërsa shokët e tij të qëndronin prapa tij dhe porositi që po të gënjente Ebu Sufjani, shokët e tij ta kundërshtonin menjëherë. Më pas ai i bëri disa pyetje Ebu Sufjanit, e ato ishin:

Mbreti: A e njihni personin që deklaron të jetë profet dhe që më ka dërguar një letër? Si është fisi i tij?

Ebu Sufjani: Ai vjen nga një fis fisnik. Është një i afërm i imi.

Mbreti: A ka bërë një deklaratë të tillë ndonjë njeri tjetër para tij në Arabi?

Ebu Sufjani: Jo.

Mbreti: A e keni akuzuar ndonjëherë si gënjeshtar gjatë jetës së tij para se të deklaronte se ishte profet?

Ebu Sufjani: Jo.

Mbreti: A ka qenë ndonjë mbret ndër paraardhësit e tij?

Ebu Sufjani: Jo.

Mbreti: Mendërisht si është ai?

Ebu Sufjani: Nuk kemi vërejtur ndonjë të metë mendore tek ai.

Mbreti: Çfarë lloji njerëzish i bashkohen xhematit të tij, njerëz të fuqishëm apo të varfër e të dobët?

Ebu Sufjani: Të varfrit, të dobëtit dhe të rinjtë.

Mbreti: Ata, po shtohen, a po pakësohen?

Ebu Sufjani: Po shtohen.

Mbreti: A ka prej tyre ndonjë që kthehet nga feja e tij, duke e konsideruar atë të gabuar?

Ebu Sufjani: Jo.

Mbreti: A ka shkelur ai ndonjëherë ndonjë betim që ka bërë?

Ebu Sufjani: Deri më sot jo. Por, tani kemi bërë një marrëveshje. Do të shohim sesi do të veprojë.

Mbreti: A keni luftuar ndonjëherë kundër tij?

Ebu Sufjani: Po.

Mbreti: Si rezultuan ato luftëra?

Ebu Sufjani: Gjendja jonë ka qenë si kovat e pusit. Herë ne i zinim kovat dhe herë ai. Një herë në betejën e Bedrit, për shkak se unë nuk mora pjesë në të, ata fituan. Herën tjetër ndodhi betejë në Uhud, kur unë kam qenë komandant. Ne ua shqyem zorrët, veshët dhe hundët.

Mbreti: Për çfarë ju porosit ai?

Ebu Sufjani: Ai thotë që të adhurojmë një Zot dhe t’i mos shoqërojmë askënd Atij. Na ndalon t’i adhurojmë idhujt, të cilët i adhuronin edhe etërit tanë. Na porosit që ne ta adhurojmë Zotin, të flasim të vërtetën, të largohemi nga veprat e liga e të këqija. Na thotë që të jetojmë me butësi, të zbatojmë premtimet dhe të përmbushim amanetet.[2]

Përfundimi i nxjerrë nga Mbreti Kejser që Muhammedi s.a.v.s. është Profet i vërtetë

Pas këtij diskutimi, Mbreti Kejser komentoi: Më dëgjo tani! Të pyeta se si është fisi i tij dhe m’u përgjigje se ai vjen nga fis i mirë. Profetët gjithmonë vijnë nga fiset e mira. Pastaj të pyeta në ka pasur ndonjë tjetër më parë që ka bërë një deklaratë të tillë, dhe m’u përgjigje që jo. Të bëra këtë pyetje sepse, nëse dikush të kishte bërë një deklaratë të tillë në një kohë të afërt, atëherë do të kishte mundësi që ky person ta ndiqte rrugën e tij.Pastaj të pyeta nëse ai, para se të deklaronte se ishte profet, a është akuzuar ndonjëherë për gënjeshtër. Më the që jo, dhe nga kjo e kuptova që një njeri që nuk përdor gënjeshtrën në marrëdhëniet e tij me njerëzit, nuk mund të gënjejë as në lidhje me Zotin e Lartësuar.

Pastaj të pyeta se a ka qenë ndonjë mbret ndër paraardhësit e tij. Përsëri më the jo dhe nga kjo kuptova që ai nuk po e shfrytëzon deklaratën e tij për të rifituar pushtetin e etërve të tij. Pastaj të pyeta se cilët njerëz i bashkohen atij, të egrit dhe të fuqishmit apo të dobëtit dhe të varfrit. M’u përgjigje të dobëtit dhe të varfrit. Mendoj që shpesh këta lloj njerëzish i pranojnë profetët, e jo ata që janë të egër dhe mendjemëdhenj. Pastaj të pyeta nëse janë duke u pakësuar ata, apo janë duke u shtuar. Më tregove që janë duke u shtuar. Edhe kjo është shenjë e xhemateve të profetëve, që sa venë e shtohen, gjersa të arrijnë kulmin e tyre. Pastaj të pyeta se a kthehet nga feja e tij ndokush duke mos e pëlqyer, pasi ta ketë pranuar një herë. Më the që jo. Kështu është gjendja e xhemateve të profetëve. Dikush edhe mund ta lërë fenë e tij për ndonjë arsye tjetër, por jo duke e gjetur atë të papëlqyeshme.

Pastaj të pyeta nëse keni bërë ndonjëherë luftë me të dhe se si rezultoi ajo. Më the se gjendja juaj është si kovat e pusit, herë i zini ju kovat, dhe herë ata. Profetët kështu e kanë jetën e tyre. Ata dhe xhematet e tyre kalojnë përmes vështirësive, por përfundimisht ata fitojnë. Pastaj të pyeta se për çfarë ju mëson ai. Më the se ai ju mëson për faljen, për vërtetësinë, për dëlirësinë, për mbajtjen e premtimeve dhe amaneteve. Gjithashtu, të pyeta nëse ai mashtron ndonjëherë apo jo. Më the që jo. Pikërisht këto janë shenjat dhe praktikat e njerëzve të sinqertë. Prandaj, mendoj që ai është i drejtë në deklaratën e tij të qenit profet. Në fakt, edhe vetë besoja që në këtë kohë do të shfaqej “ai profet”, por nuk e prisja të shfaqej ndër arabët. Me përgjigjet që më ke dhënë, nëse janë të vërteta, atëherë mendoj se ai patjetër do t’i triumfojë edhe këto vende.

Fjalët e mbretit i acaruan oborrtarët aq sa ata u fjalosën me të duke thënë: Si mund të pranosh vërtetësinë e një personi të një populli tjetër për aq kohë sa je i krishterë. Filluan të ngriheshin zërat kundërshtuese. Duke matur situatën, oficerët e oborrit mbretëror me ngutësi e nxorën përjashta Ebu Sufjanin dhe shokët e tij.[3]

Letra e Profetit Muhammed s.a.v.s. drejtuar Herakliut

Fjalët e letrës që Profeti Muhammed s.a.v.s. i kishte dërguar Herakliut, ishin si më poshtë:

letrat mbretërveNë emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Nga Muhammedi, rob i Zotit dhe i Dërguari i Tij, Herakliut, prijësit të madh të rumëve: Paqja qoftë mbi atë që ndjek udhëzimin e Zotit. Pas kësaj, (o Mbret!) të ftoj drejt Islamit (domethënë drejt besimit në një Zot dhe në të Dërguarin e Tij Muhammed s.a.v.s.). Bëhu musliman që të jesh i shpëtuar dhe Zoti do të të japë hakun e dyfishtë (domethënë, edhe hakun e besimit mbi Profetin Isaas, edhe hakun për pranimin e Profetit Muhammed s.a.v.s.). Por nëse nuk e pranon, atëherë bashkë me fajin tënd, ty do të të bjerë edhe faji i popullit tënd. (Në fund ishte shkruar dhe një ajet i Kuranit që do të thotë) “O ithtarët e Librit! Ejani të biem në një fjalë të përbashkët midis nesh dhe jush, se do të adhurojmë vetëm Allahun dhe nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë dhe se nuk do të marrim për zot njëri-tjetrin në vend të Allahut”. Nëse ata kthejnë shpinën, thojani: “Dëshmoni se ne i bindemi Allahut të Lartësuar”.[4],[5]

Disa burime historike cekin se kur kjo letër i ishte paraqitur mbretit, disa nga oborrtarët i sugjeruan që letrën ta griste e ta flakte, pasi ajo ishte fyerje ndaj tij. Gjithashtu, ata vërejtën se mbretit nuk i ishte drejtuar me fjalët Sundues i rumëve, por me fjalët kujdestar apo prijës dhe sipas tyre, edhe kjo ishte një fyerje. Por, mbreti u tha që ishte absurd ta grisnin letrën para se të lexohej. Pastaj tha që fjalët me të cilat i drejtohej letra, ishin të duhurat, sepse në fund të fundit Sunduesi është Zoti ndërsa ai ishte vetëm kujdestar i popullit të tij. Profeti Muhammed s.a.v.s. kur e mësoi qëndrimin e tij, tha:

“Për shkak të sjelljes së Herakliut, pushteti i tij do të shpëtojë dhe pasardhësit e tij do të vazhdojnë të qeverisin gjatë”.

Pikërisht kështu ndodhi. Në luftërat që ndodhën më vonë, edhe pse pjesën më të madhe të vendit mbreti e kishte humbur, brenda një parashikimi tjetër të Profetit s.a.v.s., por megjithatë, deri në gjashtëqind vjet pas kësaj ngjarjeje, trashëgimtarët e tij vazhduan ta qeverisnin Konstantinopojën. Letra e Profetit s.a.v.s. u ruajt deri vonë në perandorinë bizantine. Kështu që, kur disa atashe të mbretit Mensur Keladun shkuan te Mbreti Bizant, ai nxori para tyre një sënduk për t’u treguar që njërit prej gjyshërve të tij, Profeti s.a.v.s. i kishte dërguar një letër, e cila ishte ruajtur deri në atë kohë.

Letra drejtuar mbretit të Persisë

Letrën, mbretit të Persisë, Profeti Muhammed s.a.v.s. ia dërgoi nëpërmjet Abdullah ibni Hudhafasë. Fjalët e kësaj letre janë:

letrat mbretërveNë emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Nga Muhammedi, rob i Zotit dhe i Dërguari i Tij, drejtuar Kisrasë, mbretit të Persisë. Paqja qoftë mbi atë që ndjek udhëzimin e përsosur, beson në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij dhe dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, askush nuk i shoqërohet Atij dhe se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij. (O mbret!) Me urdhrin e Allahut të ftoj drejt Islamit, sepse unë jam dërguar prej Tij si profet për mbarë njerëzimin, që të zgjoj çdo shpirt dhe të argumentoj para mohuesve. Pranoje Islamin që të jesh i shpëtuar nga çdo shqetësim. E nëse e mohon këtë ftesë, atëherë do ta kesh mbi qafë edhe fajin e magëve”.[6]

Abdullah ibni Hudhafa r.a. rrëfen: Kur shkova te Kisra, i kërkova leje për të hyrë në oborrin e tij dhe më lejuan të hyja. Letrën ia dorëzova Mbretit, i cili ia dha përkthyesit që ta lexonte. Sa mbaroi përkthyesi së lexuari, ai ia mori dhe e grisi pezmatueshëm. Abdullah ibni Hudhafa r.a. kur u kthye dhe ia tregoi Profetit s.a.v.s., ai tha:

“Ashtu siç është sjellë Kisra me letrën tonë, Zoti do të sillet me mbretërinë e tij”.

Shkaku i kësaj sjelljeje të Kisrasë për të vepruar kundër Profetit s.a.v.s., ka qenë nxitja e këmbëngulshme e hebrenjve të Arabisë. Këtë ata e kishin arritur nëpërmjet hebrenjve që i kishin ikur perandorisë bizantine për t’u vendosur në perandorinë perse, të cilët i kishin hyrë në qejf Kisrasë, pasi e kishin mbështetur në komplotin e tij kundër bizantinëve. Përgojimet që ata kishin bërë pranë mbretit, atij i ishin vërtetuar nga kjo letër dhe tani ai kujtonte se Profeti s.a.v.s. donte t’ia merrte pushtetin. Kështu, menjëherë pas marrjes së kësaj letre, Kisra i dërgoi një ferman guvernatorit të Jemenit duke thënë:

“Ndër kurejshët, një njeri ka deklaruar të jetë profet dhe po avancohet shumë në pretendimin e tij. Dërgo menjëherë dy ushtarë drejt tij, që ta kapin e të ma sjellin këtu”.

Badhani, guvernatori i asaj kohe i Jemenit, i caktuar prej Kisrasë, dërgoi një oficer ushtarak bashkë me një kalorës dhe një letër te Profeti s.a.v.s.. Shkruhej: Muhammedit i jepet urdhri të paraqitej para Kisrasë, sapo ta merrte këtë letër. Oficeri së pari shkoi drejt Mekës. Vetëm kur arriti pranë Taifit, u informua që Profeti s.a.v.s. jetonte në Medinë. Ai u drejtua për në Medinën, e takoi Profetin s.a.v.s. dhe e njoftoi me urdhrin e guvernatorit. Ai gjithashtu i tha:

“Nëse do ta refuzoni urdhrin e mbretit, ai do t’ju shkatërrojë ju, popullin dhe vendin tuaj. Prandaj, duhet të vini me ne patjetër”.

Profeti s.a.v.s. e dëgjoi dhe tha:

“Ejani përsëri, nesër”.

Atë natë ai iu lut Allahut të Lartësuar, i Cili e njoftoi që për shkeljen që kishte bërë mbreti, Zoti ia kishte dhënë dënimin e merituar duke i bërë djalin të rebelohej kundër tij, dhe atë vit, me datën 10 të muajit hënor xhemadiul euel, ditën e hënë, ai do ta vriste babanë e vet. Në një rrëfim tjetër, Profeti i tha oficerit këto fjalë:

“Mbrëmë djali i mbretit e vrau mbretin”.

Me gjasë, ajo natë ishte e datës 10 të muajit xhemadiul euel. Ndaj të gdhirë, Profeti s.a.v.s. i thirri të dy mysafirët dhe i njoftoi me parashikimin e ri. Përveç kësaj, ai gjithashtu i shkroi një letër guvernatorit Badhan duke thënë se Zoti i Lartësuar e ka njoftuar që mbreti Kisra në filan datë dhe në filan muaj, do të vritej. Me të marrë këtë letër, guvernatori tha:

Nëse ai është profet i vërtetë, do të ndodhë ashtu siç thotë ai, në të kundërtën, ai dhe vendi i tij nuk kanë rrugë shpëtimi.

Vetëm për disa ditë, një anije perse hyri në portin e Jemenit që i solli dhe një letër mbretërore guvernatorit. Sa e pa vulën, guvernatori tha: Profeti i Medinës kishte thënë të vërtetën. Mbreti i Persisë ka ndryshuar, sepse vula është e tjetërkujt. Kur e hapi letrën, në të shkruhej:

Letër prej Shejruijasë, Kisrasë së Persisë. E kam vrarë Kisranë e mëparshëm, për arsye se bënte gjakderdhje të mëdha në vend. Ai vriste fisnikët dhe e dhunonte popullin. Kur t’ju mbërrijë kjo letër, të merrni prej të gjithë përgjegjësve zotimin për bindjen ndaj meje. Përveç kësaj, ati im ju kishte lëshuar një vendim për të kapur një profet arab. Ai vendim anulohet.[7]

Kjo letër e habiti aq shumë Badhanin, saqë ai dhe shumë shokët e tij menjëherë e pranuan Islamin, madje ai e njoftoi Profetin s.a.v.s. për pranimin e Islamit të tyre.

Letra e Profetit s.a.v.s. drejtuar Negusit, mbretit të Abisinisë

Letrën e tretë, Profeti s.a.v.s. i dërgoi Negusit, të cilën ia dorëzoi Amr ibn Umeja Demrri r.a.. Fjalët e saj janë:

letrat mbretërveNë emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Nga Muhammedi, rob i Zotit dhe i Dërguari i Tij, Negusit, mbretit të Abisinisë. (O Mbret!) Paqja e Zotit qoftë mbi ty (ngaqë Negusi kishte strehuar muslimanët, prandaj, Profeti s.a.v.s. e njoftoi që vepra e tij ishte pranuar te Zoti dhe i tha që ai ishte nën mbrojtjen e Zotit). Lavdëroj Allahun para teje, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër. Ai është Sunduesi i Vërtetë, Përmbledhja e të gjitha pastërtive, i Pastër nga çdo e metë, ndërsa, robërve të Tij, u largon çdo të metë, u siguron paqe dhe mbron krijesat e Tij. Dëshmoj që Isai i biri i Merjemes ishte përhapës i fjalës së Allahut të Lartësuar dhe përmbushës i premtimeve të Zotit që Ai ia kishte bërë nënës së tij, e cila kishte përkushtuar jetën për hir të Zotit. Unë të ftoj të krijosh lidhje me Zotin e Vetëm dhe t’i nënshtrohesh Atij. Të ftoj të më ndjekësh mua dhe të besosh në Atë Zot që më dërgoi, sepse jam profet i Tij. Të ftoj ty dhe ushtrinë tënde të hyni në fenë e Zotit të Plotfuqishëm e të Madhërishëm. Unë e kreva detyrën time dhe të njoftova me mesazhin e Zotit dhe me sinqeritet të dhashë këshillë të drejtë. Pranoje këshillën time. Çdokush që ndjek udhëzimin e Zotit të Lartësuar, i zbret paqja prej Tij.[8]

Kjo letër kur iu dorëzua Negusit, ai e pranoi me shumë respekt, e puqi me sy, zbriti prej fronit dhe porositi të sillej një kuti e fildishtë. Kur iu dha një kuti e tillë, me shumë respekt e futi letrën në të dhe tha:

“Derisa do të mbetet e mbrojtur kjo letër në Abisini, edhe mbretëria e saj do të vazhdojë të jetë e mbrojtur”.

Fjalët e Negusit dolën të vërteta. Për një mijë vjetët e ardhshëm Islami u përhap në botë si dallgët e detit. Ushtritë muslimane shkelën dhe kaluan në viset edhe në të djathtë të Abisinisë, edhe në të majtë të saj. Por për atë mirësi që u kishte bërë mbreti i Abisinisë muslimanëve të hershëm muhaxhirë, dhe për atë respekt që i kishte treguar letrës së Profetit Muhammed s.a.v.s., ata as nuk e prekën fare vendin e tij. Para tyre u copëtua edhe perandoria e fuqishme si ajo e Kejserit, u asgjësua edhe mbreti madhështor si Kisra, u rrëzuan mbretëritë e mëdha si ato të Kinës dhe të Indisë, por ai shtet i vogël i Abisinisë vazhdoi të ishte i mbrojtur, sepse ai u kishte treguar mirësi shokëve të parë të Profetit s.a.v.s. dhe i kishte dhënë respekt e nder letrës së tij. Kjo ishte sjellja që kishin treguar muslimanët ndaj abisinasve, për shkak të një mirësie të vogël të tyre.

Por, popujt e krishterë që mëtojnë të kthejnë edhe faqen e majtë, kur dikush i qëllon mbi faqen e djathtë,[9] sjelljen që po tregojnë këto ditë ndaj mbretit bashkëfetar dhe bashkëmendimtar të tyre, e sheh gjithë bota. Qytetet e Abisinisë janë shkatërruar me bombardime, ndërsa mbreti dhe mbretëresha e nderuar bashkë me fëmijët e tyre u detyruan të arratiseshin nga vendi i tyre për t’u strehuar për shumë vjet në një vend të huaj. Këto dy trajtime ndaj Abisinisë, njëri prej muslimanëve, tjetri prej të krishterëve, a nuk provojnë atë forcë shpirtërore që kishte Profeti Muhammed s.a.v.s., e cila i tërheq muslimanët drejt mirësisë dhe mirënjohjes edhe sot e gjithë ditën, pavarësisht nga fakti që ata i janë larguar shumë fesë së tyre.

Letra e Profetit s.a.v.s. drejtuar Mukaukisit, mbretit të Egjiptit

Letrën e katërt Profeti s.a.v.s. ia shkroi Mukaukisit, mbretit të Egjiptit, të cilën ia dorëzoi Hatib ibni Ebi Belta’ r.a.. Fjalët e letrës janë në vijim:

Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Nga Muhammedi, rob i Zotit dhe i Dërguari i Tij, drejtuar Mukaukisit, kreut të madh të koptëve. Paqja qoftë mbi atë që ndjek udhëzimin. Pas kësaj, (o Mbret!) të ftoj drejt Islamit. Bëhu musliman që të jesh i shpëtuar dhe Zoti do të të japë hakun e dyfishtë. Por nëse nuk e pranon, atëherë fajin e koptëve do ta kesh në qafën tënde. “O ithtarët e Librit! Ejani të biem në një fjalë të përbashkët midis nesh dhe jush, se do të adhurojmë vetëm Allahun dhe nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë dhe se nuk do të marrim për zot njëri-tjetrin në vend të Allahut”. Nëse ata kthejnë shpinën, thojani: “Dëshmoni se ne i bindemi Allahut të Lartësuar”.[10],[11]

Kjo letër është e njëjtë me atë që i ishte dërguar mbretit të rumëve, vetëm se këtij të fundit iu tha që nëse nuk do të pranonte, do të merrte edhe fajin e rumëve, ndërsa Mukaukisit iu tha se do të kishte mbi qafë fajin e koptëve. Kur Hatibi r.a. mbërriti në Egjipt, atëherë Makaukisi gjendej në qytetin bregdetar Aleksandria, e jo në kryeqytet. Ai shkoi në Aleksandri, ku, buzë detit, mbreti po zhvillonte një mbledhje. Hatibi mori një anije për të shkuar deri në vendndodhje, e cila ishte e rrethuar me roje. Ai që nga larg filloi t’u bënte me dorë dhe u thoshte që kishte një mesazh për t’u dhënë. Mbreti porositi që mesazheri të paraqitej para tij. E lexoi letrën dhe pyeti Hatibin r.a.: “Nëse ai është një profet i vërtetë, pse nuk lutet kundër armiqve të tij?” Hatibi r.a. i tha: “Ju besoni në Isain, të birin e Merjemes. Edhe atë e shqetësoi populli i tij, por ai nuk u lut që populli i tij të shkatërrohej”. Mbreti iu shpreh: “Jeni një përfaqësues i mençur i një dërguesi të mençur. Përgjigjja juaj është shumë me vend”.

Hatibi tha: “O mbret! Edhe para jush ka kaluar një mbret, Faraoni, që pretendonte të ishte Zot. Por ai u ndëshkua prej Zotit. Prandaj, edhe ju mos u tregoni mendjemadh dhe besojeni këtë Profet të Zotit. Pasha Zotin! Parashikimet që kishte bërë Isaias rreth Profetit Muhammed s.a.v.s., as Musaias nuk kishte bërë rreth Isaitas. Ne ju ftojmë drejt Profetit Muhammed s.a.v.s. ashtu siç ju i ftoni hebrenjtë drejt Isaitas. Çdo profet ka një popull, i cili obligohet t’i bindet profetit të vet. Ju keni gjetur epokën e këtij profeti, prandaj, jeni të obliguar ta pranoni atë. Përveç kësaj, feja jonë nuk ju ndalon nga ndjekja ndaj Mesihutas, madje, ajo fton edhe të tjerët që të besojnë në Mesihunas”.

Mbreti Mukaukis tha:

“Kam dëgjuar rreth profetit tuaj dhe shoh që ai nuk urdhëron për ndonjë gjë të keqe dhe nuk ndalon nga ndonjë gjë e mirë. Madje, kam marrë informata që ai as nuk është si magjistar apo fallxhi. Kam dëgjuar gjithashtu disa nga parashikimet e tij që u përmbushën”.

Me të thënë këto fjalë, ai kërkoi një kuti të fildishtë, në të cilën e vuri letrën e Profetit Muhammed s.a.v.s., e vulosi dhe ia dha shërbëtores së tij. Pastaj, edhe ai i shkroi një letër Profetit s.a.v.s., të cilën po e shënojmë më poshtë:

Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Muhammedit të birit të Abdullahut i drejtohet Mukaukisi, Mbreti i koptëve. Paqja qoftë mbi ju. Pastaj shtoj: Kam lexuar letrën tuaj dhe kam menduar mbi gjithçka që keni thënë dhe mbi çdo gjë, drejt së cilës më keni ftuar. E kam ditur që, sipas parashikimeve izraelite, mbetet të vijë një profet, por kujtoja që ai do të shfaqej në Siri. Përfaqësuesin tuaj e kam pritur me nderime të mëdha dhe i kam dhënë një mijë monedha, pesë palë rroba dhe ju dërgoj si dhuratë dy vajza egjiptiane, që populli kopt i vlerëson shumë. Njëra prej tyre quhet Maria dhe tjetra Sirinë. Gjithashtu, po ju dërgoj dhe njëzet palë rroba egjiptiane, që janë të cilësisë së lartë, një mushkë që ta përdorni për vete. Në fund, lutem sërish që paqja e Zotit qoftë mbi ju.[12]

Letra tregon që Mukaukisi i dha respekt dhe nderim letrës së Profetit s.a.v.s. por nuk e pranoi Islamin.

Letër Kryetarit të Bahrejnit

Letrën e pestë Profeti Muhammed s.a.v.s. i dërgoi Mundhir Temimit, Kryetarit të Bahrejnit, nëpërmjet Ala ibni Hedremiut r.a.. Kjo letër nuk ruhet në histori, megjithatë, dëshmohet që kur ai e mori letrën, e pranoi fenë Islame dhe i shkroi Profetit s.a.v.s.:

“Unë dhe shumë nga shokët e mi ju pranuan si profet, por ka edhe disa që nuk ju pranojnë. Përveç këtyre, në vendin tim, ka edhe disa hebrenj dhe mexhusi. Më thoni se si duhet të sillem me ta.

Profeti Muhammed s.a.v.s. i dërgoi përgjigje me një letër tjetër:

Gëzohem që keni përqafuar Islamin. Ndiqni udhëzimet që ju sjellin mesazherët e mi, sepse ai që i ndjek ata, më ndjek edhe mua. Përfaqësuesi im, që kishte ardhur te ju, më tha shumë fjalë të mira për ju dhe tregoi që keni pranuar Islamin. I jam lutur Zotit të Lartësuar për popullin tuaj. Muslimanëve mësojuni traditat islame, mbroni pasuritë e tyre, mos i lejoni ata që të mbajnë më shumë se katër gra. Ata që bëhen muslimanë, t’u falen gjynahet e tyre të mëparshme. Derisa do të qëndroni në mirësi, nuk do t’ju largojmë nga pushteti juaj. Për sa u përket hebrenjve dhe maxhusëve, merrni vetëm një taks prej tyre. Asgjë tjetër nuk kërkohet prej tyre. Për banorët e vendit, që nuk kanë tokë për të ardhura, çdokujt prej tyre jepini nga katër monedha dhe rroba për mbijetesë.[13]

Përveç letrave të sipërpërmendura, Profeti s.a.v.s. i dërgoi letra të tjera mbretit të Amanit, kryetarit të Jamamasë, mbretit të Gesanit, kryetarit të fisit Beni Nehed të Jemenit, kryetarit të fisit Hamdan të Jemenit, kryetarit të fisit Beni Elim dhe kryetarit të fisit Hedremi. Shumica prej tyre u bënë muslimanë. Dërgimi i këtyre letrave dëshmon se sa i fuqishëm ka qenë besimi i Profetit Muhammed s.a.v.s. në Zotin e Lartësuar dhe se si, që nga fillimi, ai ishte i bindur që ai nuk i ishte dërguar si profeti ndonjë populli të caktuar, por të gjithë popujve.

Duhet të dimë se krerët dhe mbretërit që pranuan letrat e Profetit s.a.v.s. nuk vepruan njësoj: disa e përqafuan Islamin, disa edhe pse nuk e pranuan Islamin, ndaj letrës së Profetit s.a.v.s. u sollën mirë e me nder, ndërsa disa treguan miqësi sipërfaqësore e disa prej tyre u sollën mendjemëdhenj dhe kryeneçë. Por, një gjë nuk mund të vihet në dyshim, të cilën edhe historia e botës e dëshmon, që fati i çdo mbreti dhe kryetari u përcaktua nga mënyra se si ata u sollën me letrën e Profetit Muhammed s.a.v.s..


[1]  Buhariu, Kitabul-ilm, bab ma jedhkuru fil-menauela.
[2] Buhariu, Kitabul-uehi, bab kejfa kana badaul-uehi ila Resulillahi s.a.; Zerkani, pjesa V, Bejrut, 1996, f. 12.
[3]  Buhariu, Kitabul-uehi, bab kejfa kana badaul-uehi ila Resulillahi s.a.; Zerkani, pjesa V, Bejrut, 1996, f. 12.
[4]  Kurani Famëlartë 3:65.
[5]  Buhariu, Kitabul-uehi, bab kejfa kana badaul-uehi ila Resulillahi s.a.; Zerkani, pjesa V, Bejrut, 1996, f. 12.
[6]  Tarikh Tibri, pjesa III, Bejrut, 1987, f. 247.
[7]  Tarikh Tibri, pjesa III, shtëpia botuese Darulfiker, Bejrut, 1987, f. 247-249.
[8]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 279.
[9]  Mateu 5:39.
[10]  Kurani Famëlartë 3:65.
[11]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 280-281.
[12] Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 281.
[13] Zerkani, vëll. V, Bejrut, 1996, f. 34-36.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp