Në kohën midis betejës së Uhudit dhe asaj që po vinte më pas, bota dëshmoi një shembull që ilustron shumë qartë se sa thellë Islami kishte sjellë ndikim te ndjekësit e tij. E kemi fjalën për urdhrin e ndalimit të pirjes së alkoolit. Në faqet e para, duke treguar gjendjen e arabëve para Islamit, kemi treguar që arabët ishin tepër alkoolistë. Në çdo familje të famshme, pesë herë pihej alkooli dhe se ata nuk turpëroheshin fare kur deheshin, ngaqë kjo ishte diçka e zakonshme për ta. Madje, këtë gjendje e konsideronin të virtytshme. Kur u vinte ndonjë mik, e zonja e shtëpisë e kishte për detyrë t’i shërbente me alkool. Padyshim, nuk ishte e lehtë t’ua heqje këtë ves, njerëzve të tillë.
Por, në vitin e katërt pas mërgimit, Profetit Muhammed s.a.v.s. i zbriti urdhri që pirja e alkoolit të ndalohej. Menjëherë pas shpalljes së kësaj porosie, muslimanët hoqën dorë tërësisht nga alkooli. Siç rrëfehet në hadithe, kur zbriti ky urdhër, Profeti s.a.v.s. thirri një sahab dhe e porositi që ta njoftonte këtë kumt nëpër rrugicat e Medinës.
Gjatë asaj kohe, në shtëpinë e një ensari, pra të një muslimani të Medinës, po pihej alkooli. Shumë njerëz ishin ftuar tek ai dhe po kthenin gotë pas gote. Ishte zbrazur një shtambë e madhe dhe do të hapej një tjetër. Njerëzit ishin të dehur dhe shumë të tjerë afër dehjes. Në këtë gjendje, ata dëgjuan lajmëtarin, i cili thoshte se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., sipas urdhrit të Zotit, e ndaloi pirjen e alkoolit. Njëri u ngrit dhe tha se po dëgjonte diçka rreth ndalimit të alkoolit. U ngrit tjetri, i cili e theu shtambën e alkoolit me shkopin e tij duke thënë:
“Ta zbatojmë urdhrin një herë, pastaj të sqarohemi. Nuk duhet të vazhdojmë me pirjen e të merremi me hulumtime. Neve na mjafton që kemi dëgjuar urdhrin. Detyra jonë është që ta derdhim alkoolin përjashta e pastaj të hetojmë njoftimin”. (Buhariu, Kitabut-tefsir, tefsir suretil-Maidah, bab keuluhu “Inemel khemru”)
Muslimani kishte të drejtë, sepse nëse ndalimi i pirjes së alkoolit ishte shpallur dhe ata do të vazhdonin ta pinin, atëherë do të bënin gjynah. Por edhe nëse ndalimi nuk ishte shpallur, derdhja e alkoolit nuk sillte ndonjë dëm të madh që nuk mund të përballohej. Pas këtij njoftimi, muslimanët hoqën dorë krejtësisht nga pirja e alkoolit.
Pra, nuk u nevojit ndonjë përpjekje e sensibilizim i veçantë për të sjellë këtë revolucion madhor. Muslimanët që dëgjuan këtë urdhër dhe dëshmuan zbatimin e tij të menjëhershëm, jetuan deri në shtatëdhjetë apo tetëdhjetë vjet më vonë dhe asnjë prej tyre as edhe një herë nuk e shkeli këtë urdhër. Nëse ndodhi ndonjë abuzim tek-tuk, ndodhi vetëm me atë njeri, i cili nuk kishte përfituar drejtpërdrejt nga shoqëria e Profetit s.a.v.s..
Kur e analizojmë këtë me lëvizjen amerikane për moslejimin e pirjes së alkoolit dhe kur shohim përpjekjet që janë bërë për ta sjellë në jetë këtë rregull, ose ato përpjekje që janë bërë edhe në Evropë për vite me radhë, na del në pah se tek muslimanët vetëm një urdhër i Profetit Muhammed s.a.v.s. ishte i mjaftueshëm për ta larguar këtë ves shoqëror.
Kurse në Amerikë dhe në Europë, sado që u vendosën ligje, u përpoqën bashkërisht trupat policore a ushtarake, inspektorët e tjerë të tatimeve apo ndonjë tjetër, nuk e arritën. Ata e pranuan disfatën e tyre. Pirja e alkoolit fitoi para përpjekjeve të tyre. Edhe pse kjo koha jonë quhet koha e zhvillimit, kur e krahasojmë me atë të fillimit të Islamit, befasohemi dhe përballemi me një pyetje: Vallë cila nga dy kohërat është më e zhvilluar, e jona apo ajo e Islamit që shkaktoi një revolucion kaq të madh shoqëror?
(Marrë nga “Jeta e Muhammedit s.a.v.s”, e shkruar në vitin 1948)