Si duhet ta festojmë Vitin e Ri?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
viri i ri

Koha është e pakapshme, të cilën askush nuk mund ta ndalë. E tashmja vazhdimisht po shndërrohet në të kaluarën. Edhe e ardhmja që përgatitet për të ardhur, do të vijë vetëm për të na përshëndetur, sepse në çastin tjetër ajo do të jetë e kaluara. Asgjë nuk mbetet në dorën e njeriut. E kaluara nuk mund t’i kthehet, e ardhmja akoma nuk i ka ardhur, ndërsa e tashmja për një çast i mbetet e kaluar. Nga ky këndvështrim, bota edhe pse plot materie, njeriut do t’i duket vetëm ëndërr. Megjithatë, duke përdorur mjetet e përcaktuara prej Zotit, ai ka sajuar disa kohëmatës për vete dhe njëri prej tyre është edhe viti kalendarik.

Edhe pse, nga ana fetare ky sistem vjetor nuk ka ndonjë rëndësi, megjithatë ai patjetër përbën rëndësi nëse besimtarët e shohin atë si gurkilometër të jetës së tyre. Duhet t’i hedhim një sy vitit tonë që kemi kaluar për të analizuar se sa vese kemi hequr nga jeta jonë? Sa mirësi kemi përvetësuar gjatë vitit që lamë pas? Cilat ishin mirësi që nuk bënim më përpara, por gjatë vitit të kaluar, Zoti na dha mundësi për t’i bërë ato? Cilat ishin mirësi që dikur bënim, por gjatë vitit që kaloi, i kemi neglizhuar? A jemi bërë më të butë ndaj të tjerëve apo më të vrazhdë? Përparimi ynë na ka bërë të bëhemi më të përulur dhe më mirënjohës ndaj Zotit, apo më indiferent ndaj “të vegjëlve” dhe më mendjemadh për arritjet tona? A jemi përpjekur apo jo për të gjetur më shumë afrimin me Zotin e Madhërishëm?

Përveç kësaj, ka nevojë të reflektojmë mbi përgjegjësitë tona që kemi ndaj njerëzve që janë në varësinë tonë. Çfarë u kemi dhënë fëmijëve si prind? A kemi përmbushur detyrimet tona siç duhet ndaj prindërve, bashkëshortes apo bashkëshortit, vëllezërve e motrave, farefisit të tjerë, fqinjëve (“daç i njohim apo nuk i njohim”, siç thotë Profeti Muhammed s.a.) dhe ndaj gjithë njerëzve të tjerë? Kjo analizë për besimtarët është jashtëzakonisht e nevojshme, sepse gëzimi i tyre është ngushtësisht i lidhur me daljen nga mëkatet dhe hyrjen në mirësi. Kurani Famëlartë vazhdimisht na tërheq vëmendjen duke pohuar se ne do të gëzojmë sukses vetëm atëherë kur dobësitë, mëkatet dhe ligësitë tona të zëvendësohen me mirësi. Kurani Famëlartë thotë:

Viti i Ri Viti i RiQë t’i çojë (Zoti) besimtarët dhe besimtaret në kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku ata të qëndrojnë përherë dhe që t’ua largojë gjynahet atyre. Kjo, në sytë e Allahut, është fitorja më e madhe.[1]

Viti i RiO ju që besuat! Nëse do të keni takua (druajtje) ndaj Allahut, Ai do t’ju bëjë të dalluar, do t’ju lirojë nga mëkatet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu ka mirësi të madhe. [2

Viti i Ri

… përveç atij që pendohet, beson dhe bën vepër të mirë. Të tillëve Allahu ua ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.[3]

Përveç analizës që kemi nevojë të bëjmë për vitin që lamë pas, si gjithë të tjerët edhe ne si besimtarë duhet të jemi optimistë për vitin e ardhshëm. Por vetëm optimizmi ynë nuk do të na sjellë diçka, derisa ai nuk shoqërohet me një vullnet të palëkundur për të sjellë ndryshime në jetën tonë. Në një fjalim të tij të së xhumasë, udhëheqësi ynë shpirtëror, Hazret Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia u tërhoqi vëmendjen gjithë muslimanëve ahmedianë për këtë dhe tha:

“Kjo analizë do t’i bëjë ata që të ftohen karshi dëshirave të kësaj bote e të anojnë tërësisht nga ahireti; do t’i bëjë ata që të kenë frikë ndaj Zotit. Ata nuk do të shqetësohen për dëshirat e kësaj bote, por do të kenë parasysh porosinë e Kuranit ku thuhet:

viti i ri“Le të shohë çdo njeri se çfarë ka dërguar për të nesërmen”[4]

Njerëzit e tillë do të analizojnë se çfarë kanë dërguar për botën e ardhshme, duke kërkuar pëlqimin e Allahut të Madhërishëm dhe mirësitë e botës tjetër. Ata e dallojnë se a duhet të jetojnë me takua e pastërti, apo pa pasur frikë ndaj Zotit? T’i përmbahen premtimit të Bejtit (besëlidhjesë) apo ta mbajnë vetëm stemën e tij në kraharor për sy e faqe? Të krijojnë brenda vetes mëshirën, butësinë dhe kënaqësinë e Zotit apo të veprojnë me mizori e vrazhdësi? Të vendosin shembuj të përulësisë dhe modestisë apo të ecin nëpër tokë si kryeneçë e mendjemëdhenj? Të shpërndajnë perlat e vërtetësisë, apo të enden në errësirën e gënjeshtrave që t’i mbërthejë mospëlqimi i Allahut? Të përgatiten për ta çuar përpara misionin e Mesihut të Muhammedit s.a., apo të zhyten në llumin e shkëlqimit verbues të botës materiale? Pra, këto analiza konkrete do të na tregojnë se deri në ç’masë e kemi parasysh porosinë e Kuranit ku thotë: Çfarë keni dërguar për të nesërmen?[5]

Nëse ky është standardi ynë për të lënë pas një vit që kalon dhe për të pritur një të ri, natyrisht do të angazhohemi në lutje, e jo në dëfrime dhe ahengje. Hazret Kalifi i Katërt i Xhematit Musliman Ahmedia, duke treguar një ngjarje të tij që ka lidhje me festimin e Vitit të Ri, thotë:

Do t’ju përmend një ndodhi të jetës sime që më pëlqen shumë, e cila më ndodhi gjatë një nate të një Viti të Ri, në Londër. Pra, të nesërmen fillonte vit i ri dhe atë natë ishte një ambient festiv. Zakonisht në orën 12 të natës të Vitit të Ri, njerëzit këtu mblidhen në sheshin “Trafalgar” dhe bëjnë lloj-lloj gjërash të pahijshme. Sepse në këtë natë, ata mendojnë se u hiqet çdo pengesë kulture apo fetare dhe gëzojnë liri të plotë. Në një kohë të tillë, unë rastësisht po gjendesha në stacionin e Bostonit. Siç çdo ahmedian, ashtu edhe unë mendova të falja namaz. Pra, po e them kështu se unë nuk kam ndonjë pozitë të veçantë. Siç dihet, me bekimin e Zotit, ditën e parë të vitit të ri, ahmedianët fillojnë duke e adhuruar Zotin. Edhe unë e gjeta këtë mundësi.

U çova, shtrova disa gazeta dhe nisa të falja namaz nafil. Pas pak kohe ndjeva se  një njeri erdhi dhe po qëndronte pranë meje. Ende pa mbaruar namazin, fillova të dëgjoja të qarët dhe dënesat e tij. Pasi e përfundova faljen, pashë që ai ishte një plak anglez dhe, si fëmijë, po qante me të madhe. U frikësova. Thashë mos po mendonte se jam budalla dhe ndoshta po qan nga dashamirësia ndaj meje. “Çfarë të ndodhi?” E pyeta plakun. “Jo, mua nuk më ndodhi asgjë”, u përgjigj ai, “i ndodhi diçka popullit tim. I gjithë populli është i zënë në gjëra të pahijshme në këtë kohë dhe po shoh vetëm një njeri që kujton Zotin e tij. Kjo gjë dhe ky krahasim po më bëjnë përshtypje aq të thellë, saqë nuk po e duroj dot”. Ai vazhdimisht më thoshte: “God bless you! God bless you! God bless you!”(Zoti të bekoftë! Zoti të bekoftë! Zoti të bekoftë!).[6]

Le t’i urojmë njëri-tjetrit një vit të mbarë, që na çon më pranë Zotit të Madhërishëm dhe që na bën më dashamirës ndaj njerëzimit!


[1] Kurani Famëlartë 48:6.
[2] Kurani Famëlartë 8:30.
[3] Kurani Famëlartë 25:71.
[4] Kurani Famëlartë 59:19.
[5] Fjalimi i xhumasë i mbajtur nga Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar më 27 dhjetor 2013.
[6] Fjalimi i xhumasë, i mbajtur më 20 gusht 1982, i botuar në gazetën “El-Fazl” 31 tetor 1983, Rabwah, Pakistan.

Image Courtesy: Randy Tan Travelogue; Under Creative Commons

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp