Vepra të mira për të filluar Vitin e Ri
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Vepra të mira për të filluar Vitin e Ri

Edhe këtij viti, po i afrohet fundi dhe njerëzit si gjithmonë po kthejnë vëmendjen dhe varin shpresa të reja sërish te Viti i Ri. Për një pjesë të madhe të shoqërisë, ndërrimi i vitit nënkupton një organizim festiv, qëndrimin zgjuar pas mesnatës dhe nisjen e Vitit të Ri me një pije dehëse. Shfaqjet e fishekzjarrëve në vigjiljen e Vitit të Ri bëhen në të gjithë globin, dhe secili popull përpiqet të kalojë tjetrin duke bërë një spektakël gjithnjë më ekstravagant.

Përveç këtyre festimeve, shpesh njerëzit mendojnë edhe për rezolutat e Vitit të Ri, p.sh. të ushqyerit e shëndetshëm, të udhëtuarit drejt destinacioneve të reja, të frekuentuarit në palestër etj.

Pyetja ime është, a luan ndonjë rol ky organizim për të festuar Vitin e Ri në sjelljen tuaj në muajin qershor apo edhe shkurt? Studimi i kryer në vitin 2020 nga “Strava”, një aplikacion që regjistron aktivitetet sportive, zbuloi se 40% e përdoruesve që kishin bërë rezoluta për Vitin e Ri, kishin hequr dorë nga rezolutat e tyre afërsisht vetëm dy javë pas fillimit të vitit. Në realitet, shumica e rezolutave nuk i mbijetojnë as muajit janar.

Ideja e një “Viti të Ri” është të harrosh vitin e kaluar dhe të fillosh nga e para, çdo gabim e shkelje në sjellje të futet nën qilimin e harresës e të fshihet nga kujtesa për të mos folur më për të. Ndonjëherë, njerëzit i shohin festimet e Vitit të Ri gati si një “kalim pa pagesë” nga e kaluara e tyre. Nën sloganin se “është Vit i Ri, nuk ka rëndësi”, ata angazhohen në veprime që normalisht nuk do t’i bënin kurrë në jetën e përditshme. Disa nga këto sjellje janë aq të papërshtatshme e të shfrenuara, që nuk mund të priten nga një njeri normal.

Ky slogan është thjesht një justifikim për t’u dëfryer e për t’u zbavitur derisa t’i afrohen cakut të “ndalesës”. A në të vërtetë ndalen këto shfaqje të shfrenuara apo slogani në fjalë është vetëm një justifikim tjetër? A do të pushojnë vërtet këto veprime të paligjshme, apo do të rishfaqen? Siç e kemi parë edhe në media, këto akte dhe sjellje të dëmshme sjellin pasoja që mbeten për disa muaj. Raportet e lajmeve më 1 janar shpesh tregojnë pamjet nga qendrat e qyteteve, të xhamave të thyer dhe të vendeve të vandalizuara. Këto veprime sabotimi në përgjithësi nxiten nga përdorimi i alkoolit dhe drogës (e cila mund të jetë shkaku kryesor i kësaj sjelljeje).

Numri i lartë i rasteve në urgjencë, arrestimet e policisë për vendosjen e rendit dhe aktet e dhunshme e të paligjshme u sjellin dëme të mëdha shërbimeve e burimeve që janë nevojat jetike për rastet e mirëfillta dhe urgjencat reale. Kur këto “festime” analizohen në tërësi, justifikimi përmes sloganit “është Viti i Ri” duket tërësisht i pakuptimtë.

Si muslimanë, qëllimi ynë në jetë është shumë i qartë: ta adhurojmë Zotin, të bëjmë vepra të mira, t’u sjellim dobi të tjerëve dhe të përpiqemi të përmirësojmë veten tonë. Kur mbyllet një vit, ne inkurajohemi për të reflektuar mbi sjelljen tonë gjatë vitit që po e lëmë pas. A u kemi dhënë përparësi namazit dhe lutjeve mbi gjërat e kësaj bote? A kemi kontribuuar mjaftueshëm gjatë vitit sipas mundësisë për bamirësi? A kemi shtuar njohurinë tonë fetare?

Në këtë mënyrë, i identifikojmë aspektet në të cilat jemi përmirësuar dhe falënderojmë Allahun për të. Po ashtu, i dallojmë edhe dobësitë tona dhe i lutemi Allahut për falje dhe i kërkojmë ndihmë për të qenë më të mirë. Sidoqoftë, e falënderojmë Allahun dhe lutemi për forcë, mbështetje dhe udhëzim.

Ne inkurajohemi për të mbyllur vitin me veprat dashamirëse, p.sh. duke u uruar shëndet, mbarësi dhe mirësi miqve, fqinjëve dhe kolegëve tanë, duke dhuruar për të pastrehët, duke punuar për natyrën e mjedisin, duke kontribuuar për bamirësi dhe duke marrë pjesë vullnetarisht në aksionet e pastrimit për të mbledhur mbeturinat dhe fishekzjarrët nga pedonalet etj.. Veprat flasin më shumë se fjalët dhe këto veprime dashamirësie na mbushin me pozitivitet, shpresë dhe vendosmëri për t’i bërë ato më shpesh.

Në lidhje me mënyrën se si duhet të presim vitin e ardhshëm, na këshillohet që çastet e ndërrimit të vitit të kalojmë në lutje e meditim. Ne lutemi për veten tonë, lutemi për të dashurit tanë (të gjallë apo të vdekurit), për atdheun tonë, për popullin tonë, për komunitetin në të cilin bëjmë pjesë dhe për të ardhmen e botës sonë.

Lutemi për një vit më të mbarë, të mbushur me mirësi, shëndet dhe bekime për të gjithë ne. Ne lexojmë Kuranin Famëlartë, i cili na qartëson qëllimin e jetës, na mëson për detyrat tona dhe na nxit për të dhënë sadaka (lëmoshë) për bamirësi. Kjo bën që Vitin e Ri ta fillojmë me një frymë sakrifice për një qëllim më të madh.

Sigurisht, edhe mua më pëlqejnë fishekzjarrët. Megjithatë lutjet, vetëreflektimi dhe veprimet sado të vogla bamirëse kanë një vlerë dhe kuptim më të madh në jetën time. Atëherë, pse të mos provojmë ndërrimin e vitit me një aktivitet bamirës, pozitiv dhe ​​reflektues? Ndikimet frymëzuese të këtyre veprimeve përhapen gjithandej dhe bëhen shkëndijë për veprat madhore. Allahu thotë në Kuranin Famëlartë:

الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ طُوبَىٰ لَهُمْ وَحُسْنُ مَآبٍ ‎

“Ata që besuan dhe bënë vepra të mira kanë një vend të pastër dhe vendkthim të mbarë”.  (Kurani Famëlartë 13:30)

Gëzuar vitin e ri të gjithëve! Zoti ju dhuroftë lumturi, shëndet dhe suksese në jetë!

Lexoni:

Si duhet ta festojmë Vitin e Ri?
Viti i ri dhe përgjegjësitë tona
Mënyra islame për të festuar Vitin e Ri

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem