Festa e shtrigave dhe historiku i saj
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Festa e shtrigave dhe historiku i saj

halloween

Hyrje

Festa e shtrigave ose anglisht Halloween (e shqipëruar Hallouin), është një festë vjetore e cila kremtohet çdo vit më 31 tetor në thuajse mbarë botën. Kjo festë fillimisht kishte fillim të krishterë sepse 1 nëntori në Kishën Katolike njihet si dita e shenjtorëve dhe martirëve, por me kalimin e kohës mori pamje laike që kishte si synim ekonominë dhe tregtinë. Në shumë vende të botës ka festa që edhe pse emërtohen me emra të tjerë përqendrohen në të njëjtat gjëra, si: kontakti me shpirtrat e të vdekurve, me zanat e maleve, shtrigat, dreqrit dhe demonët[1].

Prejardhja etimologjike e Halloween

Halloween vjen nga termi Hallou që është fjalë e vjetër angleze që do të thotë i shenjtë. Dita e Gjithë të Shenjtëve (All Hallows’ Day) është festë për nder të tyre. Mbrëmja para Ditës së Gjithë të Shenjtëve quhej edhe Për Gjithë të Shenjtët (All Hallow Even), që më vonë doli në formën e shkurtuar Halloween (Hallouin)[2]. Kjo festë kryesisht ka të bëjë me kontaktin e forcat frymore, shumë prej të cilave kërcënojnë ose frikësojnë[3].

Prejardhja e Hallouinit deri tek ne

Nga shekulli i pestë para erës sonë keltët mbanin festën e Samhainit në fund të tetorit, ngaqë besonin se fantazmat dhe demonët bredhin në tokë më tepër se në periudha të tjera. Në shekullin e parë të erës sonë keltët u pushtuan nga romakët dhe këta të fundit i përvetësojnë ritet spiritualiste të Samainit. Në shekullin e shtatë, Papa Bonifaci i katërt për nder të martirëve themeloi festën e përmotshme të të Gjithë të Shenjtëve, kurse katër shekuj më vonë, në shekullin e njëmbëdhjetë dita e dytë e nëntorit caktohet si dita e gjithë shpirtrave për të përkujtuar të vdekurit. Më tej, në shekullin e tetëmbëdhjetë pranohet forma e shkruar e Hallouinit, nga shkrirja e ty termeve angleze: mbrëmje (evening) dhe i shenjtë (hallow).

Në shekullin XIX me mijëra njerëz që emigruan nga Irlanda në SHBA morën me vete edhe zakonet e Hallouinit dhe me kalimin e kohës, u përzjenë me zakonet e ngjashme të emigrantëve, nga Britania e Madhe, Gjermania, nga Afrika dhe pjesë të tjera të botës. Në shekullin e kaluar, Hallouni bëhet një ndër festat më të famshme për të gjithë kombin e SHBA-ve, dhe në shekullin njëzetenjë interesi ekonomik dhe tregtar për Hallounin kthehet në një industri mbarëbotërore qindra miliarda dollarëshe[4].

Historiku i festës Hallouin

Sipas historianit Nicholas Rogers, historiku i kësaj feste popullore vjen nga Roma, ku kremtohej për nder të hyjneshës Pomona, hyjnesha e farërave, fryteve, që ka lidhshmëri me përkujtimin e të vdekurve, ditë e cila quhej Parentalia. Parentalia ka lidhshmëri me festën Samhain të keltëve paganë, që në irlandishten e vjetër do të thotë: fundi i verës. Këtë festë të lashtë pagane e kremtonin edhe popuj të tjerë të Evropës si: keltët, galët, brionët etj.[5].

Festa e Hallounit shihet si një festë në përgjithësi amerikane, por që praktikohet në shumë vende të botës. Përveç kësaj, në shumë shtete ka festa të ngjashme me Hallouinin, që kryesisht merren me festimin dhe veprimtarinë e botës shpirtërore, si: në Azi është festa e Obonit (Obon festival), në Afrikë është vallëzimi i Ejgungunit kokëmbuluar (dance of the Hooded Egunguns), në Evropë është dita e të vdekurve me variantet e tjera të Hallouinit, në Amerikën e Veriut është dita e të vdekurve kurse në Amerikën e Jugut dhe Latine është Kausaskançisi (Kawsasqanchis)[6].

Karakteristikat e kësaj feste

Njerëz të veshur si vampirë, njeriu-ujk, shtriga dhe kufoma të ngritura nga varri: të gjitha këto krijesa lidhen kinse me botën e shpirtrave të ligj; vënia e maskave: keltët e lashtë vishnin maska me pamje të frikshme që shpirtrat e ligj të frikësoheshin nga këta, më vonë Kisha i përzjeu këto rite pagane me ritet e ditës së Shenjtorëve; shpërndarja e ëmbëlsirave: keltët e lashtë përpiqeshin që shpirtrat e ligj t’i qetësonin me ëmbëlsira. Kisha në mesjetë i nxiti të krishterët që për nder të kësaj dite të Shenjtorëve të shkonin shtëpi më shtëpi duke kërkuar ushqim në këmbim të një lutjeje për të vdekurit; kungujt: rrepat e gdhendur e të ndriçuar me qiri përdoreshin për të mbajtur larg shpirtrat e ligj. Për disa, qiriri i rrepës përfaqësonte një shpirt të ngecur në purgator. Me kalimin e kohës filluan të përdoreshin më tepër kungujt e gdhendur[7].

Historiku te shqiptarët

Festa e shtrigave në mesin e shqiptarëve që jetonin në trojet shqiptare (në Kosovë dhe Shqipëri) nuk ka qenë e njohur para vitit 1990. Me rënien e komunizmit në Shqipëri dhe me ardhjen e demokracisë perëndimore, bashkë me të erdhi edhe kultura dhe festat e tyre. Ndër këto festa është festa e Valentinit, festa e bredhit, babadimri si dhe festa e shtrigave. Ata që i gëzohen kësaj feste më së shumti janë tregtarët që me kohë furnizojnë depotë dhe marketet me shitjen e maskave të frikshme, kostumeve dhe ngjyrave për të vizatuar fytyrën, poashtu edhe shitësit ambulantë dhe pronarët e lokaleve të natës, deri tek organizatorët e konkurseve të ndryshme që përzgjedhin kostumin më të bukur dhe më të çuditshëm të përdorur nga të rinjtë.

Një risi që bie në sy tek shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë, është edhe gjuajtja e vezëve duke i goditut autobusët dhe veturat në lëvizje nga fëmijët e grupmoshave të ndryshme. Kjo gjë duket shqetësuese për shumë prindër, por për disa të tjerë është emancipim duke ia dhënë lirinë e tepruar fëmijëve, ndërsa disa të tjerë thirren në emër të lirisë së shprehjes dhe të mosprishjes së rehatisë së fëmijëve.

Gjykimi fetar për këto festa

Populli shqiptar që mburren për pranimin e hershëm të krishterizmit dhe për shumicën e popullsisë të besimit islam, për argumente fetare përdorin Biblën dhe Kuranin. Të krishterët që janë kundër këtyre festave pagane, bëjnë thirrje që besimtarët e tyre t’u kthehen rrënjëve biblike tek ky citat biblik:

Të mos gjendet midis teje ndonjë që e kalon birin ose bijën e vet nëpër zjarr, as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji, as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymat, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit”[8].

Kurse muslimanët përdorin ajetet kuranore të sures el-Fatiha, që flasin për udhëzim të drejtë, në rrugën e besimtarëve e jo në rrugën e atyre që Zoti u hidhërua me ta e as të atyre që kanë humbur, që sipas disa haditheve të sakta, janë hebrenjtë dhe të krishterët[9], ndërsa po nga një një hadith i saktë, profetizohet që muslimanët do ta ndjekin pëllëmbë pas pëllëmbe e hap pas hapi rrugën e popujve të mëhershëm, persianëve, bizantinëve[10], hebrenjve dhe të krishterëve[11].


[1] Për këto terme të hulumtohet edhe në librin e Robert Elsie “Leksiku i kulturës popullore shqiptare, besime, mitologji, fe, doke, rite, festa dhe veçori kulturore”, shqipëroi: Abdurrahim Myftiu, shtëpia botuese: “Skanderbeg books”, Tiranë 2005, zërat: zana e malit, dreqi, dragua etj.
[2] Grup autorësh, “The Truth about Halloween”, revista “Awake!”, vëllimi XCIV, nr. 9, Selters (Gjermani), shtator 2013, fq. 8.
[3] Grup autorësh, “American folklore, an encyclopedia”, Garland Publishing Inc., New York & London 1996 fq. 746.
[4] Grup autorësh, “The Truth about Halloween”, po aty, fq. 8-9.
[5] Mexhid Yvejsi, “Prejardhja e festave”, shtypi: “Erpo-print”, Gjakovë 2011, fq. 35.
[6] Linku: https://www.skyscanner.com.au/news/8-halloween-traditions-around-world, qasja e fundit: 22.10.2019.
[7] Grup autorësh, “The Truth about Halloween”, po aty, fq. 7.
[8] Bibla, libri i Ligjit të Përtërirë, kapitulli 18, citatet 10-11.
[9] Xhamiu et-Tirmidhi, kitab: “Et-tefsīr”, hadithi nr. 3212.
[10] Sahih el-Buhari, kitab: “El-I’tisām bil-kitāb ves-sunneh”, bab: “Kawlun-nebijji: letetbe’unne senene men kāne kablekum”, hadithi nr. 7319.
[11] Po aty, hadithi nr. 7320.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp