Skifteri që përhap zjarrin dhe gjykimi i Islamit për mbrojtjen e kafshëve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Skifteri që përhap zjarrin dhe gjykimi i Islamit për mbrojtjen e kafshëve

Transmetohet nga Aisheja r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

‏ “خَمْسٌ مِنَ الدَّوَابِّ كُلُّهُنَّ فَاسِقٌ، يَقْتُلُهُنَّ فِي الْحَرَمِ الْغُرَابُ وَالْحِدَأَةُ وَالْعَقْرَبُ وَالْفَأْرَةُ وَالْكَلْبُ الْعَقُورُ ‏”‏‏.‏

“Pesë kafshë janë të dëmshme, të cilat mund të mbyten në gjendjen e Ihramit. Ato janë: Korbi, skifteri, akrepi, miu dhe qeni i tërbuar”.

(Buhariu, 1828)

Komentimi i hadithit

Imam Buhariu ka shënuar 6 hadithe në Sahihun e tij, nën kapitullin مَا يَقْتُلُ الْمُحْرِمُ مِنَ الدَّوَابِّ “Cilat kafshë mund të mbyten nga Muhrimi?” ( Muhrimi quhet personi i cili është në gjendje të Ihramit, pra ka veshur rrobat e Ihramit për të bërë Haxh apo Umra). Këto 6 hadithe e plotësojnë njëri-tjetrin. Numri i kafshëve të rrezikshme të përmendura në Muveta Imam Malik është pesë, që janë: Korbi, skifteri, akrepi, miu dhe qeni i tërbuar. Në hadithe të tjera të ngjashme, që gjenden në Sahih Muslim, numri i kafshëve të tilla është katër. Nëse t’i shtohen kësaj kategorie dy emra të tjerë, gjarpër dhe hardhucë (që janë përmendur gjithashtu në Muslim sipas numrit 1830 e 1831), kafshët e tilla që mund të mbysen, në gjendje të Ihramit bëhen shtatë. Sipas një hadithi të transmetuar nga Ebu Hurejra r.a. aty përmenden dhe ujku dhe gatopardi. (Sahih ibn Khazime, Kitabul Manasik, nr. 2666, vëll. 4, f. 190)

Gjykimi i dijetarëve rreth kafshëve apo shpendëve të egër, që mund të mbyten në gjendje të Ihramit

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se kafshët e lartëshënuara mund të merren si referencë a argument, për të gjykuar rastin e kafshëve të tjera të rrezikshme, të cilat lejohen të mbyten në gjendjen e ihramit. Ata gjithasthu janë të mendimit se mbytja e këtyre kafshëve nuk duhet trajtuar si një urdhër apo obligim, por thjesht si një leje.

Kjo nënkupton që çdo përpjekje nga ana e njeriut për të nisur kërkimin e këtyre kafshëve në mënyrë të posaçme, me synimin e vetëm- mbytje, është e padrejtë.

Sipas shkollës hanefite, nuk mund të gjykohen kafshë të tjera të rrezikshme në bazë të atyre kafshëve që janë përmendur shprehimisht në këtë hadith. Sipas hanefive, vetëm këto kafshë që janë përmendur me emra në hadith (e jo të tjera), mund të mbyten në gjendje të ihramit, në rast se ato përbëjnë rrezik. Por, në qoftë se ato nuk përbëjnë ndonjë rrezik, mbytja e tyre është e papëlqyeshme. (Fet’hul Bari, vëll. 4, f. 52.53).

کلھن فاسق Fasik do të thotë ai që e kapërcen kufirin dhe sillet në mënyrë të shthurur. Kur këto kafshë shkaktojnë dëme me pasoja të keqe, duke vepruar jasthë caqeve natyrore, ato hyjnë në kategorinë e të qenit fasik. Për shembull, korbat dhe minjtë u shkaktojnë dëm të mbjellave dhe drithërave. Skiferi rrëmben zogj dhe kafshë të vogla. Hardhucat gjithashtu në disa rrethana mund të jenë të dëmshme, madje edhe vdekjeprurëse kur bien në ushqim a gjellë.

(E parafrazuar nga përkthimi dhe komentimi i Buhariut nga Sjed Zejnul Abidin Veliullah Shah f. 504,505)

Gjykimi lidhur me skifterin (qiftin) 

Skifteri që përhap zjarrin

E marrë nga Dailymail.co.uk

Kohët e fundit, hadithi i lartëpërmendur është përhapur gjerësisht në internet, gjoja i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka urdhëruar për mbytjen e këtyre kafshëve në mënyrë të përgjithshme.

Pa dyshim, lajmi që disa lloje të këtij shpendi po zgjerojnë vatrat e zjarrit në Australi është mjaft interesant. Tri speciet e skifterëve që njihen me emra Whistling Kite, Black Kite dhe Brown Falcon në anglisht, shquhen për sjelljen e tyre të çuditshme.

Sipas shkencëtarëve, këta skiftera kapin degë të ndezura me sqepin dhe putrat e tyre dhe i hedhin ato në fusha të thata, ku ende nuk është përhapur zjarri, kështu ata e çojnë zjarrin deri në një kilometër larg, dhe si rrjedhojë hapin vatra të reja të zjarrit.

Skifteri që përhap zjarrin

Ata e bëjnë këtë qëllimisht dhe pas përhapjes së zjarrit, presin eksodusin masiv të brejtësve dhe zvarranikëve. Kur fusha digjet e tëra, ata nisin të njëjtin veprim për të hapur vatrën tjetër.

Rezultatet e një hulumtimi 7 vjeçar mbi sjelljen e skifterëve janë botuar në revistën prestigjioze Journal of Ethnobiology nga një grup prej 6 shkencëtarësh me titullin “Intentional Fire-Spreading by “Firehawk” Raptors in Northern Australia” (Zjarrëvënia e qëllimshme nga skifterët e zjarrit në Australinë Veriore). Sipas shkencëtarëve, kjo sjellje është vërejtur veçanërisht gjatë stinës së nxehtë kur përhapet zjarri dhe resurset e këtyre shpendëve grabitqarë janë të pakta.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka paralajmëruar dëmin potencial të këtij shpendi para 1400 vjetësh. Megjithatë, fjalët e haditheve dhe gjykimi i dijetarëve nuk tregon në asnjë mënyrë që njerëzit të fillojnë shfarosjen e këtyre kafshëve. Një vendim i tillë varet nga organet e rendit në përputhje me ligjet në fuqi, duke shqyrtuar rrethanat specifike dhe përmasat e dëmit që ato shkaktojnë. Individët nuk kanë të drejtë në veprojnë duke shkelur ligjin dhe duke dëmtuar ekosistemin e planetit. Lajmet e përhapura në në disa portale japin përshtypje, sikur mbytja e këtyre kafshëve është jo vetëm e pëlqyer por një obligim mbi çdo musliman, gjë që absolutisht nuk është e vërtetë. Aq më tepër kur kjo sjellje është vërejtur vetëm në Australi dhe gjithashtu vetëm në tri specie specifike të skifterit.

Të drejtat e kafshëve në Islam

Është me rëndësi të tregojmë rëndësinë që Islami u kushton të drejtave të kafshëve. Një analizë e thjeshtë e burimeve, na çon në përfundimin se Islami na porosit të sillemi me butësi ndaj kafshëve dhe nuk duhet t’u sjellim dëm pa pasur arsye.

Kurani Famëlartë mbron të drejtat e gjallesave të tjera. Ai thotë:

Nuk ka ndonjë gjallesë që ecën në tokë e as shpend që fluturon me dy krahët e tij, të mos jetë si ju në bashkësi. (el-En’am 6:39)

Derisa janë krijuar prej Zotit, njeriu nuk ka të drejtë të sillet në mënyrë mizore e barbare ndaj tyre, duke i kapërcyer normat e lejuara.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

فِي كُلِّ كَبِدٍ رَطْبَةٍ أَجْرٌ

Ka shpërblim për mirësi ndaj çdo gjallese. (Buhariu, 5663)

Ai gjithashtu ka rrëfyer shembullin e një gruaje, e cila kishte bërë shumë mëkate, por Zoti ia fali gabimet, sepse i kishte shuar etje një qeni. (Buhariu, 3143)

Njëherë, Profeti s.a.v.s. ndaloi dikë për qortimin dhe dhunën ndaj devesë dhe tha:

عَلَيْكِ بِالرِّفْقِ فَإِنَّ الرِّفْقَ لَا يَكُونُ فِي شَيْءٍ إِلَّا زَانَهُ وَلَا يُنْزَعُ مِنْ شَيْءٍ إِلَّا شَانَهُ

“Përmbaju butësisë e dhembshurisë, sepse ato e zbukurojnë dhe fisnikërojnë çdo gjë, ndërsa mungesa e tyre e bën atë të shëmtuar”. (Musned Ahmedi, 24417)

Abdullah ibn Omeri r.a. ka transmetuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

مَنْ قَتَلَ عُصْفُورًا فَمَا فَوْقَهَا بِغَيْرِ حَقِّهَا سَأَلَ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ عَنْهَا يَوْمَ الْقِيَامَةِ

Nëse dikush mbyt padrejtësisht qoftë një harabel apo diçka më të madhe se ajo, Ditën e Kiametit, Allahu i Madhërishëm do t’i kërkohet llogari atij. (Sunen en-Nesai, 4445)

Ndërsa në hadithin tjetër, po aty, shtohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: Ai që mbyt padrejtësisht një harabel, në ditën e Kiametit do ta gjejë atë, duke iu përgjëruar Allahut të Madhërishëm: O Zoti im! Ai më mbyti pa pasur asnjë arsye dhe pa pasur asnjë qëllim të mirëfilltë. (Sunen en-Nesa’i, 4446)

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka ndaluar nga përdorimi i gjallesave si objektiv për goditje. Ibn Omeri r.a. ka thënë:

إِنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ لَعَنَ مَنْ اتَّخَذَ شَيْئًا فِيهِ الرُّوحُ غَرَضًا

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka mallkuar atë që përdor ndonjë frymor si objektiv për të goditur. (Muslimi, 1958)

Përfundim

Në këtë kohë, kur Islami është vënë në shënjestër të akuzave të ndryshme, nuk duhet t’i shtojmë diçka tjetër kësaj liste. Të gjitha gjallesat – njerëz, shpendë, kafshë, insektet etj. meritojnë vëmendje e respekt, përderisa janë krijesat e Zotit. Sipas parimeve të Islamit, kafshët gjithashtu gëzojnë pozitën e tyre të veçantë në hierarkinë e krijimit dhe njeriu është përgjegjës për mirëqenien e mbrojtjen e tyre brendave normave të lejuara, dhe ai nuk ka të drejtë të sillet mizorisht ndaj tyre pa pasur ndonjë arsye të mirëfilltë apo rrezik të pashmangshëm.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp