Haxhi (Pelegrinazhi) në Qabe (Mekë)
Haxhi kryhet një herë në jetë
Hazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjatë një fjalimi tha:
“‘O njerëz! Vërtet, Allahu e bëri Haxhin obligim për ju. Pra, duhet që ta kryeni Haxhin’. Duke dëgjuar këto fjalë, një njeri e pyeti: ‘A duhet ta kryejmë për çdo vit o i Dërguar i Allahut?’ Ai heshti derisa e përsëriti tri herë këtë pyetje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u përgjigj: ‘Po të thosha po, kjo do të bëhej obligim për ju dhe ju s’do të kishit mundësi ta kryeni për çdo vit’.
Pastaj tha: ‘Mos pyetni shumë, derisa nuk ju tregoj unë, sepse ata, të cilët kanë qenë para jush, u shkatërruan për shkak se u bënin shumë pyetje profetëve të tyre, por nuk vepronin sipas asaj që u thuhej. Pra, kur ju urdhëroj diçka, përpiquni të veproni sipas asaj; dhe nëse ju ndaloj prej diçkaje, duhet të largoheni prej saj’”.
[Sahih el-Muslim, kitab “El-Haxh-xh”, bab “Ferdil-haxh-xhi mer-reten fil-‘umri”, hadithi nr. 3095]
Haxhi i pranuar pastron nga të gjitha mëkatet
Hazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:
“Kush prej jush e kryen haxhin për hir të Allahut dhe nuk angazhohet në gjëra të kota e as nuk bën ndonjë shkelje, ai pastrohet nga mëkatet, ashtu sikurse atë ditë që e ka lindur nëna e tij”.
[Sahih el-Buhari, kitab “El-Haxh-xh”, bab “Fadlil-haxh-xhil-mebruri”, hadithi nr. 1521]