Përkujtimi më i mirë është përkujtimi i Allahut
Përkujtimi dhe mospërkujtimi i Allahut
Hazret Ebu Musa el-Esh’ari r.a. rrëfen se e ka dëgjuar Profetin e shenjtë s.a.v.s. duke thënë:
“Shembulli i atij i cili e përkujton Allahun dhe i atij që nuk e përkujton Atë, është si i gjalli me të vdekurin”.
[Sahih el-Buhari, kitab “Ed-da’vat”, bab “Fadli dhikril-lah…”, hadithi nr. 6407]
Ndërsa te Muslimi gjendet:
“Shembulli i shtëpisë në të cilën përkujtohet Allahu dhe i asaj në të cilën nuk përkujtohet Allahu është si i gjalli me të vdekurin”.
[Sahih el-Muslim, kitab “Salatul-musafirine…”, bab “Istihbabi salatin-nafileti…”, hadithi nr. 1706]
Përkujtimi i Allahut duhet të jetë mesatar
Hazret Ebu Musa r.a. rrëfen: Një herë, derisa po udhëtonim me Profetin e shenjtë s.a.v.s. disa njerëz filluan të thërrisnin me zë të lartë ‘Allahu Ekber’ (Zoti është më i Madhi). Profeti i shenjtë s.a.v.s. u tha:
“O njerëz! Mbajeni rrugën e mesme. Ju nuk po e thërrisni as të shurdhrin e as atë që mungon, por, po e thërrisni Atë, që është i Gjithëdëgjueshëm, që është afër dhe me ju”.
[Sahih el-Muslim, kitab “Edh-Dhikr”, bab “Istihbab hafdis-savti bidh-dhikr”, hadithi nr. 6526]
Përkujtimi i Allahut dhe përkujtuesit
Hazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen se Profeti i shenjtë s.a.v.s. ka thënë:
“Disa engjëj të Allahut bredhin në kërkim të atyre kuvendimeve ku përkujtohet Allahu. Dhe kur e gjejnë ndonjë kuvendim të tillë, në të cilin përkujtohet Allahu, ulen dhe qëndrojnë me ta, i shtrijnë krahët e tyre mbi ta dhe tubohen njëri mbi tjetrin derisa hapësira në mes tokës dhe qiellit të mbushet me praninë e tyre. Kur shpërndahen njerëzit atëherë edhe ata ngjiten në qiell.
Ndonëse Allahu e di mirë se ku ishin ata, Ai i pyet: ‘Prej nga po vini’? Ata përgjigjen: ‘Ne kemi qenë te disa shërbëtorë të Tu, të cilët të lartësonin, të madhëronin e pohonin Unikatësinë Tënde, të lavdëronin dhe të lusnin Ty. Allahu i pyet: ‘Çka kërkonin prej Meje’? ‘Ata po kërkonin prej Teje Xhenetin Tënd’ – thonë engjëjt. ‘A e kanë parë ata Xhenetin Tim’? – pyet Allahu. Engjëjt përgjigjen: ‘Jo, ata nuk e kanë parë Xhenetin Tënd’. Allahu thotë: ‘Si do të ishte, po ta kishin parë Xhenetin Tim’?
Mandej, engjëjt thonë: ‘Ata kërkonin edhe strehimn Tënd’. ‘Prej çka po e kërkonin strehimin Tim’? – pyet Allahu. ‘Prej zjarrit Tënd’ – përgjigjen engjëjt. ‘A e kanë parë ata zjarrin Tim’? – pyet Allahu. ‘Jo’ – thonë engjëjt, – ‘nuk e kanë parë’. Allahu thotë: ‘Si do të ishte, po ta kishin parë zjarrim Tim’? ‘Ata po kërkonin edhe faljen Tënde’ – vazhdojnë engjëjt. Allahu thotë: ‘I kam falur dhe u kam dhënë gjithçka që kanë kërkuar’.
Atëherë, engjëjt i thonë: ‘O Zoti ynë, aty ka qenë edhe një njeri shumë mëkatar, i cili ishte duke kaluar pranë tyre dhe u ul me ta’. ‘Edhe atë e kam falur’ – thotë Allahu, – ‘sepse ata janë njerëz të tillë, sa që nuk mbetet i pa bekuar edhe ai, i cili ulet në kuvendimin e tyre”.
[Sahih el-Muslim, kitab “Edh-Dhikr”, bab “Fadli mexhalis edh-dhikri”, hadithi nr. 6505]