Studimi më i madh mbi konsumimin e alkoolit, provon vërtetësinë e Kuranit, të zbritur 1400 vjet më parë
Tahir Naser, 24 gusht 2018
Një ditë tjetër dhe një ajet tjetër i Kuranit, i vërtetuar nga shkenca empirike. Këtë herë, vetë fjalët e Kuranit janë theksuar (me pavetëdije) në përfundimin e studimit në fjalë.
Mesazhi kryesor i studimit
Duke parë 195 vende ndërmjet viteve 1990 dhe 2016, kjo meta-analizë (më e madhja e këtij lloji), pjesë e serisë The Global Burden of Disease 2016, botuar në revistën e shquar mjekësore të botës, Lancet, përfundoi si vijon:
… Këto të dhëna theksojnë që përdorimi i alkoolit, pavarësisht nga sasia, çon në humbjen e shëndetit në të gjithë popullatat. Megjithëse gjetëm disa efekte mbrojtëse për sëmundjen ishemike të zemrës dhe diabetin te gratë, këto efekte u venitën kur u morën parasysh rreziqet e përgjithshme shëndetësore, veçanërisht për shkak të lidhjes së fortë midis konsumit të alkoolit dhe rrezikut të kancerit, të lëndimeve dhe të sëmundjeve të transmetueshme. Këto zbulime theksojnë rëndësinë e vlerësimit se si përdorimi i alkoolit ndikon në shëndetin e popullatës gjatë gjithë jetës.[1]
Gazeta The Independent përmblodhi gjetjet si më poshtë:
Megjithëse studimi i mëparshëm ka treguar që nivelet e moderuara të pirjes mund të mbrojnë nga sëmundjet e zemrës, studimi i ri arriti në përfundimin se çdo rritje e supozuar e shëndetit[2] zhvlerësohet masivisht nga kostot.[3]
Sado e habitshme mund të duket, kjo është fjalë për fjalë ajo që Kurani i Shenjtë ka dhënë si argument 1400 vjet më parë:
“Të pyesin ty për alkoolin dhe kumarin. Thuaj: “Nga to ka (edhe) mëkat të madh, edhe dobi për njerëzit. Por mëkati prej tyre është më i madh sesa dobia e tyre”.11 Dhe të pyesin ty se çfarë të shpenzojnë. Thuaj: “Atë që ju tepron”. Kështu Allahu ju shpjegon qartë shenjat e Tij, që të mendoni.”[4]
Është një karakteristikë e Kuranit që ai pranon edhe përfitimin më të vogël që mund të jetë i pranishëm në një gjë të caktuar. Kjo qasje e hapur dhe e sinqertë ka bërë që muslimanët të kuptonin arsyetimin e ndalimit të alkoolit në fenë e tyre, dhe rezultoi që ata të konsumojnë alkoolin më pak, nga të gjitha bashkësitë fetare për 1400 vitet e fundit.
Rezultatet
Përfundimet e studimit The Global Burden of Disease do të trondisë disa, kurse disa të tjerë aspak. Ata zbuluan se për moshat 15-49 vjeç, alkooli ishte shkaku kryesor i vdekjes tek burrat (12.2%) dhe te gratë (3.8%) globalisht. Këto nivele të larta të vdekshmërisë erdhën si rezultat i rritjes së gjasave të tuberkulozit, të aksidenteve të trafikut rrugor dhe të vetë-dëmtimit. Midis atyre më të vjetër se 50 vjeç, gjasat dhe rritja e kancerit ishin shkaku kryesor i vdekjes si për burrat (18.9%), ashtu edhe për gratë (27.1%).
Më në fund, ata zbuluan se niveli i vetëm i alkoolit në të cilin këto dëmtime u minimizuan, nën nivelin e konsumit “të moderuar” të alkoolit që mendohet se ofron një përfitim, ishte zero. Me fjalë të tjera, nuk ka asnjë nivel të konsumit të alkoolit që është i mirë për ju. Ata e përshkruan këtë gjetje si më poshtë:
Në vlerësimin e kurbës së rrezikut relativ të ponderuar, kemi gjetur se konsumimi zero i pijeve standarde (95% UI 0.0 – 0.8) çdo ditë minimizon rrezikun e përgjithshëm të të gjitha humbjeve shëndetësore (shih grafikun më poshtë). Rreziku u rrit monotonisht me rritjen e sasive të pirjes ditore.
Kjo kurbë e rrezikut relativ të ponderuar mori parasysh efektet mbrojtëse të përdorimit të alkoolit të shoqëruar me sëmundje ishemike të zemrës dhe të diabetit te femrat. Sidoqoftë, këto efekte mbrojtëse u zhvlerësuan nga rreziqet që lidhen me kanceret, të cilat u rritën monotonisht me konsumin.
Një ndarje e rreziqeve relative për secilën barrë të sëmundjes tregohet në grafikët më poshtë:
(A) Kurbat e rrezikut relativ për kancerin e gjirit, sëmundjen ishemike të zemrës, diabetin dhe tuberkulozin te femrat.
(B) Kurbat e rrezikut relativ për kancerin e buzëve dhe të zgavrës së gojës, sëmundjen ishemike të zemrës, diabetin dhe tuberkulozin te meshkujt. Pikët janë vlerësime relative të rrezikut nga studimet. Shiritat vertikale dhe horizontale kapin pasigurinë në secilin studim, në lidhje me madhësinë e mostrës dhe numrin e pijeve të konsumuara nga individë në studim. Vija e zezë përfaqëson rrezikun relativ të vlerësuar për secilën gjendje në secilin nivel të konsumit. Zonat e gjelbërta përfaqësojnë intervalin e pasigurisë 95%, të lidhur me rrezikun relativ të vlerësuar. Vija me pika është një vijë referimi për një rrezik relativ prej 1.
Përfundimi
Gazeta The Independent përmblodhi ndarjen e gjetjeve në bazë të numrit të pijeve në ditë, si më poshtë:
Ata vlerësuan se një pije në ditë rrit rrezikun e zhvillimit të një sëmundjeje të lidhur me alkoolin duke përfshirë kancerin, diabetin dhe tuberkulozin me 0.5 përqind. Kjo shtoi deri në 7 përqind për ata që pinë dy pije në ditë, dhe 37 përqind për pesë pije në ditë.
Vetëm para pak ditësh kemi trajtuar se si shkenca moderne, kohët e fundit ka vërtetuar thënien shumë specifike të Kuranit, që malet nënujore ulin efektet e tërmeteve për ne që jetojmë në sipërfaqen e Tokës.[5] Tani po shohim një shpallje tjetër Kuranore që po përmbushet në mënyrën më të goditur, me një ri-formulim të drejtpërdrejtë të arsyetimit Kuranor në meta-analizën më të madhe të kryer ndonjëherë mbi alkoolin.
Këto shërbejnë si shenja të qarta të së vërtetës së Kuranit Famëlartë, por në idiomën Kuranore, vetëm për ata që kanë veshë për të dëgjuar.
“A nuk kanë shëtitur në tokë, që të kishin zemra që të kuptonin përmes tyre dhe veshë që të dëgjonin prej tyre?! Sepse në të vërtetë, nuk verbohen sytë, por verbohen zemrat që janë në kraharorë.”[6]
LEXONI:
- Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
- Paqja shoqëroro ekonomike
Referencat
[1] Vizitoni: https://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(18)31310-2/fulltext
[2] https://www.independent.co.uk/news/health/wine-alcohol-dementia-middle-age-teetotal-abstinence-a8473351.html
[3] https://www.independent.co.uk/news/health/alcohol-drinking-no-safe-level-health-heart-disease-cancer-study-a8505181.html
[4] Kurani i Shenjtë 2:220.
[5] https://rationalreligion.co.uk/1400-year-old-quranic-claim-on-mountains-earthquakes-proven-true-by-new-scientific-research/
[6] Kurani i Shenjtë 22:47.