A mund të urojmë për krishtlindjet dhe a mund ta festojmë atë bashkë me të krishterët?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

A mund të urojmë për krishtlindjet dhe a mund ta festojmë atë bashkë me të krishterët?

Krishtlindjet

Krishtlindja është festa më e rëndësishme në vendet perëndimore. Në përgjithësi, të rriturit apo të vegjlit të gjithë presin me pritshmëri të lartë kohën më të mrekullueshme të vitit. Atmosfera argëtuese dhe fryma e Krishtlindjes mbizotërojnë gjithkund. Shtëpitë, pallatet, qendrat tregtare, pedonalet, rrugët dhe sheshet, të gjithë janë të ndriçuara dhe të zbukuruara. Njerëzit shkëmbejnë dhuratat e kartolinat, zbulojnë “Advent-kalendarë” dhe vizitojnë të afërmit e tyre. Pra, për të krishterët, krishtlindja është festa në të cilën ata dëshirojnë paqe e dashuri në botë.

A mund të urosh një të krishterë për Krishtlindjet?

Derisa këto festa përbëjnë ngjarjen më të rëndësishme për besimtarët e krishterë, është e pamundur që një musliman, i cili jeton në Perëndim, i rrethuar nga një kulturë dominante e krishterë, të rrijë indiferent ndaj saj. Të gjithë kemi shokë e shoqe të besimit të krishterë që festojnë krishtlindjet në familje. Prandaj, ashtu siç ata na urojnë për festën e bajramit, ne mund t’u urojmë shëndet, mbarësi dhe paqe në familje në rastin e Krishlindjeve. Ne jemi ndjekësit e atij Profeti madhor, të cilin Allahu e ka cilësuar رَحْمَةً لِلْعَالَمِينَ mëshirë për mbarë botët, a nuk është e denjë për ne, që të ushqejmë dashuri dhe dhembshuri për të gjithë njerëzit? Madje, edhe në jetën e përditshme, a nuk i shprehim urime të përzemërta njëri-tjetrit pa asnjë dallim fetar? A nuk u dëshirojmë të tjerëve shëndet, mbarësi, gëzim, suksese  etj.?

Pra, ekziston një dallim i qartë midis urimit të Krishtlindjeve dhe festimit të saj nga muslimanët. Ne duhet t’u themi se ne as nuk festojmë krishtlindjet e as nuk i pranojmë besimet e të krishtera, megjithatë u shprehim urimet tona më të sinqerta në festat e tyre. Hazret Mirza Tahir Ahmedi r.a.,gjithahstu i është përgjigjtur kësaj pyetjeje dhe ka thënë:

“Krishtlindja është një festë fetare, dhe jo thjesht një festë e zakonshme (kulturore), prandaj (duke qenë muslimanë) ne nuk marrim pjesë në të. Por ne nuk jemi gjithashtu kaq mendjengushtë. Nëse kemi shok mik të krishterë, ne i dërgojmë dhurata. Nuk ka asnjë të keqe. Nëse ata na ftojnë në (darkën e krishtlindjeve) për të shijuar mishin e gjeldetit, nuk ka asgjë të keqe nëse hamë gjelin e detit apo të provojmë një copë nga torta e tyre të Krishtlindjes. Madje, nëse u çon dhurata disa miqve të krishterë, nuk ka të asgjë keqe në këto gjëra. Por, meqenëse është një festë fetare, si e tillë, ju nuk duhet ta festoni, sepse feja juaj nuk është krishterimi, por Islami.”[1]

A mund të festosh si musliman festën e Krishtlindjeve?

Edhe pse shumica e festave në Perëndim kanë humbur motivin dhe origjinën e tyre fetare, dhe nga komercializimi masiv ato tashmë janë kthyer në festat apo traditat kulturore, ne si muslimanë duhet të jemi të vetëdijshëm për të mos ndjekur verbërisht çdo gjë vetëm se është në modë. A e dini se çdo vit për dekorimin e shtëpive gjatë Krishtlindjeve vetëm në Gjermani priten rreth 27 milionë bredha?[2] Ekonomia në vendet perëndimore ka interes të madh në këtë sezion festash. Imagjinoni se sa e rëndësishme është kjo periudhë festash për biznesin, nga fakti që vetëm në Amerikë pritet që njerëzit do të shpenzojnë rreth 843 miliardë dollarë nga kursimet e tyre.[3]

Megjithatë, Krishtlindjet apo Kërshëndellat mbetet një festë fetare krishtere, e cila festohet për të kremtuar lindjen e Jezu Krishtit (nga greq. Χριστὸς). Muslimanët gjithashtu e nderojnë Jezusin ose Isain birin e Merjemes (paqja qoftë mbi të) si një i dërguar i Zotit. Kurani Famëlartë jo vetëm që i kushton një sure (kapitull) të tërë me titullin Merjem nënës së tij, por e përmend 25 herë emrin Isa. Ai përshkruan lindjen e tij, jetën e tij si profet, cilësitë e mrekullitë si dhe ngjarjen e kryqëzimit.

Edhe pse Jezusi (paqja qoftë mbi të) është një nga figurat kryesore në Kuran, nuk mund të mohojmë se dallime në botëkuptimin e dy feve në lidhje me figurën, natyrën dhe misionin e tij janë shumë të mëdha. Të krishterët besojnë se ai është jo vetëm biri i Perëndisë, por edhe vetë Perëndia. Ndërsa Kurani Famëlartë tregon prerazi që Zoti është Një dhe i Pashoq dhe ne si muslimanë duhet t’u shmangemi traditave që nuk përputhen me mësimet e fesë sonë. Hazret Mirza Tahir Ahmedi (r.a.) Kalifi IV i Mesihut të Premtuar jep një porosi të qartë në lidhje me pjesëmarrjen tonë në traditat e krishtlindjeve dhe shkruan: “Kjo është një praktikë fetare, dhe si e tillë, nuk duhet ta festoni, pasi feja juaj nuk është krishterimi; por Islami”.[4]

Megjithatë, dihet se në vendet perëndimore festa e krishtlindjeve është kthyer më shumë në një fenomen kulturor sesa fetar. Atëherë, pse nuk mund të marrim pjesë në festën e Krishtlindjeve si një fenomen kulturor?

Këtu janë gjashtë arsye pse muslimanët (madje edhe të tjerët) nuk duhet të festojnë Krishtlindjet, fetarisht apo kulturalisht.

  1. Jezusi nuk ishte biri i Perëndisë ose Perëndia e mishëruar

Fjala e Zotit Kurani Famëlartë është shumë i qartë për këtë çështje dhe në mjaft vende e hedh poshtë kategorikisht një besim të tillë. Kurani shpall shprehimisht se Zoti është një dhe i Pashoq. Ai nuk ka lindur (askënd) dhe as nuk është i lindur.[5] Ai nuk i ndan atributet apo fuqitë e Tij hyjnore me askënd, aq me tepër me Jezusin, të cilin e quan një njeri të thjesht dhe i dërguari i Tij.

Zoti i Madhërishëm shpreh neveri dhe indinjatë ndaj besimit të natyrës hjyjnore të Jezusit dhe Ai thotë:

يَٰٓأَهْلَ ٱلْكِتَٰبِ لَا تَغْلُوا۟ فِى دِينِكُمْ وَلَا تَقُولُوا۟ عَلَى ٱللَّهِ إِلَّا ٱلْحَقَّ ۚ إِنَّمَا ٱلْمَسِيحُ عِيسَى ٱبْنُ مَرْيَمَ رَسُولُ ٱللَّهِ وَكَلِمَتُهُۥٓ أَلْقَىٰهَآ إِلَىٰ مَرْيَمَ وَرُوحٌ مِّنْهُ ۖ فَـَٔامِنُوا۟ بِٱللَّهِ وَرُسُلِهِۦ ۖ وَلَا تَقُولُوا۟ ثَلَٰثَةٌ ۚ ٱنتَهُوا۟ خَيْرًا لَّكُمْ ۚ إِنَّمَا ٱللَّهُ إِلَٰهٌ وَٰحِدٌ ۖ سُبْحَٰنَهُۥٓ أَن يَكُونَ لَهُۥ وَلَدٌ ۘ لَّهُۥ مَا فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ ۗ وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ وَكِيلًا ‎

O ithtarët e librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe mos thoni për Allahun asgjë tjetër, përveç së vërtetës! Mesihu, Isai biri i Merjemes, sigurisht është vetëm i dërguar i Allahut dhe fjala e Tij, të cilën Ai ia dërgoi Merjemes dhe është një shpirt prej Tij. Andaj, besojeni Allahun dhe të dërguarit e Tij dhe mos thoni “Tre!” Tërhiquni, se është mirë për ju! Sigurisht, Allahu është i Adhuruar i Vetëm. Ai është i pastër të ketë djalë. E Atij është çka gjendet në qiej dhe çka gjendet në tokë. Dhe Allahu është i mjaftueshëm si Rregullues.[6]

وَأَنَّهُۥ تَعَٰلَىٰ جَدُّ رَبِّنَا مَا ٱتَّخَذَ صَٰحِبَةً وَلَا وَلَدًا ‎‏

Dhe (thanë): “Sigurisht, e lartë është madhështia e Zotit tonë; Ai nuk mori as grua, e as bir.[7]

Jezusi gjithashtu ka deklaruar qartë se ai nuk ishte as biri i vërtetë i Perëndisë ose Perëndia e mishëruar (meazallah). Përkundrazi titull “i biri” është një shprehje simbolike për të shprehur dashurinë e Zotit për të. Lexojeni me vëmendje këtë dialog nga Dhjata e Re midis Jezusit dhe hebrenjve të indinjuar që e akuzonin për blasfemi, pikërisht sepse ai e quante veten Perëndi:

“Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim. Unë dhe Ati jemi një”. Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë. Jezusi u përgjigj atyre: “Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?” Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi”. Jezusi u përgjigj atyre: “A nuk është shkruar në ligjin tuaj: “Unë thashë: Ju jeni perëndi”? Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë), ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: “Unë jam Biri i Perëndisë”?[8]

Këtu, Jezusi shtjellon në mënyrë të qartë e të shkoqur se të gjithë të dërguarit e Perëndisë, të cilëve u ka ardhur fjala e Perëndisë, konsiderohen të perëndishëm e hyjnorë në një kuptim simbolik. Për sa i përket shprehjes “bir i Zotit”, kuptimi i saj duhet gjetur në Dhjatën e Vjetër, pasi duke qenë hebre, Jezusi ka përmendur ligjin e hebrenjve. Në të dyja pjesët e Biblës, mund të gjejmë dhjetëra vargje, në të cilat kjo shprehje është përdorur dukshëm në mënyrë simbolike. Ja, disa shembuj, të cilët janë quajtur bijtë e Perëndisë: Adami[9], Davidi[10], gjykatësit që gjykojnë me drejtësi,[11] engjëjt[12], të devotshmit[13], djemtë e të devotshmëve[14], Izraelitët[15] si dhe të gjithë ata që besojnë se Jezusi është Krishtit, janë bijtë e Perëndisë[16].

  1. Krishtlindja është një festë pagane

Historiani i njohur Kenneth C Davis përkufizon natyrën e kësaj feste me këto fjalë: “Krishtlindja është me të vërtetë për të nxjerrë jashtë paganin tuaj të brendshëm”.[17]

Ungjijtë nuk përmendin datëlindjen e Jezusit dhe të krishterët e hershëm gjithashtu nuk kishin ndonjë kureshtje a interesim për ta zbuluar atë. Por, tre shekuj pas Jezusit, kur krishterimi u bë feja zyrtare e Perandorisë Romake, Krishtlindjet u festuan për herë të parë. Megjithatë, këto kremtime kanë pasur një ndikim dhe shtrirje mjaft të kufizuar dhe vetëm në vitin 800 të erës sonë, ato u bënë të njohura, kur Karli i Madh u kurorëzua perandor i Perandorisë Romake në ditën e Krishtlindjes.[18]

Sipas disa historianëve, për ta bërë krishterimin më tërheqës dhe të pranueshëm për paganët, udhëheqësit e hershëm të kishës i asimiluan traditat pagane në festimet e tyre të Krishtlindjeve.[19]

Këtë e mbështet historiani gjerman Wolfgang Behringer, i cili thotë: “Krishtlindjet, si festa e ‘ditëlindjes së Perëndisë’ është festuar për herë të parë më 25 dhjetor të vitit 354, ndoshta për të zhdukur festën që lidhej me lindjen e perëndisë së diellit ‘Sol Invictus’ (Dielli i pamposhtur)”.[20]

Për shekuj me radhë, para lindjes së Jezusit, evropianët paganë kishin festuar solstikun dimëror, duke u gëzuar për ardhjen e ditëve më të gjata dhe rrezet e zgjatura të diellit. Në Skandinavi, populli norvegjez festonte “Yule” (Jule) si solsticin e dimrit, ku baballarët dhe djemtë sillnin në shtëpi trungje dhe pemë të mëdha, të cilat i vinin zjarr për t’u ngrohur. Në anën tjetër, Romakët para se të përqafonin krishterimin, më 25 dhjetor festonin ditëlindjen e Mithrës, perëndisë së tyre të diellit. Ditëlindja e Mithrës konsiderohej dita më e shenjtë e vitit.[21]

Antropologu skocez Sir James George Frazer identifikon dhe shpjegon ngjashmëritë e çuditshme midis traditave pagane dhe atyre të Krishtlindjeve. Ai shkruan:

“Ishte tradita e paganëve për të festuar më 25 dhjetor ditëlindjen e Diellit, dhe në të njëjtën ditë ata ndiznin dritat në shenjë feste. Në traditat e kësaj dite të shënuar merrnin pjesë edhe të krishterët. Prandaj, kur drejtuesit e kishës kuptuan se të krishterët kishin një prirje ndaj kësaj feste, ata u këshilluan dhe përfundimisht vendosën që kjo ditë të kremtohej zyrtarisht si ditëlindja e Krishtit… Kështu duket se Kisha zgjodhi të festonte ditëlindjen e Themeluesit të saj më 25 dhjetor, me qëllim që të shkëputnin devotshmërinë e paganëve nga dielli dhe ta lidhnin atë me Krishtin, të cilin ata e e quajtën “Diellin e Drejtësisë”.[22]

Ai vazhdon:

“Rastësitë midis traditave të krishtera dhe festave pagane janë aq të përafërta dhe aq të shumta saqë ato nuk mund të jenë kurrsesi të rastësishme. Ato përcaktojnë kompromisin që Kisha ishte detyruar të bënte me kundërshtarët e saj në momentin e fitores ndaj atyre. Ndonëse ata tashmë ishin të mbizotëruar, por ende përbënin rrezik”.[23]

Për shkak të lidhjes kaq të dukshme të traditave të krishtlindjes me ritualet pagane dhe për shkak të neverisë së Zotit ndaj idhujtarisë si në shkrimet e shenjta të krishtera po ashtu muslimane, besimtarët muslimanë si dhe të krishterët duhet t’u shmangen atyre traditave, të cilat janë lidhur me Krishtlindjet, por kanë origjinë pagane. Këto përfshijnë veshtullat, bredhat, trungje, këngët, dekorimin e pemëve etj.

  1. Muslimanët nuk i festojnë ditëlindjet e Profetëve, as të krishterët e hershëm

Në lidhje me kremtimin e ditëlindjeve, Hazret Mirza Tahir Ahmedi, Kalifatul Masih IV (r.a.) shkruan:

“Kremtimi i ditëlindjeve në vetvete nuk është një traditë islame. Gjatë shekujve të parë të periudhës së artë, kur Islami ishte ende i pastër me misionin e tij të shkëlqyer, askush nuk festonte ditëlindjen madje as për të përkujtuar dikë. Për shembull, ditëlindja e themeluesit të Islamit, Profet Muhammed s.a.v.s., nuk është kremtuar kurrë nga pasuesit e tij, nga pasardhësit e pasuseve të tij dhe as nga pasardhësit që erdhën pas brezave pasardhëse.

Ky është një koncept perëndimor, që tashmë është futur në Islam, dhe fatkeqësisht edhe në traditat perëndimore, këto janë thjesht festime që nxisin papërgjegjshmërinë dhe minojnë vetëdijen rreth përgjegjshmërisë. Ndonjëherë ato krijojnë çrregullime apo nxisin prishjen e rendit”.[24]

Siç u përmend më herët, ndjekësit e hershëm të Jezusit nuk ishin aspak të interesuar për të festuar lindjen e Jezusit, dhe ajo as nuk është përmendur në Ungjijtë. Madje literatura e hershme e krishterë gjithashtu nuk jep ndonjë dëshmi që Jezusi ose dishepujt e tij kishin festuar lindjen e tij.[25]

  1. Bibla dhe Kurani Famëlartë pohojnë se Jezusi nuk ka lindur më 25 dhjetor (e as në dimër)

Ndonëse ungjijtë nuk e përmendin qartë datën e lindjes së Jezusit, ato përmendin disa dëshmi të rëndësishme për të llogaritur kohën e lindjes. Megjithatë, ne lexojmë te Lluka se Maria:

“…lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta. Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre”.[26]

Këtu konstatojmë se Maria duhej të lindte Jezusin jashtë në natyrë, sepse nuk kishte gjetur ndonjë vend për të fjetur. Ajo gjithashtu vendosi Jezusin e porsalindur në një grazhd në natyrë si një djep të improvizuar. Temperatura në Bethlehem në fund të dhjetorit bie deri në 4-6 °C dhe sipas meteorologëve në këto vende bie mesatarisht 11 ditë shi në dhjetor.[27]

A është e mundur që një grua të zgjedhë të lindë fëmijën jashtë në natyrë në një mot të acartë, gjatë një periudhe me shi? A mund të mbijetojë një i porsalindur në kushte të tilla të vështira atmosferike? Duket pothuaj e pamundur.

Po ashtu, pse Maria e shtatzënë të udhëtonte gati 100 milje, nga Nazareti në Betlehem, në një dimër të acartë? Disa studiues të krishterë gjithashtu pranojnë se ishte shumë e pamundur që Maria të udhëtonte në dimër ndërkohë ishte shtatzënë. P.sh. dr Henry M. Morris, apologu i krishterë dhe autor i librit “The Defender’s Study Bible”, shkruan:

“Një kohë më e pranueshme do të ishte fundi i shtatorit, koha e festës vjetore të Tabernakujve, kur në përgjithësi një udhëtim i tillë mund të ndërmerrej. Kështu, zakonisht besohet (edhe pse jo me siguri) se Jezusi duhet të ishte lindur rreth fundit të shtatorit.[28]

Kurani Famëlartë gjithashtu mbështet për mundësinë që Jezusi të ketë lindur shumë më herët se dimri. Allahu i Madhërishëm thotë në suren Merjem:

فَحَمَلَتْهُ فَانْتَبَذَتْ بِهِ مَكَانًا قَصِيًّاꙮ‏ فَأَجَاءَهَا الْمَخَاضُ إِلَىٰ جِذْعِ النَّخْلَةِ قَالَتْ يَا لَيْتَنِي مِتُّ قَبْلَ هَٰذَا وَكُنْتُ نَسْيًا مَنْسِيًّاꙮ‏ فَنَادَاهَا مِنْ تَحْتِهَا أَلَّا تَحْزَنِي قَدْ جَعَلَ رَبُّكِ تَحْتَكِ سَرِيًّاꙮ‏ وَهُزِّي إِلَيْكِ بِجِذْعِ النَّخْلَةِ تُسَاقِطْ عَلَيْكِ رُطَبًا جَنِيًّا

“Ajo e mbarti atë dhe u tërhoq me të në një vend të largët. Dhimbjet e lindjes e çuan drejt një trungu hurme. Tha: Mjerë unë! Sikur të kisha vdekur përpara kësaj dhe të isha tërësisht e harruar! Atëherë e thirri (një thirrës) nga poshtë: Mos u brengos! Zoti yt ka bërë të rrjedhë një burim poshtë teje. Dhe shkunde trungun e hurmës drejt vetes, do të të lëshojë hurma të freskëta.”[29]

Këtu del qartë se lindja e Jezusit kishte ndodhur në një kohë kur palmat kishin hurma të freskëta në Judea. Dihet që në këtë zonë gjatë dimrit, hurmat nuk rriten apo piqen. Sipas portalit “Ynet News” i cili konsiderohet si portali më i madh e më i njohur i lajmeve dhe informacionit në Izrael: “Koha e vjeljes së hurmave fillon në fund të korrikut dhe përfundon në muajin tetor”.[30]

Duke u bazuar në këto argumente, mund të themi se ka shumë gjasa që Jezusi të ketë lindur gjatë muajve korrik deri në tetor. Nga ky përfundim, mund të themi se festa e krishtlindjeve më 25 dhjetor nuk bazohet në shkrime të shenjta dhe është një datë e pakuptimtë.

  1. Vetë të krishterët nuk pajtohen rreth datëlindjes së saktë të Jezusit

12 për qind e të krishterëve në botë festojnë Krishtlindjet më 7 janar, duke besuar se është data e vërtetë e lindjes së Jezusit. Kisha Ortodokse Lindore, besimi i tretë më i madh i krishterë me rreth 260 milionë ndjekës, ndjek kalendarin Julian, ndërsa pjesa tjetër e të krishterëve ndjekin kalendarin Gregorian.

Për të kuptuar këtë mospërputhje, nevojitet një mësim i shkurtër nga historia. Në vitin 325 të e.s., kur Këshilli i parë i Nikeas u mblodh për të diskutuar mbi hyjninë e Jezusit, atyre u duhej të standardizonin edhe datën e festës më të rëndësishme të kishës, të Pashkëve. Për ta bërë këtë, ata vendosën të bazohen në kalendarin Julian, një kalendar diellor të cilin sundimtari romak Julius Cezari e kishte miratuar në vitin 46 para Krishtit.

Sidoqoftë, kalendari Julian e mbivlerësoi gjatësinë e vitit diellor me rreth 11 minuta. Natyrisht, kalendari dhe viti diellor u bënë gjithnjë e më të pa sinkronizuara me kalimin e shekujve.

Mospërputhja në datat e festave të krishtera ishte bërë aq drastike sa në vitin 1582 të e.s., Papa Gregori XIII mblodhi një grup astronomësh dhe propozoi një kalendar të ri, të njohur si kalendari Gregorian. Shumica e botës së krishterë miratoi kalendarin e ri Gregorian, pasi ai zgjidhte mospërputhjet në datat e festave të krishtera. Kisha Ortodokse Lindore, e cila ishte ndarë nga Kisha Perëndimore pas Skizmës së Madhe në vitin 1054, e kundërshtoi ndryshimin.

Njohja e kalendarit Gregorian do të nënkuptonte pranimin e një mbivendosjeje të rastësishme në llogaritjen e Pashkëve, një veprim do t’u kundërvihej teksteve të shenjta të krishterimit ortodoks. Pra, Kisha Ortodokse hodhi poshtë kalendarin Gregorian dhe vazhdoi të mbështetej në kalendarin Julian. Zhvendosja kalendarike vazhdoi për të krishterët ortodoksë dhe sot, ka një diferencë 13-ditore midis dy kalendarëve, duke vendosur Krishtlindjet ortodokse më 7 janar.[31]

  1. Profeti Muhammed s.a.v.s. na ka ndaluar të imitojmë traditat e të krishtera apo hebre

Profeti Muhammed s.a.v.s. ka porositur shprehimisht:

عَنْ عَمْرِو بْنِ شُعَيْبٍ، عَنْ أَبِيهِ، عَنْ جَدِّهِ، أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم قَالَ ‏ “‏ لَيْسَ مِنَّا مَنْ تَشَبَّهَ بِغَيْرِنَا لاَ تَشَبَّهُوا بِالْيَهُودِ وَلاَ بِالنَّصَارَى فَإِنَّ تَسْلِيمَ الْيَهُودِ الإِشَارَةُ بِالأَصَابِعِ وَتَسْلِيمَ النَّصَارَى الإِشَارَةُ بِالأَكُفِّ ‏”‏.

“Ai që imiton të tjerët përveç nesh (në besim dhe traditat fetare) nuk është prej nesh. Mos i imitoni hebrenjtë dhe të krishterët”.[32]

Përsëri, ai deklaroi:

 عَنِ ابْنِ عُمَرَ، قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم ‏ “‏ مَنْ تَشَبَّهَ بِقَوْمٍ فَهُوَ مِنْهُمْ ‏”‏ ‏.‏

“Ai që imiton ndonjë popull (në traditat e tyre) konsiderohet të jetë prej tyre”.[33]

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e nënvizon këtë pikë kur thotë:

“Sa e turpshme është që dikush dihet se është nga umeti i Profetit madhështor, por e kalon jetën si mosbesimtar”.[34]

Muslimanët që jetojnë në vendet perëndimore nuk duhet të vuajnë nga kompleksi i inferioritetit për fenë dhe besimin e tyre. Bindja e tyre në Islam duhet të jetë aq e fortë sa të çrrënjosë çdo trysni për t’u përshtatur ose formuar me normat kulturore jo-islame të kulturave të tjera.

Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar a.b.a. shprehet vendosmërisht:

“As të vegjlit e as të rriturit tanë, nuk duhet të mbeten peng të asnjë lloji kompleksi inferioriteti. Ne deklarojmë se revolucioni fetar dhe shpirtëror në botë sot varet nga ne. Por, vetëm ata njerëz mund ta sjellin këtë revolucion fetar dhe shpirtëror, të cilët janë të lirë nga çdolloj inferioriteti”.[35]

Lexoni:

Isai biri i Merjemes a.s. në këndvështrimin e Islamit
Kur lindi Jezu Krishti? A është 25 dhjetori datëlindja e Jezusit?


[1] Hazret Mirza Tahir Ahmed, KM IV r.a., Sesion pyetje-përgjigjesh, i zvhilluar më 27 prill 1991, në “The London Mosque” (Xhaminë e Londrës), https://www.alislam.org/askislam/question/997/
[2] https://www.dw.com/en/dont-buy-a-christmas-tree-plant-one/a-46687030
[3] https://www.statista.com/statistics/243439/holiday-retail-sales-in-the-united-states/
[4] Children’s Class [një emision për fëmijë në MTA], The Fazl Mosque, i regjistruar në 27 prill 1991.
[5] Kurani Famëlartë 112:4.
[6] Kurani Famëlartë 4:172.
[7] Kurani Famëlatë 72:4.
[8] Gjojni 10:29-36.
[9] Luka 4:38; bir i Enosit, bir i Setit, bir i Adamit, i Perëndisë.
[10] Psalmet 2:7, Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: “Ti je biri im, sot më linde.
[11] Psalmet 82:6; Unë kam thënë: “Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.
[12] Psalmet 89:6; Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?
[13] Romakëve 8:14; Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë.
[14] Zanfilla 6:2; djemtë e Perëndisë panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura, dhe morën për gra të gjitha ato që i zgjodhën vetë.
[15] Ligji i përtërirë 14:1; u jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj; nuk do të bëni asnjë prerje dhe nuk do të rruheni midis syve për një të vdekur.
[16] 1 Gjoni 5:1; Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur nga Perëndia; dhe kushdo që do atë që e ka ngjizur, do edhe atë që ka qenë ngjizur nga ai.
[17] The unexpected origins of popular Christmas traditions, CBS News (https://www.cbsnews.com/video/the-unexpected-origins-of-popular-christmas-traditions/#x)
[18] The Origins of Christmas: Pagan Rites, Drunken Revels and More, Newsweek.
[19] Gerd Schwerhoff, “Festivals”, në: Brill’s Encyclopedia of the Middle Ages.
[20] Behringer, Wolfgang, “Christmas”, in: Encyclopedia of Early Modern History Online.
[21] History of Christmas, History Channel.
[22] Sir James George Frazer, The Golden Bough, Kap. 37, Oriental Religions in the West.
[23] Po aty.
[24] Sesioni me pyetje dhe përgjigje, regjistruar më 25 nëntor 1984, Xhamia Fazl.
[25] Why is Christmas on Dec. 25?, Washington Post.
[26] Luka 2:7-8.
[27] AccuWeather.
[28] Shënime për Lluka 2:8,13.
[29] Kurani Famëlartë 19:23-26.
[30] Israeli dates take world by storm, Ynetnews shih: https://www.ynetnews.com/articles/0,7340,L-4296884,00.html
[31] Why some people celebrate Christmas in January? (Pse disa njerëz festojnë Krishtlindjet në janar?) National Geographic.
[32] Xhami’ al-Tirmidhi, Kitab: El-Ist’idhan vel-Adab an Resulilahi s.a.v.s. Bab: Ma Xha’a fi Kerahijeti Isharetiljedi bis-Selam, hadith numër 2695.
[33] Sunen Ebi Daud, Kitab: el-Libas, hadith numër 4031.
[34] Melfuzat [urdu], vëll. 2, f. 187, botuar 1985.
[35] Hutbeja e së premtes, 22 qershor 2012.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp