Emrat e Allahut | Kuptimi i emrit el-Khālik (Krijuesi)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Emrat e Allahut | Kuptimi i emrit el-Khālik (Krijuesi)

Emrat e Allahut

El-Khālik (Krijuesi)

یَـٰۤأَیُّهَا ٱلنَّاسُ ٱذۡكُرُوا۟ نِعۡمَتَ ٱللَّهِ عَلَیۡكُمۡۚ هَلۡ مِنۡ خَـٰلِقٍ غَیۡرُ ٱللَّهِ یَرۡزُقُكُم مِّنَ ٱلسَّمَاۤءِ وَٱلۡأَرۡضِۚ لَاۤ إِلَـٰهَ إِلَّا هُوَۖ فَأَنَّىٰ تُؤۡفَكُونَ

O njerëz! Kujtoni dhuntitë e Allahut mbi ju! A ka ndonjë krijues, përveç Allahut, i cili ju furnizon nga qielli dhe Toka? Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij. Atëherë, ku po largoheni ju?[1]

Atributi الْخَالِقُ (El-Khālik) përdoret posaçërisht për Zotin e Plotfuqishëm. Ai rrjedh nga rrënja e fjalës خَلَقَ Kha-La-Ka dhe gjithashtu nënkupton planifikimin. Fjala Khālik (Krijues) tregon se Zoti ka vënë çdo gjë sipas një rregulli në rendin e duhur dhe që çdo gjë i nënshtrohet një sistemi. خَٰلِقُ كُلِّ شَىْءٍ do të thotë se Zoti ka krijuar gjithçka dhe nënkupton se Ai është gjithashtu Krijuesi i materies dhe i shpirtrave.

Nganjëherë fjala خَلْقٌ përdoret si sinonim i fjalës إِبْدَاع d.m.th. krijimi i diçkaje nga asgjëja pa pasur ndonjë materie apo model pararendës. Krijimi i qiejve dhe i tokës është bërë pikërisht në këtë mënyrë, siç përshkruan Kurani:

خَلَقَ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ بِٱلْحَقِّ

Ai krijoi qiejt dhe tokën me vërtetësi.[2]

Të ngjashme me këtë cilësi, Kurani Famëlartë ka përdorur edhe atribute të tjera. P.sh. البـارئ el-Bari d.m.th. Filluesi që krijon diçka pa pasur asnjë model apo shabllon pararendës dhe është burimi dhe shkaku i jetës. Emri أَلْبَدِيعُ el-Bedi’ Shpikësi tregon se Zoti krijon pa ndonjë shembull apo mjet dhe vepron jashtë kohës dhe hapësirës. Këtë kuptim e mbështet edhe ajeti vijues:

بَدِيعُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ

Ai është Nismëtari i krijimit të qiejve e Tokës.[3]

Allahu e ka përsëritur këtë atribut si një argument ndaj mohuesve:

خَلَقَ السَّمَاوَاتِ بِغَيْرِ عَمَدٍ تَرَوْنَهَا ۖ وَأَلْقَىٰ فِي الْأَرْضِ رَوَاسِيَ أَن تَمِيدَ بِكُمْ وَبَثَّ  فِيهَا مِن كُلِّ دَابَّةٍ ۚ وَأَنزَلْنَا مِنَ السَّمَاءِ مَاءً فَأَنبَتْنَا فِيهَا مِن كُلِّ زَوْجٍ كَرِيمٍ۝

‏ هَٰذَا خَلْقُ اللَّهِ فَأَرُونِي مَاذَا خَلَقَ الَّذِينَ مِن دُونِهِ ۚ بَلِ الظَّالِمُونَ فِي ضَلَالٍ مُّبِينٍ۝

Ai krijoi qiejt pa ndonjë shtyllë që mund ta shikonit dhe vuri male në tokë që (ato) t’ju sigurojnë ushqim dhe në të krijoi çdolloj gjallese. Dhe Ne zbritëm ujë prej qiellit dhe nxorëm në këtë (tokë) çdolloj çifti fisnik. Ky është krijimi i Allahut. Tani, më tregoni atë që krijuan të tjerët përveç Tij! Por të padrejtët janë në devijim të qartë.[4]

Fjala el-Khalik mbart gjithashtu kuptimin e krijimit dhe të shpikjes së një gjëje të re nga diçka ekzistuese.

خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍ وَٰحِدَةٍ

(Zoti) ju krijoi prej një fryme të vetme.[5]

وَلَقَدْ خَلَقْنَا ٱلْإِنسَٰنَ مِن سُلَٰلَةٍ مِّن طِينٍ

Dhe sigurisht, Ne krijuam njeriun nga një esencë prej balte.[6]

Kurani përmend atributin e krijimit si një argument për zota të rremë:

أَفَمَن يَخْلُقُ كَمَن لَّا يَخْلُقُ ۗ أَفَلَا تَذَكَّرُونَ

Ai që krijon a është si ai që nuk krijon?! A nuk mendoni?![7], [8]

Ebu Mensur el-Ez’heriu në veprën e tij të njohjur Tehdhibul-Lughah تهذيب اللغة shkruan që el-Khālik dhe el-Khall-āk janë emrat e Allahut. Nëse këtyre emrave u shtohen në fillim shkronjat ال (elif-lam) të shquarsisë, ata nuk mund të përdoren për dikë tjetër veç Allahut dhe shenjojnë qenien që sjell çdo gjë në ekzistencë nga asgjëja.

Pas krijimit, Zoti gjithashtu ka vendosur një rend të caktuar dhe gjithçka i nënsthrohet këtij rendi. Siç thotë:

ثُمَّ خَلَقْنَا النُّطْفَةَ عَلَقَةً فَخَلَقْنَا الْعَلَقَةَ مُضْغَةً فَخَلَقْنَا الْمُضْغَةَ عِظَامًا فَكَسَوْنَا الْعِظَامَ لَحْمًا ثُمَّ أَنشَأْنَاهُ خَلْقًا آخَرَ ۚ فَتَبَارَكَ اللَّهُ أَحْسَنُ الْخَالِقِين۝َ

Pastaj spermën e bëmë ngjizje gjaku, ngjizjen e gjakut e bëmë copëz mishi, copëzën e mishit e bëmë kocka dhe kockave iu veshëm mish. Më pas atë e bëmë një krijesë tjetër. Pra, vetëm Allahu zotëron bekimin, Krijuesi më i përsosur.[9]

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu ka porositur që bindja ndaj krijesës nuk duhet të rezultojë në mosbindje ndaj Krijuesit.

وَعَنِ النَّوَّاسِ بْنِ سِمْعَانَ قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: «لَا طَاعَةَ لِمَخْلُوقٍ فِي مَعْصِيَةِ الْخَالِقِ»

En-Nevvas ibn Sim’an përcjell se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Njeriu nuk duhet t’i bindet krijesës, nëse kjo (bindje) kërkon kundërshtimin e Krijuesit”.[10]

عَنْ عَلِيٍّ، أَنَّ النَّبِيَّ ـ صلى الله عليه وسلم ـ كَانَ إِذَا سَجَدَ قَالَ ‏ “‏ اللَّهُمَّ لَكَ سَجَدْتُ وَبِكَ آمَنْتُ وَلَكَ أَسْلَمْتُ أَنْتَ رَبِّي سَجَدَ وَجْهِي لِلَّذِي شَقَّ سَمْعَهُ وَبَصَرَهُ تَبَارَكَ اللَّهُ أَحْسَنُ الْخَالِقِينَ ‏”‏ ‏.‏

Hazret Aliu ka transmetuar se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. binte në sexhde, ai bënte këtë lutje: “O Allah! Për Ty rashë në sexhde. Ty të besova. Ty t’u dorëzova. Ti je Zoti im. Fytyra ime po i bën sexhde Atij që i dhuroi veshët dhe sytë. I Bekuar është Allahu, Krijuesi më i përsosur![11]

Lexoni:

Shënime

[1] Kurani Famëlartë 35:4.
[2] Kurani Famëlartë 16:4
[3] Kurani Famëlartë 2:118
[4] Kurani Famëlartë 31:11,12.
[5] Kurani Famëlartë 4:2.
[6] Kurani Famëlartë 23:13.
[7] Kurani Famëlartë 16:18.
[8] Ragib Asfahani, Mufredat Li-Alfazil Kuran, sipas zërit خ ل ق Kha-Lam-Kaf.
[9] Kurani Famëlartë 23:15.
[10] Mishkat el-Mesabih, Kitab: el-Imaretu vel Kadau, hadith numër 3696.
[11] Sunen Ibn Maxha, hadith numër 1054.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp