Emrat e Allahut | Kuptimi i emrit El-Veh-hab (Dhuruesi)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Emrat e Allahut | Kuptimi i emrit El-Veh-hab (Dhuruesi)

Dhuruesi (El-Veh-hab)

Emrat e Allahut | Kuptimi i emrit El-Veh-hab (Dhuruesi)

رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِنْ لَدُنْكَ رَحْمَةً إِنَّكَ أَنْتَ الْوَهَّابُ

O Zoti ynë! Mos na shtrembëro zemrat tona, pasi na ke udhëzuar dhe na dhuro mëshirë prej Teje! Me të vërtetë, Ti je Dhuruesi i madh.1

Kuptimi leksikor

الوهَّاب el-Veh-hab (Dhuruesi) është një ndër emrat e Allahut, i cili rrjedh nga folja وَهَبَ d.m.th. ai dhuroi apo dha. هِبَة (hibetun) tregon veprimin e dhurimit të diçkaje pa marrë asgjë në këmbim, sipas kuptimit të foljes وھب (ve-he-be). الوهَّاب el-Veh-hab (Dhuruesi) është mbiemri në shkallën sipërore e formës واھب (dhuruesi) dhe nënkupton atë që jep shumë dhe dhuron bujarisht (Akreb). Zoti është el-Veh-habi sepse Ai i ka dhuruar njeriut gjithçka që i duhej për të jetuar, si dhe aftësi e fuqi të duhura për t’u zhvilluar. Ai nuk e privon asnjë krijesë nga favoret e Tij

Në Kuranin Famëlartë

Emrin el-Veh-hab e hasim 3 herë në Kuranin Famëlartë. Ajeti i sipërm përbën një lutje, që shpreh përulësinë, pasi robi lutet, dhe thotë: O Zot! Dhuroma mëshirën Tënde, edhe pse nuk e meritoj atë. Ne duhet ta bëjmë këtë lutje për t’u mbrojtur nga shtrembërime dhe devijime. Dy ajete të tjera janë si më poshtë:

أَمْ عِنْدَهُمْ خَزَائِنُ رَحْمَةِ رَبِّكَ الْعَزِيزِ الْوَهَّابِ۞۔

A kanë me vete thesaret e mëshirës së Zotit tënd Mbizotërues (dhe) Dhurues të madh?!2

قَالَ رَبِّ اغْفِرْ لِي وَهَبْ لِي مُلْكًا لَا يَنْبَغِي لِأَحَدٍ مِنْ بَعْدِي إِنَّكَ أَنْتَ الْوَهَّابُ۞۔

(dhe) tha: “O Zoti im! Më fal mua dhe më dhuro mbretërinë, e cila të mos i përshtatet askujt pas meje! Pa dyshim, Ti je Dhuruesi i madh!”3

Sipas Kuranit, profetësia dhe pejgamberllëku është dhuratë prej Allahut: فَوَهَبَ لِي رَبِّي حُكْماً وَجَعَلَنِي مِنَ الْمُرْسَلِينَ atëherë Zoti im më dhuroi urtësinë dhe më bëri prej të Dërguarve.4 Veti të larta janë gjithashtu një dhuratë prej Allahut: وَوَهَبْنَا لَهُم مِّن رَّحْمَتِنَا وَجَعَلْنَا لَهُمْ لِسَانَ صِدْقٍ عَلِيّاً Këtyre u dhuruam mëshirën Tonë dhe lamë për ta një famë të vërtetë, të lartë.5

Fëmija i dëlirë6, bashkëshorti/bashkëshortja i/e mirë7 dhe familja e devotshme8 janë gjithashtu dhuratë prej Allahut. : وَوَهَبْنَا لَهُ أَهْلَهُ وَمِثْلَهُم مَّعَهُمْ رَحْمَةً مِّنَّا

Favoret e Allahut janë të përgjithshme dhe të veçanta.

Mirësia e përgjithshme e Allahut është përmendur në ajetet:

رَبَّنَا وَسِعْتَ كُلَّ شَيْءٍ رَّحْمَةً وَعِلْمًا  “O Zoti ynë! Ti sundon çdo gjë me mëshirë dhe dije”9

وَرَحْمَتِي وَسِعَتْ كُلَّ شَيْءٍ  mëshira Ime përfshin çdo gjë.10

وَمَا بِكُم مِّن نِّعْمَةٍ فَمِنَ ٱللَّهِ ۖ ثُمَّ إِذَا مَسَّكُمُ ٱلضُّرُّ فَإِلَيْهِ تَجْـَٔرُونَ Çdo bekim që keni është prej Allahut. Dhe kur ju prek dhimbja, Atij i përgjëroheni.11  Çdo njeri qoftë i devotshëm apo i lig dhe çdo krijesë në tokë, ujë apo qiell përfiton prej saj.

Mirësia e veçantë e Allahut është mëshira dhe bekimet e Tij që u jepen besimtarëve të devotshëm. Allahu e thekson këtë në Kuran:

فَسَأَكْتُبُهَا لِلَّذِينَ يَتَّقُونَ وَيُؤْتُونَ الزَّكَاةَ وَالَّذِينَ هُم بِآيَاتِنَا يُؤْمِنُونَ۞ الَّذِينَ يَتَّبِعُونَ الرَّسُولَ النَّبِيَّ الْأُمِّيَّ

(Mëshirën time) do ta caktoj (në veçanti) për ata që druhen (ndaj Meje), japin zekat dhe që i besojnë ajetet Tona. Të cilët ndjekin të Dërguarin, Profetin e pashkolluar.12

Pastaj thotë: إِنَّ رَحْمَتَ اللّهِ قَرِيبٌ مِّنَ الْمُحْسِنِينَ Sigurisht, mëshira e Allahut është afër mirëbërësve.13 Po ashtu lutja e Sulejmanit a.s. e nxjerr në pah këtë pikë:  وَأَدْخِلْنِي بِرَحْمَتِكَ فِي عِبَادِكَ الصَّالِحِينَ dhe me mëshirën Tënde më prano në grupin e robërve të Tu të sinqertë.14

Kjo mëshirë, të cilën synojnë të dërguarit e Allahut dhe ndjekësit e tyre, kërkon bindjen e plotë tek Allahut, përmbushjen e kushteve të besimit dhe zbatimin e urdhrave të Tij. Kjo mëshirë e veçantë e Allahut shoqëron besimtarin e sinqertë dhe shfaqet përmes ndjenjes së lumturisë, begatisë dhe suksesit në punë.

Në lidhje me këtë që Zoti i Plotfuqishëm i jep të mirat e Tij kujt të dojë, gjejmë një hadith sahih:

عَنِ ابْنِ عُمَرَ، أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم قَالَ ‏ “‏ إِنَّمَا أَجَلُكُمْ فِيمَا خَلاَ مِنَ الأُمَمِ كَمَا بَيْنَ صَلاَةِ الْعَصْرِ إِلَى مَغَارِبِ الشَّمْسِ وَإِنَّمَا مَثَلُكُمْ وَمَثَلُ الْيَهُودِ وَالنَّصَارَى كَرَجُلٍ اسْتَعْمَلَ عُمَّالاً فَقَالَ مَنْ يَعْمَلُ لِي إِلَى نِصْفِ النَّهَارِ عَلَى قِيرَاطٍ قِيرَاطٍ فَعَمِلَتِ الْيَهُودُ عَلَى قِيرَاطٍ قِيرَاطٍ فَقَالَ مَنْ يَعْمَلُ لِي مِنْ نِصْفِ النَّهَارِ إِلَى الْعَصْرِ عَلَى قِيرَاطٍ قِيرَاطٍ فَعَمِلَتِ النَّصَارَى عَلَى قِيرَاطٍ قِيرَاطٍ ثُمَّ أَنْتُمْ تَعْمَلُونَ مِنْ صَلاَةِ الْعَصْرِ إِلَى مَغَارِبِ الشَّمْسِ عَلَى قِيرَاطَيْنِ قِيرَاطَيْنِ فَغَضِبَتِ الْيَهُودُ وَالنَّصَارَى وَقَالُوا نَحْنُ أَكْثَرُ عَمَلاً وَأَقَلُّ عَطَاءً ‏.‏ قَالَ هَلْ ظَلَمْتُكُمْ مِنْ حَقِّكُمْ شَيْئًا قَالُوا لاَ ‏.‏ قَالَ فَإِنَّهُ فَضْلِي أُوتِيهِ مَنْ أَشَاءُ ‏”‏

Hazret Ibn Omeri r.a. ka përcjellë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Koha juaj në krahasim me kohën e popujve të mëparshëm është si koha midis namazit të asrit deri në perëndim të diellit. Shembulli juaj, në krahasim me të krishterët dhe me hebrenjtë është si ai njeri, i cili mori disa punëtorë dhe pyeti: “Kush do të punojë për muaj nga mëngjesi deri në mesditë për një Kirat? Hebrenjtë pranuan këtë ofertë dhe nisën punën. Pastaj ai tha: “Kush do të punojë për mua nga mesi i ditës deri në namazin e asrit në këmbim të një Kirati?” Atëherë, të krishterët pranuan këtë dhe realizuan detyrën e tyre. Pastaj ai pyeti: “Kush do të punojë për mua nga koha e asrit deri në perëndim të diellit në këmbim të dy kirateve?” Pastaj Profeti s.a.v.s. tha: “Ju jeni ata (që do të punojnë deri në perëndim të diellit)”. Hebrenjtë dhe të krishterët shprehën pakënaqësinë e tyre dhe thanë: “Pse duhet të punojmë më shumë dhe në fund të marrim më pak shpërblim?” Ai iu përgjigj: “A ju kam mohuar diçka nga të drejtat tuaja?” Ata do të përgjigjen në pohim. Atëherë ai tha: “Kjo është nga mirësia sime dhe unë ia jap kujt të dua”.15

Imam Teberiu (839-923) shkruan: “el-Veh-habi është dhuruesi i cili u dhuron robërve të Tij sukses dhe shpërblim për shkak të qëndrueshmërisë së tyre në çështjen e fesë, bindjes ndaj Librit dhe besimit në të dërguarit të Tij”.

El-Hattabi (931-988) thotë: “Emri el-Veh-hab i referohet atij, i cili dhuron bujarisht pa përfituar asgjë prej saj”.

Ndikimi i këtij emri te besimtari

Shikoni dhuratat e Tij dhe bekimet e njëpasnjëshme. Bujaria e Tij vërshon nga të katër anët dhe vijon të shtohet. Ai i fal mëkatet,  lehtëson dhimbjen, shëron të sëmurin, begaton të varfrin, i jep dije të paditurit, udhëzon të humburin, çliron të robëruarin, qetëson të duruarin, i shton të mirat falënderuesit, fal të penduarin, shpërblen dashamirësin, i jep të privuarit, fuqizon të shtypurin dhe i mbulon të metat. Robërit nuk kanë asnjë të drejtë mbi Të dhe nuk humbet asnjë mund që bëhet për hir të Tij. Mëshira bujare e Allahut kërkon që besimtari të lavdërojë e të madhërojë Allahun, t’i afrohet Atij përmes bindjes dhe adhurimit dhe asgjë nga dhuntitë dhe të mirat e kësaj bote ta mos pengojnë atë në këtë rrugëtim. Të shprehë kënaqësinë mbi caktimin e Allahut, të tregohet i durueshëm përballë vështirësive duke besuar se kjo do t’i sjellë shpërblime të përhershme siç ka thënë Allahu:

إِنَّ اللَّهَ قَالَ إِذَا ابْتَلَيْتُ عَبْدِي بِحَبِيبَتَيْهِ فَصَبَرَ عَوَّضْتُهُ مِنْهُمَا الْجَنَّةَ ‏”‏‏.

Kur unë sprovoj robin tim përmes (humbjes së) dy sendeve të tij të dashura (d.m.th. dy syve të tij), dhe ai tregohet i durueshëm, Unë do ta kompensoj atë me anë të xhenetit.16

Allahu thotë në Kuranin Famëlartë:

الْحَمْدُ لِلّهِ الَّذِي وَهَبَ لِي عَلَى الْكِبَرِ إِسْمَاعِيلَ وَإِسْحَاقَ إِنَّ رَبِّي لَسَمِيعُ الدُّعَاء

Lavdia është e Allahut që më dhuroi, pavarësisht nga pleqëria, Ismailin dhe Is’hakun. Vërtet, Zoti im e dëgjon shumë lutjen.17 Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e shtjellon këtë thënie dhe thotë:

“Njeriu është një krijesë e dobët dhe ai nuk mund të bëjë asgjë përveç mëshirës dhe mirësisë së Allahut të Madhërishëm. Vetë qenia e tij dhe të gjitha mjetet që i duhen për t’u ushqyer dhe për t’u mbijetuar varen plotësisht nga mëshira e Allahut. Ai që mburret për intelektin, njohurinë, pasurinë apo pronat e tij është një budallë, pasi të gjitha këto janë dhunti janë dhuruar nga Allahu i Madhërishëm”.18

Ai gjithashtu shkruan:

“Zoti i Madhërishëm jo vetëm që i ka bekuar mulimanët me dhuratën e arsyes, por gjithashtu i ka hijeshuar ata me shkëlqimin dhe dritën hyjnore të shpalljes. Ata nuk duhet të ecin nëpër ato shtigje, në të cilat logjika e thjeshtë dhe filozofët duan t’i çojnë ata”.19

Ai ka shtjelluar këtë çështje në një vend tjetër, me këto fjalë:

“Nëse ne nuk i përdorim aftësitë, të cilat Allahu i Plotfuqishëm na ka bekuar për shkak të mëshirës së Tij të pakufishme, dhe i lëmë ato për t’u tretur e për t’u shpërbërë, atëherë ne jemi padyshim mosmirënjohës ndaj favoreve të Zotit. Prandaj, mbani mend se nëse falni namazin, por nuk i përdorni aftësitë tuaja dhe fuqinë tuaj e mbani pezull, atëherë lutjet dhe përgjërimet tuaja nuk do t’ju sjellin asnjë dobi. Nëse nuk kemi arritur të përdorim në dobi dhuratën që na është dhënë përpara, si mund të pritet që ne do të nxjerrim ndonjë fitim nga përdorimi i dhuratës tjetër?”20

SHËNIME

  1. Kurani Famëlartë 3:8
  2. Kurani Famëlartë 38:10
  3. Kurani Famëlartë 38:36
  4. Kurani Famëlartë 26:22
  5. Kurani Famëlartë 19:51
  6. Kurani Famëlartë 38:31
  7. Kurani Famëlartë 24:75
  8. Kurani Famëlartë 21:91, 38:44
  9. Kurani Famëlartë 40:8
  10. Kurani Famëlartë 7:157
  11. Kurani Famëlartë 16:54
  12. Kurani Famëlartë 7:157,158
  13. Kurani Famëlartë 7:57
  14. Kurani Famëlartë 27:20
  15. Xhami et-Tirmidhiu, Kitab 44: el-Imthal err-Resulilahi s.a.v.s., bab 82: Ma xha’aa fi metheli Ibn-Ademe.., hadith numër 2871.
  16. Sahihu i Buhariut, hadith numër 5653
  17. Kurani Famëlartë 14:40
  18. Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., Melfuzat, vëll. II, botuar në Tilford, Angli, në 2019 nga Islami International Publications Ltd., f. 125.
  19. Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., Melfuzat, vëll. I, botuar në Tilford, Angli, në 2019 nga Islami International Publications Ltd., f. 65.
  20. Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., Melfuzat, vëll. I, botuar në Tilford, Angli, në 2019 nga Islami International Publications Ltd., f. 127.
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp