Isai biri i Merjemes a.s. në këndvështrimin e Islamit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Isai biri i Merjemes a.s. në këndvështrimin e Islamit

Isai alejhi selam

Në historinë njerëzore askush nuk ka qenë aq i diskutueshëm dhe kontrovers sa figura e Isait birit të Merjemes alejhiselam apo Jezu Krishtit. Çdo ngjarje e jetës së tij, duke u nisur nga lindja e tij e mrekullueshme, rinia, misioni profetik, mrekullitë dhe deri te vdekja apo për disa ringjallje apo ngritje në qiell janë çështje që kanë shkaktuar debate dhe polemika të ashpra midis teologëve dhe studiuesve të tri feve abrahamike. Ndonëse kanë kaluar shekuj të tërë, jeta e tij e mistershme vazhdimisht u ka ngjallur kërshëri autorëve dhe studiuesve.

Qëndrimi i Islamit rreth figurës së Isait alejhiselam gjendet diku midis dy ekstremeve. Sipas të krishterëve, ai ishte i biri i Zotit, i cili dha jetë në kryq për të shpëtuar njerëzimin nga barra e mëkateve, u ringjall në ditën e tretë dhe u ngrit në qiell dhe qysh prej asaj kohe qëndron pranë fronit të Zotit. Ndërsa sipas hebrenjve, vdekja e tij në kryq ishte e mallkuar, andaj ai nuk mund të ishte profeti i Zotit.

Islami nuk kërkon bindje dhe nënshtrim vetëm ndaj profetit Muhammed s.a.s., por te të gjithë të dërguarit e Zotit, andaj pranimi i Isait alejhiselam është një kusht i detyruar i Islamit.[1] Kurani Famëlartë tregon me imtësi historinë e Isait alejhiselam, lindjen e tij, misionin profetik drejt popullit izraelit dhe kryqëzimin e tij. Kjo histori është në përputhje edhe me rrëfimin e biblës. Për të njohur se çfarë vëmendje i kushton Kurani figurës së tij, mjafton të themi se emri i Isait birit të Merjemes është përmendur 25 herë në të. Madje, Kurani Famëlartë ka një kapitull të tërë që i kushtohet nënës së Isait alejhiselam dhe titullohet Merjem.[2]

Lindja e Isait alejhiselam

Sipas Islamit, nëna e Isait alejhiselam Hz. Merjemeja ishte një grua e dëlirë dhe fisnike, e cila simbolizon besimtarët e sinqertë që janë bekuar me komunikimin hyjnor. Mandej, Islami konfirmon lindjen pababa të Isait alejhiselam, dhe kështu përjashton pretendimin e palës kundërshtuese të Isait alejhiselam, sipas së cilës lindja e tij ishte e paligjshme dhe jashtë marrëdhënies martesore.

Gerard_van_Honthorst_-_Adoration_of_the_Shepherds_(1622)

Gerard van Honthorst [Public domain or Public domain], via Wikimedia Commons

Ndonëse, Islami e njeh lindjen e virgjër të Isait alejhiselam si një mrekulli, ai nuk e konsideron atë si një ngjarje të mbinatyrshme, madje sipas tij, kjo ngjarje nuk u kundërvihet ligjeve të natyrës. Ajo thjesht pasqyron pamundësinë e njeriut, për të gjetur arsyen që fshihen pas fenomeneve të ndryshme që shfaqen në natyrë. Mjaft shkencëtarë kanë nxjerrë studime të mirëfillta për të shpjeguar lindjen e virgjër.

Sipas Islamit, konceptimi dhe lindja e Isait me anë të virgjëreshës Merjem nuk mund të interpretohen se sikur ai në një farë mënyre ishte një qenie hyjnore. Ai prapëseprapë ishte njeri[3]. Kurani bën një krahasim midis Isait dhe Ademit alejhiselam dhe thotë:

Sigurisht, shembulli i Isait tek Allahu është si shembulli i Ademit, të cilin Ai e krijoi prej dheu dhe më pas tha: Bëhu! dhe ai (filloi të) bëhet (dhe u bë).[4]

Aspekti hyjnor i Isait

Islami e paraqet Isain alejhiselam si një njeri, i cili besonte fuqimisht në njëshmërinë dhe pandashmërinë absolute të Zotit[5].

Muslimanët besojnë se doktrina e të qenit Zot dhe ajo e trinisë janë ndryshime të mëvonshme që u janë veshur mësimeve të Isait alejhiselam. Vetë Dhjata e Re jep prova të mjaftueshme që përshkruajnë Isain alejhiselam si një qenie njerëzore, të cilin e zgjodhi Zoti për reformën e popullit të tij. Janë vargje të shumta që dalin qartësisht kundër qëndrimit të kishës lidhur me hyjnoren e Isait alejhiselam. Gjithkund Isai alejhiselam është rrëfyer duke pohuar se ai është dërguar prej Zotit[6]. Madje, edhe populli i tij gjithmonë e konsideroi si një njeri i përzgjedhur prej Zotit.[7]

Sigurisht, ai është quajtur i biri i Zotit, por ky titull është përdorur në kuptimin metaforik. Madje, një shprehje e tillë është përdorur rëndomtë në të dyja pjesë të Biblës, për njerëzit e përzgjedhur të Zotit.[8] Konotacioni i fjalëpërfjalshëm i termit “i biri i Zotit” si një qenie hyjnore mbinjerëzore dhe zhvillimi dhe evolucioni i mëtejshëm i doktrinës së trinisë ishin rrjedhojë të influencës helenistike mbi krishterim, në kohën kur ai po përhapej në tokën pagane. Përdorimi semitik i shprehjes “i biri i Zotit” u keqkuptua dhe me kalimin e viteve dhe shekujve, metafora mbeti në harresë të plotë. Madje, historia e vjetër e kishës na tregon për shfaqjen e polemikave midis grupeve të ndryshme lidhur me statusin ekzakt të Isait.

Isai alejhiselam i drejtohej Zotit për lutje, ashtu si çdo individ tjetër që i nënshtrohet Atij[9]. Ai u angazhua edhe në praktikat e zhvillimit shpirtëror siç është agjërimi.[10] Madje, sipas Biblës ai nuk posedonte dije për të ardhmen ose të padukshmen[11] që një qenie hyjnore duhet ta ketë në mënyrë të përsosur.

Misioni i Isait alejhiselam

Misioni i Isait alejhiselam ishte i kufizuar vetëm për bijtë e Izraelit.[12] Ai ishte autorizuar nga Zoti, që të ripërtërinte frymën e vërtetë të Teuratit në zemrat e izraelitëve dhe të sqaronte çdo keqkuptim lidhur me ligjin e Zotit. Ai pastroi judaizmin dhe doktrina të paqena dhe e ringjalli atë. Duke qenë ndjekës i Musait alejhiselam, ai nuk ndryshoi e as shfuqizoi ligjin e tij. Ai kishte ardhur vetëm për të plotësuar ligjin.[13]

Mrekullitë e Isait alejhiselam

Kurani Famëlartë shquan disa prej mrekullive të Isait alejhiselam, përfshirë aftësinë e tij për të krijuar zogj, fuqinë e tij për t’i shëruar të gërbulurit e të verbrit si dhe ringjalljen e të vdekurve. Aftësia e të krijuarit zogj është një metaforë, që do të thotë se njerëzit  e thjeshtë që iu bindën mësimeve të Isait alejhiselam, ishin transformuar shpirtërisht në zogj, të cilët ngjiten në hapësira të larta të “kupës qiellore”, përtej të gjitha shqetësimeve të jetës tokësore. Fuqia shëruese gjithashtu mund të shpjegohet në dimensionin shpirtëror. Ai u riktheu aftësinë e të parit atyre që ishin të verbër shpirtërisht, ndërsa u fali jetë atyre të cilët ishin shpirtërisht të vdekur. Isai alejhiselam u drejtohet veçanërisht farisenjve të kohës së tij, dhe i quan të verbër, sepse krahas veseve të tjera, ata ishin hipokritë nga natyra.

Me të vërtetë, të gjithë reformatorët që vijnë prej Zotit, janë shërues shpirtërorë, sepse sipas Kuranit Famëlartë mosbesimtarët janë të shurdhër, memecë dhe të verbër.[14]

Ngjarja e kryqëzimit

Kundërshtarët e Isait alejhiselam, pra hebrenjtë donin që ai të vdiste në kryq, me qëllim që të shpallej i mallkuar dhe gënjeshtar, në përputhje me deklaratës së Zotit në Dhjatën e Vjetër se

“… ai që rri varur është i mallkuar nga Perëndia”.[15]

Pra, vdekja e tij në kryq do të konfirmonte se ishte një mesih i rremë. Por Islami e hedh poshtë mendimin se Isai alejhiselam kishte vdekur në kryq.

Muslimanët ahmedianë besojnë se Zoti asgjësoi planin e mohuesve të Isait alejhiselam. Ndonëse, ai ishte gozhduar në kryq, por nuk dha shpirt në të. Ai u hoq nga kryqi në gjendje të fikëti[16]. Ungjijtë gjithashtu hedhin mjaft dritë mbi çështjen e shpëtimit të tij nga vdekja e mallkuar.

Caravaggio_-_The_Incredulity_of_Saint_Thomas

By Dante Alighieri at en.wikipedia [Public domain or Public domain], from Wikimedia Commons

Sipas Islamit, Isai alejhiselam nuk u predikoi kurrë njerëzve shpëtimin përmes shpagimit të mëkateve me anë të vdekjes në kryq. Vetë Dhjata e Vjetër kategorikisht përjashton mundësinë që dikush të shlyejë mëkatet e dikujt tjetër.[17]

Muslimanët ahmedianë gjithashtu besojnë se Isai alejhiselam pasi që u hoq nga kryqi, ishte nën kujdesin e dishepujve të tij. Ai u vendos në një varr, në të cilin ai u mjekua dhe u shërua. Ungjijtë gjithashtu tregojnë se Isai alejhiselam ishte akoma me trupin e tij prej mishi e kockash, kur doli nga varri.[18] Sipas ungjijve, Isai alejhiselam kishte bërë një jetë më të tërhequr pas ngjarjes së kryqëzimit. Ai udhëtoi në nxitim për të shkuar larg nga vendi i kryqëzimit.[19]

Udhëtimi drejt Lindjes

Muslimanët ahmedianë gjithashtu besojnë se miti i ngritjes së Isait alejhiselam në qiell është një ndërhyrje e mëvonshme. Madje, termi “qiell” përdoret edhe për lumturinë shpirtërore që besimtarët gëzojnë pas një jete kalimtare.

Isai alejhiselam ishte i dërguar për delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.[20] Nga dymbëdhjetë fise të Izraelit, vetëm dy jetonin në ato vise ku predikonte Isai alejhiselam. Dhjetë fise të tjera, për shkak të mërgimit, banonin në vendet e Lindjes, veçanërisht në Afganistan dhe Kashmir. Andaj, ishte e domosdoshme që Isai alejhiselam të udhëtonte drejt Lindjes, që t’u përcillte mesazhin e tij edhe fiseve të tjera të Izraelit, dhe në këtë mënyrë ta përmbushte misionin e tij.

Ka dëshmi të mjaftueshme që popujt e Afganistanit, të Kashmirit dhe të vendeve fqinje janë me origjinë izraelite. Tiparet e tyre fizike, gjuha, letërsia folklorike, zakonet dhe festat vërtetojnë trashëgiminë e tyre izraelite. Mjaft dëshmitë vijnë edhe nga toponimet e fshatrave, emrat e monumenteve, artikujt artizanalë dhe mbishkrimet e gjendura.

Isai alejhiselam në Indi

Prania e Isait alejhiselam në Indi, dëshmohet edhe në literaturën e lashtë indiane si dhe në historinë e Kashmirit. Isai alejhiselam mbërriti në Kashmir nga Toka e Shenjtë gjatë periudhës së mbretit Gopadatta (49-109) dhe u përcolli mesazhin e tij Izraelitëve. Ai përmendej me emrin Juz (Jezusi) i bijve të Izraelit. Ka dëshmi se mjaft njerëz e kishin pranuar atë dhe u bënë pasues të tij.

Varri i Isait alejhiselam

Sipas muslimanëve ahmedianë, Isai alejhiselam përmbushi misionin e tij profetik dhe pastaj ndërroi jetë nga shkaqet natyrore, në moshën njëqind e njëzet vjet, në Kashmir të Indisë. Varri i Isait alejhiselam njihet si varri i Juz Asefit, dhe ekziston edhe sot në lagjen Khanjar (Khanyar) të Srinagarit. Ky varr nderohet nga banorët prej qindra vjetësh. Madje, banorët e quajnë “Rozabal” domethënë “Varri i nderuar”.

shrinagar215


 

[1] Kurani Famëlartë 2:137

[2] Surja Merjem, kapitull i 19 i Kuranit

[3] Kurani Famëlartë 19:31

[4] Kurani Famëlartë 3:59

[5] Kurani Famëlartë 3:52

[6] Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar. (Gjoni 17:3)

[7] Kurani Famëlartë 19:37, Veprat 2:22, Gjoni 3:2

[8] Mateu 5:9, Eksodi 4:22

[9] Luka 5:16

[10] Mateu 4:2

[11] Marku 13:32

[12] Kurani Famëlartë 3:50, Mateu 10:5-6, 15:24

[13] Mos mendoni se kam ardhur që të shfuqizoj Ligjin ose Profetët; nuk kam ardhur për t’i shfuqizuar, por për t’i plotësuar. (Mateu 5:17)

[14] Kurani Famëlartë 2:19

[15] Ligji i përtërirë 21:23

[16] Kurani Famëlartë 4:158

[17] “Nuk do të dënohen me vdekje etërit për bijtë e tyre, as do të vriten bijtë për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet”. (Ligji i përtërirë 24:16) Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të. (Ezekieli 18:20)

[18] Atëherë ai u tha atyre: “Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime? Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”. Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët. Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: “A keni këtu diçka për të ngrënë?”. Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti. Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre. (Luka 24:38-43)

[19] Dhe, kemi bërë birin e Merjemës dhe nënën e tij – argument, dhe Ne i strehuam ata, në një rrafshnaltë, ku mund të jetohet (me jetesë mirë) dhe që ka ujë rrjedhës. (Kurani Famëlartë 23:51) Atëherë Jezusi u tha atyre: “Mos kini frikë, shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin”. (Mateu 28:10) Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë”. (Marku 16:7)

[20] Por ai u përgjigj dhe tha: “Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”. (Mateu 15:24)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem