Ndonëse pjesa më e madhe e botës së krishterë konsideron 25 dhjetorin si datëlindje e Jezu Krishtit, përmendja e parë zyrtare e kësaj date si një festë që nderon ditëlindjen e Jezusit, shfaqet në një kalendar të hershëm romak fillon nga viti 336.
(“Christmas and its cycle”. New Catholic Encyclopedia. 3 (botimi i dytë).
Shypi i Universitetit Katolik të Amerikës. 2002. f. 550–557)
Madje shkrimet e shenjta si Bibla apo Kurani gjithashtu nuk mbështesin fare idenë që Jezusi apo Isali a.s. të ishte lindur në dimër.
Argument nga Bibla që tregon kohën kur lindi Jezusi
Ungjilli i Lukës na tregon për lindjen e Krishtit se në atë kohë Cezari Augusti kishte shpallur një dekret për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë. (Luka 2:1) dhe Jozefi dhe Maria e shtatzënë gjithashtu kishin shkuar për t’u regjistruar në Jude dhe pikërisht atje asaj i kishte ardhur koha të lindë. (Luka 2:5-6) Tani dihet që regjistrimi i popullsisë zhvillohet gjithmonë në stinë të ngrohtë, me qëllim që njerëzit të kenë mundësi për t’u lëvizur me lehtësi e jo në dimër të ashpër, kur rrugët janë të bllokuara.
Luka gjithashtu na jep një detaj interesant. Në vargun e 8-të ai shkruan për atë ditë:
“Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre”. (Luka 2:8)
Është e pamundur që barinjtë të mbajnë bagëtinë e tyre jashtë në fusha, kur temperatura të kalonte nën zero. Pra, duhet pranuar që koha e lindjes së Krishtit të ishte në verë, dhe ishte e nxehtë dhe e kthjellët.
Argument nga Kurani
Kurani gjithashtu tregon për kohën kur Hazret Merjemes (Marisë) i filluan kontraksionet apo dhimbjet e lindjes, që asaj iu shfaq një engjëll i cili i tha:
“Mos u pikëllo! Zoti yt ka bërë që pranë teje të rrjedhë një burim uji! Dhe shkunde trungun e palmës që është afër teje, se ajo do të lëshojë mbi ty hurma të pjekura e të freskëta”. (Kurani 19:25-26)
Këto ajete tregojnë që Isai alejhiselam ishte lindur në një kohë, kur hurmat ishin pjekur, e cila përkon me muajt korrik dhe gusht.
Përfundim
Duke i krahasuar burimet e ndryshme fetare, arrijmë në përfundimin që 25 dhjetori nuk mund të konsiderohet data e lindjes së Jezu Krishtit paqja qoftë mbi të, pasi ai duhet të kishte lindur në një kohë të nxehtë e të kthjellët kryesisht në korrik apo gusht.