A lejohet të mbahet qeni ose macja në shtëpi? Çfarë thotë feja Islame për to?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

A lejohet të mbahet qeni ose macja në shtëpi?

qeni ne shtepi

Në vijim ju sjellim përgjigjen e kësaj pyetjeje nga dy sesione të ndryshme pyetje-përgjigjesh, të cilat në thelb pohojnë:

  1. Lejohet që të mbash qenin në shtëpi, sepse Kurani i Shenjtë ka parashikuar trajnimin e qenëve gjahu dhe mbajtjen e tyre qoftë për arsye sigurie.
  2. Qeni duhet të ketë vendin e vet, jashtë asaj zone ku njerëzit banojnë, flenë, falen, etj.. Kjo tregon se nuk mund të mbani qen, nëse banoni në apartament ose nëse nuk keni një vend të veçantë për të.
  3. Nëse keni kushte për të mbajtur qen, duhet të kujdeseni siç duhet për pastërtinë dhe ushqimin e tij.

Hazret Mirza Tahir Ahmed, Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar a.s., duke iu përgjigjur pyetjes nëse lejohet të mbash qen apo jo, thotë:

Pse jo! Sepse Kurani i Shenjtë jep mësimin se si duhet të hamë mishin e kafshës që zëmë me një qen gjahu.[1] Mbajtja e qenëve po të mos ishte e lejuar, si do të trajnonit një qen që ai t’ju shërbejë si qen gjahu?!

Ndoshta ajo që ju shqetëson mund të jetë një hadith, në qoftë se është i saktë si hadith, ku thuhet se Profeti Muhammed s.a.v.s. nuk e ka pëlqyer që njerëzit të mbajnë qen në shtëpitë e tyre dhe tha se në një shtëpi ku ka qen, nuk vijnë engjëjt.[2]

Por ky hadith kurrsesi nuk mund të interpretohet në një mënyrë që bie ndesh me Kuranin e Shenjtë. Prandaj, pa dyshim që njerëzit e kanë keqkuptuar atë.

Në fakt, nëse qentë nuk janë të trajnuar siç duhet dhe nëse janë lënë të lirë në shtëpi, njerëzit fisnikë do të mendojnë disa herë para se ta vizitojnë atë shtëpi, sepse askush nuk dëshiron të kafshohet nga qeni ose të hyjë në luftë me të për të shpëtuar veten.

Kjo është diçka që ndoshta është tërësisht e padëgjuar në vendet perëndimore. Sepse tani në shumicën e vendeve perëndimore, qentë trajnohen mjaftë mirë, pronarët e tyre përmbushin kërkesat ligjore para se t’i mbajnë ata. Nëse një qen kafshon dikë, pronari detyrohet të paguajë si gjobë një shumë të madhe parash. Pra, në këto vende, rrallë mund të shihni ndonjë qen duke kafshuar dikë. Prandaj, njerëzit në Perëndim ndoshta nuk mund ta kuptojnë thelbin e këtij hadithi.

Unë e di që sa problem i madh është kjo në vendet e tjera në zhvillim, ku qeni i shtëpisë ka më shumë gjasë të kafshojë vizitorin sesa të mos e kafshojë. Prandaj, njerëzit nuk vizitojnë shtëpi të tilla. Unë njoh personalisht disa familje, ku nuk i vizitoja dhe kur ata më pyetën pse nuk i vizitoj, u thashë – Së pari, rregullojeni qenin tuaj, se përndryshe nuk mund të vij dot; nuk kam qejf të më hajë qeni juaj!

Pra, aty ku qentë janë mbajtur kot dhe që janë edhe agresivë, lehin kot dhe u vërsulen mysafirëve që vijnë, sipas këtij hadithi, njerëzit e mirë që simbolizojnë engjëjt nuk vizitojnë shtëpi të tillë.

Sipas disa dijetarëve, ky hadith kuptohet edhe në një aspekt tjetër, që është aspekti shpirtëror. Disa njerëz humbin karakterin e tyre për të qenë njeri dhe bëhen qenë. Kurani i Shenjtë, për shembull, përmend një njeri që quhet Balaam biri i Beorit, të cilin e portretizon si qen me aspekte negative të tij.[3] Njerëzit e tillë janë kërcenim për paqen, dhe çdo shtëpi që ka një  njeri të tillë, engjëjt nuk e vizitojnë atë. Në këtë rast, engjëjt me të dyja kuptimet e tyre. Pra, edhe njerëzit fisnikë që janë si engjëj, por edhe engjëjt e vërtetë që janë të dërguar të Zotit, nuk vizitojnë një shtëpi të tillë. …

Por, është tërësisht e palejueshme ta interpretosh këtë hadith në një mënyrë që bie ndesh me ndonjë ajet të Kuranit të Shenjtë. Për sa kohë që Kurani i Shenjtë ju lejon të mbani qen, ta trajnoni e ta përdorni për gjah, si mundet që ndonjë hadith i Profetit Muhammed s.a.v.s. të mund ta hedhë poshtë një mësim kaq të qartë të Kuranit të Shenjtë?![4]

(Në vijim, ju sjellim trasnkript të përkthyer në gjuhën shqipe të një sesioni tjetër pyetje-përgjigjesh, të publikuar në emisionin “Faith Matters” të MTA, kanal televiziv i Xhematit Mulisman Ahmedia)

A i lejohet muslimanit të mbajë qen ose mace?

Pyetësi jomusliman:

Pse muslimanët i urrejnë qentë? Pse nuk inkurajohet të mbahet qen në shtëpi?

[Përgjigje nga i nderuari imam Ataul-Muxhib Rashid, imam i Xhamisë së Londrës]

Përgjigje:

Më lejoni të bëj të qartë, së pari, se pyetësi e ka mbipërgjithësuar situatën. Ndoshta mund të ketë pasur një përvojë të tillë diku që ka krijuar këtë përshtypje kaq të përgjithshme. Por mendoj se Islami nuk është tërësisht kundër mbajtjes së qenit ose të ndonjë kafshe tjetër shtëpiake.

Le të marrim pikërisht pyetjen për qentë që tha pyetësi. Mbajtja e qenëve është përmendur në Kuranin e Shenjtë. Po të ishte i vërtetë pohimi që muslimanëve nuk u lejohet të mbajnë qentë, si mund të gjendej një ajet (varg) i tillë në Kuranin e Shenjtë. Pra, Kurani i Shenjtë flet sesi mund të na lejohet mishi i kafshëve që gjuajmë përmes qenëve gjahu.[5] Po kështu, Kurani i Shenjtë përmend njerëzit e shpellës (es-habul-kehf) që ata gjithmonë kanë pasur një qen.[6]

Prandaj, është e lejuar për një musliman që të mbajë qen kur ka një arsye të shëndoshë, qoftë për gjah, qoftë për siguri.

Mëshira ndaj kafshëve sipas Islamit

Gjithashtu, Islami na mëson të jemi të dhembshur jo vetëm ndaj njerëzve, por edhe ndaj kafshëve. Pra, është përgjegjësi e çdo musilmani që mban një kafshë shtëpiake, që të kujdeset siç duhet për ushqimin, për pastërtinë dhe për qëndrimin e saj. Nuk ke të drejtë që t’i lësh kafshët në diell kur ka temperaturë të lartë apo në borë që të ngordhin.

Vetë Profeti Muhammed s.a.v.s. ka porositur përkujdesjen e kafshëve, saqë ka thënë se një njeri i tillë do të shpërblehet për këtë vepër të tij, dhe se ai që nuk kujdeset ndaj kafshëve që i mban, atij do t’i kërkohet llogari. Pra, Islami jo vetëm që lejon të mbash kafshë shtëpiake, por të jep porosi konkrete që duhet të kujdesesh ndaj tyre nëse i mban, përndryshe do të të kërkohet llogari.

A mund të mbash qenin brenda në shtëpi?

Pyetësi:

Muslimanët edhe sikur i mbajnë qentë, pse i mbajnë të izoluar, pra në oborr ose diku tjetër, dhe pse nuk i lejojnë që ata të hyjnë në shtëpi?

[Përgjigje nga i nderuari imam irlandez Ibrahim Noonan]

Im vëlla (që është i krishterë) rrit qentë që prej 20 a 30 vitesh. Nuk mund të them dot se çdokush që jeton në Perëndim e do qenin e tij brenda në shtëpi që ai të sillet ku të dojë. Përkundrazi, shumica e njerëzve nuk e pëlqejnë këtë gjë. Shumë nga ata që mbajnë qen, e kanë një vend ku ata e lidhin ose e mbajnë. Po, e mbajnë të ngrohtë, të pastër dhe e ushqejnë mirë.

Për sa i përket shtëpisë së një muslimani, muslimani e di që shtëpia ka një shenjtëri sepse aty bëhet edhe falja. Madje, mund të them se çdo njeri, qoftë musliman, qoftë i krishterë që e ka këtë ndjesi, patjetër vendos kufirin se deri ku mund të lejojë qenin të hyjë. Siç fola për vëllain tim të krishterë, edhe ai nuk lejon që qeni i tij të futet kudo në shtëpi.

Jo vetëm për shkak të faljes, por edhe për arsye të tjera. Për shembull, ju vijnë mysafirë të ndryshëm, dhe jo çdokush e pranon futjen e qenëve brenda në shtëpi. Andaj, dua t’ju them se nuk është kaq universale që përveç muslimanëve çdokush tjetër i lejon qentë të hyjnë brenda në shtëpi nëpër dhoma ku rrinë njerëzit.

Profeti a.s. tha se ‘engjëjt nuk hyjnë në shtëpi ku ka qen’, çfarë do të thotë kjo thënie?

Pyetësi:

I referohem një hadithi, në të cilin thuhet se Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë se engjëjt nuk zbresin në një shtëpi ku mbahet qen. Kjo a nuk është në kontradiktë me mësimet e Islamit që flasin për përkujdesjen e kafshëve?

[Përgjigje nga i nderuari Imam Ataul-Muxhib Rashid]

Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë se engjëjt nuk hyjnë në një vend ku ka erë të keqe. Profeti s.a.v.s. tha – Nëse dikush ka ngrënë qepë ose hudhër, engjëjt nuk i afrohen atij. Profeti s.a.v.s. gjithashtu tha – Ajo që nuk pëlqehet nga njerëzit, nuk pëlqehet as nga engjëjt.[7]

Andaj, nëse dikush mban qen brenda në shtëpi dhe mjedisi nuk është i pastër për shkak se trupi i tij lëshon një erë, një vend i tillë nuk është i destinuar të vizitohet nga engjëjt. Për sa i përket faljes, duhet të dimë që pastërtia është shumë e rëndësishme për faljen, për vendin ku bëhet falja. Prandaj Islami na porosit të marrim abdes para se të falemi. Sexhadja duhet të jetë e pastër, dhoma e mjedisi duhet të jenë të pastra. Por nëse një qen ose mace ose ndonjë kafshë tjetër shtëpiake sillet në çdo cep të shtëpisë, duke lëshuar qime dhe papastërti të tjera, një mjedis i tillë nuk është i përshtatshëm që aty të bëhet falja. Nëse nuk bëhet falja, natyrisht që nuk do të vijnë as engjëjt atje. Pra, kështu janë të lidhura këto gjëra.

Prandaj, pyetësi duhet të ketë parasysh se Islami nuk është kundër kafshëve shtëpiake, por çdo gjë ka një arsye, ka një mënyrë dhe ka një kufi. Nëse i mbani kafshët, do të keni disa përgjegjësi. Profeti Muhammed s.a.v.s. ka theksuar mëshirën ndaj kafshëve, saqë tha se një herë një njeri i dha ujë për të pirë një qeni të etur me këpucën e tij, pasi qeni nuk e arrinte dot ujin, dhe për shkak të këtij gjesti të tij, Zoti i Madhërishëm atë e pranoi në xhenet (parajsë).[8] Dhe një grua tjetër e lidhi macen, e cila nuk arriti të ushqehej kur ishte e uritur dhe për këtë shkak ngordhi, dhe Zoti i Madhërishëm e flaki ne xhehenem (ferr) atë grua për shkak të këtij veprimi të saj.[9]

Sigurisht që ka njerëz që i duan shumë qentë. Kanë mënyrën e tyre të të shprehurit dashuri ndaj qenëve. Por Islami na mësoi një rrugë të mesme, që çdo gjë dhe çdokush e ka vendin e vet.[10]

Lexoni:


Referenca

[1] Kurani i Shenjtë 5:5.
[2] Sahih el-Bukhari, kitāb: “Bede’ul-khalki”, bāb: “Idhā kāle ehadukum āmīn…”, hadithi nr. 3225.
[3] Kurani i Shenjtë 7:177.
[4] Sesioni pyetje-përgjigjesh, i datës 22.02.1985, në Xhaminë e Londrës.
[5] Kurani i Shenjtë 5:5.
[6] Kurani i Shenjtë 18:19 dhe 23.
[7] Sahih Muslim, kitāb: “El-Mesxhidu ve mevādius-salāti”, bāb: “Nehju men ekele thūmen ev basalen ev kurrethen ev nahvehā ‘an hudūril-mesxhidi”, hadithi nr. 1254.
[8] Sahih el-Bukhari, kitāb: “Idhā sheribel-kelbu fī ināi ehadikum fel-jagsilhu seb’an”, hadithi nr. 173.
[9] Sahih Muslim, kitāb: “Es-selām”, bāb: “Tahrīmu katlil-hirreti”, hadithi nr. 5852.
[10] E përmbledhur nga video.

Related Questions by Topics
Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp