Muaji sheval vjen menjëherë pas muajit të Ramazanit dhe Fiter Bajrami festohet më 1 sheval, pas përfundimit të Ramazanit. Agjërimi i shevalit, duke filluar nga data 2 deri më 7 sheval, ka vlerë të madhe. Agjërimi i shevalit nuk është i obligueshëm. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i jepte shumë rëndësi agjërimit të gjashtë ditëve të shevalit. Hazret Ebu Ejub Ensarij r.a. tregon:
“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Ai që agjëroi ditët e Ramazanit dhe më pas vijoi edhe gjashtë ditët e shevalit, është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.[1]
Falë mëshirës së Zotit të Madhërishëm, mirësia e njeriut shpërblehet dhjetëfish dhe ky është shpërblimi minimal, sepse atë që do Zoti i Madhërishëm, e shpërblen edhe pamasë. Siç thotë Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë:
“Ai që bën mirësi, do të ketë dhjetëfishin e saj, kurse ai që bën ligësi, do të dënohet për aq sa ka bërë. Atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi”.[2]
Me këtë llogaritje, kur agjërojmë 30 ditët e Ramazanit bëhen shpërblim sikur kemi agjëruar 300 ditë. Dhe nëse i shtojmë edhe 6 ditë të tjera, del që sikur kemi agjëruar 360 ditë, një periudhë që përbën 1 vit përafërsisht. Kështu që, agjërimi i shevalit ka vlerë të madhe.
Hazret Mirza Bashir Ahmed r.a. shkruan:
“Më tha nëna ime që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i tregoi që gjatë rinisë, ai pati një frymëzim që ishte e nevojshme të agjëronte për zhvillimin shpirtëror. Atëherë, ai agjëroi gjashtë muaj rresht. Askush nuk dinte se ai po agjëronte, as brenda shtëpisë e as ndonjëri nga jashtë. Kur atij i vinte mëngjesi, ia jepte ndonjë të varfri dhe vetë hante në darkë.
E pyeta nënën: A agjëronte ai edhe në vitet e fundit të jetës së tij?
Ajo tha: Po, ai agjëronte edhe në vitet e fundit të jetës së tij, sidomos gjashtë ditët e shevalit, që agjëronte rregullisht. Përveç kësaj, agjëronte sa herë që i lindte nevoja për të bërë lutje për ndonjë punë të rëndësishme. Po, në dy a tri vitet e fundit të jetës së tij, për shkak të dobësisë së shëndetit, nuk arrinte të agjëronte as agjërimet e Ramazanit”.[3]
Agjërimi i shevalit – Nëse nuk arrini të agjëroni rresht, mund të agjëroni me pauza
Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:
“Ishte praktika e Profetit Muhammed s.a.v.s. që pas ditës së Bajramit, ai agjëronte gjashtë ditët e shevalit. Xhemati ynë e ka për detyrë ta ringjallë këtë praktikë.
Njëherë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte organizuar një gjë të tillë në atë mënyrë saqë, në Kadian edhe pas Ramazanit për gjashtë ditë tjera pas Bajramit, kishim ndjerë sikur të ishim po në Ramazan. Në fund të jetës së tij, për shkak të moshës ai ishte i sëmurë, ndaj nuk agjëroi dy a tri vite. Ata që nuk e dinë le të dëgjojnë dhe ata që janë të shkujdesur, le të bëhen vigjilentë dhe të agjërojnë këto gjashtë ditë, përveç atyre që janë të sëmurë ose që janë të dobët dhe nuk munden. Nëse nuk arrijnë të agjërojnë rresht, le të agjërojnë me pauza”.[4]
Ju ka mbetur ndonjë ditë të Ramazanit dhe doni të agjëroni ditët e shevalit? Ja si do të veproni
Nëse dikush nuk ka agjëruar ndonjë a disa ditë të Ramazanit dhe ka për t’i plotësuar ato, edhe ai mund të agjërojë gjashtë ditët e shevalit, kurse ditët e paagjëruara të Ramazanit do t’i plotësojë më vonë. Sepse ditët e mbetura të Ramazanit mund të plotësohen deri në Ramazanin e ardhshëm. Hazret Ajshja r.a. tregon:
“Unë kisha disa ditë të Ramazanit për të plotësuar, të cilat i plotësoja vetëm në muajin sha’ban”.[5]
Muaji sha’ban është muaji që vjen para Ramazanit. Hazret Ajshja r.a. gjithashtu thotë:
“Gjatë kohës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., nëse ndonjëra prej bashkëshorteve të tij mbetej pa agjëruar disa ditë të Ramazanit, ajo nuk arrinte t’i plotësonte përveçse në muajin sha’ban”.[6]
Njëherë Hazret Malik Saifurrahmani, Myftiu i Xhematit Musliman Ahmedia u pyet se si do të veprojë ai që nuk ka agjëruar dot disa ditë të Ramazanit dhe që dëshiron t’i agjërojë gjashtë ditët e shevalit? Pra, kur ai i agjëron ditët e shevalit, i quhen agjërimet e mbetura të Ramazanit, apo agjërimet nafile të shevalit? Duke iu përgjigjur kësaj pyetje, ai tha:
“Kjo varet nga nijeti i personit. Nëse ai bën nijet se po agjëron ditët e mbetura të Ramazanit, do t’i llogariten ditët e Ramazanit. E nëse bën nijet se po mban agjërimet vullnetare të shevalit, ato do t’i llogariten. Në rastin e dytë, ditët e mbetura të Ramazanit ai do t’i plotësojë më vonë”.[7]
Çfarë orari duhet të ndiqni për syfyrin dhe iftarin për agjërimet e shevalit?
Orari më i pranueshëm për të mbaruar syfyrin është 1 orë e 30 minuta përpara lindjes së diellit. Kurse orari i iftarit është menjëherë pas perëndimit të diellit. Me këtë formulë njeriu mund të agjërojë qoftë në muajin e Ramazanit, qoftë në sheval apo në ndonjë kohë tjetër të vitit.
[1] Sahih Muslim, Kitabus-sijam, bab istihbab saumi sitteti ajjamin min sheval.
[2] Kurani Famëlartë 6:161.
[3] “Siratul-Mehdi”, vëll. 1, f. 14; “Fikhul-Mesih”, f. 215.
[4] Gazeta “Al-Fazl” 8 qershor 1922, f. 7; “Fikhul-Mesih”, f. 215.
[5] Sahih Buhari, Kitabus-saum, mata jekdi keda’er-Ramazan.
[6] Sahih Muslim, Kitabus-sijam, bab kadai Ramazana fi sha’ban.
[7] “Regjister Fatava”, nr. 7, f. 267, nr. 70/28.09.77.