A lejohet të bëjmë mes’h mbi çorapet gjatë abdesit apo vetëm mbi meste?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

A lejohet të bëjmë mes’h mbi çorapet gjatë marrjes së abdesit?

mes'h mbi corape apo meste abdesi

Çfarë është mes’h mbi çorapet?

Nëse kemi veshur çorapet, gjatë marrjes së abdesit, në kushte të caktuara, nuk i heqim ato, por thjesht u japim mes’h, që do të thotë, fërkojmë mbi çorapet me duar të lagura.

Mes’hu mbi çorapet është i vërtetuar nga praktika e Profetit Muhammed s.a.v.s.. Kur Profeti s.a.v.s. i vishte çorapet në gjendje abdesi, gjatë abdesit të ardhshëm, nuk i hiqte ato, por i prekte çorapet vetëm me gishtat e dorës.

Një sahab i Profetit s.a.v.s. rrëfen: Po i bëja abdes Profetit Muhammed s.a.v.s. … Kur erdhi radha e larjes së këmbëve, fillova t’i hiqja çorapet, por Profeti s.a.v.s., më ndaloi duke thënë se nuk kishte nevojë dhe tha:

mes'h mbi corape te holla– Lëri këto, sepse i kam veshur kur kam qenë me abdes. Më pas ai bëri mes’h mbi to.[1]

Cila është mënyra për të bërë mes’h mbi çorapet?

Profeti Muhammed s.a.v.s., gjatë marrjes së abdesit, me gishtat e dorës i prekte këmbët, duke i fërkuar ato nga gishtat e këmbëve deri te nyjet. Zakonisht ai prekte këmbën e djathtë me dorën e djathtë dhe këmbën e majtë me dorën e majtë.

Sa është vlefshmëria e mes’hut mbi çorape?

Hadithet gjithashtu tregojnë kushte të ndryshme për udhëtarin, si dhe për joudhëtarin, për sa i përket afatit të vlefshmërisë së mes’hut mbi çorapet.

Një që nuk është udhëtar dhe që ka veshur çorapet në gjendje kur ka qenë me abdes, ai nuk ka nevojë t’i heqë çorapet gjatë abdeseve të ardhshme, duke filluar nga momenti i parë i prishjes së abdesit deri në 24 orë të ardhshme. Pra, për të gjitha namazet që vijnë gjatë kësaj kohe, ai mund të mjaftohet duke dhënë mes’h mbi çorapet e tij.

Për sa i përket udhëtarit, nëse ai ka veshur çorapet në gjendje kur ishte me abdes, nga momenti i parë i prishjes së abdesit deri në 3 ditët e ardhshme, ai mund të mjaftohet me mes’h mbi çorapet e tij.[2]

Po, nëse ndien se heqja e çorapeve është bërë e detyrueshme për shkak të erës së keqe ose për ndonjë arsye tjetër, edhe pse është brenda limitit kohor për të bërë mes’h mbi to, ai mund t’i heqë çorapet për të larë këmbët si zakonisht.

Pse të bëj mes’h mbi çorapet kur, në dukje, ai nuk ka ndonjë vlerë?

Çdo vepër që bën njeriu, krijon ndikim në shpirtin e tij në varësi të qëllimit që ai ka pasur për ta bërë atë vepër. Kështu, Kurani i Shenjtë e porosit besimtarin që kur nuk gjen ujë ose është i sëmurë, në vend të abdesit të bëjë tejemum, ndërkohë edhe tejemumi, në dukje, nuk e pastron trupin e besimtarit. Megjithatë, nijeti i tejemumit dhe më pas vetë tejemumi i japin një qetësi në zemër që ai të falë namazin duke ndierë veten sikur është me abdes. E njëjta gjë vlen edhe për mes’h mbi çorapet.

Përveç kësaj, duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Myftiu i Xhematit Musliman Ahmedia, Mevlana Mubashir Ahmed Kahlon thotë:

Duhet ditur që vlerat janë të ndryshme: fizike, shpirtërore, morale, etj.. Në mes’h mbi çorape ka një vlerë shumë të madhe shpirtërore. Allahu i Madhërishëm thotë:

mes'h mbi corape te holla“Thuaju (o Muhammed!): Nëse doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, Allahu do t’ju dojë ju dhe do t’ju falë gjynahet.”[3]

Prandaj, nëse një musliman e ndjek këtë praktikë të Profetit s.a.v.s., me synimin e lartpërmendur, ai do të bëhet i dashur i Zotit dhe atij do t’i falen mëkatet. Nuk ka vlerë ose përfitim më të madh për një musliman, sesa atij t’i falen mëkatet dhe ai të bëhet i dashur i Allahut të Madhërishëm.

Realisht, mësimet e Islamit kanë shumë fleksibilitet. Sipas rrethanave, sidomos gjatë dimrit, besimtari ose besimtare nëse detyrohet t’i heqë çorapet pesë herë ose disa herë në ditë, dhe çdo herë t’i lajë këmbët e më pas të presë gjersa ato të thahen e pastaj t’i veshë ato, praktikisht është punë e vështirë. Pikërisht për t’i krijuar lehtësi, sheriati i Islamit e porositi të bëjë mes’hun mbi çorape.

Përveç kësaj, duke bërë mes’h, robi në mënyrë figurative falënderon Zotin që i ka lënë një zëvendësim kaq praktik për larjen e këmbëve gjatë abdesit.[5]

A lejohet të bësh mes’h mbi çorape të holla apo vetëm mbi meste?

Në Tirmidhi do të gjeni një kapitull të tërë që flet për mes’hun mbi çorapet.[4] Në një hadith thuhet:

mes'h mbi corape te holla“Profeti Muhammed s.a.v.s. mori abdes dhe bëri mes’h mbi çorapet dhe mbi sandalet.”[6]

Vetë fjala çorap që përdoret në shqip që ka ardhur përmes turqishtes, në arabisht është xheureb. Xhevarib në arabisht u thonë çorapeve që janë bërë prej tekstili. Pra, mes’hu bëhet edhe mbi çorape prej tekstili, dhe jo vetëm mbi meste [çorape prej lëkure], siç mendojnë disa dijetarë.

Po, Imam Tirmidhu ka thënë se çorapet duhet të jenë të trasha, por kjo nuk do të thotë se duhet të jenë patjetër prej lëkure. Çorapet që veshim sot, edhe ato të verës, janë mjaftueshëm të trasha për të mbuluar këmbët. Andaj, qoftë gjatë dimrit, qoftë gjatë verës, besimtarit i lejohet të bëjë mes’h mbi çorapet sipas kushtet e lartpërmendura.


[1] Sahih Muslim, kitab “Et-Tahara”, bab “El-Mes’hu ‘alel-khuffejni’, hadithi nr. 631.
[2] Sahih Muslim, numrat e haditheve 639 dhe 641.
[3] Kurani Famëlartë 3:32.
[4] Xhami Tirmidhi, bab [kap.] 74.
[5] Shihni videon: https://youtu.be/W8twTIykCUI?t=1530;
https://www.alislam.org/video/fiqahi-masail-4-namaz/
[6] Xhami Tirmidhi, bab 74, nr. i hadithit 99; https://sunnah.com/tirmidhi/1/99

Related Questions by Topics
Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp