Një zotëri nga Gana i shkroi Hazret Kalifit të V të Xhematit Musliman Ahmedia, dhe e pyeti nëse ishte e detyrueshme për dikë që kishte prekur një trup të vdekur të bënte gusël apo nëse mund t’i bashkohej namazit të xhenazes pa bërë gusël? Kalifi i nderuar (Allahu e ndihmoftë fuqimisht), në letrën e tij të datës 25 gusht 2021, dha udhëzimet e mëposhtme në lidhje me këtë çështje:
Hazret Ibn Abasi r.a transmeton se Profeti i Shenjtë s.a.vs. ka thënë:
“Kur i jepni guslin (e lani) një prej të vdekurve tuaj, nuk është e detyrueshme për ju të merrni gusël më pas, sepse të vdekurit tuaj nuk janë të papastër (nexhes). Mjafton të lani duart (pasi të keni larë trupin e vdekur).”
“Ngjashëm me këtë, është përmendur në Muvetta e Imam Malikut për Hazret Esma bint Umejs r.a se kur ajo i dha gusël burrit të saj Hazret Ebu Bekrit r.a pas vdekjes së tij, ajo i pyeti muhaxhirët që ishin të pranishëm: “A është e nevojshme tani për mua që të bëj gusël?” Ata thanë: “Jo”.
Hazret Abdullah bin Omeri r.a tregon:
“Ne e lanim të vdekurin dhe disa prej nesh bënin gusël më pas, ndërsa të tjerët jo.”
Ndryshe nga këto hadithe, ekziston një transmetim nga Hazret Ebu Hurejrah r.a në Sunenin e Ebu Davudit ku përmendet se Profeti i Shenjtë s.a.v.s ka thënë:
“Ai që e lan të vdekurin, të bëjë gusël.”
Po kështu, ekziston një transmetim tjetër nga Hazret Aishja r.a, sipas të cilit, i Dërguari i Allahut bënte gusël për katër gjëra: xhunub, xhuma, terapi me kupa dhe larja e të vdekurve. Mirëpo, dijetarët e hadithit i kanë quajtur transmetimet e këtij lloji si të dobëta dhe i kanë refuzuar ato. Ata e kanë interpretuar termin gusël të përdorur në këto transmetime vetëm në kuptimin e larjes së duarve.
Gjithashtu, sipas katër jurisprudencave të njohura islame, nuk është e detyrueshme (vaxhib) por vetëm rekomandohet (mustehab) të bëhet gusël pasi të lash një trup të vdekur. Kjo është për shkak që nëse personi bëhet pis ose i bien pikla uji të ndotur për shkak të larjes së të ndjerit, ai mund të pastrohet duke bërë gusël.
Kështu, edhe nëse dikush që ka larë trupin e një të vdekuri nuk është i obliguar të marrë gusël, si mund të obligohet personi që vetëm e prek të vdekurin?! Pra, personi që e lan të vdekurin mund të bashkohet në namazin e xhenazes pa bërë gusël më parë. Nuk ka asnjë detyrim në këtë drejtim. Mirëpo, juristët islamë kanë shkruar se ashtu siç është i domosdoshëm abdesi për çdo lloj namazi tjetër, është i nevojshëm edhe marrja e abdesit për namazin e xhenazes. Pra, kjo duhet bërë.”