Mesihu që duhej të vinte jam unë, më pranoni nëse doni
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

(Fusnota nr. 6 nga libri “Fitorja e Islamit”)

Koha që ne jetojmë, është një kohë kur adhurimi i materies, largimi nga thelbi dhe spiritualiteti, mungesa e besnikërisë, mosruajtja e amanetit, heqja dorë nga e vërteta dhe nga pastërtia morale dhe përfshirja deri në fund në lakmi, koprraci e dashuri ndaj botës janë përhapur në përgjithësi, ashtu siç ishin të përhapura te hebrenjtë në kohën e ardhjes së Hazret Mesihut, të birit të Merjemes. Ndaj, ashtu siç hebrenjtë e asaj kohe ishin në padituri të plotë ndaj mirësisë së vërtetë, dhe vetëm dogmat dhe zakonet i quanin mirësi dhe përveç kësaj, ndershmëria, amaneti, dëlirësia dhe drejtësia, dhembshuria dhe mëshira e vërtetë nuk ekzistonin fare te ta dhe adhurimin ndaj Krijuesit të Vetëm e kishin zëvendësuar me lloj-lloj adhurimesh ndaj krijesave, të gjitha këto gjëma janë shfaqur edhe në kohën tonë.

Njerëzit nuk tregohen më të përulur dhe mirënjohës duke konsumuar gjërat e lejuara. Nuk ndiejnë më ndonjë pakënaqësi a urrejtje për gjërat e ndaluara. Porositë e bekuara të Zotit të Madhërishëm i anashkalojnë me hile. Shumica e dijetarëve muslimanë u ngjajnë jo pak skribëve dhe farisenjve të asaj kohe. Sitin mushkonjën dhe kapërdijnë devenë. Mbyllin mbretërinë e qiejve para njerëzve; as vetë nuk hyjnë, as nuk i lënë të hyjnë ata që janë për të hyrë. Falin namaze të gjata, por në zemër nuk kanë dashurinë dhe madhështinë e Zotit të Vërtetë. Bëjnë vaze shumë emocionuese nëpër minbere, por punët e tyre të brendshme janë të tjera. Të çuditshëm i kanë sytë, që pavarësisht nga dëshirat rebele dhe shkatërruese, qajnë me mjeshtëri. Dhe të çuditshme i kanë gojët, që pavarësisht se janë tërësisht të panjohura, pretendojnë t’i njohin zemrat.

Kështu pra, veset çifute i shohim të përhapura gjithandej. Te njerëzit ka ndryshuar fort druajtja dhe frika ndaj Zotit. Dobësia e besimit ua ka ftohur dashurinë ndaj Zotit. Po fundosen vazhdimisht në dashurinë ndaj botës. Dhe domosdo do të ndodhte e gjithë kjo, sepse Udhëheqësi dhe Prijësi ynë, Hazret Profeti selallahu alejhiveselam e kishte bërë profecinë:

“Do t’i vijë një kohë këtij umeti, kur ai do t’i ngjajë fort hebrenjve dhe do t’i bëjë të gjitha ato punë, që kanë bërë hebrenjtë. Madje, nëse hebrenjtë kanë hyrë deri në vrimën e miut, edhe muslimanët do të hyjnë në të. Atëherë do të lindë një njeri me prejardhje perse që do t’ua mësojë besimin. Besimi edhe sikur të jetë i varur në yllin Thureja, ai do ta gjejë atë edhe atje”.

Kjo profeci është e Profetit Muhammedsavs. Shpallja e Zotit ma qartësoi kuptimin duke më treguar hollësisht edhe realizimin e saj. Zoti i Madhërishëm përmes shpalljes më bëri të qartë se edhe Hazret Mesihu i biri i Merjemes ishte një mësues i besimit që lindi pas katërmbëdhjetë shekujve nga Hazret Musai, në kohën kur hebrenjtë ishin dobësuar jashtëzakonisht shumë në besim dhe për shkak të kësaj dobësie të besimit, u përfshin në ato farë ligësish, të cilat në të vërtetë, janë degë të mosbesimit.

Kështu që, afërsisht katërmbëdhjetë shekuj pas Profetit të vetsavs, edhe këtij umeti i lindën me shumicë të njëjtat probleme që u patën lindur hebrenjve të asaj kohe. Në këtë mënyrë do të përmbushej profecia që ishte bërë për ta. Andaj, Zoti i Madhërishëm përmes fuqisë së Tij të përsosur edhe atyre u dërgoi një mësues të besimit, të ngjashmin e Mesihut.

Mesihu që duhej të vinte jam unë, më pranoni nëse doni. Le të dëgjojë ai që ka veshë. Kjo është punë e Zotit të Madhërishëm, por e çuditshme në sy të njerëzve. Nëse dikush e quan të gënjeshtërt këtë gjë, edhe të vërtetët e mëparshëm janë quajtur gënjeshtarë. Gjonin, domethënë Jahjanë, të birin e Zekariasë, hebrenjtë nuk e pranuan assesi, edhe pse Mesihu dha dëshminë në lidhje me të duke thënë se ky është po ai që ishte ngritur në qiell dhe që ishte premtuar në skriptet hyjnore të zbritej sërish prej qiellit. Zoti gjithmonë punon me metafora dhe për shkak të natyrës, të cilësisë dhe të kapacitetit, emrin e njërit ia jep tjetrit. Ai që ka zemrën porsi zemra e Ibrahimit, në sy të Zotit ai është Ibrahim. Dhe ai që ka zemrën porsi zemra e Omer Farukut, në sy të Zotit ai është Omer Faruk. A nuk lexoni hadithin:

“Nëse edhe ky umet ka ndonjë muhad-deth, të cilit i flet Allahu i Madhërishëm, ai është Omeri”.

Vallë, ky hadith a do të thotë se të qenët muhad-deth ka marrë fund me Hazret Omerin?! Kurrsesi! Përkundrazi, kuptimi i hadithit në fjalë është që kur gjendja shpirtërore e dikujt i përngjan gjendjes shpirtërore të Omerit, në kohë nevoje, ai do të bëhet muhad-deth. Kështu që, dikur edhe këtij modesti i erdhi shpallje në lidhje me këtë:

“Ke brumë Faruku”.

Kështu që, natyra e këtij modesti, ka ngjashmëri me jo vetëm njerëzit e dëlirë të mëparshëm, gjë që e kam shpjeguar gjerësisht në librin “Berahin-e-Ahmedia”, por në mënyrë të veçantë edhe me natyrën e Hazret Mesihut. Pikërisht për shkak të kësaj ngjashmërie shpirtërore, ky modest është dërguar me emrin e Mesihut, që të shpartallojë besimin e kryqit. Pra, unë jam dërguar për ta thyer kryqin dhe për të vrarë derrat.

Unë kam zbritur prej qiellit, së bashku me engjëjt e pastër që ishin në të djathtën dhe në të majtën time, të cilët Zoti im që është me mua, do t’i dërgojë në çdo zemër të përgatitur për të përmbushur misionin tim, madje po i dërgon. Edhe sikur unë të rri i heshtur dhe pena ime të mos shkruajë, ata engjëj që zbritën bashkë me mua, nuk mund ta ndalin punën e tyre. Ata kanë në duar topuz të mëdhenj që u janë dhënë për ta thyer kryqin dhe për ta shkelur idhullin e adhurimit ndaj krijesave.

Një i paditur ndoshta do të habitet se çfarë kuptimi ka zbritja e engjëjve. Atëherë, le të jetë e qartë se është praktika e Allahut që sa herë që zbret prej qiellit ndonjë i dërguar, profet a muhad-deth për përmirësimin e njerëzve, bashkë me të, zbresin patjetër edhe engjëj, të cilët fusin udhëzimin në zemrat e përgatitura dhe i nxisin për të bërë mirësi. Ata vijojnë ta bëjnë këtë punë, derisa të agojë drita e besimit dhe e drejtësisë, pas largimit të errësirës së mohimit dhe të devijimit. Siç e thotë Allahu i Madhërishëm:

“Zbresin engjëjt dhe shpirti i shenjtë gjatë saj me urdhrin e Zotit të tyre, në çdo çështje. Paqe! Kjo vijon derisa të zbardhë agimi”. [El-Kedr 97:5-6]

Kështu që, zbritja e engjëjve dhe e shpirtit të shenjtë prej qiellit ndodh atëherë kur një njeri i madh zbret në tokë, duke u veshur me mantelin e kalifatit dhe duke pasur bekimin e komunikimit me Zotin. Shpirti i shenjtë i jepet kalifit në mënyrë të veçantë, kurse engjëjt që vijnë bashkë me të, zbresin në zemrat e përgatitura në të gjithë botën. Atëherë kudo ku ka njerëz të çmuar, marrin rrezen e kësaj drite dhe kjo dritë përhapet anembanë botës.

Efekti i pastër i engjëjve bën që zemrat e njerëzve vetvetiu të mendojnë për mirësi, dhe teuhidi fillon t’u duket i dashur. Zemërdrejtët gëzojnë frymën e pëlqimit, të vërtetësisë dhe të kërkimit të drejtësisë. Të dobëtit gëzojnë fuqi. Në çdo anë zë të fryjë një erë që e ndihmon reformatorin në përmbushjen e misionit dhe të qëllimit të tij.

Një dorë e fshehtë bën që njerëzit vetvetiu të fillojnë të shtyhen drejt dëlirësisë. Popujt vihen në lëvizje. Atëherë njerëzit e paditur mendojnë se mendësitë e botës vetvetiu morën një kthesë rrënjësore, por në të vërtetë këtë punë e bëjnë engjëjt që zbresin bashkë me kalifin e Allahut dhe që u dhurojnë njerëzve forca të jashtëzakonshme për të pranuar dhe për të kuptuar të vërtetën.

I zgjojnë të përgjumurit. I zhdehin të dehurit. Të shurdhërve ua hapin veshët. Të vdekurve u japin frymën e jetës dhe ata që janë në varre, i zhvarrosin. Atëherë njerëzit përnjëherë fillojnë të hapin sytë. Zemrat e tyre fillojnë të kuptojnë gjërat që ishin të fshehta deri më parë.

Këta engjëj, në të vërtetë, nuk janë të ndarë nga kalifi i Allahut, madje janë drita e fytyrës së tij dhe shenjat e spikatura të kurajës së tij, që tërheqin drejt vetes përmes fuqisë magnetike të vet çdokënd që ka ngjashmëri me të, qoftë afër ose larg fizikisht, qoftë i njohur ose krejtësisht i panjohur. Kështu që, në kohën e tij të gjitha lëvizjet drejt mirësisë që bëhen dhe vrulli që përhapet për të pranuar të vërtetën, qoftë te njerëzit e Azisë, ose të Evropës, ose të Amerikës, realisht shkaktohen nga po këta engjëj që zbresin së bashku me kalifin e Allahut.

Ky është ligji i Zotit, në të cilin nuk do të gjeni ndryshim asnjëherë, ligj ky që është i qartë dhe shumë i kuptueshëm. Do të jetë fatkeqësia juaj nëse nuk do të thelloheni në të. Ngaqë ky modest ka ardhur prej Zotit të Madhërishëm me drejtësinë dhe vërtetësinë, ju do të gjeni në çdo anë shenja të vërtetësisë sime. Nuk është e largët ajo kohë, madje është shumë afër, kur do të shikoni ushtri engjëjsh duke zbritur prej qiellit nëpër zemrat e Azisë, të Evropës dhe të Amerikës.

Ju e keni ditur nga Kurani Famëlartë që bashkë me zbritjen e kalifit të Allahut, është e nevojshme të zbresin edhe engjëjt, në mënyrë që ata t’i kthejnë zemrat drejt së vërtetës. Andaj, priteni këtë shenjë. Po nuk zbritën engjëjt, po nuk patë shenja dalluese të zbritjes së tyre në botë dhe po nuk vërejtët lëvizjen e zemrave drejt së vërtetës më shumë se sa ndodh zakonisht, kuptojeni se askush nuk zbriti prej qiellit. Por, po ndodhën të gjitha këto, atëherë hiqni dorë nga mohimi, në mënyrë që te Zoti i Madhërishëm të mos quheni popull rebel.

Shenja e dytë është ajo që Zoti i Madhërishëm më bekoi veçanërisht me dritat që Ai u jep robërve të Tij të zgjedhur, të cilave nuk u bëjnë dot ballë të tjerët. Andaj, nëse dyshoni, ejani për përballje dhe dijeni se kurrsesi nuk mund të më bëni dot ballë. Keni gjuhën, por jo zemrën; trupin, por jo shpirtin; bebëzat e syve, por pa dritë. Zoti i Madhërishëm ju dhëntë dritë, që të shihni.

Shenja e tretë është që Profeti fisnik që ju deklaroni se e besoni, paqja qoftë mbi të, ka përshkruar rreth këtij modesti, gjë që është përmendur në sihahët tuaj, diçka në të cilën nuk jeni thelluar deri më sot. Andaj, realisht bëheni armiq të fshehtë të Profetit Muhammedsavs, sepse shqetësoheni jo për të provuar vërtetësinë e tij, por pavërtetësinë e tij.

Tani, shumë prej jush do të shkruajnë fetva qafiri ndaj meje dhe nëse do të kishit mundësi, do të më vrisnit. Por kjo qeveri nuk është si ajo që nxitonte shumë në luftë, që tregohej shumë naive në të kuptuarit, që gjendej shumë larg virtyteve dhe që i jepte frymë edhe më shumë shpirtit çifut.

Kjo qeveri edhe pse nuk i gëzon dhuntitë dhe bekimet e besimit, është shumë herë më mirë se qeveria e kohës së Herodit që i ra në qaf Hazret Mesihut, birit të Merjemes, madje edhe më mirë se shtetet islamike të sotme për sa i përket vendosjes së paqes, ngritjes së mirëqenies, dhënies së lirisë, të sigurisë dhe të edukimit ndaj popullit, zbatimit të ligjit dhe ndëshkimit të kriminelëve.

Urtësia e thellë e Zotit të Madhërishëm ashtu siç nuk e dërgoi Mesihun në kohë qeverisjeje të hebrenjve, edhe për mua zgjodhi të njëjtën situatë, në mënyrë që ata që kuptojnë, të gjejnë shenjë. Nëse mohuesit e kësaj kohe më përqeshin, nuk është për të ardhur keq, sepse të parët e tyre u sollën edhe më keq me profetët e kohërave të veta. Edhe Mesihu u përqesh shumë herë. Njëherë vet vëllezërit e tij që kishin lindur nga e njëjta nënë, e quanin të çmendur e donin edhe ta burgosnin. Të tjerët plot herë vendosën ta vrisnin. E qëlluan me gurë. Në mënyrën më të ulët e pështynë në fytyrë. Madje, në bindjen e tyre e kryqëzuan dhe e vranë. Por ngaqë nuk i kishin thyer kockat, ai shpëtoi falë përkrahjes së një njeriu të mirë dhe besnik dhe pasi kaloi ditët e mbetura të jetës së tij, u ngrit drejt qiellit.

U lëkundën edhe ndjekësit e Mesihut si dhe ata që ishin shokë të tij gjatë netëve dhe ditëve. Dikush përfitoi tridhjetë monedha ryshfet për ta dorëzuar atë, ndërsa dikush tjetër, mu para tij, duke e treguar me gisht, e mallkoi. Nga ana tjetër, dishepujt e tjerë që pretendonin të ishin shokë të ngushtë, ia mbathën, duke pasur në zemrat e tyre lloj-lloj dyshimesh rreth tij.

Por ngaqë ai ishte i vërtetë, Zoti i dha jetë ndërmarrjes së tij, pasi të kishte vdekur një herë. Jeta e dytë e Mesihut që është e gdhendur në mendësinë e të krishterëve, në të vërtetë është ajo e besimit të tij që u ringjall pasi të kishte vdekur një herë.

Zoti i Madhërishëm edhe mua më dha lajmin e mirë: Unë do të të jap jetë edhe njëherë pas vdekjes. Dhe tha:  Ata që janë të afërt me Zotin, ringjallen pas vdekjes. Dhe tha: Unë do të tregoj shkëndijën Time dhe me fuqinë Time do të të ngre. Andaj, edhe kjo jeta ime e dytë do të thotë jeta e qëllimeve të mia, por pak janë ata që i kuptojnë këto sekrete. (Autori)

LEXONI EDHE

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp