Nata e Kadrit | Kuptimi sipas Mesihut të Premtuar a.s
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

O muslimanë! O ju që jeni trashëgimtarë të besimtarëve kurajëplotë dhe pasardhës të shpirtmirëve! Mos u nxitoni në mohim dhe paragjykim. Frikësojuni flamës që po përhapet përreth jush. Tashmë njerëz të panumërt kanë rënë në grackën e saj mashtruese. Ju po shikoni se me çfarë intensiteti po bëhen përpjekje për ta asgjësuar fenë Islame. A nuk e keni për detyrë që edhe ju të bëni përpjekje?

Islami nuk erdhi prej njeriut që ai të mund të shkatërrohej nga përpjekjet e njerëzve, por mjerë ata që ngulin këmbë për çrrënjosjen e tij dhe, së dyti, mjerë ata që mbajnë çdo gjë për qejfet e tyre, të grave dhe të fëmijëve të tyre, por për Islamin asgjë nuk kanë në xhep. Mjerë ju të ngathët, që vetë nuk zotëroni asnjë fuqi për të ngritur fenë Islame dhe për të shfaqur dritën e besimit, por as nuk pranuakeni me falënderim ndërmarrjen që u vendos prej Zotit të Lartësuar për të shfaqur shkëlqimin e Islamit!

Këto ditë Islami është si llamba e mbyllur në arkë, si burimi i ëmbël i mbuluar nga bari dhe kashta. Kjo është arsyeja që Islami ka pësuar rënie. Fytyra e tij e bukur nuk po zbulohet. Trupi i tij magjepsës nuk po duket. Ishte dhe është detyra e muslimanëve që të bëjnë përpjekje vetëflijuese dhe jo vetëm paratë, por si ujë të derdhin edhe gjakun, por ata nuk e bënë një gjë të tillë. Për shkak të mendjelehtësisë së tyre të skajshme ata kanë ngecur në mendimin e gabuar se gjoja librat e vjetër duhet të jenë të mjaftueshëm. Nuk e dinë se për t’i larguar çrregullimet e reja që po shfaqin kryet në mënyra nga më të rejat, u duhet të përditësojnë edhe imunitetin. Përveç kësaj, sa herë që u përhap terri, kur erdhën profetët, të dërguarit dhe reformatorët, a nuk ekzistonin librat e mëparshëm?! Prandaj, o vëllezër! Në kohën kur është e përhapur errësira, është e pazëvendësueshme të zbresë drita prej qiellit.

Po në këtë libër kam shkruar më parë se Zoti i Madhërishëm në suren El-Kadr thotë, madje u jep sihariq besimtarëve se Fjala e Tij dhe Profeti i Tij kanë zbritur prej qiellit në natën e Kadrit. Çdo reformator dhe çdo muxhed-did që vjen prej Zotit të Lartësuar, pikërisht në natën e Kadrit zbret. A e kuptoni se çfarë është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është ajo epokë e errët, terri i së cilës mbulon çdo gjë. Prandaj, ajo epokë kërkon vetvetishëm që të zbresë një dritë, që ta largojë errësirën. Një epokë e tillë metaforikisht është quajtur si nata e Kadrit, pra ajo nuk është natë, por epokë, që për shkak të errësirës, i shëmbëllen natës.

Pas vdekjes së Profetit ose të mëkëmbësit të tij shpirtëror kur kalojnë një mijë muaj, një periudhë që afron fundin e jetës së njeriut dhe lajmëron shuarjen e shqisave të tij, kjo natë fillon të hedhë rrënjë, atëherë me planin qiellor hidhet fara e një ose shumë reformatorëve, të cilët gatiten heshturazi, për t’u shfaqur në krye të shekullit të ri. Duke iu referuar kësaj, Allahu i Madhërishëm thotë:

“Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj”.

Domethënë, ai që sheh dritën e kësaj nate të Kadrit dhe që gëzon bekimin e të shoqëruarit me reformatorin është më mirë sesa një plak tetëdhjetëvjeçar që nuk e arriti dot këtë kohë të ndritur. Por, ky i fundit po të ketë gjetur qoftë një çast të saj, pikërisht ai çast është më i mirë sesa një mijë muaj të kaluar në jetën e tij. Pse kështu? Sepse në natën e Kadrit, bashkë me reformatorin, me urdhrin e Zotit të Madhërishëm zbresin engjëjt e Zotit të Lartësuar dhe shpirti i shenjtë prej qiellit, dhe jo më kot, por që të ulen në zemrat e përgatitura e të hapin rrugët e paqes. Ata angazhohen për t’i hapur të gjitha rrugët dhe për t’i ngritur të gjitha perdet, derisa të largohet errësira e kotësisë e të gdhihet agimi i udhëzimit.

O muslimanë !

Tani, o muslimanë! Lexojini me vëmendje këto ajete që të kuptoni se sa shumë e lëvdon Zoti i Lartësuar epokën në të cilën sipas nevojës Ai dërgon një reformator. A nuk do ta vlerësoni një epokë të tillë? A do t’i shikoni me përbuzje fjalët e Zotit të Lartësuar?

Prandaj, o njerëz të fuqishëm të Islamit! Dëgjoni! Unë po ju përcjell mesazhin, ta ndihmoni këtë ndërmarrje reformuese të nisur prej Zotit të Lartësuar me gjithë zemër, me gjithë vëmendje dhe me gjithë përkushtim e ta kryeni sa më shpejt detyrën e shërbimit duke parë me nderim të gjitha aspektet e saj.

Ai që dëshiron të japë diçka muaj për muaj sipas mundësisë së tij, le ta paguajë vetë dhe me interesim, duke e kujtuar atë si detyrim që duhet kryer dhe si borxh që duhet shlyer. Këtë detyrë t’ia përkushtojë sinqerisht vetëm Allahut, duke mos i lejuar vetes asnjë pabesi a shpërfillje. Kurse ai që dëshiron të kontribuojë duke e dhënë si ndihmë të gjithën përnjëherë, le të bëjë ashtu. Por mbani mend, qëllimi kryesor është bashkërendimi që dashamirësit e sinqertë të besimit, sipas pasurisë dhe mundësisë së tyre të japin muaj për muaj kontribute të lehta dhe këtë ta bëjnë si premtim të fortë, të cilin të mund ta përmbushin lehtësisht, me përjashtim të ndonjë rasti të papritur. Dhe po nga kjo shpresohet edhe vijimësia e pandërprerë e Xhematit. Po, atij që Allahu i Madhërishëm i jep mundësi dhe vullnet në zemër, përveç kontributit mujor, mund të japë diçka përnjëherë sipas kurajës dhe fuqisë që ka.

O ju që jeni në xhematin tim!

Dhe o ju të afërmit e mi! O të dashurit e mi! O degët e mugulluara të pemës së qenies sime! Ju që jeni në Xhematin tim në saje të mëshirës së Zotit të Lartësuar, o ju që po sakrifikoni jetën, rehatinë dhe pasurinë tuaj në këtë rrugë! Edhe pse jam i vetëdijshëm se çdo gjë që do t’ju them, ju do ta pranoni duke ndierë veten fatlumë dhe, gjersa të keni fuqi, nuk do të ngurroni ta realizoni dëshirën time, unë nuk mund t’ju detyroj diçka të caktuar nga ana ime për këtë shërbim, në mënyrë që shërbimet tuaja të jenë nga dëshira juaj, e jo të ndiheni të detyruar nga kërkesa ime.

Kush është miku im dhe kush është i afërmi im? Ai që më njeh mua. Kush më njeh mua? Vetëm ai që më beson se jam i dërguar dhe më pranon ashtu siç pranohen të dërguarit. Bota nuk mund të më pranojë, sepse unë nuk jam prej botës. Por, ata të cilëve u është dhënë pjesë e botës tjetër, më pranojnë dhe do të vazhdojnë të më pranojnë. Ai që më braktis, braktis Atë që më ka dërguar dhe ai që krijon lidhje me mua, krijon lidhje me Atë, prej të cilit kam ardhur. Kam një llambë në dorë. Ai që më afrohet, patjetër do të marrë diçka nga drita e saj. Kurse ai që largohet prej meje për shkak të dyshimit dhe paragjykimit, do të hidhet në errësirë. Kështjella e fortë e kësaj epoke jam unë. Ai që hyn në mua, do ta shpëtojë veten nga vjedhësit, kusarët dhe egërsirat. Por ai që dëshiron të qëndrojë larg mureve të mia, i kanoset vdekja nga të katërta anët! As kufoma e tij nuk do të jetë e sigurt.

Kush hyn në mua? Ai që braktis ligësinë dhe përvetëson mirësinë; që braktis shtrembësinë dhe ndjek drejtësinë; që çlirohet nga skllavëria e djallit dhe bëhet rob i nënshtruar i Zotit të Lartësuar. Çdokush i tillë është në mua dhe unë jam në të. Por, një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm ai, të cilin Zoti i Lartësuar e sjell nën hijen e njeriut dëlirës, i cili kur e vë këmbën në xhehenemin e tij, ky i fundit do të ftohet tërësisht, sikur nuk ka patur zjarr ndonjëherë. Atëherë ai bën përparime pas përparimesh, derisa shpirti i Zotit të Lartësuar zë vend në të dhe Zoti i botëve, me një manifestim të veçantë, e merr për fron zemrën e tij. Atëherë qenia e tij e vjetër zhuritet dhe atij i jepet një qenie e re dhe e dëlirë. Edhe Zoti i Lartësuar, duke u shndërruar në një Zot të ri, krijon lidhje të veçantë me të dhe, që në këtë botë, ia dhuron të gjitha mjetet e pastra të jetës parajse.

LEXONI EDHE

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp