Nata e Kadrit dhe dhjetëditëshi i fundit | Dokumentar
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Nata e Kadrit dhe dhjetëditëshi i shpëtimit

Ishte një kohë kur errësira a plotë kishte terratisur gjithçka dhe Zoti i Plotfuqishëm lëshoi dritën më të fuqishme. Tregtia përbënte veprimtarinë kryesore të banorëve që jetonin brenda
dhe jashtë Mekës, por gjendja shoqërore e morale e njerëzve në qytet, ishte konsumuar nga bota materiale. Mësimet e Profetit Ibrahim për njëshmërinë e Zotit ishin zhdukur qëkur nga kujtesa e tyre, dhe në vend të një Zoti, ata kishin sajuar treqind idhuj. Përzierja dhe ndotja e ndërgjegjes njerëzore kishte ndikuar çdo lidhje shoqërore, madje duke cenuar respektin ndaj qenies më supreme e sovrane të Zotit.

Qabeja, e cila dikur kishte qenë një shtëpi e shenjtë dhe e nderuar, e cila ishte ndërtuar për adhurimin e Zotit të vetëm, sot ishte bërë vetë objekti i adhurimit. Duke u pikëlluar nga kjo gjendje, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e u distancua nga të gjitha prapësitë dhe ligësitë e mekasve, dhe gjeti strehë në shpellën Hira, e cila ndodhej në një prej kodrave pranë Mekës. Ai ishte zhytur në dashurinë e Krijuesit, dhe kërkonte paqe e kthjelltësi. Para se të bëhej Profet i madh i Islamit, ai do të qëndronte në këtë shpellë në vetmi për ditë të tëra, duke agjëruar dhe duke adhuruar plot me mallëngjim, larg prej idhujtarëve mekasë të cilët kishin mbizotëruar qytetin.

Pikërisht në këtë vend, ku ai jetonte i izoluar nga bota materiale dhe i përkushtuar në lutje, erdhi dekreti “Ikra” lexo! Engjëlli Xhibrail, një lajmëtar prej Zotit, u shfaq para tij dhe i dha shpalljen e parë të Kuranit:

“Ikra” lexo! Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë) dhe krijoi njeriun nga një droçke gjaku. Lexo! Zoti yt është shumë Bujar, i Cili me anë të pendës ia mësoi njeriut atë që nuk dinte.”

Përgjatë 23 vite të ardhshme, engjëlli Xhibrail do t’ia përcillte Profetit të shenjtë s.a.v.s. gjithë Kuranin.  Shpallja e parë e Kuranit erdhi në kohën kur njerëzimi kishte nevojë jetike për të dhe vuri në lëvizje agimin e paqes dhe arsyes. Mesazhi ishte përcjellë me qëllim që çdo njeri, mashkull a femër, të forcojë lidhje me Krijuesin e Tij.

Lejlatul Kadr do të thotë nata e caktimit, apo një periudhë e errët kohore, në të cilën shfaqet atributi ar-Rahman – i Gjithëmëshirshëm i Zotit.

“Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj”.

Një mijë muaj apo 83 vjet, të cilët barazohen me ciklin jetësor të njeriut. Pra, vetëm kjo natë mbart më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër në gjithë jetën njerëzore. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu ka thënë:

“Kushdo që falet në Natën e Kadrit, me besim të sinqertë dhe me shpresë në shpërblim prej Allahut, atij do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme”.

Nga këto, mund të kuptojmë që përse Nata e Kadrit gëzon një rëndësi aq të madhe. Kjo natë shërben për të pastruar njeriun nga të gjitha gabimet e mëparshme dhe ai, pas përfundimit të Ramazanit, del i pastër si një i sapolindur. Këto 10 ditë të fundit të Ramazanit janë aq të çmuara, saqë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. zakonisht gjatë këtyre ditëve intensifikonte adhurime e lutje, dhe mbyllej në xhami për të medituar në heshtje dhe për të
reflektuar thellë. Muslimanët anembanë botës zbatojnë këtë praktikë profetike dhe kërkojnë Natën e Kadrit, dhe atë lidhje të veçantë me Zotin e tyre.

“Kur një populli i mungojnë bashkimi dhe harmonia, ai privohet edhe nga Nata e Kadrit. Ajo që mbetet në fatin e tyre janë vetëm netët e errëta. Atyre u ndërpritet zhvillimi. Nata e Kadrit do të thotë nata në të cilën caktohet fati i njeriut dhe vendoset se çfarë do të ndodhë me të, gjatë vitit të ardhshëm. Deri në çfarë shkalle do të rritet dhe do të zhvillohet ai? Çfarë fitimesh do të arrijë dhe cilat humbje do të pësojë? Të gjitha vendimet për zhvillimin e njeriut, merren në këtë natë të errët”.

Gjatë muajit Ramazan, një musliman përparon duke kaluar përmes tri etapave. Mëshirë, falje dhe shpëtim. Ky zhvillim arrin në shkallën më kulmore në Natën e Kadrit. Në thelb, ky është një udhëtim shpirtëror, i cili ndërmerret për të arritur shkallën më të lartë të dashurisë hyjnore.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. një herë tha:

“Nëse dikush nuk largohet nga gënjeshtra dhe sjellje të gënjeshtërta, Allahu nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga të ngrënit dhe të pirit”.
[Sahih el-Buhari, kitab “Es-Savm”, bab “Men lem jeda’u kavlez-zuri vel-‘amele bihi”, hadithi nr. 1903]

Me të vërtetë, në thelb Ramazani është pastërtia vjetore e shpirtit. Vetë duaja që bëhet në Natën e Kadrit, është një lutje përgjëruese drejtuar Allahut të Madhërishëm duke i kërkuar falje e dëlirësi.

O Allah! Ti Je Falës, shumë Bujar. Të pëlqen falja. Më fal mua!

Një herë në vit, vetëm për 30 ditë, na jepet një mundësi për t’iu përkushtuar plotësisht kujtimit të Zotit, ndërsa si shpërblim Ai na dhuron bekime të papërfytyrueshme. Ku mund të gjejmë një tregti kaq të favorshme, përveçse me Allahun. Është shumë e rëndësishme t’i drejtohemi Atij, dhe t’i kërkojmë falje, udhëzim dhe bekime. Zoti vetë ka deklaruar:

Unë jam afër, dhe i përgjigjem lutjes së lutësit, kur ai më lutet mua. (el-Bekare 2:187)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp