Disa ahmedianë shembullorë | Sahabë të Mesihut të Premtuar a.s
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
sahabet e Mesihut

Këtu nuk mund ta zgjas pa treguar faktin në shenjë mirënjohjeje se Zoti i Madhërishëm me bekimin dhe mëshirën e Tij, nuk më la vetëm. Ata që kanë krijuar lidhje vëllazërore me mua, që kanë hyrë në këtë Xhemat, të cilin Zoti i Lartësuar e ka themeluar me dorën e Vet, janë të praruar me një dashuri e sinqeritet krejtësisht të veçantë.

Këto shpirtra të mbushura me vërtetësi, Zoti i Madhërishëm m’i dha jo për shkak të përpjekjeve të mia, por me mirësinë e Tij të veçantë. Ndiej nxitje në zemër për t’ju përmendur më së pari një vëlla timin shpirtëror, i cili, si nuri i sinqeritetit të tij, quhet Nur Din. Disa nga shërbimet e tij për besimin, që ai po i bën duke shpenzuar pasurinë e tij hallall për ta ngritur emrin e Islamit, unë i shoh me lakmi dhe do të doja, sikur ato shërbime t’i bëja edhe unë.

Vetëm duke e përfytyruar patosin e tij që ka në zemër për ta mbështetur besimin, mua më shfaqet përpara syve plani mrekullibërës i Zotit, se si Ai i tërheq robërit e Tij drejt Vetes. Vëllai në fjalë me gjithë pasurinë e tij, me gjithë fuqinë e tij dhe me të gjitha mjetet e fuqishme që ka, përherë qëndron i gatshëm për t’iu bindur Allahut dhe të Dërguarit. E kam bindje të plotë jo thjesht nga mendimi i mirë rreth tij, por nga përvoja se ai nuk do të ngurrojë për të sjellë në rrugën time jo vetëm pasurinë, por edhe jetën dhe nderin e tij. Po ta kisha lejuar, ai do të qëndronte çdo çast në krye të detyrës, jo vetëm me praninë e tij shpirtërore, por edhe me atë fizike, duke sakrifikuar gjithçka në këtë rrugë. Do të doja të citoja si shembuj disa rreshta nga letrat e tij për lexuesit, që të kuptojnë se sa shumë ka përparuar në dashuri e sinqeritet vëllai im i dashur Maulvi Hekim Nur Din nga Bherva, mjek i shtetit Xhamu. Citoj:

Mbrojtësi ynë! Mësuesi ynë! Imami ynë! Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu! I nderuar Huzur, lutja ime është që çdo çast të qëndroj pranë jush dhe t’i arrij qëllimet për të cilat jeni caktuar si Imami i kohës. Po të më lejoni, do të jap dorëheqje nga puna, për të qëndruar ditë e natë në shërbimin tuaj. Po të më urdhëroni, do të largohem nga shtëpia e të bredh nëpër botë për të thirrur njerëzit drejt besimit të vërtetë dhe për të dhënë jetën po në këtë rrugë. Unë bie fli për rrugën tuaj. Gjithçka që është e imja, nuk është e imja, por juaja. Huzur, mbrojtësi dhe mësuesi im! Dua t’ju shpreh me plot sinqeritet se nëse e gjithë pasuria ime do të shpenzohet për përhapjen e besimit, e kam arritur qëllimin. Nëse blerësit e librit “Berahin” janë të shqetësuar nga vonesa e botimit, më lejoni të kryej më të voglin shërbim, që unë nga ana ime t’ua kthej të gjitha paratë që ata kanë paguar. Huzur, mbrojtësi dhe mësuesi im! Unë i kot dhe i penduar do të doja t’ju bëja një kërkesë, të cilën po e pranuat, do ta quaj veten fatlum: do të doja që mua të më ngarkoni të gjitha shpenzimet e botimit të librit “Berahin” dhe të gjitha paratë që do t’ju vijnë nga shitja e tij, t’i shpenzoni për nevojat tuaja. Lidhja ime me ju është si ajo e Farukut. Jam gati të flijoj gjithçka në këtë rrugë. Lutuni që vdekja ime të jetë ajo e të vërtetëve.

Sinqeriteti, vullneti, dhembshuria dhe vetëflijimi i Maulvi sahibit të lartpërmendur që janë të dukshme nga fjalët e tij, janë akoma më të qarta nga veprat dhe nga shërbimet e tij të sinqerta. Me një ndjenjë të përsosur dashurie e sinqeriteti, ai dëshiron të sakrifikojë gjithçka në këtë rrugë, madje edhe gjërat jetike të mbijetesës familjare. Shpirti i tij, nga patosi dhe vrulli i dashurisë, e nxit ta kapërcejë kapacitetin e tij. Ai çdo çast është i angazhuar në shërbim.[1]

Por do të ishte shumë e pamëshirshme nëse do ta ngarkonim këtë njeri vetëflijues me të gjithë barrën e stërmundimshme, që duhet ta ngrinte një grup burrash. Për ta kryer këtë detyrë, pa dyshim që Maulvi sahibi do të pranonte të hiqte dorë nga e gjithë pasuria e tij, duke thënë si profeti Ejub: “Erdha vetëm dhe vetëm do të shkoj”, por kjo është detyrë e përbashkët e gjithë popullit. Në një kohë plot rreziqe e trazira, që po lëkund më fort se kurrë lidhjen e brishtë të besimit që duhet të qëndronte mes Zotit dhe robit të Tij, të gjithë janë të obliguar të shqetësohen për fundin e tyre të mbarë dhe të bëjnë ato vepra, mbi të cilat varet shpëtimi dhe që mund t’i realizojnë duke sakrifikuar paratë e tyre të dashura dhe duke dhënë në shërbim kohët e tyre të shtrenjta; të frikësohen nga ligji i pandryshueshëm dhe i qëndrueshëm i Zotit të Lartësuar që Ai na e tregon në Fjalën e Tij të shenjtë:

domethënë, ju kurrsesi nuk mund të arrini mirësinë e vërtetë që ju çon te shpëtimi, derisa nuk do të shpenzoni atë pasuri dhe ato gjëra, që janë të dashura për ju.[2]

Këtu dua të përmend edhe disa nga shokët e mi të tjerë të dashur, të cilët janë pjesë e këtij Xhemati të Zotit dhe që janë aktivë dhe kanë dashuri të përzemërt ndaj meje. Njëri prej tyre është vëllai im Shejkh Muhammed Husejn nga Muradabadi, i cili gjatë kësaj kohe ka ardhur nga Muradabadi në Kadian dhe po shkruan kopje të kësaj teme vetëm për hir të Allahut. Zemrën e z. Shejkh e shoh të pastër si pasqyrë. Vetëm për hir të Allahut ai ka lidhje sinqeriteti e dashurie me mua. Zemra e tij është e përplotë me dashurinë e Allahut dhe është një njeri me karakter shumë të veçantë. Mendoj se ai është një pishtar i ndritur për Muradabadin dhe shpresoj se drita e sinqeritetit dhe e dashurisë që ka ai, t’u përçohet edhe të tjerëve në të ardhmen. Z. Shejkh ndonëse nuk është i pasur, është shumë bujar dhe zemërgjerë. Gjatë gjithë kohës qëndron i angazhuar në shërbim të këtij modesti. Besimi i tij me plot dashuri rrezatohet nga çdo qelizë e qenies së tij.

Një tjetër prej tyre është vëllai im Hakim Fazl Din Bhervi. Nuk kam fuqi të përshkruaj se sa i sinqertë është zotëria në dashurinë, miqësinë dhe në lidhjen personale të tij me mua. Pasi Zoti i Madhërishëm më tërhoqi vëmendjen për të shkruar këtë temë dhe më dha shpresa përmes shpalljeve të Tij të veçanta, shumë njerëzve u tregova për hartimin e kësaj teme, por asnjëri prej tyre nuk e ndau mendimin e njëjtë me mua, përveç këtij vëllait tim të dashur, të cilit pa ia thënë unë, më dha nxitje për ta shkruar këtë temë dhe gjithashtu dha edhe njëqind rupi për shpenzimet e saj. Jam i befasuar nga besimi i tij largpamës se si dëshira e tij përkoi me dëshirën e Zotit të Madhërishëm. Ai fshehtas qëndron i angazhuar në shërbimin tim dhe vetëm duke kërkuar pëlqimet e Allahut më ka dhënë fshehurazi disa qindra rupi deri më tani. Zoti ia shpërbleftë me të mira!

Një tjetër prej tyre është vëllai im shumë i dashur, Mirza Azim Begu, Zoti e mëshiroftë dhe e faltë, Beu i Samanasë, Patiala, që na lëndoi fort zemrën me ndarjen e tij nga ne. Më 2 Rebiuth-thani 1308 hixhri, ai u nda nga kjo botë e vdekshme.

Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. Sytë na lotojnë, zemra na brengoset dhe jemi të pikëlluar nga largimi i tij!

Nga mund t’i gjej fjalët që të arrij të përshkruaj shkallën e lartë të dashurisë se si i ndjeri Mirza vetëm për Allahun më donte dhe flijohej për mua?! Në jetën time, dhimbja dhe brenga që shkaktoi largimi i tij i parakohshëm, është një rast i rrallë. Ai ishte forca jonë që na printe përpara, por na u largua krejt papritmas. Gjersa të jem gjallë, nuk mund ta harroj dot ndarjen e tij.

Kaq shumë dhimbje kam në zemër, që po të binte nga sytë,
lumë do të rridhte nga këmisha dhe mëngët e mia

Kur më kujtohet largimi i tij, ndiej trishtim në gjoks e dhimbje në zemër dhe më lotojnë sytë. Qenia e tij ishte plot dashuri. Ishte shumë i guximshëm në realizimin e veprave që buronin nga vrulli i dashurisë. E kishte dedikuar tërë jetën në këtë rrugë. Nuk besoj se ai ëndërronte ndonjë gjë tjetër përveç kësaj. Ndonëse kishte shumë pak mjete financiare, në shërbimet e fesë ai paratë i shikonte më të pavlerë se dheu. Kishte intuitë të lartë për të kuptuar sekretet e njohjes së Zotit. Qenia e tij e mbushur me bindje e dashuri ndaj meje ishte një mrekulli e Zotit. Më bëhej zemra mal kur e shikoja atë. Ai la pas të afërmit dhe fëmijën e tij të vogël në gjendje tejet të rëndë e të papërkrahur. O Zot i Plotfuqishëm! Bëhu Mbrojtësi dhe Kujdestari i tyre dhe frymëzo të dashurit e mi të përmbushin detyrën e dhembshurisë ndaj të afërmve të këtij vëllai të tyre, të cilët kanë mbetur pa mjete dhe pa strehë!

O Zot! O Zgjidhja e çdo zemërthyeri!
O Streha e çdo të paafti! O Falësi i mëkatarëve!
Fale këtë rob Tëndin me mirësi,
tregoju mëshirë edhe të mbeturve!

Këtu kam përmendur disa shokë si shembuj, por kam edhe shokë të tjerë po të kësaj natyre dhe të kësaj madhështie, të cilët do t’i përmend hollësisht në një libër më vete. Tema po zgjatet dhe po mjaftohem me kaq.

LEXONI EDHE :


[1] Hazret Maulvi sahibi zotëron njohuri të thella në dijet e fikhut, të haditheve dhe të komentimit të Kuranit. Zotëron shumë mirë fizikën tradicionale dhe bashkëkohore. Është edhe mjek i shkëlqyeshëm. Ka përgatitur një bibliotekë të rrallë duke sjellë libra nga Egjipti, Arabia, Siria dhe Evropa. Përveçse është dijetar në këto fusha, edhe spektri i njohurive fetare të tij, që dallohet në diskutimet e tij, është jashtëzakonisht i gjerë. Është edhe autor i shumë librave të dobishëm. Ditët e fundit shkroi librin “Tasdik Berahin-e-Ahmedia”, që për studiuesit është një vepër më e çmuar se diamantet. (Autori)

[2] Ali-Imran 3:93.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp