Përhapja e mesazhit | Xhemati Musliman Ahmedia
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Zoti i Madhërishëm tani do që ta ringjallë këtë Islam. Ishte e nevojshme që Ai të vendoste prej Vetes një ndërmarrje të jashtëzakonshme dhe ndikuese në çdo aspekt për ta sjellë në jetë këtë projekt madhor. Andaj, Zoti i Urtë dhe i Plotfuqishëm kështu veproi: dërgoi këtë rob modest për ripërtëritjen e njerëzve. Dhe punën e përhapjes së Islamit dhe çështjen e mbështetjes të së vërtetës e ndau në degë të ndryshme, që t’i tërheqë njerëzit në rrugën e drejtë.

Njëra prej këtyre degëve është ajo e përgatitjes së librave, një përgjegjësi me të cilën është ngarkuar ky modest. Mua më janë dhënë ato dije dhe njohuri që nuk vijnë nga fuqia e njeriut, por vetëm nga fuqia e Zotit të Madhërishëm dhe më janë zgjidhur vështirësitë jo nga përpjekja njerëzore, por nga mësimet prej shpirtit të shenjtë.

Dega e dytë e kësaj ndërmarrjeje është publikimi i broshurave dhe i njoftimeve, gjë e cila po vijon me urdhrin e Zotit për argumentim të plotë. Deri më tani u botuan pak më shumë se njëzet mijë fletëpalosje me qëllim që t’ua shpërndajmë argumentet islame popujve të tjerë dhe këto do të vijojnë të botohen sipas nevojës edhe në të ardhmen.

Dega e tretë e kësaj ndërmarrjeje përfshin vizitorët, mysafirët dhe udhëtarët që vijnë në kërkim të së vërtetës si dhe për qëllime të tjera të ndryshme, që vijnë për të më takuar të nxitur nga informimi i ndërmarrjes hyjnore. Edhe kjo degë vijon të përhapet. Dikur më pak e dikur vërshimi i tyre bëhet shumë i madh. Kështu që në këto shtatë vite, duhet të kenë ardhur më shumë se gjashtëdhjetë mijë mysafirë. Se sa prej atyre që kishin zemra të përgatitura, u janë mundësuar përmes fjalimeve qetësi shpirtërore dhe zgjidhje të problemeve të tyre dhe u janë larguar dobësitë, këtë e di Zoti i Madhërishëm.

Por nuk ka aspak dyshim që ligjëratat që janë mbajtur e që mbahen në përgjigje të pyetjeve të tyre, ose fjalimet që mbaj në varësi të kohës dhe të situatës, në disa raste ndikuan pozitivisht shumë më shumë se sa librat, pasi ato janë më të efektshme dhe më shpejt nguliten në zemra. Kjo është arsyeja që të gjithë profetët e kanë praktikuar këtë metodë. Madje, përveç Fjalës së Zotit të Madhërishëm që u publikua si shkrim i mbyllur, të gjitha fjalimet e profetëve u përhapen në formë ligjëratash në kohërat e tyre.

Në përgjithësi, profetët këtë metodë e kanë pasur dhe si ligjërues dhe njëherësh njohës të situatës, në takime dhe mbledhje të ndryshme në bazë të nevojës dhe në bazë të gjendjes së njerëzve, flisnin duke u fuqizuar nga shpirti i shenjtë. Ata nuk flisnin si folësit e kohës së sotme, që synojnë vetëm të nxjerrin në pah bagazhin e tyre arsimor ose zënien e ndonjë njeriu të thjeshtë me anë të oratorisë së gënjeshtërt dhe të arsyetimeve sofistike, duke e bërë atë afër xhehenemit më shumë se veten.

Kurse profetët flisnin me çiltërsi të skajshme dhe atë që gurgullonte në zemrën e tyre, ua kalonin zemrave të njerëzve të tjerë. Fjalët e tyre të shenjta binin mu aty dhe për atë që duhej. Ata nuk i rrëfenin audiencës asnjë gjë për qejf apo si përrallë, por i këshillonin në formë mjekimi, duke i parë të sëmurë dhe të përfshirë në lloj-lloj gjëmash shpirtërore; ose me argumente të pathyeshme ua largonin dyshimet. Bisedat e tyre ishin fjalëpakta, por kuptimplota.

Ndaj, po këtë metodë e zbaton edhe ky modest dhe për vizitorët dhe mysafirët, duke parë aftësinë, nevojën dhe duke marrë parasysh sëmundjet e tyre, gjithmonë e mban hapur derën për fjalime.[1] Sepse kjo detyrë nuk mund të përmbushet në asnjë mënyrë tjetër veçse të piketohet e keqja dhe të jepen këshilla në mënyrë të herëpashershme për ta larguar atë, ose veset të trajtohen si gjymtyrë që kanë lëvizur nga vendi i tyre dhe të bëhen përpjekje që ato të vijnë në vendin e vet.

Zoti i Madhërishëm, pikërisht për këtë arsye, dërgoi disa mijë profetë e të dërguar dhe i porositi njerëzit e tjerë të dritësoheshin duke u shoqëruar me ta, në mënyrë që njerëzit e çdo kohe të gjenin shembuj të gjallë të komunikimit me Zotin dhe t’i ndiqnin ata. Shoqërimi me të dëlirët po të mos ishte i obliguar fetarisht, Zoti i Madhërishëm mund ta dërgonte fjalën e Tij edhe pa i sjellë të dërguarit dhe profetët. Ose dërgimin e profetëve e të dërguarve mund ta kufizonte vetëm deri në kohën fillestare, për ta ndërprerë atë dhe shpalljen përgjithmonë.

Por urtësia absolute e Zotit të Madhërishëm nuk e cilësoi të pranueshme një gjë të tillë, përkundrazi, sa herë që lindi nevoja, pra sa herë që elementet jetike si dashuria ndaj Zotit, adhurimi ndaj Tij, droja e dëlirësia ndaj Tij etj. pësuan ndryshim, njerëzit e shenjtë morën shpallje prej Zotit dhe erdhën si shembuj në tokë. Këto dy çështje plotësojnë njëra-tjetrën.

Nëse Zoti i Madhërishëm synon përmirësimin e përgjithmonshëm të njerëzve, është e nevojshme të vijnë gjithmonë edhe njerëz, të cilëve Zoti i Madhërishëm t’u ketë dhënë përmes vullnetit të Tij të veçantë, shikimin dhe qëndrueshmërinë në rrugën e pëlqimeve të Tij. Nuk ka dyshim në këtë çështje dhe është e pranueshme nga të gjithë që detyrën madhore të të udhëzuarit të njerëzve nuk e realizon dot vetëm duke rendur penën nëpër letra, por duke e shkelur vetë rrugën që kanë shkelur që nga lashtësia profetët fisnikë të Zotit të Madhërishëm.

Sapo hodhi hapin e tij, Islami e vuri në praktikë këtë metodë ndikuese në mënyrë kaq të fuqishme e të palëkundur, saqë nuk mund t’ia gjejmë dot shembullin në fetë e tjera. Kush mund të na tregojë një xhemat tjetër që i ngjan Xhematit të madh që përbëhej nga më shumë se dhjetë mijë veta, të cilët me bindje, përulësi, vetëflijim dhe përqendrim të skajshëm natë e ditë rrinin te pragu i Profetit për të gjetur të vërtetën dhe për të mësuar rrugën e drejtë?!

Pa dyshim, edhe Hazret Musai gjeti një xhemat, por se si dhe sa rebel dhe i pabindshëm ishte ai dhe sa larg shoqërimit me të ndershmit dhe hapit të së vërtetës ishte ai, këtë e dinë shumë mirë ata që lexojnë Biblën dhe studiojnë historinë e hebrenjve. Por Xhemati i Profetit Muhammedsavs arriti të krijonte bashkim dhe ngjashmëri shpirtërore kaq të plotë me rrugën profetike, saqë në dritën e vëllazërisë islame ata përnjëmend ishin bërë si një trup i vetëm. Sjellja dhe jeta e përditshme e tyre, së jashtmi dhe së brendshmi, rrezatonin dritën profetike, si të thuash, të gjithë ishin bërë pasqyrim i Profetit Muhammedsavs.

Kështu që, mrekullia madhështore e ndryshimit të qenies njerëzore është që idhujtarët e mëkequr u bënë adhurues të përsosur të Zotit, të zhyturit në çdo çast në jetën e kësaj bote arritën të krijonin lidhje kaq të fortë me të Dashurin e Vërtetë, saqë në rrugën e Tij derdhën si ujë gjakun e tyre. E gjithë kjo në të vërtetë ishte rrjedhojë e bashkëjetesës së sinqertë me një Profet të vërtetë e të përsosur. Mu për këtë arsye është caktuar edhe ky modest, në mënyrë që të vijojë ky Xhemat në të njëjtën vijë. (Zoti) do që të rritet edhe më shumë Xhemati që qëndron në shoqërinë time dhe njerëzit që kanë dëshirë të shtojnë besimin, dashurinë dhe bindjen, të qëndrojnë ditë e natë me mua, në mënyrë që edhe atyre t’u shfaqen dritësimet që më janë shfaqur mua dhe që edhe atyre t’u jepet kënaqësia që më është dhënë mua, në mënyrë që drita e Islamit të përhapet përgjithshëm dhe njolla e zezë e përçmimit dhe e poshtërimit, të lahet nga balli i muslimanëve. Me këtë lajm të mirë më dërgoi Zoti dhe më tha:

“Çohu! Momenti yt i caktuar ka ardhur dhe hapi i muhammedianëve së shpejti do të arrijë në një minare shumë të lartë e të vendosur.”

Dega e katërt e kësaj ndërmarrjeje përbëhet nga letrat që u dërgohen kërkimtarëve të së vërtetës ose kundërshtarëve. Kështu që, deri më tani gjatë periudhës së përmendur më sipër, mund të më kenë ardhur më shumë se nëntëdhjetë mijë letra, dhe përveç disave prej tyre që i kam cilësuar si të kota dhe të panevojshme, të gjithave u jam përgjigjur. Edhe kjo detyrë vijon të realizohet dhe çdo muaj më vijnë nga treqind deri në shtatëqind e madje ndonjë muaj edhe në një mijë letra.

Dega e pestë e kësaj ndërmarrjeje, që Zoti i Madhërishëm e vendosi me shpalljen dhe frymëzimin e veçantë prej Tij, përbëhet nga nxënësit dhe besëlidhësit[2]. Kështu që, në kohën kur Ai e vendosi këtë Xhemat, më tha: Toka është e përfshirë në një furtunë devijimi dhe, në këtë kohë, ndërto një anije; ai që do të hipë në të, do të shpëtojë nga përmbytja, kurse atij që do ta mohojë, i kanoset vdekja. Dhe më tha: Ai që jep dorë në dorën tënde, nuk e ka dhënë në dorën tënde, por në dorën e Zotit të Madhërishëm. Ai Zot më dha sihariqin: Unë do të të jap vdekje dhe do të të ngre drejt Meje, por ndjekësit dhe të dashurit e tu të sinqertë do të mbeten deri në ditën e kiametit dhe ata përgjithmonë do të kenë ngadhënjim mbi mohuesit.

Këto ishin pesë degët e këtij Xhemati, të cilin Zoti i Madhërishëm e vendosi me dorën e Vet. Me shikim të parë, dikush mund të quajë të nevojshme vetëm degën e botimeve, kurse degët e tjera si të tepërta e të kota, por në sy të Zotit të Madhërishëm, që të gjitha ato janë të nevojshme. Reforma që Ai dëshiron të bëhet, nuk mund të realizohet pa i vënë në lëvizje këto pesë degë. E gjithë kjo ndërmarrje ndonëse i besohet ndihmës së veçantë dhe bekimit të veçantë të Zotit të Madhërishëm dhe Ai Vetë është i Mjaftueshëm për ta kurorëzuar atë dhe vetëm premtimet e Tij të gëzueshme më japin qetësi, por po me urdhrin dhe nxitjen e Tij u tërheq vëmendje muslimanëve, ashtu siç të gjithë profetët e Zotit të Madhërishëm kanë bërë në kohëra të vështira.

LEXONI EDHE

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp