Koncepti i Shurasë (Organit Këshillimor) në Islam
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Koncepti i Shurasë (Organit Këshillimor) në Islam

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Hutbeja e së xhumasë, e mbajtur nga Hazret Sjeduna Amirul Muminin Mirza Masrur Ahmedi, Kalifat i Pestë i Mesihut të Premtuar (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) më 12 maj 2023 në xhaminë Mubarek, Islambad, Tilford, Angli.

فَبِمَا رَحْمَةٍ مِّنَ ٱللَّهِ لِنتَ لَهُمْ ۖ وَلَوْ كُنتَ فَظًّا غَلِيظَ ٱلْقَلْبِ لَٱنفَضُّوا۟ مِنْ حَوْلِكَ ۖ فَٱعْفُ عَنْهُمْ وَٱسْتَغْفِرْ لَهُمْ وَشَاوِرْهُمْ فِى ٱلْأَمْرِ ۖ فَإِذَا عَزَمْتَ فَتَوَكَّلْ عَلَى ٱللَّهِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ يُحِبُّ ٱلْمُتَوَكِّلِينَ

Përkthimi i këtij ajeti është si një vijim:

“Për shkak të mëshirës nga Allahu, je bërë i butë për ta. Po të ishe i vrazhdë, zemërgur, ata do të largoheshin prej teje. Andaj, fali dhe kërko falje për ta dhe këshillohu me ta në çështjet. E kur të vendosësh, mbështetu tek Allahu. Sigurisht, Allahu i do ata që mbështeten (tek Ai)”. (Ali Imran 3:160)

Këto ditë, po zhvillohen mbledhjet e Institutit të Shurasë (Organit Këshillimor) të xhematit në vende të ndryshme të botës. Në disa vende, këto mbledhje tashmë janë përfunduar, ndërsa në disa vende të tjera, këto mbledhje do të mbahen gjatë kësaj jave, apo në javën që vjen. Sot, është mbledhur Instituti i Shurasë në Gjermani, si dhe në disa vende të tjera. Po ashtu, në javën e ardhshme do të mblidhet ky Organ Këshillimor në Angli, si dhe në disa vende të tjera.

Rëndësia e Shurasë dhe përgjegjësia e anëtarëve të saj

Për rëndësinë e Institutit të Shurasë dhe për përgjegjësinë e anëtarëve të saj, kam folur edhe në të kaluarën, por meqë tashmë kanë kaluar disa vite, prandaj m’u duk e arsyeshme ta shtjelloj këtë temë, në bazë të porosive të Allahut, praktikës së të Dërguarit të Tij s.a.v.s. dhe traditave si dhe metodologjisë së xhematit.

Anëtarët e Shurasë, të cilët tashmë kanë përfunduar mbledhjet e tyre, gjithashtu mund të përfitojnë nga këto fjalë, që lidhen me përgjegjësinë dhe detyrat e anëtarëve të këtij Organi Këshillimor. Ata gjithashtu duhet të mbajnë parasysh këto pika (që do ndaj sot me ju).

Disa detyra të anëtarëve nisen vetëm pas vendimit të Kalifit

Disa nga detyrat e anëtarëve, nisen vetëm pas miratimit përfundimtar nga Kalifi të rekomandimeve të Institutit të Shurasë. Çdo anëtar duhet të luajë rolin që i është përcaktuar për zbatimin e atyre vendimeve. Megjithatë, para se t’ua tërheq atyre vëmendjen për detyrat e tyre, dua të shpjegoj diçka në lidhje me ajetin që kam recituar dhe do për modelin dhe sjelljen e të Dërguarit të Allahuts.a.v.s.. Nëse ky ajet pohon që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ushqehej me një dhembshuri të skajshme për umetin e tij, ai gjithashtu tërheq vëmendjen tonë që ata të cilët kanë përgjegjësinë për të vijuar detyrën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., si dhe për përmbushjen e misionit të Mesihut të Premtuar a.s., i cili ka ardhur si shërbëtor i Profetit, si dhe të sillemi me dashuri, përdëllesë dhe butësi ndaj njëri-tjetrit. Allahu i Madhërishëm tregon se nëse i Dërguari i Tij s.a.v.s. në vend të butësisë, të sillej me vrazhdësi dhe zemërim, njerëzit do të largoheshin prej tij. Kështu Allahu i Madhërishëm krahas urdhrit, për të treguar durim e ndjesë, dhe për t’u lutur për faljen e tyre, e porosit atë për t’u këshilluar me të tjerët.

Pikërisht, në bazë të këtij parimi dhe mësimi, organizohen kuvendet e Shurasë anembanë botës, por siç e sugjeron vetë emri, ky organ shërben për të këshilluar, e jo për të marrë vendimin. Andaj, Allahu ka thënë, kur të marrësh vendimin, pasi që je këshilluar me ta, duhet ta zbatosh duke u mbështetur plotësisht tek Allahu. Kur njeriu mbështetet në Allah, rezultati i përpjekjeve është gjithashtu më i bekuar.

Shembullin më të përkryer të mbështetjes, e gjejmë në shembullin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Për mjaft çështje, ai merrte udhëzim drejtpërdrejt nga Allahu i Madhërishëm, megjithatë për çështjet, për të cilat, nuk merrte ndonjë përudhje të qartë prej Zotit, ai kërkonte këshilla prej sahabëve. Porositë e Allahut dhe praktika e Profetit s.a.v.s. na tregojnë se si duhet të jetë sjellja e zyrtarëve të xhematit ndaj anëtarëve dhe si duhet të veprojnë me njëri-tjetrin përmes këshillimit dhe konsultimit.

Është mirësia e Allahut të Madhërishëm që ai bekoi Xhematin Musliman Ahmedia me sistemin hyjnor të Kalifatit, andaj edhe Kalifi i kohës, në përputhje me urdhrin e Allahut dhe praktikën profetike, këshillohet me anëtarët e xhematit, që gjenden në të gjitha skajet e botës, sipas kushteve e rrethanave të tyre.

Padyshim, po të kishte dashur, Allahu do të udhëzonte të Dërguarin e Tij, në çdo çështje, megjithatë duke e porositur të kërkonte këshilla në disa çështje, Ai na tregoi se veprat që bëhen me anë të këshillimit dhe konsultimit, janë më të pëlqyera, madje ato forcojnë frymën e bashkëpunimit dhe unitetit në brena umet.

Një thënie profetike, na udhëzon këtë drejtim. Hazret Ibn Abasi r.a. ka përcjellë se kur zbriti ajeti وَشَاوِرْهُمْ فِى ٱلْأَمْرِ (këshillohu me ta në çështje) i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Ndonëse Allahu dhe i Dërguari i Tij janë të pavarur dhe nuk obligohen t’i përmbahen këtij urdhri, megjithatë Allahu e ka cilësuar këshillimin si përdëllesë dhe mëshirë për umetin tim, prandaj çdo njeri që vepron me këshillim e konsultim, nuk do të privohet nga udhëzimi, ndërkohë ai që nuk vepron me këshillim, e pret vetëm poshtërimi”.

(el-Xhami’ Li-sh’ubil Iman, vëll. X, f. 41, hadithi 7136, botuar në Rijad, në 2003)

Pra, edhe pse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk kishte nevojë të kërkonte këshilla e bënte konsultime, megjithatë ai këshillohej me sahabët, për të vetmen arsye, t’i jepte një shembull të shkëlqyer umetit. Me qëllim që umetit t’i mos mungojë mëshira e Allahut dhe muslimanët të hedhin hapat gjithmonë në rrugën e drejtëudhëzimit dhe t’i shmangen humbjes dhe poshtërisë.

Ky është një favor i veçantë i Allahut ndaj nesh, se instituti i Shurasë funksionon te ne, andaj çdo anëtar i shurasë duhet ta vlerësojë e ta çmoj këtë dhunti dhe të falënderojë Zotin, që Ai na ka bekuar me këtë rrugë udhëzimi dhe përudhjeje.

Cila është praktika e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për këshillim

Sot do t’ju shpjegoj nga historia e Islamit, në lidhje me praktikën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për mënyrën e të këshilluarit si dhe për rastet, në të cilat ai kërkonte këshilla. Kalifët e drejtëudhëzuar gjithashtu vazhduan këtë praktikë profetike dhe në këtë kohë, edhe Mesihu i Premtuar a.s. ka vepruar në këtë metodë.

  1. Një mënyrë ishte e tillë, kur muslimanët përballeshin me një situatë, e cila kërkonte konsultimin e gjerë për të gjetur zgjidhje, një lajmëtar njoftonte sahabët për t’u mbledhur në një vend. Pastaj, duke shqyrtuar të gjitha këshillat dhe mendimet, i Dërguari i Allahut a.v.s. merrte një vendim. Pas vdekjes së Profetit s.a.v.s. kalifët e drejtëudhëzuar gjithashtu vepruan në këtë mënyrë. Meqë në atë kohë, ekzistonte sistemi feudal, andaj edhe pse mund të mblidheshin mjaft anëtarë të një fisi, të drejtën për të dhënë mendimin në përgjithësi i jepej vetëm kryetarit apo prijësit të fisit. Një fis i plotë në përgjithësi kishte vetëm një përfaqësues dhe njerëzit gjithashtu pëlqenin që kryetari apo prijësi i tyre të jepte këshillën. Sipas traditës së asaj kohe, nëse dikush guxonte të jepte një mendim, që binte ndesh me mendimin e kryetarit të tij, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porosiste për t’i dhënë këtë mendim kryetarit apo amirit të tij, që ky i fundit ta paraqiste para të tjerëve në përputhje me rregullin. Pra mendimi i tij individual nuk kishte ndonjë vlerë.
  2. Mënyra e dytë ishte e tillë, që nëse i Dërguari i Allahut a.v.s. nuk e konsideronte të arsyeshëm konsultimin me dikë, ai nuk kërkonte një mbledhje të përgjithshme, por vetëm takimi i njerëzve të caktuar për konsultime.
  3. Sipas mënyrës së tretë, nëse i Dërguari i Allahut a.v.s. ishte i mendimit që (konsultimi të ishte i fshehtë) dhe nuk duhet që mblidheshin as dy persona për konsultim, ai i ftonte njerëzit veç a veç, për takimin kokë me kokë. Pra, ftohej një person për konsultim, dhe pas largimit të tij, konsultohej me personin tjetër. (Khitabate Shura, vëll. 1, f. 6,7, Takimi i organit Këshillimor 1922)

Kështu që, ishin këto tri metoda për konsultim, që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe pas tij, katër kalifë të drejtëudhëzuar kanë përdorur. Ndonëse Allahu dhe i Dërguari i Tij s.a.v.s. janë të pavarur nga kërkimi i këshillave, kemi disa dëshmi historike që pohojnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në raste të ndryshme, kishte kërkuar mendimin e sahabëve, madje ai shpesh konsultohej e këshillohej me sahabët për çështje të ndryshme.

Hazret Ebu Hurejra r.a. gjithashtu ka përcjellë se ai nuk kishte parë askënd që këshillohej më shumë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. (Tirmidhiu, Ebvabul Xhihad, Bab: Ma xha’a fil-meshvireh, hadith 1714)

Ky tipar i rëndësishëm nga jeta i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. është një tregues dhe nxitës i rëndësishëm për besimtarët. Nëse Profeti, i cili gëzonte udhëzimin e drejtpërdrejtë nga Allahu i Madhërishëm, i pëlqen të kërkojë mendimin e të tjerëve, sa më shumë vëmendje duhet t’i kushtoni ju kësaj dukurie.

Unë dua të citoj këtu vetëm një ngjarje që flet për këshillimin. Hazret Mu’adh ibn Xhebeli r.a. ka përcjellë se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi të më caktonte në Jemen, ai u konsultua me sahabë të ndryshëm, përfshirë Ebu Bekrin r.a., Omerin r.a., Osmanin r.a., Telhain r.a., Zubejrin r.a. etj.. Hazret Ebu Bekri r.a. i tha: O i Dërguar i Allahut! Nëse nuk do të na kishit kërkuar mendimin tonë, ne nuk do të shprehnin asgjë për këtë çështje. Profeti s.a.v.s. iu përgjigj: “Për çështjet, të cilat nuk marr ndonjë shpallje prej Zotit, unë jam njësoj si ju”. Hazret Mu’adhi r.a. rrëfen se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi sahabët për të dhënë mendimin e tyre për këtë çështje, secili ndau mendimin me të. Në fund, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeti Mu’adhin duke thënë: O Mu’adh! Më trego, çfarë mendon ti?” Unë i thashë: “Unë i pajtohem mendimit të Hazret Ebu Bekrit r.a.”. (et-Tebaraniu, el-Mu’xhemul Kebir,  vëll. 2, f. 27, hadith nr. 124, botuar nga Daru Ihjait-Turath, Bejrut)

Ky rrëfim nxjerr në pah jo vetëm thjeshtësinë dhe përulësinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që ai kishte kërkuar edhe mendimin e Mu’adhit, por shfaq edhe rëndësinë e konsultimit. Ky duhet të jetë shembulli më i shkëlqyer për ne që sa shumë vëmendje duhet t’i kushtojmë sistemit të këshillimit. Shembulli i sahabëve gjithashtu na tregon se kur ata jepnin mendimin e tyre, sipas porosisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ata jepnin mendimin më të mirë, në bazë të njohurisë dhe aftësisë së tyre, dhe duke pasur druajtje prej Zotit.

Kur jobesimtarët e Mekës vazhduan përndjekjen e muslimanëve, dhe tentuan t’u prishnin qetësinë dhe rendin, edhe pse këta të fundit ishin shpërngulur në Medinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kërkoi mendimin sahabëve për parandalimin e kësaj situate. Në këtë këshillim, ai përfshiu krerët e ensarëve dhe të muhaxhirëve, dhe pas konsultimit dhe pëlqimit të gjithanshëm, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u nis drejt Bedrit. Ai gjithashtu shprehu kënaqësinë dhe pëlqimin e tij për devotshmërinë dhe besnikërinë e krerëve të Ensarëve, që kishin treguar ata gjatë këshillimit.

(E përmbledhur nga Siret Khatemun Nebijjin, Mirza Beshir Ahmedi, f. 354,355)

Këshillimi nuk kufizohet vetëm me dhënien e mendimit, por përbëhet edhe nga sjellja dhe veprimi i këshilluesve dhe zotimi i tyre për të qenë shembullor në zbatimin e tij. Këshilla është e kotë, nëse asaj i mungon zotimi dhe vullneti i përmbushjes. Kemi parë shembullin e atyre sahabëve, të cilët vërtetuan besnikërinë dhe përkushtimin e tyre me anë të veprave fisnike. Ata nuk dhanë vetëm këshillat por praktikisht dhanë edhe jetë për përmbushjen e tyre.

Pra, anëtarët e shurasë, kudo që ndodhen, duhet të mbajnë parasysh që në radhë të parë, ata duhet të përgatiten, për të qenë të parët për çdo lloj sakrifice në përmbushjen dhe zbatimin e atyre vendimeve të cilat miratohen nga Kalifi i Kohës, dhe të cilat dalin pas procesit të këshillimit.

Nëse anëtarët e shurasë do të tregojnë shembullin e tyre praktik për zbatimin e vendimeve, kjo do të frymëzojë edhe anëtarët e thjeshtë të xhematit të ofrojnë sakrifica me kënaqësi në këtë drejtim. Anëtarët e shurasë duhet të mbajnë parasysh që të tregojnë shembullin më të lartë të betimit të besnikërisë dhe bindjes ndaj Kalifatit, që pritet nga një musliman ahmedian, sepse ju jeni zgjedhur si anëtarë të atij organi mbështetës, që përkrah institutin e Kalifatit dhe sistemin e Xhematit.

Të dini, nëse Kalifi i Kohës është porositur të kërkojë këshilla nga anëtarët e umetit, duke ndjekur praktikën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ai është gjithashtu porositur për të shfaqur zemërbutësi dhe për të vepruar me lutje. Në anën tjetër, ata që japin këshillat gjithashtu janë porositur të japin mendimin e tyre me drejtësi, sinqeritet dhe druajtje.

Këshilluesit duhet të japin mendimin e tyre me paanshmëri e druajtje

Ata që japin këshilla, të mos harrojnë që mendimet e tyre duhet të përputhen me kriteret e larta të ndershmërisë dhe druajtjes. Kjo i ngarkon këshilltarët me një përgjegjësi shumë të madhe, që të kontrollojnë nëse gjenden në nivelin e duhur të druajtjes. Një transmetim nga Hazret Aliu r.a. gjithashtu e nënvizon këtë pikë. Ai tha:

شَاوِرُوا فِيهِ الْفُقَهَاءَ وَالْعَابِدِينَ

d.m.th. këshillohuni me njerëz të ditur dhe të devotshëm (shpirtërisht).

(Kenzul ‘Umal, vëll. 3, f. 411, hadith nr. 7191, botuar nga Muesisitur-Rrisala, Bejrut, 1985)

Nuk lejohet të këshillohemi me çdofarë njeriu, dhe i tillë duhet të jetë niveli i përfaqësuesve. Kjo porosi vlen për ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre në organin e Shurasë. Ata duhet të zgjedhin anëtarët, të cilët u duken si të mendjemprehtë, të mençur, që zotërojnë diturinë fetare dhe kanë një nivel të mirë të adhurimit. Kudo që anëtarët e xhematit kanë respektuar këto kritere, kam vënë re një dallim të qartë në mendimet e atyre anëtarëve.

Po ashtu është edhe përgjegjësia e përfaqësuesve të zgjedhur, që anëtarët e xhematit e kanë zgjedhur dikë si përfaqësues në organin këshillimor me një qëllim të pastër, ai duhet ta përmbushë këtë pritshmëri. Natyrisht, njeriu nuk mund të arrijë shkallët e larta të dijes, apo të thellohet në diturinë fetare brenda vetëm një apo dy ditëve, ai mund të bëjë që me anë të druajtes ndaj Zotit, të japë mendimin, i cili është i pastër nga çdolloj interesi.

Në çdo vend, ku po zhvillohen takimet e Shurasë, përfaqësuesit duhet të japin mendimin e tyre, duke iu përkulur vetëm Zotit dhe duke i kërkuar ndihmë me anë të lutjes. Asnjë përfaqësues, të mos bashkojë mendimin e tij me dikë tjetër, thjesht duke u ndikuar nga fjalimi i një folësi, apo për shkak të lidhjeve miqësore. Në të njëjtën mënyrë, ai nuk duhet të tërhiqet nga mendimi i tij për shkak të frikës apo të respektit të madh ndaj tjetrit. Përkundrazi, ai mund të përmbushë detyrën e tij si përfaqësues, vetëm nëse ka parasysh kriterin e druajtjes, dhe kur ai i jep epërsi interesit të xhematit kundër çdo interesi tjetër.

Nuk duhet të harrojmë, se Zoti i di edhe fshehtësitë e zemrës sonë dhe Ai kontrollon çdo vepër tonën. Nëse nuk e kemi parasysh pëlqimin e Tij, a vallë mos po i tërheqim zemërimin?

Po kështu, anëtarët e shurasë të atyre vendeve, takimet e të cilëve tashmë janë përfunduar, gjithashtu duhet të përmbushin detyrën e tyre tani duke përmirësuar shkallën e tyre të veprave dhe duke u betuar se do të kontrollojnë gjendjen e tyre shpirtërore e morale si dhe do të përpiqen me takva, për të siguruar zbatimin e vendimeve në nivelin personal si në xhemat në përgjithësi.

Kur të kemi arritur këtë gjendje, do të arrijmë gjithashtu të tërheqim mëshirën e Allahut dhe kështu to do të bekohen edhe vendimet që kemi marrë. Për ndryshe, e gjithë përpjekja jonë për t’u mbledhur në një vend dhe mbajtja e fjalimeve të zjarrta në mbështetje të mendimit tonë, do t’i ngjajë retorikës së parlamenteve politike, të cilave u mungon druajtja ndaj Zotit, dhe të cilat miratojnë ligje që në disa raste synojnë drejtpërdrejtë degjenerimin moral dhe shkeljen e urdhrave hyjnorë. Aty parësorja është vetëm qëllimi i partisë së vet. Në disa rate, pasojat e këtyre vendimeve dalin shumë shpejt, të cilat shkaktojnë kaos dhe çrregullim në rendin shoqëror. Në disa raste, këto pasoja shfaqen më vonë, por atyre u mungon bekimi. Sidoqoftë, të gjitha vendimet që u kundërvihen ligjit të Zotit dhe urdhrave të Tij, përfundimisht shkaktojnë shkatërrimin e popujve. Prandaj, gjendja e njerëzve materialistë, duhet të motivojë për të përmirësuar gjendjen tonë.

Siç ju kam thënë, takimet e Shurasë organizohen sipas porosisë së Kalifit të kohës dhe këshillat e përfaqësuesve gjithashtu i paraqiten atij, andaj nuk duhet harruar që Instituti i Shurasë është organi mbështetës i Kalifatit, prandaj pas kalifatit ky institut ka një rëndësi të veçantë.

Çdo anëtar që zgjidhet për Institutin e Shurasë ka një mandat një vjeçar. Ai gjithmonë duhet të mbajë parasysh këtë përgjegjësi.

Përmes agjendës dhe këshillave të Shurasë, Kalifi i Kohës gjithashtu mëson problematikat me të cilat po përballet xhemati në vende të ndryshme të botës. Pastaj, me anë të mendimeve të ndryshme që vijnë nga këto vende, qartësohet edhe planveprimi për gjetjen e një zgjidhjeje të këtyre problemeve. Nganjëherë, këto zgjidhje nuk mund të paraqiten hollësisht ose anëtarët e Shurasë nuk asnjë dijeni për to, atëherë Kalifi i Kohës i përfshin edhe ato në planveprim dhe unë në disa rrethana veproj në këtë mënyrë. Megjithatë, çdo anëtar i Shurasë duhet të ndërgjegjësohet për përgjegjësinë  që mbart. Kjo përgjegjësi nuk zgjatet vetëm për tri ditë, por mbetet në fuqi për tërë vitin. Në të njëjtën mënyrë, çdo anëtar i Shurasë duhet të orvatet për të mbështet zbatuar e planin si dhe to kontribuojë aftësitë e tij për të mbështetur administratën e xhematit. Kjo është përgjegjësia e tij.

Nëse ne arrijmë këtë vetëdijsim, planet e zhvillimit të xhematit do të janë gjithmonë në drejtimin e duhur, dhe përpjekja për zbatimin e tyre gjithashtu do të jetë në shkallën e duhur dhe do të bëhemi përkrahës dhe mbështetës në misionin e Mesihut të Premtuar a.s. i cili synon të përhapë drejtudhëzimin. Nëse nuk po punojmë në këtë drejtim, është krejtësisht e padobishme anëtarësia e këtij Instituti.

Dua të theksoj këtu që pothuaj në çdo vend, takimet e Shurasë organizohen nën kryesinë e Amirit (kryetarit) të atij vendi dhe disa herë këshilltarët, të nxitur nga emocionet, gjatë fjalimeve të zjarrta, përdorin shprehje apo fjalë të papërshtatshme për etikat e Shurasë. Atëherë

  1. Së pari, sa herë që këshilltarët u duhet të ndajnë mendimin e tyre, ata nuk duhet të rrëmbehen nga emocionet dhe në vend të flasin pa logjikë e vetëdije apo të mbajnë fjalime të flakta, duhet të shprehin mendimin e tyre me maturi dhe fjalë të duhura.
  2. Disa herë, këshilltarët shprehin disa mendime, të cilat u bëjnë përshtypje anëtarëve të Amiles (Bordit Ekzekutiv) apo edhe Amirit, nën kryesinë e të cilit po zhvillohet seanca e Shurasë, dhe kjo i bën të mendojnë se këshilltari drejtpërdrejtë apo tërthorazi po flet kundër tyre dhe në cilësinë e Kryetarit të seancës, ai disa herë e ndalon folësin me fjalë të ashpra madje edhe qortuese. Pra, edhe Kryetarët e mbledhjes së Shurasë, duhet të tregojnë vetëpërmbajtje. Ata gjithmonë duhet të mendojnë pozitivisht që folësi në këtë rast po flet vetëm në interesin e xhematit me një mallëngjim të thellë.

Nëse, mënyra e ligjërimit te folësi ka qenë disi e ashpër, apo ka përdorur fjalë që nuk përputhen me etikat e Shurasë, kryetari i seancës gëzon të drejtën, t’i tërheqë vëmendjen folësit me butësi apo ta ndalojë atë. Megjithatë, ai nuk duhet të sillet në një mënyrë, që krijon përshtypje se Kryetarit të seancës i ka ngelur hatëri. Këto emocione shfaqen më së shumti, kur debatohet rreth buxhetit dhe nganjëherë shprehen edhe rezervimet. Në kësisoj situatash, sekretari përkatës, sekretari i financës dhe drejtuesi i seancës duhet të dëgjojnë dhe të përgjigjen me gjakftohtësi e vetëpërmbajtje. Ata duhet të argumentojnë bindshëm se si ishte hartuar buxheti, cilat janë burimet e të ardhurave, cilat janë zërat e shpenzimeve, dhe si justifikohen ato shpenzime? Folësi ngrihet dhe shpreh mendimin e tij në interes të xhematit, prandaj qëndrimi i tij nuk duhet paragjykuar.

Në të njëjtën mënyrë, nganjëherë administrata dhe përfaqësuesit e Shurasë përfshihen në debate të paarsyeshme apo nuk shprehin asnjë mendim dhe mbajnë heshtje, sikur t’u ketë hyrë frika e administratës. Njerëzit e tillë, gjithashtu nuk kanë përmbushur detyrën e tyre. Përfaqësuesit e xhematëve në Shura, duhet të kenë parasysh se ata i kanë zgjedhur anëtarët e Xhematit që të përmbushin detyrën e përfaqësimit.

Prandaj, këto debate nuk duhet të shihen si çështje personale. Po ashtu, nuk duhet të ekzistojë ndonjë frikë. Anëtarët e Shurasë duhet të dinë se ata i kanë zgjedhur njerëzit në bazë të urdhrit kuranor: تُؤَدُّوا الۡاَمٰنٰتِ اِلٰۤی اَہۡلِہَا t’ua dorëzoni amanetet atyre që u takojnë (4:58). Kalifi i Kohës gjithashtu pret që nëse njerëzit me mirëdashje kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre, në përputhje me këtë porosi kuranore, ata ndoshta gjithashtu po përmbushni detyrën e tyre, ashtu siç u takon. Por, nëse përfaqësuesit nuk po përmbushin detyrën e tyre, as gjatë takimit të Shurasë e as pas asaj, për shkak të mosrespektimit të amanetit, ata kanë vepruar me pandershmëri.

Mund të krijohet edhe një situatë, kur votuesit e zgjedhjes për Shura, nuk kanë vepruar me druajtje e ndershmëri. Ndoshta, ata kanë zgjedhur përfaqësuesit e Shurasë, në bazë të lidhjeve farefisnore apo miqësore. Në këtë rast, këta zgjedhës kanë mëkatuar me këtë veprim. Ata, duhet të bëjnë istigfar, sepse nuk kanë përmbushur detyrën që u takonte. Megjithatë, ata që tashmë janë zgjedhur si përfaqësues, këtu i përfshij edhe zyrtarët, nëse u mungojnë cilësitë e nevojshme në gjendjen e tyre shpirtërore e morale, le të bëjnë istigfar, e të betohen se do të ndryshojnë gjendjen e tyre pozitivisht, dhe duke ndjekur rrugën e takuasë, do të bëjnë veten e tyre të denjë për këtë amanet. Nëse, ata janë të sinqertë në këtë orvatje, ata jo vetëm që do të fitojnë pëlqimin e Allahut, ata gjithashtu do të kontribuojnë si ndihmës në misionin e Mesihut të Premtuar a.s.. Në këtë mënyrë, ata gjithashtu do të përfitojnë duke përmirësuar gjendjen e tyre shpirtërore e morale.

Siç kam thënë, mandati i përfaqësimit është një vjeçar, brenda të cilit, ata duhet të mbështesin administratën, të zbatojnë vendimet si në nivelin personal, po ashtu të vëzhgojnë zbatimin e tyre edhe në nivelin e xhematit, ku ata bëjnë pjesë. Ata duhet të sigurojnë se në çfarë niveli po zbatohen këto vendime, të cilat tashmë janë miratuar edhe nga Kalfi i Kohës. Në këtë mënyrë, ju duhet të bëheni ndihmës të Kalifit të Kohës.

Në disa raste, vihet re që zbatimi i atyre vendimeve, bëhet pre e përtacisë së zyrtarëve të xhematit në nivelin lokal. Pra, vendimet e Shurasë, nuk gjejnë zbatimin. Në këtë rast, përfaqësuesit e Shurasë, nuk duhet vetëm t’u tërheqin vëmendje anëtarëve të Xhematit, por t’u bëjnë vërejtje edhe zyrtarëve të xhematit ndaj detyrave të tyre. Nëse, prapëseprapë nuk vihet re ndonjë lëvizje për zbatimin e planit apo vendimit, ata duhet t’i adresojnë shqetësimet e tyre qendrës.

Disa zyrtarë të xhematit janë parimisht edhe anëtarë të Shurasë. Ata nuk duhet të shqetësohen për punën e kryer në degën e tyre, por duhet të shqyrtojnë realizimin dhe mosrealizimin e vendimet të Kalifit të Kohës. Pavarësisht, a ishte sektori i tyre, apo i dikujt tjetër, ata duhet t’i tërheqin vëmendje zyrtarit përkatës si dhe kryetarit të vendit. Po ashtu, duhet të paraqesin këtë çështje për diskutim edhe në mbledhjen e Amilas, ndryshe do të kuptohet që as këta zyrtarë nuk po përmbushin amanetin e tyre. Ndoshta, në këtë dynja, ata mund të shpëtojnë me disa hile e justifikime, por le të dinë se Allahut nuk i fshihet asgjë, dhe Ai me siguri do të kërkojë llogari për përmbushjen e amaneteve. Natyrisht, kjo është një çështje shqetësuese. Nuk duhet të krenohemi nga fakti se jemi përfaqësues në Institutin e Shurasë, apo jemi zyrtarë në xhemat, përkundrazi këto përgjegjësi le të na ngjallin më shumë kujdes.

Pra, përfaqësuesit e Shurasë le të përpiqen t’u tërheqin vëmendje zyrtarëve të xhematit lokal, në të cilin ata bëjnë pjesë, në lidhje me zbatimin e vendimeve të Shurasë. Nëse përfaqësuesit e Shurasë veprojnë në këtë drejtim, dhe pavarësisht vërejtjes së tyre, ata nuk bëjnë ndonjë hap, në këtë rast, përfaqësuesit le të njoftojnë qendrën. Nuk është që kjo është diçka e re, pasi disa përfaqësues veprojnë në këtë mënyrë dhe njoftojnë qendrën. Megjithatë, në përgjithësi ata marrin këtë hap, kur ndodh ndonjë mosmarrëveshje midis tyre dhe zyrtarit lokal. Kjo nuk është aspak sjellja e një besimtari të devotshëm. Po të veprojë çdo përfaqësues i Shurasë dhe çdo zyrtar në zbatimin e këshillave të miratuara, nuk do të kemi kurrë situatën, kur e njëjta këshilla të paraqitet pas një apo dy vjetësh, për shkak të mos zbatimit.

Riparaqitja e këshillës, në vetvete, nënkupton që ajo nuk ishte zbatuar në radhë të parë, apo nuk ishte zbatuar ashtu siç duhej.

Xhemate e tilla dhe zyrtarët e tillë duhet të reflektojë se a vallë kjo duhet të ishte sjellja e atyre që i përmbahen takuasë dhe përmbushin amanetin e tyre? A është ky shembulli i bindjes ndaj Kalifatit dhe përmbushjes së zotimit të besnikërisë? Xhematet lokale dërgojnë sugjerimet e tyre në qendrën kombëtare, kur shohin se ato nuk janë zbatuar. Po të ekzistonte mekanizmi i kontrollit të zbatimit në çdo nivel të xhematit, nuk do të përsëriteshin të njëjtat këshillat, e as qendra kombëtare të kishte nevojë t’i dërgonte ato te Kalifi i Kohës.

Administrata kombëtare e xhematit duhet të ndiente keqardhje kur shkruanin se meqë këto këshilla ishin diskutuar para një apo dy vjetësh në Shura, prandaj nuk rekomandohet riparaqitja e tyre në mbledhje. Ato duhet të shkruanin se na vjen keq, se nuk kemi arritur të zbatojmë vendimin, prandaj premtojmë se do të përpiqemi ta zbatojmë atë gjatë atij viti. Nëse, ne sërish nuk arrijmë të realizojmë zbatimin e tyre, do të jemi fajtorë dhe to të jemi ndër ata që nuk përmbushin amanetet e tyre.

Pra, kështu duhet të shkruajnë ata, dhe të kërkojnë ndjesë me përulësi, se nuk mbështesin riparaqitjen e atij projektligji. Nëse ata shkruajnë në këtë mënyrë, me siguri, ata do të ndjejnë përgjegjësinë. Kështu, administrata si dhe përfaqësuesit do të ndërgjegjësohen që nëse i paraqesin Kalifit të Kohës projektligje të mëdha për shqyrtim e miratim, duke pretenduar se do të arrijnë këtë e këtë qëllim. Nëse, nuk arrijnë të zbatojnë vendimet e miratuara, ata bëhen fajtorë dhe prej atyre që dëmtojnë besimin e Kalifit të Kohës.

Vetëm llogaridhënia dhe kontrolli mund të ndreqin sistemin e xhematit

Kështu që, përveç llogaridhënies në nivelin kolektiv, edhe në nivelin individual çdo zyrtar, çdo anëtar i Shurarsë duhet të reflektojë dhe të bëjë istigfar. Në të njëjtën mënyrë, në çdo nivel, duhet gjetur shkaqet për moszbatimin e atyre vendimeve. Vetëm, kontrollet mund të ndreqin sistemin e xhematit, ndërsa fjalët boshe nuk mund të sjellin asnjë rezultat. Duhet analizuar edhe në nivelin kombëtar, që disa xhemate aktive, nëse jo 100%, ata arrijnë të zbatojnë 70% të vendimeve. Ato e bëjnë këtë me një dedikim, se kanë marrë planin nga Kalifi i Kohës, dhe ato nuk duhet të dëmtojnë besimin e Kalifit. Cili është ai frymëzim që i nxit ato? Duhet gjetur arsyeja pas këtij dedikimi, që sjell një revolucion në jetën e anëtarëve. Duhen organizuar takimet midis zyrtarëve të xhematëve aktive me zyrtarët e xhemateve të dobëta, madje duhet organizuar takimet e tyre me zyrtarët kombëtarë, që edhe ata të përfitojnë nga përvojat e tyre.

Nëse në një vend, një xhemati aktiv realizon objektivat e tij shpirtërorë e moral, ai është në gjendje të frymëzojë edhe 10 xhemate të tjera. Por, kjo mund të arrihet, nëse çdo sekretar, çdo zyrtar si dhe përfaqësuesit në Shura gjithashtu luajnë rolin e tyre me ndershmëri e përkushtim.

Disa vende apo xhemate kanë gjithashtu ndërmarrë një analizë të tillë, dhe kjo ka një avantazh. Kur ato kanë dërguar raportimin tremujor të këtij auditimi në Qendër, për të verifikuar shkallën e zbatimit të vendimeve të Shurasë, në tri vitet e fundit, kjo i ka ndërgjegjësuar që nuk mjafton vetëm me komentin që këto projektligje tashmë janë shqyrtuar para dy vitesh prandaj nuk mund të paraqiten përsëri, madje u duhet t’i dorëzojnë qendrës një raport për të treguar përqindjen e shkallës së zbtimit si dhe përshkrimin e përpjekjeve që janë ndërmarrë për të arritur objektivën. Mekanizma të tilla, ndërgjegjësojnë xhematet dhe ato kuptojnë se nuk mund të mbizotërojnë botën, vetëm me fjali boshe.

Nëse në një anë nevojitet planifikimi konkret, nevojitet gjithashtu vendosmëria dhe shkalla e lartë e adhurimit. Nëse zyrtarët dhe përfaqësuesit e Shurasë i kushtojnë vëmendje përmirësimit të nivelit të ibadeteve dhe tregojnë shembullin e tyre konkret për të mbushur xhaminë, mund të arrijmë tri deri në katër herë shtim në frekuentimin e xhamive. Duhet të kërkojmë llogari edhe në këtë aspekt.

Nëse shëmbëlltyra juaj konkrete, sjellja juaj e dashurisë reciproke, dhembshuria ndaj anëtarëve, bërja e lutjes për ta, përmirësimi në shkallën e bindjes ndaj Kalifit të Kohës, bëhen tiparet dalluese të çdo anëtari të Shurasë, mund të shpresojmë për një revolucion të vërtetë në çdo xhemat. Ne kemi një përgjegjësi shumë të madhe. Qëllimi i ardhjes dhe misioni i Mesihut të Premtuar a.s. nuk janë aspak të lehta. Përhapja e këtij mesazhi anembanë botës dhe kthimi i banorëve të saj në adhuruesit të Zotit të Vetëm kërkon punë dhe përpjekje të pandërprera.

Qëllimi pas mbajtjes së mbledhjeve të organit të Shurasë në një anë synon hartimin i strategjisë për të përmirësuar aftësinë tonë të punës, dhe në anën tjetër përgatitja e grafikut dhe planit të punës për të përhapur thirrjen Zotit një në të gjithë botën, për ta bashkuar atë një umet dhe për ta sjellë atë nën flmuarin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, kërkon një punë revolucionare.

Sigurisht, përpjekje të tilla kërkojnë dhe mjetet financiare. Prandaj, duhet të hartoni buxhetin tuaj në një mënyrë që të arrini rezultatin maksimal me investimet minimale. Pjesa dërrmuese e anëtarëve të xhematit përbëhet nga njerëz me të ardhura mesatare. Kështu që, duhet të hartojmë planet që realizojnë impaktin maksimal të përhapjes së fesë dhe thirrjes me shpenzimet minimale. Kjo mund të realizohet vetëm atëherë, kur kemi kuptuar që duhet të përmbushim përgjegjësitë dhe amanetet tona duke iu përmbajtur druajtjes ndaj Zotit dhe duke e konsideruar shërbimin e fesë një dhunti prej Zotit.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na kësillon për të ndjekur rrugën e takuasë dhe thotë:

“(Allahu thotë) يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓا۟ إِن تَتَّقُوا۟ ٱللَّهَ يَجْعَل لَّكُمْ فُرْقَانًا وَيُكَفِّرْ عَنكُمْ سَيِّـَٔاتِكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ۗ وَٱللَّهُ ذُو ٱلْفَضْلِ ٱلْعَظِيمِ (El-Enfal 8:30)

(Pastaj thotë) وَيَجْعَل لَّكُمْ نُورًا تَمْشُونَ بِهِۦ (el-Hadid 57:29)

O ju që besuat! Nëse tregoni qëndrueshmëri në druajtje ndaj Allahut, dhe keni përvetësuar fortësinë dhe palëkundshmërinë në vetinë e druajtjes, Zoti i Madhërishëm do të bëjë një dallim midis jush dhe midis të tjerëve. Ky dallim është i tillë që Ai do t’ju dhurojë një dritë, me të cilën do të ecni në të gjitha rrugët tuaja. Pra, ajo dritë do të kalojë në të gjitha veprimet, fjalët, aftësitë dhe shqisat tuaja. Do të dritësohet arsyeja juaj dhe do të dritësoheni edhe nëse flisni me hamendje. Do të dritësohen sytë tuaj, dhe po kështu do të dritësohen veshët, gjuhët, fjalët dhe çdo lëvizje apo qëndrim juaji. Do të ndriçohen rrugët, në cilat ju ecni. Shkurt, do t’ju ndritin të gjitha rrugët tuaja, qofshin ato të fuqive tuaja apo të shqisave tuaja, sikur të ecni fund e krye në dritë”.

(Aina Kamalate Islam, Ruhani Khezain, vëll. 5, f. 177-178)

Allahu na mundësoftë të ndjekim rrugët e takuasë dhe të përmbushim përgjegjësitë tona! Allahu na i mbuloftë gabimet, mangësitë dhe dobësitë tona dhe na dhuroftë gjithmonë mëshirën e Tij! Amin

(E përditshmja “El-Fazl”, 2 qershor 2023, f. 2-7)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp