A besojmë në profet pas Profetit Muhamed s.a.v.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

A besojmë në profet pas Profetit Muhamed s.a.v.s.

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit

A besojmë në profet pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.?

Kundërshtarët tanë pretendojnë se ne besuakemi profetin pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe me këtë synojnë të dalin në përfundim, se paskemi sjellë një fe të re, libër të ri dhe ligj të ri.

Kjo është një shpifje trashanike që bëhet qëllimisht sepse ata e dinë mirë thelbin e deklaratës sonë. Por, ata thjesht veprojnë me dredhi dhe gënjeshtër. Ata duan që ju të dilni në një përfundim të gabuar e të papëlqyer, por çuditërisht, janë vetë ata që besojnë në profet pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe janë bindur se ky profet është i gjallë në qiell, ndërkohë Profeti Muhammed s.a.v.s. ka ndërruar jetë, dhe ky profet do të zbresë në Tokë dhe do të jetë PROFETI I FUNDIT në Tokë.

Ndërsa ne e hedhim poshtë gjithë këtë mendim dhe këtë që do t’jua qartësoj me anë të argumenteve.

E vërteta është se vetëm Xhemati Musliman Ahmedia beson në “Vulën e Profetësisë” duke i dhënë epërsi absolute të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe që nuk mund të vijë kurrsesi profet pas tij qoftë i vjetër apo i ri, me një fe të re apo me ligj të ri, dhe që ligji i Islamit është ligji përfundimtar, të cilit nuk mund t’i hiqet asnjë germë, e as nuk i shtohet diçka.

Islami është e vetmja fe e gjallë dhe unike që ekziston në sipërfaqen e Tokës. Xhemati Musliman Ahmedia pohon vendosmërisht besimin në “Vulën e Profetësisë”, dhe përjashton kategorikisht idenë që një profet jetuaka ende në qiell, i cili do të vinte pas Muhammedit s.a.v.s. dhe do të shfuqizojë besimet dhe mësimet e ligjit Islam, siç besojnë kundërshtarët tanë.

Pra, kundërshtarët tanë besojnë se Isai a.s. qenka i gjallë ende në qiell, dhe se ai do të zbresë në Tokë me trupin e tij fizik në fund të kohërave, dhe në këtë mënyrë ai do të jetë profeti i fundit në botë. A do të jetë ai profet pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.? A do të jetë detyra e tij anulimi dhe shfuqizimi  i mësimeve themelore të Islamit, mësimet në qendër të të cilave qëndron liria fetare? A do të bëjë kërdi duke vrarë njerëzit dhe  duke i detyruar ata me dhunë që të pranojnë Islamin, dhe atyre nuk do t’u mbetet asnjë zgjidhje përveçse të bëhen muslimanë apo të vriten? Do të shkatërrohen vendet e adhurimit, manastiret dhe do të thyhen kryqet, dhe lumenjtë do të bëhen të kuq nga gjakderdhja.

Por e gjithë kjo kundërvihet nga dispozitat e shumta të Islamit dhe nga ajetet e tjera të Kuranit Famëlartë që përjashtojnë çdo mundësi për një zbritje të tillë. Nuk mbetet më nevojë pastaj për shpjegimet bashkëkohore. Por, prapëseprapë ata besojnë se do të vijë një profet pas Muhammedit s.a.v.s. A nuk u mjafton ky shtrembërim i kuptimit të “Vulës së Profetësisë”, që ata besojnë se Isai a.s. do të shfuqizojë pjesë të ndryshme nga mësimet e Islamit?

Ndërsa ne …

edhe pse pranojmë bindshëm se lajmi i ardhjes së Isait a.s. është i vërtetë, ne gjithashtu besojmë se kjo do të ndodhë në përputhje të plotë me parimet dhe rregullat e “Vulës së Profetësisë”. Ai kurrsesi nuk do të prishë “Vulën e Profetësisë”, e as nuk do të lejojë që të shfuqizohet ndonjë germë a pikë nga sheriati i Islamit.

E vërteta është se Kurani Famëlartë është me ne, suneti i (praktika e) Profetit s.a.v.s. është me ne dhe hadithet janë me ne. Mbrojtja e përjetësisë së sheriatit dhe Vulës së Profetësisë së Muhammedit s.a.v.s. janë këto që qëndrojnë në thelb të besimit tonë. Kurani Famëlartë deklaron vdekjen e Isait a.s. me qartësi të madhe, por nuk përmend vdekjen e Profetit Muhammed s.a.v.s. Sepse ishte në dijen e Allahut se doktrina që Isai a.s. qenka i gjallë do të rrënjosej te muslimanët nga besimet e krishtera. Prandaj, ne nuk pranojmë jetën e Isait a.s. në qiell, madje besojmë se ai ka ndërruar jetë, si profetët e tjerë para tij. Po të kishte dashur Allahu për të mbajtur të gjallë dikë nga profetët e Tij, ai nuk do ishte asnjëri përveç Profetit Muhammed s.a.v.s., siç Allahu vetë ka thënë:

“(O Muhammed!) Ne nuk e kemi bërë asnjërin të pavdekshëm para teje. Nëse ti vdes, a do të mbesin ata të përjetshëm?!” (El-Enbija, 21:34)

Ndërsa kundërshtarët tanë, i kundërvihen porosisë së Kuranit, dhe vazhdojnë të besojnë në jetën e Isait a.s.. Pra, ne shohim se Kurani Famëlartë deklaron qartësisht se Isai a.s. i cili ka ndërruar jetë e nuk do të kthehet kurrë në këtë tokë, dhe mendimi i kundërshtarëve tanë që ai do të zbresë para ditës së Kiametit, është një akuzë mbi këtë mision që është përmendur në Kuran:

Kur Allahu do të thotë: “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve:  Më merrni mua dhe nënën time si dy zota krahas Allahut?” Isai do të thotë: “Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat. Unë nuk u kam thënë atyre asgjë tjetër, përveç asaj që më urdhërove Ti: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Jam dëshmitar për atë sa kam jetuar midis tyre, e pasi më more shpirtin, Ti ishe Mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë!”

(El-Maide, 5:116-117)

Ne gjithashtu gjejmë se vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka komentuar këtë ajet në haditin që e transmetuan Imam Buhariu e Imam Muslimi, e në këtë hadith i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka përsëritur thënien e Isait a.s. për të argumentuar se ai është ndarë nga populli i tij me anë të vdekjes dhe nuk do të kthehet tek ata që të mësojë gjendjen e tyre.

Ndërkohë kundërshtarët tanë, ata nuk i nënshtrohen urdhrit të qartë të Kuranit, e as komentimit të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Po kështu shohim hadithe që janë të pastra nga legjendat për ngjitjen e Isait a.s. fizikisht në qiell. Ky besim ka hyrë në Islam nga doktrinat e krishtera. Ka një sërë argumentesh në mbështetjen tonë të cilat nuk mund të përmenden këtu në detaje, por derisa lajmi i ardhjes së Isait a.s. në ditët e vona është i vërtetë, profeci kjo që gjendet dendur nëpër hadithe.

Pra, arrijmë në përfundimin që këtu nënkuptohet ardhja e një personi në umetin musliman që do të jetë shëmbëlltyrë e Isait a.s., por nuk do të vijë as me fe të re apo ligj të ri. Ai nuk do t’i heqë asnjë fjalë Islamit e as t’i shtojë diçka. Ai do të jetë pasues i përsosur dhe shërbëtor i sinqertë i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i kredhur plotësisht në dashurinë e tij. Ky njeri nuk do të jetë profet në kuptimin që besojnë  kundërshtarët tanë. Ai nuk do të jetë profet i pavarur, dhe nuk do të ketë asnjë autoritet për të ndryshuar diçka nga ligjet e mëparshme, sepse profetësia e pavarur që ekzistonte para Profetit Muhammed s.a.v.s. është mbyllur dhe nuk ekziston më. Megjithatë, për sa i përket pozitës së tij ai është edhe profet, sepse Allahu e ka përzgjedhur, i ka caktuar detyrën dhe i ka dhënë dijen e së padukshmes, duke i dhënë lajme të shumta që përmbajnë myzhde dhe paralajmërime. Kjo është cilësia e përbashkët e të gjithë të dërguarve të Allahut.

Por ai nuk është profet në kuptimin që kanë kundërshtarët tanë në mendjen e tyre, sepse Vula e Profetësisë përjashton çdo mundësi për ardhjen e profetëve të pavarur pas Muhammedit s.a.v.s. siç ishin profetët e mëparshëm. Megjithatë, kundërshtarët tanë ngulin këmbë për jetën e Isait a.s. në qiell, dhe për zbritjen e tij në Tokë me trupin e tij fizik në ditët e vona duke qenë profet, në të njëjtin kuptim siç ata mendojnë, ata praktikisht pranojnë prishjen e Vulës së Profetësisë. Kjo mjafton për të evidentuar mosmarrëveshjen që mban ky mendim  me Profetin Muhammed s.a.v.s. dhe kontradiktat e dukshme me autoritetin e Kuranit Famëlartë.

Ndërsa ne, nuk besojmë një profet të tillë që kanë sajuar kundërshtarët tanë  në mendjen e tyre, i cili do të vinte pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Ne besojmë që profetësia që ekziston në mendjen e tyre është PËRFUNDUAR. Pra, ata na akuzuakan për shkeljen e Vulës së Profetësisë, ndërkohë ata vetë i atribuojnë Isait a.s. titullin e profetësisë së pavarur, pra që ai do të ketë autoritet për të bërë ndryshim në sheriat apo për të shfuqizuar mësimet e tij.

Pra shtrohet pyetja:

Kush beson në ardhjen e një profeti pas Muhammedit s.a.v.s.?

A jemi ne apo ata?

Kush është ai që cenon Vulën e Profetësisë së Muhammedit s.a.v.s. dhe i jep epërsi një profeti tjetër?

A jemi ne apo ata?

A nuk përputhet gjendja e tyre me këtë thënie: “Sheh qimen në syrin e tjetrit e nuk sheh trarin në syrin e vet”?

A nuk kuptojnë ata se po bëjnë shpifje kundër nesh pandershmërisht dhe po bëjnë shtrembërim qëllimisht?

Qoftë mallkimi i Allahut mbi gënjeshtarët! O Allah! Amin!

Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem