Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
dexhalli eklipsi

E tillë është profecia për Dexhallin!

Ata që nuk besojnë në Zot, shpesh thonë: profecitë që tregojnë njerëzit e fesë, duke iu referuar Librave dhe profetëve të tyre, shpesh nuk janë specifike. Disa herë profecitë na i tregojnë pasi të kenë ndodhur ngjarjet, që janë profetizuar. Disa herë profecitë nuk janë të qarta sa duhet. Disa herë ato nuk janë të botuara a të publikuara dhe disa herë ato kanë kaq shumë probabilitet për të qenë të mundshme, saqë kushdo mund t’i thoshte me intuitë.

Për shembull, gjatë një dite me vranësirë, çdokush mund të thotë se do të bjerë shi. Ose një gruaje shtatzënë, mund t’i urojmë – paçi një djalë – dhe kemi të paktën 50% shansin që urimi ynë të bëhet një parashikim i saktë.

Por, profecitë që ne do të përmendim sot janë shumë specifike. Janë bërë 14 shekuj më parë. Të gjitha ato kanë qenë të botuara para më shumë se 10 shekujve, madje shumë të përfolura midis njerëzve. Janë bërë në një kohë dhe në një vend, ku askush nuk mund të imagjinonte se si do të realizoheshin ato.

E tillë është profecia për Dexhallin, siç është përshkruar nga Profeti Muhammedsavs. Ai tha:

Dexhalli është gjëma më e madhe për besimtarët.[1]

Çfarë është ky Dexhall? A ka dhënë ndonjë shenjë Profeti Muhammedsavs? Në cilën kohë do të shfaqej ai? Në çfarë mënyre ai do të bëjë shkatërrime? Dhe si mund të shpëtojmë prej tij?

Do të flasim për këto pyetje dhe përveç tyre, do të flasim edhe për ardhjen e Mesihut të Premtuaras, sepse sipas Profetit Muhammedsavs Dexhalli dhe Mesihu i Premtuaras do të jenë në të njëjtën kohë dhe do të jenë si helmi dhe ilaçi. Për këtë arsye, Dexhallit i thonë edhe “anti-Krisht”.

Çfarë do të thotë Dexhall?

Dexhalli nuk është një emër i përveçëm, por një cilësi, pra e ka një kuptim. Dexhall fjalë për fjalë, do të thotë “mashtrues i madh, rrenacak, ai që fsheh të vërtetën”. Fjalorët arabë japin edhe këto kuptime të kësaj fjale:

  • Rrenacak dhe mashtrues shumë i madh.
  • Shumë i pasur që zotëron thesare.
  • Grup i madh që e mbulon botën me fuqinë e tij.
  • Grup që mbart me vete pasuritë e tregtisë. [2]

Tiparet kryesore të Dexhallit siç i përshkruan Profeti Muhammedsavs

  • Do të jetë qorr nga syri i djathtë.
  • Syrin e majtë do ta ketë shumë të mprehtë.
  • Në ballë do të ketë të shkruar k-f-r (qafir ose i pafe), që mund të lexojë çdo besimtar qoftë i shkolluar ose i pashkolluar.
  • Do të ketë aftësi të jashtëzakonshme fizike.
  • Do të bëjë gjakderdhje të mëdha.
  • Do të lëvizë si re shiu.
  • Do ta urdhërojë qiellin të lëshojë shi dhe tokën të nxjerrë të korra.
  • Do të nxjerrë thesare edhe nga shkretëtira.
  • Sasi e madhe ushqimi dhe uji do ta shoqërojnë atë.
  • Do të paraqesë një ujë, i cili në të vërtetë do të jetë zjarr.
  • Do të paraqesë një zjarr, i cili në të vërtetë do të jetë ujë i freskët dhe i ëmbël.
  • Ai do ta pushtojë gjithë botën.
  • Për ta mposhtur Dexhallin, lexoni ajetet e para të sures El-Kehf.

Tani, kemi dy rrugë për ta kuptuar këtë profeci. Ose ta marrim fjalë për fjalë dhe të presim se bota do të pushtohet nga një qenie gjigante, e cila do të ketë thuajse të gjitha forcat e mbinatyrshme, sikur forcat e Zotit, por do të veprojë si “anti-Zot”, ose ta interpretojmë këtë, duke besuar se Profeti Muhammedsavs ka përdorur metafora. Në rastin e parë, ky tekst u ngjan përrallave të Një mijë e një netëve. Por nëse e interpretojmë, ajo merr një pamje diametralisht të kundërt, dhe që është krejt aktuale.

Mjafton të nisemi nga emërtimi i Dexhallit, që do të thotë “mashtrues shumë i madh”. Për këtë mashtruesin e madh Profetisavs thotë se ai do ta pushtojë krejt botën. Që këtu na bëhet e qartë se ai nuk është një njeri apo një qenie e vetme. Sot bota është e ndarë në nacionalitete të ndryshme dhe një njeri i vetëm, sado diktator i madh të jetë, nuk mund të bëhet pushtetar i të gjithë botës.

Pra, Dexhalli është një grup, një shoqëri, një sistem, i cili, materialisht është shumë i përparuar, por shpirtërisht po aq i verbër. Të gjitha tiparet e tij aplikohen mbi shoqërinë e sotme materialiste, që drejtohet nga superfuqitë e botës. Kush mund të mohojë se shoqëria në të cilën ne jetojmë sot:

Është qorr nga syri i djathtë (d.m.th. e verbër shpirtërisht).

Është shumë e mprehtë nga syri i majtë (materialisht largpamëse).

Në ballë e ka të shkruar k-f-r (d.m.th. i pafe) dhe këtë mund ta lexojë midis nesh edhe ai që ka bërë shkollë, edhe ai që nuk ka bërë asnjë shkollë.

Është me aftësi të jashtëzakonshme fizike (shumë e zhvilluar në teknologji).

Po bën gjakderdhje të mëdha duke shkaktuar luftëra të përgjakshme.

Po lëviz si re shiu, nëpërmjet mjeteve të saj të transportit.

Ka përparuar kaq shumë në teknologji, saqë kontrollon edhe shiun, edhe tokën për të nxjerrë të korra.

Po nxjerr thesare edhe nga shkretëtira.

Superfuqitë e sotme furnizohen me sasi të mëdha ushqimesh dhe parash, prej vendeve të tyre vartëse.

Shoqëria e sotme ju paraqet një xhenet, por shpirti juaj e dëshmon se ai nuk është xhenet, por ferr i vërtetë i mosbesimit. Shoqëria e sotme ju thotë se besimi në Zot që është xheneti i vërtetë, nuk është xhenet, por është budallallëk.

Nuk ka mbetur ndonjë vend që është i pandikuar nga kjo shoqëri mashtruese.

Këto ishin vetëm ato shenja, të cilat janë të njohura nga të gjithë dijetarët e fesë Islame. Ka edhe shumë shenja të tjera, që janë shumë interesante që, në mënyrë të habitshme ju japin pamje të mjerueshme të botës sonë. Për shembull, në “Kitab el-Fiten” thuhet:

I Dërguari i Allahutsavs tha:

dexhalliShumë popuj do t’i bashkohen Dexhallit dhe do të pohojnë: Ne patjetër do të rrimë me të, ndonëse e dimë që ai është qafir (mohues), por ne hamë bukën e tij dhe me anë të tij mbrojmë pemët tona. Andaj, kur do të bjerë ndëshkimi i Zotit të Madhërishëm, do të bjerë mbi ata të gjithë”.[3]

Është tamam ajo që ndodh në botën e sotme, ku vendet e vogla kanë zgjedhur padronin e tyre, duke e pandehur atë si Mesih, edhe pse ndërgjegjja e njeriut lëshon klithmat: Padrejtësi! Djallëzi!

Profeti Muhammedsavs tha se për t’u mbrojtur nga Dexhalli, lexoni ajetet e sures el-Kehf. Mjafton ta hapni Kuranin dhe të lexoni se çfarë është shkruar atje. Aty përmendet materializmi që do të buronte nga vendet e sotme të krishtera. Në ajetet e para të sures el-Kehf flitet për doktrinën e gabuar të krishterimit. Kurse disa prej ajeteve të fundit kësaj sureje janë:

A menduan mohuesit që do të mund të gjejnë mbrojtës nga robërit e Mi, duke Më lënë Mua? Sigurisht, Ne kemi përgatitur xhehenemin si pritje për mohuesit.Pyeti: A t’ju tregojmë për ata që do të jenë në humbje më së shumti nga të gjithë? Janë ata që harxhuan gjithë mundin e tyre në jetën e kësaj bote, duke menduar se ata po bëjnë ndërtesa për bukuri! Këta janë që kanë mohuar ajetet e Zotit të tyre dhe takimin me Të. Andaj, veprat e tyre u janë zhvlerësuar dhe, ditën e kiametit, Ne nuk do t’u japim kurrfarë vlere”.[4]

Gomari i Dexhallit

Kjo ishte vetëm një pjesë e profecisë së Dexhallit. Profeti Muhammedsavs ka parashikuar edhe mjetin, përmes të cilit, Dexhalli do të shkonte kudo nëpër botë. Profetisavs thotë se Dexhalli do të vijë me një gomar, por jo të zakonshëm. Unë do të lexoj fjalët e tij dhe ju do të zbuloni gomarin e Dexhallit, dhe mos harroni se këto profeci, Profeti Muhammedsavs i bëri 14 shekuj më parë.

Njerëzit do të futen në barkun e tij, përmes hyrjeve të posaçme që ai do t’i ketë anash tij.[5]

Barku i tij do të jetë mjaft i ndriçuar dhe i pajisur me ndenjëse të rehatshme.[6]

Gomari do të lëvizë me shpejtësi të jashtëzakonshme duke bërë edhe rrugë të gjata vetëm në disa ditë ose orë, që mjeteve kafshore do t’u duhen disa muaj për t’i bërë.[7]

Gjatë rrugës, ai do të ketë ndalesa të rregullta. Në çdo ndalesë, do të ftojë njerëzit që të futen në të dhe të ulen para se ta rinisë udhëtimin e tij dhe gjithashtu, për çdo nisje do të njoftohen me zë të lartë.[8]

Shkurt, ky gomar simbolik do të udhëtojë vazhdimisht nga vendi në vend duke iu shërbyer njerëzve si një mjet i shpejtë dhe i rehatshëm i transportit.

Ai do të ushqehet nga zjarri. Por pasagjerët që do të ulen në barkun e tij, nuk do t’i prekë zjarri me të cilin ushqehet gomari.[9]

Kjo tregon që kabinat që do të ketë në barkun e tij, do të jenë të izoluara mirë nga zjarri.

Ky gomar do të mund të udhëtojë edhe në det dhe do të kalojë nga një kontinent në një kontinent tjetër, duke lundruar përmes valëve të detit.[10]

Dexhalli do të vijë me ushqim sa male dhe ujë sa lumenj. Kjo tregon pamjen e anijeve të mëdha vetëm të kësaj epoke, të cilat superfuqitë e botës i ngarkojnë me ushqime dhe ujëra të një sasie siç është përshkruar në hadithin e Profetitsavs, dhe shpesh ato ua furnizojnë atyre kombeve të varfra që i nënshtrohen vullnetit të tyre.[11]

Sa i madh ka qenë Profeti Muhammedsavs që na i ka treguar profecitë kaq qartë rreth gjëmës më të madhe të të gjitha kohërave që quhet Dexhall.

Hazret Mirza Tahir Ahmedra, Kalifi IV i Xhematit Musliman Ahmedia thotë:

“Përshkrimi i këtyre profecive është aq i qartë, i gjallë dhe i saktë, saqë të jep përshtypje të një piktori, i cili, me panelin e tij, paraqet atë që sheh. Pikërisht në këtë mënyrë, Hazret Profeti Muhammedsavs na e paraqiti me fjalë piktoreske atë që u zbulua para syve të tij”.[12]

Por kjo ishte vetëm gjysma e profecisë. Profeti Muhammedsavs nuk bëri vetëm paralajmërime, por na tregoi edhe rrugën e shpëtimit nga kjo gjëmë. Dhe e ka theksuar kaq shumë saqë na ka bërë të qartë se nëse ka ardhur Dexhalli, dijeni se ka ardhur edhe Mesihu i Premtuar. Por një pjesë e madhe e muslimanëve janë akoma duke pritur një Dexhall dhe një gomar që ata kanë dëgjuar në përralla. Ata nuk e njohën Dexhallin, rrjedhimisht nuk e njohën as Mesihun e Premtuaras. Andaj, sot shohim se si edhe vendet islamike janë bërë vartëse të këtij Dexhalli, aq shumë saqë janë bërë epiqendër e konflikteve më të mëdha që po dëshmojmë sot. Ky ishte edhe qëllimi i Dexhallit, që ta dobësonte fuqinë e muslimanëve.

Dexhalli dhe Mesihu do të bëjnë tavaf rreth Qabes

Kjo përmendet në një profeci të Profetitsavs. Buhariu sjell hadithin e tij, në të cilin Profetisavs tha se e ka parë në ëndërr Mesihun, birin e Merjemes që ishte duke bërë tavaf rreth Qabes. Më pas, vijon hadithi, e ka parë edhe Dexhallin dhe edhe ai ishte duke bërë tavaf rreth Qabes.[13]

Mesihu i Premtuaras thotë:

“Profecia që thotë se edhe Dexhalli do të bëjë tavaf rreth Qabes dhe edhe Mesihu i Premtuar gjithashtu do të bëjë tavaf rreth Qabes tregon mjaft qartë se ky tavaf nuk është fizik. Përndryshe do të na duhet të pranojmë se Dexhalli do të arrijë të hyjë në Qabe ose ai do të bëhet musliman. Të dyja mundësitë bien ndesh me hadithet e tjera autentike. Për këtë arsye, hadithi në fjalë kërkon interpretim. Interpretimi i tij që Zoti i Madhërishëm më ka shfaqur mua është që në ditët e vona do të krijohej një grup, që do të quhej Dexhall. Ai do të ishte kundërshtar i përbetuar i Islamit dhe, për ta asgjësuar Islamin, do të sillej si vjedhës rreth Qabes, që simbolizon qendrën e Islamit, që ta çrrënjosë ndërtesën e Islamit.

Përballë Dexhallit, edhe Mesihu i Premtuaras do të bëjë tavaf rreth qendrës së Islamit, që simbolizohet nga Qabeja. Qëllimi i tavafit të Mesihut të Premtuaras do të jetë që ta kapë vjedhësin e quajtur Dexhall dhe ta mbrojë Islamin nga sulmet e tij.

Gjatë natës, dihet që edhe vjedhësi sillet rreth shtëpive si vëzhgues, edhe rojtari sillet rreth tyre. Vjedhësi synon të bëjë vjedhjen dhe të shkatërrojë banorët e shtëpisë, kurse rojtari synon ta kapë vjedhësin dhe ta fusë atë në burg ndëshkues, në mënyrë që njerëzit të shpëtojnë nga ligësia e tij.

Pikërisht këtë luftim e tregon ky hadith dhe zbulon që në epokën e fundit, vjedhësi i quajtur Dexhall do të bëjë gjithçka që të jetë e mundur për ta rrëzuar ngrehinën e Islamit. Gjithashtu, edhe Mesihu i Premtuaras, nga dhembshuria ndaj Islamit, do t’i çojë britmat e tij gjer në qiell, aq sa të gjithë engjëjt do t’i bashkohen, në mënyrë që ai të fitojë në këtë betejë përfundimtare. Ai as nuk do të lodhet, as nuk do të këputet e as nuk do të plogështohet, madje do të bëjë gjithçka që të jetë e mundur për ta kapur vjedhësin. E kur përgjërimet e tij do të shkojnë deri në skajin e tejmë, atëherë Zoti do t’i hedhë shikim zemrës së tij që deri në ç’masë ai u shkri për Islamin. Atëherë, ajo që nuk mund ta bëjë toka, do ta bëjë qielli, dhe fitorja që nuk mund të arrihet nga duart e njeriut, do të arrihet nga duart e engjëjve”.[14]

Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., në vitin 1892 shkruan këto fjalë:

“Kështu që, vëllezër! Mos i bëni keq vetvetes dhe reflektoni, sepse erdhi koha dhe trazirat e brendshme dhe të jashtme e kanë arritur kulmin. Nëse do t’i vendosni këto trazira në njërën pjatë të peshores dhe për pjatën tjetër të saj, të kërkoni në të gjithë Kuranin dhe hadithet parashikimet për gjëma të tjera më të mëdha, as të njëmijëfishin e tyre nuk mund ta gjeni dot. Atëherë, çfarë gjëme tjetër dhe çfarë dexhalli tjetër më të madh se këto po prisni pas këtyre trazirave, që sipas jush do të jenë më të rrezikshme se këto?!

A mund të provoni nga Kurani dhe hadithet se ekzistuakan fitnet dhe sherret që sot nuk i shikoni dot? Mbajeni mend! Edhe sikur të vdisni duke u përpjekur për të gjetur shembuj të trazirave më të rënda sesa këto, nuk mund t’i gjeni dot nga Kurani dhe hadithet e Profetitsavs.

Vëllezër! Po përhapen mashtrime kaq të mëdha, që edhe babai i dexhallit tuaj të përfytyruar nuk mund t’i imagjinojë dot”.[15]


Bibliografi

[1] Sahih el-Muslim, Kitab “El-Fiten ve eshratus-sa’ah”, Bab “Fi bekijetin min ehadithid-Dexhall”, hadithi nr. 7395.
[2] Muhamed Ibn Mendhur, “Lisanul-Arab”, zëri: de-xhe-le, vëllimi IV, botimi i tretë, shtëpia botuese “Ihja et-Turath el-Arabij”, Bejrut, Liban, 1419 h./ 1999, fq. 293-294.
[3] Nuajm Ibn Hamad El-Marvazi vdiq më 288 h., “Kitab el-Fiten”, boton: “Mektebetu et-Tevhid”, Kairo, Egjipt, 1412 h./ 1991, fq. 547, hadithi nr. 1535.
[4] El-Kehf 18: 103-106.
[5] Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi, “Biharul-Envar”, vëllimi XIII, botimi i parë, Kitab “Tarikhul-Huxhxheh”, Bab “Alameti dhuhurihi alejhis-selam mines-sufjani ved-Dexhxhal”, shtëpia botuese “Ihjaul-Kutubil-Islamijjeti”, Kum, 2010, fq. 293-338.
[6] Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi, “Biharul-Envar”, po aty.
[7] Abdur-Rrahman Es-Safuri, “Nuz’hetul Mexhalis ve muntekhabun-nefais”, vol. 1, f. 109, shtypshkronja “Maimanijjah”, Egjipt.
[8] Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi, “Biharul-Envar”, po aty.
[9] Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi, “Biharul-Envar”, po aty.
[10] Abdurrahman es-Safuri, “Nuz’hetul-mexhalis ve muntekhabun-nefais”, vol. 1, f. 109, shtypshkronja “Maimanijjah”, Egjipt.
[11] Imam Muhammad Bin Ismail El-Buhari 810-870, “Sahihul Buhari”, Kitab “El-Fiten, Bab “Dhikrid-Dexhxhal”.
[12] Mirza Tahir Ahmad, “Revelation, Rationality, Knowledge and Truth”, U.K., 1998, f. 610.
[13] Sahih el-Buhari, Kitab “Ehadithul-Enbijai”, hadithet 3439 dhe 3440.
[14] “Hakikatul-vahj”, “Ruhani Khazain”,  vëll. 22, fq. 323-324.
[15] “Aine kemalat-e-Islam”, Ruhani Khezain, vëll. 5, f. 52-53.