Parathënie për librin Fitorja e Islamit | Xhemati Musliman Ahmedia
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
fitorja e islamit mesihu i premtuar

Hazret Mirza Ghulam Ahmedias, Mesih i Premtuar dhe Imam Mehdi, shkroi librin “Fet’h-e-Islam” (Fitorja e Islamit) në fund të vitit 1890 dhe e botoi në vitin 1891.

Ishte koha kur qendrat e misionit të krishterimit ishin të vendosura në të gjithë Indinë. Literatura e tij po shpërndahej masivisht. Nëpërmjet argumenteve sofistike, misionarët e krishterë e sulmonin Islamin dhe muslimanët në masë e pranonin fenë e krishterë. Muslimanët për shkak të rënies së tyre nuk arrinin t’u bënin ballë sulmeve nga ithtarët e kësaj feje.

Për t’i kthyer muslimanët në të krishterë, argumenti kryesor që të krishterët e kishin kundër muslimanëve ishte ai që Jezusi është ende i gjallë në qiell; është pikërisht ai që do të vijë si shpëtimtar në mënyrë madhështore përpara fundit të botës; të gjithë profetët, duke përfshirë edhe Profetin Muhammedsavs kanë ndërruar jetë dhe si të tillë asnjëri prej tyre nuk mund të quhej shpëtimtar i botës; është e pamend t’i mbështetesh një të vdekuri, duke e lënë atë që është akoma i gjallë. Nga ana tjetër, për Jezusin, pra për Hazret Isainas, edhe muslimanët e ndanin të njëjtin mendim me të krishterët. Ata besonin se ai ringjallte të vdekurit e vërtetë, se ishte krijues i shumë gjallesave e tregonte të padukshmen dhe gjithashtu se u ngjit i gjallë në qiell, për të zbritur përsëri si shpëtimtar.

Zoti i Madhërishëm e mëshiroi umetin musliman dhe nëpërmjet shpalljes e njoftoi Hazret Mirza Ghulam Ahmedinas:

“Mesihu i biri i Merjemes, i dërguari i Allahut, ka vdekur dhe sipas premtimit, ti ke ardhur me ngjyrën e tij. Premtimi i Allahut është një punë e kryer”.

(“Izala-e-euham”, “Ruhani Khazain”, vëll. 3, f. 402)

Ai tha se Zoti e njoftoi se Hazret Isaias ndërroi jetë si çdo profet tjetër; ardhja e tij e dytë ishte metaforë dhe se do të vinte dikush tjetër në vend të tij dhe se ishte pikërisht ai që Zoti i Madhërishëm e caktoi për këtë detyrë.

Në librin “Fitorja e Islamit”, ai thotë:

“Mesihu që duhej të vinte jam unë, më pranoni nëse doni”.

(“Fitorja e Islamit”, në fusnotë f. 18)

Ai gjithashtu tregoi se muslimanët e sotëm u ngjajnë hebrenjve të kohës së Hazret Isaitas dhe kështu u përmbush profecia e Profetit Muhammedsavs se të dy popujt do të kishin ngjashmëri të plotë me njëri-tjetrin. Andaj, ashtu siç hebrenjve u erdhi Mesihu i tyre katërmbëdhjetë shekuj pas Hazret Musaitas, në të njëjtën mënyrë, po katërmbëdhjetë shekuj pas Hazret Profetit Muhammedsavs duhej të vinte Mesihu i muslimanëve. Hazret Mirza Ghulam Ahmedias thotë:

“Pikërisht për shkak të kësaj ngjashmërie shpirtërore, ky modest është dërguar me emrin e Mesihut, që të shpartallojë besimin e kryqit. Pra, unë jam dërguar për ta thyer kryqin dhe për të vrarë derrat”.

(“Fitorja e Islamit”, në fusnotë f. 19)

Duke u bërë thirrje muslimanëve, ai thotë:

“Tani, dëgjoni o muslimanë! Dhe dëgjoni me vëmendje! Të gjitha shpifjet dhe komplotet që kanë thurur populli i krishterë për të penguar ndikimet fisnike të Islamit, të gjitha intrigat që janë ngritur, të gjitha paratë që janë derdhur lumë dhe të gjitha mënyrat e turpshme që janë përdorur, prej të cilave, më mirë ta mbajmë pastër këtë shkrim, përbëjnë përpjekje prej magjie të popujve të trinitetit. Andaj, edhe Zoti i Madhërishëm derisa nuk do të tregonte dorën e Tij të fortë që përmban fuqinë e mrekullisë dhe përmes mrekullisë ta bënte magjinë e tyre copë e thërrime, ishte krejtësisht e pamundur që zemrat e thjeshta të shpëtonin nga kjo magji. Andaj, për ta asgjësuar këtë magji, Zoti i Madhërishëm u dha muslimanëve të sinqertë të kësaj kohe mrekullinë, dërgoi këtë rob për t’u bërë ballë kundërshtarëve, duke e bekuar atë me shpalljen [ilhamin] dhe me fjalën e Tij dhe me bekimet e Tij të veçanta dhe duke i dhuruar dijet e hollësishme të rrugës së Tij. Gjithashtu, Ai më ka dhënë shumë dhurata qiellore, mrekulli të larta dhe njohje e urtësi shpirtërore, në mënyrë që nëpërmjet këtij guri qiellor, ta copëtojë bustin prej dylli që ka ndërtuar magjia perëndimore.

Andaj o muslimanë! Ardhja e këtij modesti është një mrekulli prej Zotit të Madhërishëm për të larguar errësirat e magjisë. A nuk duhet të vinte në botë edhe mrekullia përballë magjisë?

(“Fitorja e Islamit”, f. 13-14)

Në këtë libër, nën udhëzimin e Zotit të Madhërishëm, Hazret Mesihu i Premtuaras vendos pesë degë për funksionimin dhe mbarëvajtjen e këtij Xhemati. Ai gjithashtu u bën thirrje muslimanëve që të dilnin dhe të bënin çdo sakrificë për ta mbështetur Xhematin e vendosur prej Zotit të Lartësuar, dhe shton:

“E di që Ai Zot i Plotfuqishëm, i cili me vullnetin e Tij të veçantë vuri bazën e kësaj ndërmarrjeje, Vetë do të më hapë ndonjë rrugë për t’i mbajtur gjallë këto pesë degë, por për t’u bërë thirrje është e nevojshme ta njoftoj për këtë edhe popullin”.

(“Fitorja e Islamit”, f. 36)

Përkthimi i këtij libri në shqip është bërë nga z. Samad Ghori dhe redaktimi nga z. Shahid Ahmad dhe znj. Ina Komino. Zoti i shpërbleftë!

Shumica e kësaj parathënie u mor përmbledhtas nga parathënia e botuar në vëllimin e 3-të të “Ruhani Khazain”, e shkruar nga Hazret Mevlana Xhelal-ud-Din Shamsra.

Ves-selam

Munir-ud-Din ShamsAdd. Vakilut-Tasnif
(Drejtor i botimeve të Xhematit Musliman Ahmedia)
25 shtator 2017

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp