Thirrje për të kontribuar për mbështetjen e Islamit | Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Kurani i madherishem

Andaj, pikërisht me qëllim që t’ju tërheq vëmendje ju them se është e qartë se sa shumë ndihmë e bashkuar nga muslimanët nevojitet për t’i mbajtur fuqimisht dhe gjerësisht të rrjedhshme këto pesë degë.

Vetëm degën e botimeve mund ta merrni si shembull. Nëse e marrim përsipër këtë shërbim duke synuar përhapjen e plotë të mesazhit, mund të imagjinoni se sa shumë mjete financiare do të na duhen. Sepse nëse qëllimi i ardhjes sonë është pikërisht përhapja e Islamit, duhet të synojmë që librat e besimit tonë që janë të mbushur me perla studimesh e argumentesh dhe që tërheqin kërkimtarët e së vërtetës në rrugën e drejt, të arrijnë sa më shumë e sa më shpejt te njerëzit, që tashmë i janë afruar shkatërrimit për shkak të ndikimit të mësimeve të ligësisë dhe të përfshirjes në sëmundje shkatërruese.

Përherë të kemi parasysh se në çdo shtet ku gjendja është tejet e përkeqësuar për shkak të helmit vdekjeprurës të devijimit, librat tanë të mbërrijnë atje pa vonesë, madje të sigurohemi që çdo kërkimtar i së vërtetës t’i ketë në dorë.

Por dihet që nëse mendojmë që librat tanë t’i botojmë e t’i përhapim vetëm nëpërmjet shitblerjes, synimi ynë nuk mund të realizohet siç duhet. Gjithashtu, botimi i librave vetëm për shitje, duke ndjekur dëshirat vetjake, dhe përzierja e besimit në çështjet e botës është një metodë e kotë dhe e kritikueshme. Sepse, në këtë mënyrë ne as nuk mund ta përhapim me shpejtësi literaturën tonë dhe as nuk mund ta botojmë atë në një masë të gjerë.

Pa dyshim, nëse duam të shpërndajmë falas njëqind mijë libra, për shembull, këtë mund ta bëjmë brenda njëzet ditësh, deri në vende të largëta, në çdo sekt dhe në çdo cep në përgjithësi, duke ia mundësuar çdo kërkimtari të së vërtetës. Një gjë të tillë dhe shumë punë të tjera si kjo, nuk mund t’i bëjmë ndoshta as brenda njëzet vitesh nëse kufizohemi me metodën e shitjes së literaturës. Në rastin e dytë, gjithë librat do të na duhet t’i mbajmë të mbyllur nëpër sëndukë, duke pritur blerësit ose letrën e tyre nga rruga postare dhe mundet që ne të largohemi nga kjo botë vetëm duke pritur, kurse librat të mbeten aty nëpër sëndukë.

Pra, me shitjen e literaturës do të kemi një shtrirje shumë të kufizuar; do të na duhen shekuj për ta realizuar këtë detyrë që mund ta bëjmë për disa vjet; nuk kemi as ndonjë të pasur kaq bujar dhe të vullnetshëm prej muslimanëve, që të na financojë kopje me shumicë të librave tanë të rinj; muslimanët nuk kanë as ndonjë shoqatë misioni siç kanë të krishterët, që të na ndihmojë për këtë punë[1]; dhe gjithashtu, nuk i besojmë jetës që të presim për ndonjë kohë tjetër më të favorshme.

Për këto arsye që nga fillimi, unë për librat e mi kam ndjekur metodën që pjesën më të madhe të tyre ta shpërndaj falas, sa të kem mundësi, në mënyrë që këta libra që janë të mbushur me dritën e së vërtetës të përhapen masivisht në botë. Por ngaqë mundësia ime financiare nuk ishte e tillë që ta mbaja i vetëm këtë barrë madhore, duke pasur shpenzime të mëdha edhe për degët e tjera, botimi i librave u ndal, pas një progresi të caktuar dhe vijon të jetë i ndalur deri më sot.

Zoti i Madhërishëm i sheh njësoj të gjitha degët e këtij Xhemati dhe do që, që të gjitha ato të vendosen e të përhapen njëtrajtshëm. Por shpenzimet e këtyre pesë degëve janë kaq të mëdha, saqë kërkojnë vëmendjen dhe dhembshurinë e veçantë të të sinqertëve. Do ta zgjasja shumë, nëse do të shkruaja hollësisht rreth këtyre shpenzimeve fetare. Por o vëllezër! Si shembull, hidhini një sy vetëm vërshimit të vizitorëve dhe të mysafirëve gjatë shtatë viteve të fundit; numri i tyre ka shkuar rreth gjashtëdhjetë mijë ose më shumë. Vetë mund të bëni llogari që sa shumë shpenzime mund të jenë bërë për shërbimin, ftesën dhe mikpritjen e këtyre mysafirëve të nderuar dhe çfarë mjetesh të nevojshme janë dashur për rehatinë e tyre dimërore e verore.

Çdo njeri largpamës do të habitej se si mund të jetë bërë e mundur mikpritja me të gjitha kushtet e kaq shumë mysafirëve dhe mbi ç’bazë do të vijojë kjo punë! Gjithashtu, njëzet mijë fletushka që u botuan në gjuhën angleze dhe urdu, më shumë se dymbëdhjetë mijë krerëve kundërshtarë u janë dërguar letra rekomande dhe nuk u la asnjë prift në shtetin indian, të mos i jetë dërguar fletushka me postë rekomande, më mënyrë që t’i plotësohej argumentimi. Tani, duke i marrë parasysh këto harxhime, a nuk është për t’u habitur se si shpenzime kaq të mëdha po bëhen nga një mundësi kaq e vogël?! Nëse llogaritni vetëm shpenzimet postare që bëhen çdo muaj për t’u dërguar letra, edhe ato do t’ju dalin një kosto e lartë, të cilën për ta përballuar akoma nuk kemi ndonjë ndihmë.

Gjithashtu, kam sy drejt qiellit për t’u siguruar mbijetesën atyre që hyjnë në këtë Xhemat duke bërë bejtin, të cilët për të mësuar të vërtetën dëshirojnë të qëndrojnë pranë meje si banorët e Sufës. E di që Ai Zot i Plotfuqishëm, i cili me vullnetin e Tij të veçantë vuri bazën e kësaj ndërmarrjeje, Vetë do të më hapë ndonjë rrugë për t’i mbajtur gjallë këto pesë degë, por për t’u bërë thirrje është e nevojshme ta njoftoj për këtë edhe popullin.

Kam dëgjuar që disa të paditur përhapin akuzë ndaj meje që kam marrë koston e librit “Berahin-e-Ahmedia” si dhe kontribute rreth tre mijë rupi, por libri nuk është botuar tërësisht deri më tani. Si përgjigje të kësaj akuze, dua t’u bëj të qartë që kontributet që më kanë ardhur nuk janë vetëm tre mijë rupi, por afërsisht edhe dhjetë mijë rupi të tjera. Por ato nuk ishin as si kontribut për librin e as për pagesën e librit, por disa kërkues të lutjes më dhuruan e disa miq të tjerë më dhanë vetëm nga dashuria.

Të gjitha ato para janë shpenzuar herë pas here për punët e kësaj ndërmarrjeje. Urtësia e Zotit e spostoi punën e botimit të librave dhe nuk kemi kursyer dot para as nga degët e tjera, të cilat me urdhrin e Zotit po vijonin. Vonesa në botimin e librave u bë me qëllim që gjatë kësaj periudhe të më qartësoheshin në mënyrë të plotë disa fakte e të vërteta dhe gjithashtu të dilte tërësisht edhe vreri i kundërshtarëve.

Tani që vullneti i Zotit sërish iu kushtua kësaj pune, që të dalin edhe botimet e tjera, Ai më tërhoqi vëmendjen ta shkruaja temën e kësaj ftese. Kështu që, në këtë kohë e kam jashtëzakonisht të nevojshëm botimin e librave. Një pjesë e madhe e librit “Berahin” është ende pa u botuar. Nëse kjo pjesë bëhet gati, do t’u dërgohet blerësve dhe të gjithë atyre që u janë dërguar pjesët e para vetëm për hir të Allahut me premtimin se do t’u dërgohen edhe pjesët vijuese. Gjithashtu, libra të tjerë si “Esh-etul-Kuran”, “Siraxh-e-Munir”, “Texhdid-e-Din”, “Arbain fi alamatil-mukarrabin”, kam dëshirë të shkruaj edhe një komentim të Kuranit Famëlartë, gjithashtu ndiej vrull në zemër të nxjerr një revistë mujore në përgjigje të gazetave të të krishterëve dhe të feve të tjera të pavërteta.

Të gjitha këto punë dhe vazhdimësia e tyre e pandërprerë nuk kanë asnjë pengesë përveç kapitalit dhe ndihmës financiare. Do të sigurohej mjaftueshëm organizimi i plotë i kësaj dege, po të kishim një shtypshkronjë, një shkrues që do të qëndronte përherë pranë meje, gjithashtu edhe shpenzime të tjera që do të bëheshin për letrat, botimin dhe rrogën e kopjuesve.

O tokë indiane! A nuk ke as edhe një të pasur të guximshëm të tillë që t’i mbulojë shpenzimet e të paktën kësaj dege, nëse jo të të tjerave?! Nëse pesë besimtarë të fuqishëm do ta njohin këtë kohë, mund ta marrin përsipër organizimin e të gjitha këtyre pesë degëve. O Zot, Perëndi! Këta njerëz Vetë zgjoji! Nuk e ka kapluar Islamin një skamje e tillë! Ka zemërngushtësi, e jo vobektësi. Edhe ata që nuk kanë mundësi të plota mund ta ndihmojnë këtë ndërmarrje duke i dhuruar pak para rregullisht si ndihmë mujore, duke bërë premtime paraprake, sipas mundësive të tyre financiare.

Përtacia, indiferenca dhe paragjykimi aspak nuk i sjellin dobi besimit. Paragjykimi shkreton shtëpitë dhe çorodit zemrat. Ata që jetuan në kohën e profetëve, a e keni parë se çfarë sakrificash të sinqerta kanë bërë për përhapjen e fesë?! Ashtu siç i pasuri solli pasurinë e vet të shtrenjtë në rrugën e besimit, në të njëjtën mënyrë edhe i varfëri e përderësi dha sahanin e tij të mbushur me koret e bukës që e kishte shumë për zemër. Ata kështu vijuan derisa u erdhi koha e fitores prej Zotit të Lartësuar. Nuk është e lehtë të bëheni musliman. Nuk është kollaj të fitoni titullin e besimtarit. Prandaj, o njerëz! Nëse e keni atë shpirt të drejtë që u jepet besimtarëve, mos e shihni thirrjen time me sy kalimtar. Mendohuni për të fituar mirësinë, sepse Zoti i Lartësuar po ju sheh prej qiellit sesi do t’i përgjigjeni këtij mesazhi.

LEXONI EDHE


[1] Thuhet se British and Foreign Bible Society [Shoqata Biblike Britanike dhe të Huaj] që kur është krijuar e deri më sot, pra gjatë një periudhe njëzet e një vjeçare, ka shpërndarë në botë më shumë se shtatëdhjetë milionë libra e fletushka për mbështetjen e krishterimit. Muslimanët e pasur por të ngathët e kësaj kohe le ta lexojnë me vëmendje e me turp këtë raport që u botua në gazeta gjatë muajve tetor dhe nëntor të vitit 1890. Vallë, këta libra janë botuar nga shitësit apo nga përpjekja e një shoqate aktive të një populli, që i shpërndau falas për mbështetjen e fesë së vet? (Autori)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp