Shtojcë lidhur me Testamentin
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
xhenazja varreza namazi

Disa gjëra të rëndësishme, lidhur me Testamentin, duhet të publikohen, të cilat po i shkruajmë më poshtë:

Së pari, derisa të publikohet nga Enxhuman Kerperdazi[1] i varrezës, se varreza është gati me të gjitha elementet e saj, nuk do të lejohet të varroset njeri në këtë varrezë, edhe sikur t’i ketë përmbushur kushtet e Testamentit. Sepse, së pari, puna e urës dhe gjëra të tjera duhen përfunduar patjetër. Deri atëherë, kufoma e tij e vendosur në një arkivol, përkohësisht mund të varroset në ndonjë varrezë tjetër.

  1. Çdo anëtar i nderuar që deklaron se i ka zbatuar kushtet e përmendura në Testament, duhet që gjatë jetës së tij ta dorëzojë pranë Enxhumanit deklarimin e tij me vetëdije të plotë, me nënshkrimin e të paktën dy dëshmitarëve. Ai duhet të shkruajë qartë në testament se një të dhjetën e gjithë pasurisë së tij të luajtshme e të paluajtshme, e dedikon për përhapjen e Xhematit Ahmedia. Gjithashtu do të duhet që testamenti i tij të botohet më së paku në dy gazeta.
  2. Enxhumani do të ketë për detyrë ta shqyrtojë përmbajtjen e testamentit, si nga ana ligjore ashtu edhe nga ana e Sheriatit dhe pastaj t’i lëshojë testamentbërësit një certifikatë me nënshkrimin dhe vulën e tij. Dhe kur do të vijë ndonjë kufomë sipas këtyre rregullave në këtë varrezë, atëherë do të duhet të tregohet certifikata e lëshuar nga Enxhumani, i cili do të japë udhëzime dhe të përcaktojë vendin ku do të varroset ajo kufomë.
  3. Në këtë varrezë nuk do të varrosen fëmijë të mitur, sepse ata i përkasin Xhenetit. Mund të ketë përjashtim në ndonjë rast të veçantë, nëse për këtë vendos Enxhumani. Edhe ndonjë i afërm i një të varrosuri nuk do të varroset në këtë varrezë, pa qenë zbatues i të gjitha kushteve të përmendura në Testament.
  4. Çdo njeri që nuk vdes në Kadian, kufoma e tij duhet të vijë patjetër në arkivol. Gjithashtu është e domosdoshme që Enxhumani të njoftohet të paktën një muaj para se të sillet kufoma, në mënyrë që zyra përkatëse, para se ta japë miratimin, t’i zgjidhë të gjitha problemet e mundshme që mund të dalin në varrezë papritmas.
  5. Nëse dikush, larg qoftë, ka vdekur nga murtaja dhe gjithashtu ka plotësuar të gjitha kushtet e Testamentit, është e domosdoshme që kufoma e tij në një arkivol të vendoset në vend të veçuar për dy vjet. Pastaj ai mund të sillet në një kohë kur murtaja të mos jetë as në vendin e të vdekurit e as në Kadian.
  6. Mbani mend që nuk është e mjaftueshme vetëm që të dedikohet një e dhjeta e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, por, testamentbërësi, sa të ketë mundësi, duhet t’i zbatojë urdhrat e fesë Islame; të përpiqet të përvetësojë takuanë e pastërtinë; të jetë një mysliman, i cili të ketë një besim të vërtetë në njëshmërinë e Zotit dhe të Dërguarin e Tij; të mos jetë nga ata që nëpërkëmbin të drejtat e robërve të Zotit.
  7. Nëse ndokush dedikon një të dhjetën e pasurisë së tij, dhe pëson vdekje aksidentale, për shembull mbytet në lumë ose vdes në ndonjë vend tjetër, nga i cili është vështirë të sillet kufoma e tij, atëherë testamenti i tij do të jetë i vlefshëm dhe te Zoti ai konsiderohet sikur të jetë varrosur në këtë varrezë. Do të lejohet që të vendoset një epitaf prej guri apo me tulla, në të cilin shkruhen të bëmat e tij.
  8. Enxhumani, që do të jetë përgjegjës për fondet e marra nga testamentbërësit, nuk do të ketë të drejtë t’i harxhojë ato për shpenzime të tjera, përveç qëllimeve të Xhematit Ahmedia. Ndër ato qëllime, më shumë përparësi do të ketë përhapja e fesë Islame. Do të lejohet që Enxhumani, me vendim konsensual, t’i rrisë ato para me tregti.
  9. Të gjithë anëtarët e Enxhumanit duhet të jenë edhe anëtarë të Xhematit Ahmedia dhe gjithashtu ata duhet të jenë të dëlirë, të sinqertë dhe besnikë. Nëse në të ardhmen, do të ndihet për ndonjë person të caktuar që ai nuk është i pastër, ose nuk është besnik, ose është dredharak, i dhënë pas botës, atëherë Enxhumani do të ketë për detyrë që menjëherë ta përjashtojë atë nga Enxhumani dhe të përcaktojë një tjetër në vendin e tij.
  10. Nëse del ndonjë mospajtim për paratë e testamentit, atëherë paratë që do të harxhohen në ndjekjen e atij mospajtimi, duhet të merren nga fondet e testamentit.
  11. Nëse dikush, pas bërjes së testamentit, për shkak të ndonjë dobësie besimi të tij, heq dorë nga testamenti i tij, ose largohet nga ky Xhemat, atëherë Enxhumani nuk do të ketë të drejtë të mbajë paratë e tij, edhe pse ato ia kishte marrë në bazë të ligjit. Madje, Enxhumani duhet t’ia kthejë të gjitha paratë e tij. Sepse Zoti nuk është nevojtar i parave të dikujt dhe se paratë e tilla nuk i pëlqejnë Zotit dhe se ato meritojnë të refuzohen.
  12. Për shkak se Enxhumani është pasardhës i Kalifit të Zotit, ai duhet të jetë i pastër nga ngjyrat e botës materiale dhe të gjitha çështjet e tij duhet të jenë të pastra dhe të bazuara mbi drejtësinë.
  13. Për mbështetjen dhe ndihmën e këtij Enxhumani, lejohet të krijohen Enxhumane të tjera nën udhëheqjen e tij në vende të ndryshme të largëta. Gjithashtu lejohet nëse Enxhumane të tilla janë në ndonjë vend, nga i cili është vështirë të sillet ndonjë kufomë, ajo të varroset në vendin e vet. Një njeri i tillë, për të fituar shpërblimin, duhet ta bëjë testamentin për një të dhjetën e pasurisë së tij derisa të jetë i gjallë, të cilën duhet ta marrë Enxhumani Është mirë që ato para të harxhohen për çështjet fetare të atij vendi, por, nëse do të jetë e nevojshme, lejohet që ato para t’i jepen Enxhumanit, zyra qendrore e të cilit do të jetë në Kadian.
  14. Është e domosdoshme që ky Enxhuman gjithmonë të jetë në Kadian, sepse Zoti e ka bekuar këtë vend. Për nevoja të ardhshme, lejohet edhe ndërtimi i ndërtesave për këtë punë.
  15. Enxhuman, gjithmonë duhet të jenë të paktën dy anëtarë nga ata që kanë dije të thella për Kuranin dhe Hadithet e gjithashtu, që dinë mirë edhe gjuhën arabe dhe që kanë përvetësuar librat e Xhematit Ahmedia.
  16. Larg qoftë, nëse ndonjë testamentbërës sipas Testamentit vdes nga leproza dhe gjendja e trupit të tij nuk është e tillë që ai të sillet këtu, atëherë për shkak të masave parambrojtëse, nuk është e përshtatshme që ai të sillet në këtë varrezë. Por, megjithatë, nëse ai nuk e prish testamentin e tij, atëherë ai do të marrë të njëjtin shpërblim që merr ai që varroset këtu.
  17. Nëse ndonjëri nuk zotëron asnjë pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, mirëpo provohet se ai është një njeri i dëlirë, modest, me takua dhe besimtar i pastër dhe se nuk ka asnjë përzierje hipokrizie, botëadhurimi a mosbindjeje në veten e tij, atëherë me lejen time dhe pas meje me konsesusin e Enxhumanit, ai pas vdekjes së tij mund të varroset në këtë varrezë.
  18. Nëse ndonjëri do të refuzohet përmes shpalljes së veçantë të Zotit, atëherë edhe nëse ai jep para sipas testamentit, nuk mund të hyjë në këtë varrezë.
  19. Për mua dhe për familjen time, Zoti ka bërë përjashtim. Veç këtyre, çdo njeri qoftë burrë qoftë grua, duhet t’i zbatojë kushtet. Ai që ankohet do të jetë hipokrit.

Këto kushte, që kemi shkruar lart, janë të obligueshme dhe ai që do të varroset në këtë varrezë bahishti, duhet t’i zbatojë ato. Mundet që ndokush të paragjykojë, madje edhe të na akuzojë dhe që këtë projekt ta shohë si qëllim vetjak ose ta quajë bidat, por, duhet të dini se në punët e Tij, Zoti bën atë që dëshiron.

Padyshim, Ai ka vendosur që me këtë projekt të bëjë dallim midis hipokritit dhe besimtarit. Edhe ne vetë ndiejmë që ata, pasi të njoftohen me këtë projekt, menjëherë vrasin mendjen për të dhënë në rrugën e Zotit një të dhjetën e gjithë pasurisë së tyre, madje tregojnë edhe më shumë gatishmëri, në këtë mënyrë, ata e vulosin besimin e tyre.


[1] Organi ekzekutiv që është përgjegjës për çështjet e testamenteve. Ai është pjesë e organit kryesor Sadr Enxhuman Ahmedia. [Përkthyesi]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp