Varreza e xhenetlinjve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
xhenazja varreza namazi

Mua më është treguar një vend duke thënë – Kjo do të jetë vendndodhja e varrit tënd. Pashë një engjëll që maste tokën dhe kur arriti te një vend, më tha – Kjo është vendndodhja e varrit tënd. Pastaj diku m’u shfaq një varr, i cili shkëlqente më shumë sesa argjendi, madje i gjithë dheu i tij ishte i argjendtë. Atëherë më është thënë – Ky është varri yt.

Veç kësaj, m’u shfaq një vend, i cili u quajt Bahishti Makberah[1], dhe u njoftova se ato janë varret e atij xhemati të bekuar, anëtarët e të cilit janë xhenetlinj. Që atëherë, gjithmonë kisha merak që të blej një truall për varrezën e Xhematit. Por, për shkak se një truall i mirë në këtë vend kushtonte shtrenjtë, kjo dëshirë u shty për një kohë të gjatë.

Lutja e namazit të xhenazes – Duaja e xhenazes

Tani, qysh pas vdekjes së të ndjerit, vëllait tim Maulvi Abdul Kerim sahibi, vazhdimisht erdhën shpalljet edhe rreth vdekjes sime, e pashë të udhës që të gjejmë një varrezë sa më shpejt. Për këtë arsye, caktova një tokë nga prona ime, e cila gjendet afër kopshtit tonë, çmimi i së cilës nuk mund të jetë më pak se një mijë rupi.

Lutem që Zoti ta bekojë këtë tokë dhe ta bëjë atë Bahishti Makberah. Aty u prefshin njerëz zemërpastër të këtij Xhemati, të cilët me të vërtetë fesë i dhanë përparësi përpara botës dhe duke hequr dorë nga kënaqësia e kësaj bote, u bënë të Zotit, sollën një ndryshim të pastër në qeniet e tyre dhe treguan shembullin e besnikërisë dhe të së vërtetës, ashtu  si i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe es-habët e tij! Amin, o Zot i botëve.

Lutem sërish: O Zoti im i Plotfuqishëm, bëje këtë tokë varrezë të atyre zemërpastërve nga Xhemati im, që me të vërtetë janë bërë të Tutë dhe nuk gjenden qëllimet e kësaj bote në punët e tyre! Amin, o Zot i botëve.

Lutem përsëri për herë të tretë: O i Plotfuqishmi dhe Bujari im, o Zot Mëkatfalës dhe i Mëshirshëm, Ti vetëm atyre jepu vend për varr, të cilët kanë besim të vërtetë te ky i dërguar Yti; të cilët nuk kanë aspak hipokrizi, qëllim vetjak dhe paragjykim[2] dhe besojnë e binden ashtu siç duhet; të cilët, me zemrat e tyre kanë sakrifikuar jetën për hir Tëndin e në rrugën Tënde; me të cilët Ti je i kënaqur dhe sipas dijenisë Sate ata janë kredhur në dashurinë Tënde; të cilët, me gjithë besnikëri, respekt e besimçiltërsi, kanë lidhje dashurie e devotshmërie me të dërguarin Tënd. Amin, o Zot i botëve.


[1] D.m.th. Varreza e xhenetlinjve. [Përkthyesi]
[2] Paragjykimi është një ves shumë i keq, që shkrumbon kaq shpejt besimin siç shkrumbon zjarri kashtën. Ai që paragjykon të dërguarit e Zotit, Zoti bëhet armik i tij dhe gatitet për të luftuar kundër tij. Sepse Ai ka kaq shumë sedër ndaj të zgjedhurve të Tij, saqë nuk e gjeni dot shembullin e tij. Kur mua më janë bërë sulme të gjithëllojshme, atëherë po ajo sedër e Zotit u përshkëndit. Siç tha Ai: “Padyshim, Unë qëndroj me të dërguarin tim dhe do ta mallkoj atë që e mallkon të dërguarin Tim dhe do të ta jap ty atë që mbetet përgjithmonë. Ti gëzon gradë në qiell dhe tek ata që kanë sy. Ne do të të tregojmë ty shenja dhe do t’i rrëzojmë ato çka ndërtojnë ata. Ata thanë – A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të? – Ai tha – Unë e di atë që ju nuk e dini. Unë do ta poshtërojë atë që mendon për poshtërimin tënd. Mos u frikëso, me të vërtetë të dërguarit nuk frikësohen kur janë pranë Meje. Urdhri i Allahut do të arrijë patjetër, andaj mos e shpejtoni atë. Është një myzhde që u jepet të dërguarve. O Ahmedi Im, ti je qëllimi Im dhe je me Mua. Ti më ke Mua, ashtu siç më kanë Teuhidi dhe Njëshmëria Ime. Ti më ke në atë nivel, që krijesat nuk kanë haber për të. Ti je i shkëlqyeshëm tek Unë. Unë të zgjodha për Veten. Kur zemërohesh, zemërohem, kur ti do, dua edhe Unë. Allahu të ka preferuar mbi çdo gjë. Lavdërimi i takon Allahut, që të bëri Mesih bir të Merjemes. Ai nuk pyetet për atë çka bën, por ata do të pyeten. Ky është premtim që do të bëhet patjetër. Allahu do të të ruajë kundër armiqve dhe do ta sulmojë atë që të sulmon ty. Kjo është për shkak të mosbindjes së tyre dhe se ata i tejkaluan kufijtë. A nuk i mjafton Allahu robit të Vetë? O male dhe zogj, përkuluni bashkë me të! Allahu ka vendosur: “Unë dhe të dërguarit e Mi do të triumfojmë me siguri”. Ata pas thyerjes së tyre, me siguri do të fitojnë. Me të vërtetë, Zoti është me ata që i frikësohen dhe që janë punëmirë. Sigurisht, ata që besuan, hapi i tyre është hap i vërtetë te Zoti i tyre. “Selam” do të jetë fjala prej një Zoti Mëshirëplotë. Veçohuni sot ju, o keqbërës. (Autori)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp