Beteja e Bedrit - shkaqet dhe rezultatet
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
Related Contents from Topics
beteja e bedrit

Karvani tregtar i mekasve

Në muajin e trembëdhjetë pas hixhretit, po vinte një karvan tregtar nga Siria, nën komandën e Ebu Sufjanit. Me pretekstin se do ta mbronin karvanin e tyre, mekasit vendosën të shkojnë në formë ushtrie, të përgatitur drejt Medinës. Profetit Muhammed s.a.v.s. i erdhi ky lajm dhe Zoti i Lartësuar i dërgoi shpallje duke njoftuar se tashmë ka ardhur koha që dhunës së armikut t’i përgjigjej me të njëjtën monedhë. Profeti s.a.v.s., me disa shokë të tij, doli nga Medina. Askush deri atëherë nuk dinte se ky grup muslimanësh do të ndeshej me karvanin që po vinte nga Siria, apo me ushtrinë që marshonte drejt Medinës. Andaj, afërsisht vetëm treqind njerëz e shoqëronin Profetin s.a.v.s..

Karvani tregtar, në atë kohë, nuk përbëhej vetëm me gamile të ngarkuara, por mekasit, në mbrojtje të tij, dërgonin edhe ushtri të armatosur. Mu me këta karvanë, ata donin edhe t’i trembnin muslimanët. Me të njëjtin pretekst, historianët përmendin edhe dy karvanë të tjerë, njëri qe shoqëruar me dyqind ushtarë dhe tjetri me treqind. Në këto rrethana akuza e historianëve të krishterë që thonë se Profeti Muhammed s.a.v.s. gjoja kishte dalë për të plaçkitur një karvan të pambrojtur, është vetëm mashtrim. Ky karvan ishte shumë i madh dhe duke marrë parasysh numrin e trupave mbrojtëse të karvanëve të mëparshëm, del që të paktën katërqind apo pesëqind kalorës duhet ta kenë shoqëruar edhe këtë.

Është vetëm zili, kokëfortësi dhe padrejtësi të thuhet që ushtria muslimane paskësh dalë për plaçkitje, edhe pse përbëhej vetëm nga treqind njerëz, që nuk kishin as mjete të plota ushtarake të kohës, dhe që ishte nisur të përballej me një ushtri tjetër shumë më të madhe sesa vetë. Edhe sikur të bëhej fjalë për një ndeshje me karvanin, prapëseprapë ajo luftë do të quhej, madje luftë mbrojtëse. Duhet ditur se, ushtria medinase ishte e dobët dhe se dalja e saj kishte për qëllim eliminimin e sherrit që karvanët mekas krijonin duke ngërmuar fiset që jetonin përreth. Porse, ndeshja e muslimanëve jo me karvanin, por me ushtrinë mekase, siç mësohet nga Kurani Famëlartë, ishte dëshirë Hyjnore dhe se kjo paqartësi ishte vetëm që të sprovohej devotshmëria dhe besimi i muslimanëve.

Pa u përgatitur mirë ata dolën nga Medina dhe vetëm kur kishin bërë një pjesë të rrugës, Profeti Muhammed s.a.v.s. u tregoi se dëshira e Zotit është që ata të ballafaqoheshin me ushtrinë që po vinte nga Meka. Informatat që kishin marrë, tregonin që ushtria e tyre përbëhej nga më shumë se një mijë ushtarë, që të gjithë të stërvitur, ndërsa njerëzit që e shoqëronin Profetin s.a.v.s., ishin vetëm 313, shumica e të cilëve nuk dinin të luftonin. Aq më tepër, as pajimet luftarake ata nuk i kishin të mjaftueshme. Shumica ishin ose këmbësorë, ose në deve. Kishin vetëm një kalë. Për një ushtri kaq të vogël e të paarmatosur mirë ishte tejet e rrezikshme të përballej me një ushtri të kalitur armike, që ishte trefish më shumë në numër.

Për këtë arsye, Profeti s.a.v.s. nuk donte që t’ia impononte askujt pjesëmarrjen në këtë luftë. Kështu që, ai u tregoi muslimanëve se nuk bëhej fjalë më për karvanin, por ballafaqimi do të bëhej me ushtrinë, andaj u kërkonte t’i jepnin këshillë. Muhaxhirët, njëri pas tjetrit, ngriheshin dhe thoshin:

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.! Nëse armiku ka ardhur të na pushtojë te dera jonë, ne nuk i trembemi. Jemi gati të luftojmë me të”.

Profeti s.a.v.s. ua dëgjonte përgjigjet, por vazhdonte të thoshte:

“Më jepni ndonjë mendim”.

Medinasit kishin heshtur deri atëherë, për arsye se forca kundërshtare kishte lidhje gjaku me muhaxhirët. Ata druanin se mos ua lëndonin zemrat muhaxhirëve me fjalën e tyre. Por, kur Profeti s.a.v.s. vazhdimisht përsëriste që t’i jepej ndonjë mendim, një kryetar i ensarëve u ngrit dhe tha:

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.! Po shoh që ju japin këshillë, por ju vazhdoni ta përsërisni kërkesën tuaj. Si duket, doni ndonjë mendim nga ne medinasit”.

“Po”, iu përgjigj Profeti s.a.v.s.. Ensari i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Po na kërkoni neve mendimin ndoshta për shkak se kishim bërë bashkë një marrëveshje para se të vinit në Medinë, që nëse dikush do t’ju sulmonte ju dhe muhaxhirët brenda Medinës, ne do t’ju mbronim. Por, tani ndodhemi jashtë Medinës dhe mbase marrëveshja jonë nuk e përfshin këtë situatë. O i Dërguari i Allahut! Atëherë kur e kishim bërë marrëveshjen, neve nuk na ishte kaq e qartë pozita juaj, por tani që e njohim statusin dhe madhështinë tuaj, nuk e kemi parasysh fare atë marrëveshje. Ne nuk do t’ju themi si shokët e Musait a.s.:

lufta beteja e bedrit “Shko ti dhe Zoti yt o Musa dhe luftoni me armikun. Ne këtu do të qëndrojmë”.[1]

Ne do të luftojmë në të djathtën tuaj dhe në të majtën tuaj, ne do të luftojmë para jush dhe mbrapa jush. O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.! Armiku që dëshiruaka t’ju sjellë dëm juve, nuk mund t’ju afrohet, derisa të shkelë kufomat tona. O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.![2] Lufta me armikun është diçka e vogël. Deti nuk është larg që këtu. Na urdhëroni t’i kalërojmë kuajt në det; ne padyshim do ta bëjmë edhe këtë![3]

Ky ishte flijimi dhe sinqeriteti i tyre, gjë që nuk e kishte gjetur asnjë profet i mëparshëm te shokët e tij. Shembullin e shokëve të Moisiut (Musait)as ata vetë e treguan. Çfarë kishin bërë dishepujt e Jezusit para armikut, e dëshmojnë Ungjijtë: njëri e shiti mësuesin e tij për një shumë të vogël parash, tjetri e mallkoi atë, ndërsa dhjetë të tjerë u çorientuan duke e braktisur atë. Kurse, shokët e Profetit Muhammed s.a.v.s., edhe pse kishin qëndruar vetëm një vit e gjysmë në shoqërinë e tij, u forcuan aq shumë në besim, saqë ishin të gatshëm të hidheshin edhe në det, nëse ai do t’i urdhëronte për këtë.

Profeti Muhammed s.a.v.s. u këshillua me ta vetëm që të kthehej ai që donte. Por, edhe muhaxhirët, edhe ensarët treguan besim dhe devotshmëri, njëri më shumë se tjetri. Që të dy ishin të vendosur, që mos t’ia kthenin shpinën armikut, madje si sedërmëdhenj ndaj fesë së Zotit të Lartësuar, me gëzim të jepnin jetën e tyre, edhe pse ishin tri herë më pak se kundërshtarët në numër dhe shumë më pak në armë. Duke parë devotshmërinë e tyre, Profeti s.a.v.s. vazhdoi marshimin. Kur mbërriti në vendin e quajtur Bedër, me këshillën e një sahabi, ushtrinë muslimane e zbriti te kroi i Bedrit, afër ushtrisë së armikut. Me këtë strategji, ata e zunë ujin, por këtu toka qe shkretinore e cila rezultoi shumë e rrezikshme për manovrimet ushtarake. Sahabët u trembën. Profeti s.a.v.s. gjithë natën e kaloi në lutje e përgjërime:

“O Zoti im! Sot, vetëm këta janë ata që të adhurojnë Ty në faqen e dheut. O Zoti im! Nëse këta do të vriten në betejën e sotme, kush do të mbetet për të të përkujtuar Ty?!”[4]

Zoti i Lartësuar ia dëgjoi lutjet: natën ra shi, i cili e ngurtësoi ranishtën ku qëndronin muslimanët, kurse tokën e lëmuar të mohuesve e bëri tepër të rrëshqitshme. Mohuesit kishin ardhur përpara muslimanëve dhe ndoshta qëllimisht e kishin zgjedhur atë pjesë për vete, sepse ajo ishte tokë e ngjeshur në të cilën manovrimet mund të bëheshin shumë më lehtë, ndërsa muslimanëve ua kishin lënë pjesën ranishte, ku do t’u fundoseshin këmbët nëse tregoheshin të shkathët. Por Zoti i Lartësuar, për një natë e ktheu gjendjen përmbys. Ranishta u shndërrua në një tokë të fortë, ndërsa toka e ngjeshur u kthye në baltë shqitëse. Natën, Zoti i Lartësuar i dha lajm të gëzueshëm Profetit s.a.v.s. se disa nga armiqtë e tij do të vriteshin. Ishin treguar jo vetëm emrat e tyre, por edhe vendet ku ata do të binin. Kjo u vërtetua gjatë luftës. Armiqtë, që kishte treguar Profeti s.a.v.s., u vranë, pikërisht në ato vende që ishin paratreguar.

Trimëri e ensarëve

Njëri prej pak veteranëve të kalitur që ishin në ushtrinë muslimane, ishte Abdurrahman bin Eufi, që më përpara kishte qenë edhe një ndër krerët e Mekës. Rrëfimi i tij hedh mjaftueshëm dritë mbi devotshmërinë e pakundshoqe që kishin treguar sahabët r.a. e Profetit s.a.v.s., gjatë kohës kur të dyja ushtritë u rreshtuan për t’u ballafaquar. Ai thotë:

Atë ditë, mendoja se kisha një përgjegjësi të madhe. Me këtë shqetësim, kur hodha një sy djathtas e majtas, pashë që kisha dy djelmosha medinas anëve të mia. Zemra po më mbetej pashpresë. Një gjenerali të paepur, për t’u vërvitur si shigjetë në mes të armiqve, i nevojitet që krahu i tij i djathtë dhe i majtë të jenë të fuqishëm. Por pranë meje ishin dy djem të papërvojë. Si do të tregoja vallë mjeshtërinë time?!

Sapo më përshkonin këto mendime, njëri prej atyre djelmoshave, më shtyu me bërryl. Kur iu ktheva, më pëshpëriti: “O xhaxha! Kam dëgjuar që Ebu Xheheli e shqetësonte shumë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Dua të luftoj me të sot. Më trego se kush është ai?” Pa i dhënë akoma përgjigje, djali i dytë që ishte në krahun tjetër, më shtyu me bërryl. Kur iu drejtova atij, edhe ai më bëri të njëjtën pyetje. U befasova nga guximi i tyre. Unë edhe pse isha një ushtar me përvojë, nuk mund të mendoja që i vetëm t’i vërsulesha komandantit të ushtrisë kundërshtare. Për t’u dhënë përgjigje të dyve, ngrita gishtin dhe u tregova: “Ja ai, që duket i armatosur nga koka gjer në këmbë. Ai që po qëndron prapa rreshtave të ushtarëve, para të cilit po qëndrojnë, me shpata të zhveshura, dy veteranë të tjerë. Ai është Ebu Xheheli!”.

Nuk e kisha ulur gishtin ende, kur të dy djelmoshat duke këlthitur u turrën në zemrën e ushtrisë kundërshtare, si një shqiponjë e ndërsyer që u vërsulet zogjve. Ky sulm i tyre ishte kaq i beftë dhe i paparashikuar saqë asnjë shpatë nuk guxoi të ngrihej kundër tyre. Si një shigjetë ata arritën te Ebu Xheheli. Rojët e tij i sulmuan. Njëri nuk i qëlloi dot, por një tjetër rojë ia preu krahun njërit prej djemve. Por, ata nuk u shqetësuan aspak nga kjo, madje, iu drejtuan Ebu Xhehelit dhe e sulmuan kaq fuqishëm, saqë ai menjëherë u rrëzua. Më pas ata e plagosën rëndë,[5] por, ngaqë nuk ishin mjeshtër të shpatës, nuk arritën ta vrisnin atë.

Nga kjo ngjarje mund të kuptohet sesa të tmerrshme u dukeshin atyre që i kishin parë nga afër, tërë mizoritë që i bënin mekasit Profetit Muhammed s.a.v.s.. Edhe sot, kur një njeri i sinqertë i lexon në histori, i dridhet zemra dhe i rrëqethet trupi. Por medinasit i kishin dëgjuar ato drejtpërdrejt nga ata, që i dëshmuan dhe i përjetuan. Kur, në njërën anë, shikonin jetën e pastër dhe paqedashëse të Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe, në anën tjetër, dëgjonin mizoritë çnjerëzore të mekasve, me siguri lëshonin psherëtimë të thellë dhe mendonin që Profeti s.a.v.s., për shkak të natyrës së tij të butë dhe paqedashëse, nuk u përgjigjej. Ata mendonin se mekasit po të ballafaqoheshin me ta, do të tregonin që në kohën kur muslimanët nuk e kthyen dhunën e tyre me të njëjtën monedhë, shkaku nuk ishte që muslimanët ishin të dobët, por ishte që ata nuk ishin lejuar prej Zotit për t’u dhënë kundërpërgjigje.

Gjendjen e muslimanëve mund ta përfytyrojmë edhe nga një ngjarje tjetër. Para se të fillonte beteja e Bedrit, Ebu Xheheli dërgoi një prijës beduin për të gjurmuar sesa mund të ishin muslimanët. Ai kur u kthye, i tregoi që ata ishin treqind apo treqind e një çerek. Ebu Xheheli dhe shokët e tij u gëzuan pamasë kur e dëgjuan dhe bindshëm u shprehën: Si do të shpëtojnë muslimanët nga ne?! Por, beduini i ndërpreu dhe tha: O mekas! Pavarësisht nga kjo, unë ju këshilloj që të hiqni dorë nga lufta me ta, sepse me aq sa i kam parë, ata nuk ishin thjesht njerëz të hipur në devetë e tyre. Aty ulërinte vdekja.[6] Pra, sipas tij, çdokush prej muslimanëve kishte ardhur për t’u flijuar në betejë, e jo për t’u kthyer i gjallë, andaj, nuk ishte e lehtë që mohuesit të përballeshin me ta.

Përmbushja e një profecie të madhe

Kur u afrua koha e nisjes së betejës, Profeti Muhammed s.a.v.s. nga atje ku qe ulur dhe bënte lutje, doli jashtë dhe tha:

lufta beteja e bedrit“Aleanca (e armiqve) do të thyehet dhe do t’ia mbathë”.[7],[8]

Këto fjalë ishin një paralajmërim i Kuranit Famëlartë, që ishte shpallur që në Mekë dhe që parashikonte pikërisht këtë betejë. Në Mekë, kur muslimanëve po u ushtrohej çdolloj mizorie nga mekasit dhe disa prej tyre mërgonin andej-këtej, Zoti i Lartësuar i zbriti Profetit s.a.v.s. këto ajete:

lufta beteja e bedrit(O banorët e Mekës!) Edhe njerëzve të Faraonit u patën ardhur alarmimet, por ata i mohuan të gjitha shenjat Tona. Prandaj, Ne i kapëm ata, ashtu siç kap një Mbizotërues (i Madh) dhe i Plotfuqishëm. Këta mohuesit tuaj a janë më të mirë sesa mohuesit e mëparshëm, apo keni ndonjë premtim të pandëshkueshmërisë në Librat e mëparshëm?!

Apo ata thonë: Jemi një popull që nuk mund të thyhet. (Le t’i flasin këto gjëra) Aleanca (e armiqve) do të thyhet dhe do t’ia mbathë. Madje, ora e tyre është premtuar. Ajo orë do të jetë shkatërrimtare dhe e hidhët. Keqbërësit, patjetër, do të dalin të humbur, do të hidhen në gropa zjarri. Atë ditë, ata do të tërhiqen prej fytyrash drejt zjarrit (dhe do t’u thuhet) “Shijoni ndëshkimin!”[9]

Këto ajete janë të sures El-Kemer, e cila, sipas të gjitha burimeve islame, ishte zbritur në Mekë. Edhe sipas dijetarëve muslimanë kjo sure zbriti midis periudhës nga viti i pestë deri në vitin e dhjetë pas profetizmit të Muhammedit s.a.v.s.. Domethënë, më së largu tre vjet dhe më së afërmi tetë vjet para mërgimit. Edhe studiuesit evropianë e vërtetojnë këtë gjë. Noldeku (Theodor Noldeke) pohon që kjo sure i përket vitit të pestë pas profetizmit. Kurse Veri (Elwood Morris Wherry) thotë që data e zbritjes së kësaj sureje e përcaktuar nga Noldeku është para kohe dhe, sipas tij, ajo duhet të ketë zbritur afërsisht në vitin e gjashtë apo të shtatë para mërgimit. Kjo do të thotë se, sipas Verit koha e zbritjes së sures El-Kemer është afërsisht në vitin gjashtë apo të shtatë pas profetizmit. Shkurt, edhe kundërshtarët e muslimanëve pohojnë që kjo sure ishte zbritur disa vite para mërgimit. Sa i qartë ka qenë paralajmërimi i kësaj beteje, që u dha në një kohë kaq të hershme, në të cilin u fol shkoqur se si ata do të katandiseshin keq! Sërish, befasohesh duke parë sesi Profeti Muhammed s.a.v.s. ua lexoi muslimanëve pikërisht këto vargje, pak çaste para se të fillonte beteja dhe në këtë mënyrë ua tërhoqi vëmendjen që koha e përmbushjes së premtimit të Zotit, tashmë ishte afruar.

Kishte ardhur koha, që e kishte parashikuar edhe Profeti Isaia,[10] dhe të cilën e kishte përsëritur edhe Kurani Famëlartë, gjashtë apo tetë vjet para së të fillonte lufta. Për këtë arsye, pavarësisht se muslimanët ishin të papërgatitur për këtë luftë dhe pavarësisht se edhe mohuesve u kishin dhënë këshillë disa miq të tyre që të hiqnin dorë nga ajo, prapëseprapë lufta filloi. 313 njerëz, shumica prej të cilëve ishin të papërvojë dhe të gjithë pa pajime luftarake, u radhitën për t’u ballafaquar me ushtrinë e sprovuar të mohuesve, që përbëhej nga më shumë se 1000 trupa. Beteja nisi dhe vetëm për disa orë, u vranë krerët e lartë të Mekës. Ndodhi ashtu siç kishte parashikuar Profeti Isaiaas. Ra madhështia e Kedarit dhe, duke lënë ca të vrarë e ca të burgosur, ushtria mekase ia mbathi. Ndër të burgosurit, ishte edhe Abasi r.a., xhaxhai i Profetit Muhammed s.a.v.s., i cili gjithmonë e mbështeste Profetin s.a.v.s., por mekasit e kishin detyruar të vinte me ta në këtë betejë. Po ashtu, një tjetër i burgosur ishte Ebul Asi, bashkëshorti i së bijës së madhe të Profetit s.a.v.s.. Ndërsa, ndër të vrarët ishte edhe Ebu Xheheli, kryekomandanti i ushtrisë mekase dhe armiku më i fortë i fesë Islame.

Të burgosurit e betejës së Bedrit

Profeti s.a.v.s. ishte i gëzuar nga kjo fitore, sepse u përmbushën ato profeci që ai kumtonte vijueshmërisht për katërmbëdhjetë vjet, si dhe profecitë që kishin dhënë edhe profetët e mëparshëm rreth kësaj dite. E megjithatë, përpara tij ishte edhe pësimi i keq i kundërshtarëve. Dikush tjetër edhe do të kërcente nga gëzimi po të ishte në vendin e tij. Por, atij dhe Ebu Bekrit, shokut të tij besnik, i lotonin sytë kur i panë të burgosurit e lidhur me litarë, që po kalonin pranë tyre. Omeri r.a., i cili më vonë do të bëhej Kalifi i Dytë i Profetit s.a.v.s., u befasua kur pa të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të shqetësuar në këtë ditë fitoreje dhe gëzimi. “O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.”, pyeti ai, “më tregoni edhe mua se përse po qani sot? Edhe unë do të qaj nëse do ta di shkakun. Ose të paktën do t’ju shpreh ngushëllimet e mia për shqetësimin tuaj”.

“A nuk sheh o Omer, se si mekasit po vuajnë sot për shkak se nuk ia vunë veshin fjalës së Zotit të Lartësuar?!” iu përgjigj Profeti s.a.v.s..[11]

Pas betejës, u dëshmua hijshëm drejtësia e Profetit s.a.v.s., për të cilën flet disa herë edhe Profeti Isaiaas në parashikimet e tij. Gjatë kthimit për në Medinë, Profeti s.a.v.s. dhe sahabët r.a. e tij qëndruan në një vend për të kaluar natën. Profeti s.a.v.s. u shtri për të fjetur, por sahabët r.a. vunë re se atë nuk e merrte gjumi. Ata panë që edhe Abasi r.a., xhaxhai i tij, nuk po flinte, madje rënkonte nga dhimbjet e shkaktuara prej litarëve që e kishin shtrënguar fort. Menduan se ky duhet të jetë shkaku i shqetësimit të Profetit s.a.v.s.. Pasi u këshilluan me njëri-tjetrin, ia liruan litarët Abasit r.a. dhe nga ky lehtësim, atë e zuri gjumi dhe më pas edhe Profeti s.a.v.s. fjeti. Nuk kishte kaluar shumë kohë, që Profeti s.a.v.s. u zgjua i tronditur. “Përse Abasi r.a. është i heshtur? Përse nuk po ia dëgjoj rënkimet?” Ai dyshonte që Abasi r.a. mos kishte humbur ndjenjat. Sahabët r.a. thanë:

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.! Duke parë dhimbjen tuaj, atij ia liruam litarët”.

Profeti s.a.v.s. tha: “Jo! Nuk duhet të bëni padrejtësi! Nëse Abasi r.a. është i afërmi im, edhe të burgosurit e tjerë janë të afërmit e të tjerëve. Lirojini litarët e të gjithë të burgosurve, që të flenë rehat edhe ata, ose shtrëngojani edhe Abasit r.a.!”

Sahabët r.a. i liruan të tërë duke marrë mbi vete gjithë sigurinë e tyre.[12] Profeti s.a.v.s. vendosi që të burgosurit e arsimuar të liroheshin, nëse secili prej tyre si shpagim do të arsimonte nga dhjetë djem të Medinës. Disa që nuk kishin të afërm që të jepnin shpagim për ta, u liruan falas. Ndërsa, prej të pasurve u mor shpagimi sipas mundësive të tyre. Në këtë mënyrë, Profeti s.a.v.s. i dha fund zakonit të vjetër për të skllavëruar të burgosurit.


[1]  Kurani Famëlartë 5:25.
[2]  Buhariu, Kitabul-magazi, bab kiseti gezueti Bedrit.
[3]  Siret Ibni Hisham, vëll. II, Egjipt, 1936, f. 267.
[4]  Buhariu, Kitabul-magazi, bab kiseti gezueti Bedrit.
[5]  Buhariu, Kitabul-magazi, bab fedli men shehida Bedrit.
[6]  Siret Ibni Hisham, vëll. II, Egjipt, 1295 Hixhri, f. 16; Siret Ibni Hisham, vëll. II, Egjipt, 1936, f. 274.
[7]  Kurani Famëlartë 54:45.
[8] Buhariu, Kitabut-tefsir, tefsir sureti ikterabatis-sa’ah, bab keuluhu sajuhzamul-xhem’u.
[9]  Kurani Famëlartë 54:42-49.
[10]   Bibla, Isaia 21:13-17.
[11]  Muslimi, Kitabul-xhihad, bab el-murad bil-melaikati fi gezueti Bedrit.
[12]  Esadul-Gabah, vëll. III, Rijad, 1286 Hixhri, f. 109.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp