
Kur mësimet e sipërshënuara shpesh u lexoheshin mekasve, njerëz me natyrë të pastër filluan të tërhiqeshin pas Islamit. Atëherë, një ditë, krerët e Mekës u mblodhën, shkuan tek xhaxhai i Profetit, Ebu Talibi dhe i thanë:
“Jeni kryetari ynë dhe për hirin tuaj nuk i kemi thënë asgjë nipit tuaj, Muhammedit (s.a.v.s), por tani ka ardhur koha që ne të marrim një vendim përfundimtar ndaj jush. Këshillojeni atë dhe merreni vetë në pyetje se çfarë dëshiron ai nga ne. Nëse kërkon nder, jemi të gatshëm ta pranojmë kryesinë e tij. Nëse kërkon pasuri, secili nga ne mund t’i japë një pjesë të pasurisë së vet. Nëse kërkon të martohet me dikë, cilëndo vajzë të na tregojë ai, ne do ta sjellim atë në martesën e tij. Ne nuk duam asgjë nga ai dhe nga asgjë nuk e pengojmë atë, vetëm se ai nuk duhet të flasë kundër idhujve tanë. Le të thotë se Zoti është një, por të mos thotë se idhujt janë të këqij. Nëse ai pranon vetëm kaq nga ne, atëherë ne mund të pajtohemi me të. Ju këshillojeni atë dhe bindeni që ta pranojë propozimin tonë, përndryshe do të ndodhë njëra nga dy gjërat: ose ju duhet të ndaheni nga nipi juaj, ose populli juaj do të mohojë kryesinë tuaj dhe do t’ju braktisë ju”.
Për Ebu Talibin që të dyja ishin shumë të rënda. Arabët zakonisht nuk mbanin shumë para. Për ta, gjithçka ishte bajraktarizmi. Prijësit jetonin për popujt dhe popujt për prijësit. Ai po përballej me një zgjedhje shumë të vështirë. E thirri Profetin Muhammed s.a.v.s. dhe tha:
“Bir, më erdhi populli im dhe më dha këtë mesazh. Më thanë se deri ku mund të bëjnë kompromis ata dhe thanë se nëse ti nuk do të zgjedhësh asnjërin nga propozimet e tyre, atëherë unë duhet të të braktis ty. Përndryshe, ata do të më mohojnë dhe do të më braktisin mua”.
Ebu Talibi u përlot duke thënë këto gjëra. Lotët e xhaxhait e prekën edhe nipin, por ai tha:
“O xhaxhai im! Nuk të them që ti t’i shmangesh popullit tënd dhe të më përkrahësh mua. Pa asnjë frikë mos më mbështet dhe bashkohu me popullin tënd.
Por unë betohem në Atë Zot të Vetëm: edhe sikur ata të më sjellin diellin në dorën time të djathtë, dhe hënën në dorën e majtë, prapëseprapë unë nuk mund të heq dorë nga misioni im për të predikuar njëshmërinë e Zotit. Unë do të vazhdoj të jem i angazhuar në punën time, derisa Zoti të më japë vdekjen. Ti mendo për veten tënde”.
Përgjigjja e tij e palëkundur, e drejtë dhe e sinqertë ishte e mjaftueshme për t’i hapur sytë Ebu Talibit. Ai e kuptoi që edhe pse nuk kishte gjetur guximin për ta besuar atë, ishte fatlum ta dëshmonte besimin e patundshëm të nipit, që për të, ishte më shumë se gjithçka. “O nipi im, shko dhe vazhdo detyrën tënde. Le të më braktisë populli im nëse dëshiron, por unë ty nuk të braktis dot”, iu përgjigj Ebu Talibi[1].
[1] Siret Ibni Hisham, vëll. I, Egjipt, 1936, f. 284-285.