Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sehabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
Të ngjashme rreth kësaj teme
Jeta

Ushtria e mohuesve morën arratinë në betejën e Bedrit, por gjatë ikjes, i njoftuan muslimanët që vitin tjetër sërish do ta mësynin Medinën dhe do të hakmerreshin me ta për humbjen e tyre. Një vit pas Bedrit, ata me të vërtetë sulmuan, kësaj radhe me të gjitha përgatitjet e nevojshme. Ky sulm quhet beteja e Uhudit. Mllefi i tyre ishte aq i zjarrtë, saqë pas humbjes së betejës Bedrit, ata kishin urdhëruar njerëzit e tyre që askush të mos lejohej të vajtonte të vdekurit. Edhe për të ardhurat që u vinin nga karvanët tregtarë, kishin vendosur që të ruheshin për luftën.

Pra, pas një përgatitjeje të gjithanshme, ushtria mekase, që përbëhej nga më shumë se tre mijë ushtarë, nën komandën e Ebu Sufjanit, e sulmoi Medinën. Profeti Muhammed s.a.v.s. u këshillua me sahabët  r.a.e tij nëse duhej të ballafaqoheshin me të duke qëndruar në Medinë, apo jashtë saj? Vetë Profeti s.a.v.s. mendonte që armiku le të vinte e t’i sulmonte muslimanët, në mënyrë që përgjegjësinë e nisjes së betejës ta mbante ai, kurse muslimanët lehtësisht t’i bënin ballë duke qëndruar në vendin e tyre.

Ëndrra e Profetit s.a.v.s. për betejën e Uhudit dhe interpretimi i saj

Por, ata të rinj, që nuk kishin marrë pjesë në betejën e Bedrit, të cilët i brente zemra që kishin humbur shansin për të rënë dëshmorë në rrugën e Zotit, këmbëngulën që kësaj radhe të mos privoheshin nga flijimi. Profeti s.a.v.s. i dëgjoi. Gjatë marrjes së këshillës prej tyre, ai u tregoi edhe një ëndërr të tij. Ai u tha:

“Pashë një lopë në ëndërr. Pashë që maja e shpatës sime u copëtua. Pashë që lopa po therej. Unë e kisha futur dorën në një parzmore të fortë e të sigurt. Unë gjithashtu pashë që kisha hipur mbi një dash”.

Sahabët e pyetën:

“Si e interpretoni këtë ëndërr, o i Dërguari i Allahut s.a.v.s.?”

Ai tha:

“Me therjen e lopës nënkuptohet që disa nga sahabët e mi do të bien dëshmorë; me rënien e majës së shpatës sime, duket se ndonjë afërm imi shumë i rëndësishëm do të martirizohet ose ndoshta vetë unë do të pësoj ndonjë dëm; me dorën time që kisha në parzmore, kuptoj që qëndrimi ynë në Medinë do të jetë më mirë; për sa i përket hipjes mbi dash, më duket se kryekomandanti i ushtrisë së mohuesve do të bjerë në dorën tonë, domethënë, ai do të vritet nga muslimanët”.[1]

Venosmëria e Profetit s.a.v.s. në betejën e Uhudit

Nga kjo ëndërr, edhe pse u ishte bërë e qartë muslimanëve se qëndrimi në Medinë do të ishte më mirë për ta, Profeti s.a.v.s. pranoi mendimin e shumicës dhe vendosi për të luftuar jashtë Medinës, duke qenë se interpretimi i ëndrrës u bë nga vetë ai dhe jo i shpallur nga Zoti. Teksa po dilte ai, të rinjtë u penduan dhe iu lutën: “O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.! Tani e kuptuam që mendimi juaj është i drejtë. Ne duhet të përballemi me armikun duke qëndruar në Medinë”.

Por, Profeti s.a.v.s. tha:

“I Dërguari i Zotit një herë kur vesh parzmoren, nuk e heq më. Çfarëdo që të ndodhë, ne do të ecim përpara. Nëse do të tregoni durim, do të keni ndihmën e Zotit”.[2]

Ushtria muslimane më pak se një e katërta e ushtrisë së mohuesve

Pastaj, me një ushtri prej një mijë sahabësh, ai u nis nga Medina dhe u vendos disa kilometra larg për të kaluar natën. Profeti s.a.v.s. kur i afrohej ushtrisë së armikut, gjithmonë i jepte mundësi ushtrisë së vet që të çlodhej, në mënyrë që muslimanët t’i bënin gati të gjitha pajimet. Kur Profeti s.a.v.s. doli për mbikëqyrje, pas namazit të sabahut, u njoftua se kishin ardhur edhe ca hebrenj, të cilët pretendonin t’i ndihmonin fiset aleate. Ngaqë ai ishte në dijeni për intrigat e tyre, dha urdhër që ata të ktheheshin.

Abdullah bin Ubai bin Sululi, kreu i hipokritëve, u ankua për ndalesën e miqve të tij, që sipas tij, kinse u kishin ardhur për ndihmë muslimanëve në luftë. Me gjithë 300 shokët e tij, edhe ai u bë gati për t’u kthyer, duke bërtitur që tanimë kjo nuk do të ishte luftë,[3] por një thirrje për vetëvrasje. Rrjedhimisht, numri i muslimanëve u reduktua në 700, që nuk ishte as një e katërta e ushtrisë së mohuesve, e cila, edhe nga pajimet luftarake ishte shumë herë më e fuqishme sesa ushtria muslimane. Ushtria mohuese kishte 700 ushtarë me parzmore, ndërsa muslimanët kishin vetëm 100 të tillë; mohuesit kishin 200 kalorës, kurse muslimanët kishin vetëm 2 kuaj.

Kodra strategjike e Uhudit dhe porosia e Profetit s.a.v.s.

Më në fund, Profeti s.a.v.s. mbërriti në Uhud. Për të mbrojtur një kodër strategjike, ai vendosi 50 ushtarë për siguri nga çdo sulm i mundshëm. Ai e porositi prerazi komandantin e tyre që nga kjo pikë, që ishte shumë e rëndësishme, të mos largohej në asnjë mënyrë, edhe sikur muslimanët të vriteshin apo të fitonin betejën.[4] Më pas, me 650 muslimanë të mbetur, që tashmë ishin reduktuar deri në një të pestën e ushtrisë kundërshtare, Profeti s.a.v.s. eci përpara për t’u ballafaquar me armikun. Lufta nisi dhe me ndihmën e Allahut të Lartësuar, vetëm në disa orë, tre mijë ushtarë të stërvitur të Mekës morën arratinë përballë gjashtëqind e pesëdhjetë muslimanëve.

Fitorja e shndërruar në humbje

Muslimanët e ndoqën armikun. Ushtarët që ishin caktuar mbrojtës në kodrën strategjike që gjendej mbrapa fushëbetejës, i kërkuan komandantit të tyre që të lëviznin nga pozicioni i tyre, pasi tashmë armiku ishte thyer dhe se ishte koha që edhe ata të përfitonin nga bekimet e xhihadit. Komandanti i ndaloi duke ua kujtuar porosinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., por ata argumentuan se Profeti s.a.v.s. e kishte thënë sa për të treguar rëndësinë e kësaj pike dhe sipas tyre, ai kurrë nuk donte që ata të mbeteshin në kodër edhe në kohën kur armiku të kishte marrë arratinë. Ata e lëshuan kodrën dhe zbritën në fushën e betejës.

Halid bin Uelidi, që më vonë do të bëhej një komandant shumë i rëndësishëm i fesë Islame, por tani gjendej në ushtrinë armike që po arratisej, e pa kodrën të zbrazët, në të cilën kishin mbetur vetëm disa ushtarë me komandantin e tyre. Ai menjëherë thirri Amr bin El-Asin, komandantin tjetër të ushtrisë së tij, që t’i hidhte një sy kodrës. Ai e kuptoi që gjeti një shans, i cili për të kishte rëndësi jetësore.

Të dy komandantët i mblodhën trupat e tyre që po ia mbathnin, iu ngjitën kodrës dhe ata pak muslimanë që kishin mbetur për mbrojtjen e kësaj pike strategjike, i vranë dhe i copëtuan. Armiku tani do ta sulmonte ushtrinë muslimane nga mbrapa. Edhe pjesa tjetër që ishte para dhe që po ikte, duke dëgjuar parullat e tyre të fitores, iu kthye fushëbetejës, ku më nuk ishte ndonjë ushtri e mirëfilltë e muslimanëve që t’i bënte ballë këtij sulmi të menjëhershëm, sepse ata ishin shpërndarë andej-këtej duke i ndjekur mohuesit. Në fushë dukej aty-këtu ndonjë ushtar i vetëm, disa prej të cilëve mohuesit i vranë menjëherë. Disa të tjerë, në hutim e sipër, ia dhanë vrapit mbrapa. Disa sahabë të tjerë, që maksimumi mund të ishin tridhjetë veta, u turrën ta shpëtonin Profetin s.a.v.s. dhe e rrethuan atë.[5]

Mohuesit e sulmuan fort pikërisht vendin ku gjendej Profeti s.a.v.s.. Në mbrojtjen e tij, sahabët filluan të binin dëshmorë njëri pas tjetrit. Përveç shpatëmbajtësve që sulmonin në fushë, ishin edhe harkëtarët nëpër kodra, që qëllonin breshëri shigjetash drejt tij. Në ato momente, duke parë që të gjitha shigjetat e armikut vinin drejt fytyrës së Profetit s.a.v.s., Talha r.a., njëri ndër kurejshët dhe muhaxhirët (mërgimtarët), ngriti dorën e tij për ta mbrojtur fytyrën e Profetit s.a.v.s.. Shigjetat, njëra pas tjetrës, ia shponin dorën, por kryetrimi dhe sahabi besnik nuk e lëvizi aspak. Nga ky vërshim i shigjetave, dora e tij u gjymtua përjetë dhe atij i mbeti vetëm një dorë.

Pas shumë vitesh, gjatë kohës së Kalifit të Katërt të Islamit, kur kishte krisur kryengritja midis muslimanëve, një armik me tallje e quajti Talhanë “sakat”. Një tjetër sahab që dëgjonte, i tha:

“Po është sakat, por sa sakat i bekuar që është! A di që ai u gjymtua duke mbrojtur fytyrën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.?!”

Pasi mbaroi beteja e Uhudit, dikush e pyeti Talhanë: “A nuk ndieje dhimbje kur shigjetat ta përshkonin dorën? Nuk rënkove as për të thënë “ah”?”

Talha iu përgjigj:

“Sigurisht që më dhembte. Edhe rënkimet i kisha te goja. Por nuk rënkoja që të mos më lëvizte dora dhe të mos e qëllonte ndonjë shigjetë fytyrën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.”.

Profeti s.a.v.s. humbi ndjenjat

Por, kaq pak njerëz deri kur do t’i bënin ballë një ushtrie të madhe si ajo e mekasve! Një grup ushtarësh i shtyu sahabët r.a. i dërrmoi dhe i doli përballë Profetit s.a.v.s.. Tani ai po qëndronte i vetëm si një mal, përballë ushtrisë së armikut, kur, dikush i ra fuqishëm me gur, i cili ia goditi përkrenaren, një gozhdë e së cilës u ngul në kokën e Profetit s.a.v.s.. Ai humbi ndjenjat dhe u rrëzua mbi kufomat e sahabëve të tij të martirizuar që shtriheshin kudo.[6] Pastaj, edhe disa sahabë të tjerë u martirizuan duke e mbrojtur trupin e Profetit s.a.v.s. dhe kufomat e tyre ranë mbi të. Duke parë që trupi i Profetit s.a.v.s. po gjendej diku midis pirgut të kufomave, mohuesit menduan se ai kishte vdekur.

Ushtria mekase u tërhoq një hap mbrapa për t’u mbledhur edhe një herë. Ndër sahabët që ishin sprapsur nga mekasit, ishte edhe Omeri r.a., i cili, kur pa që në fushë nuk kishte asnjë luftëtar, kujtoi se Profeti s.a.v.s. u martirizua. Ai kryetrim, që më vonë kur luftoi me zjarr e me hekur me perandorinë bizantine dhe atë perse njëherësh, nuk e kishte lëshuar veten, atë çast, i ulur mbi një gur po qante si fëmijë. Ndërkohë erdhi një sahab i quajtur Enes ibni Nedr r.a., i cili, pasi muslimanët e kishin marrë betejën, ishte kthyer nga fusha, sepse nuk kishte ngrënë që nga mbrëmë dhe donte të ushqehej. Pas fitores, ai kishte marrë ca hurma dhe ishte larguar nga fushëbeteja për ta shuar urinë që gërryente. Ende po mbante gëzimin e fitores, ndërkohë e pa Omerin r.a. duke qarë. I shtangur e pyeti:

Përse po qan o Omer, tani në këtë kohë gëzimi?!

Omeri r.a. tha: “O Enes, mbase u largove menjëherë pas fitores dhe nuk e dite që ushtria e mohuesve u kthye nga mbrapa kodrës dhe e sulmoi sërish ushtrinë muslimane. Ngaqë muslimanët ishin të shpërndarë, asnjëri prej tyre nuk rezistoi dot. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. që kishte mbetur vetëm me disa sahabë, duke luftuar me armikun, u martirizua”. Enesi r.a. tha: “Omer! Nëse kjo është e vërtetë, atëherë çfarë po bën këtu? Le të shkojmë edhe ne në botën ku ka shkuar i dashuri ynë”.

Enesi iu drejtua hurmës së fundit që i kishte mbetur në dorë:

“Përveç teje çfarë pengese ekziston midis meje dhe xhenetit?!”

dhe e hodhi poshtë. Pas këtyre fjalëve, ai e ngjeshi shpatën dhe u turr në ushtrinë e armikut. Ç’mund të bënte vallë një njeri i vetëm përballë tre mijë ushtarëve! Por, qoftë edhe një shpirt i vetëm, i kredhur në adhurimin e Zotit të Vetëm, do të ishte i rëndë për shumë veta. Enesi r.a. rrëfeu një trimëri të tillë midis armiqve, saqë ata u shtangën. Por, ai u lëndua keqas, u rrëzua, por edhe në atë gjendje u përpoq t’i sulmonte armiqtë nga t’i vinin. Më në fund, mohuesit e sulmuan ujqërisht dhe e masakruan në atë mënyrë, që pas betejës u gjetën deri në shtatëdhjetë copa të trupit të tij. Kufoma e tij nuk identifikohej. Motra e tij, vetëm kur dalloi një gisht të tij, tha:

“Ky është vëllai im”.[7]

Besimi i patundur i Profetit s.a.v.s. në Zotin e Madhërishëm

Ata sahabë r.a. që kishin qenë rreth Profetit s.a.v.s. të cilët qenë sprapsur nga kundërshtarët, tani ishin grumbulluar sërish pranë Profetit s.a.v.s.. Ata e morën trupin e tij të bekuar dhe Ubejda bin El-Xherahu r.a., njëri prej tyre, me dhëmbët e tij e nxori me forcë gozhdën që ishte ngulur në kokën e Profetit s.a.v.s.. Nga kjo, Ubejdasë i ranë dy dhëmbë. Pas pak çastesh, Profetit iu kthye vetëdija. Sahabët r.a. menjëherë dërguan kumtues në të gjitha anët që t’i mblidhnin muslimanët. Ata filluan të grumbulloheshin dhe më pas Profeti s.a.v.s. së bashku me ta, shkoi në rrëzë të malit. Ndërkohë erdhi Ebu Sufjani, kryekomandanti i ushtrisë së mohuesve, dhe thirri me zë të lartë:

“Ne e vramë Muhammedin!”

Profeti nuk iu përgjigj, nga droja se armiku nëse zbulonte të vërtetën, do ta sulmonte përsëri dhe muslimanët e plagosur sërish do të bëheshin gjahu i tij. Kur nuk shkoi asnjë përgjigje nga ushtria islame, Ebu Sufjani besoi se mendimi i tij ishte i vërtetë. Pastaj, ai përsëri thirri me zë të lartë:

“E vramë edhe Ebu Bekrin!”

Profeti s.a.v.s. e urdhëroi edhe Ebu Bekrin që të mos i përgjigjej. Pastaj Ebu Sufjani tha:

“E vramë edhe Omerin!”

Omeri ishte një njeri i flaktë dhe donte t’i përgjigjej se me bekimin e Zotit ishin mirë dhe ishin gati për të luftuar edhe një herë, por Profeti s.a.v.s. e ndaloi edhe atë duke i thënë që të mos i fuste në vështirësi muslimanët e tjerë. Mohuesit tashmë ishin të bindur që kishin vrarë themeluesin e Islamit, krahun e tij të djathë dhe atë të majtë. Nga gëzimi, Ebu Sufjani dhe shokët e tij lëshuan parullën:

beteja e uhudit“Lavdi i qoftë idhullit Hubul, Lavdi i qoftë idhullit Hubul!”.

Profeti Muhammed s.a.v.s., që deri në atë çast kishte heshtur e madje i kishte ndaluar të flisnin edhe Ebu Bekrin e Omerin, në mënyrë që ata pak muslimanë të lënduar që kishin mbetur të mos martirizoheshin, nga kjo parullë e mohuesve nuk e përmbajti veten dhe me zë të lartë u kërkoi sahabëve: “Pse nuk po i përgjigjeni?”. Ata thanë: “Si t’i përgjigjemi o i Dërguari i Allahut s.a.v.s.?” Për t’u treguar se ata po gënjenin dhe lavdia nuk i takonte Hubulit, Profeti s.a.v.s. i urdhëroi që të thërrisnin:

beteja e uhudit“Allahu është më i Larti dhe më i Nderuari; Allahu është më i Larti dhe më i Nderuari”.[8]

Në këtë mënyrë, Profeti s.a.v.s. ia dha armikut lajmin që ai ishte ende gjallë. Kjo përgjigje kryelarte dhe e guximshme ndikoi kaq fort në zemrat e mohuesve, saqë ata mbetën të shtangur dhe shpresat e tyre u rrëzuan përnjëherë. Edhe pse para tyre ishte një grusht muslimanësh, të lënduar e të dërrmuar, të cilët, logjikisht, mund të vriteshin fare lehtë, ata nuk e morën dot guximin. Të kënaqur nga aq fitore që kishin marrë, ata u kthyen potershëm në Mekë.

Beteja e Uhudit, një shenjë e madhe e vërtetësisë së Profetit Muhammed s.a.v.s.

Beteja e Uhudit që fillimisht muslimanëve u erdhi si një fitore, më vonë u kthye në humbje, e cila dukej e tillë vetëm në pamje të parë. Në të vërtetë, ajo siguroi një shenjë të madhe të vërtetësisë së Profetit Muhammed s.a.v.s.. Në këtë betejë, sipas paralajmërimit të Profetit s.a.v.s., muslimanët së pari gëzuan fitore; Profetit iu vra xhaxhai i tij i dashur, Hamza r.a.; u vra kryekomandanti i ushtrisë së armikut, që në sulmin e parë; Profeti s.a.v.s. vetë u lëndua dhe shumë nga sahabët e tij u martirizuan.

Përveç kësaj, muslimanët gjetën mundësi të tregonin një devotshmëri dhe besim që mbeten të pashembullta në histori. Disa ngjarje u përmendën më lart, por është me vlerë të përmendim këtu edhe një ngjarje tjetër, e cila tregon se sa shumë ua kishte forcuar besimin sahabëve të tij, shoqërimi me Profetin Muhammed s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. kaloi në rrëzë të malit dhe kur armiku u tërhoq mbrapa, Profeti s.a.v.s. caktoi disa sahabë r.a. të shkonin në fushë dhe t’i shikonin të lënduarit.

Në këtë kërkim, një sahab mbërriti te një ensar (musliman medinas). E pa që ai ishte në gjendje të rëndë, madje në grahmat e fundit. I lënduari, pasi i dëgjoi përshëndetjen Selamalejkum, ia zgjati dorën që po i dridhej. Ai menjëherë ia shtrëngoi. I lënduari tha se mezi po priste të gjente ndonjë vëlla. Ngaqë ai ishte në momentet e fundit të jetës, sahabi e pyeti nëse donte t’u jepte ndonjë mesazh anëtarëve të tij të familjes. Sahabi duke vdekur, tha:

“Po, dua që t’i përcjellësh selamin familjes sime dhe thuaju që unë po vdes, por po ju lë pas një amanet të shenjtë të Zotit të Lartësuar, të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. O vëllezër dhe farefisi im! Ai është i Dërguari i vërtetë i Zotit dhe shpresoj që ju nuk do të ngurroni për të dhënë jetën për mbrojtjen e tij dhe që porosinë time gjithnjë do ta keni parasysh”.[9]

Zakonisht, para vdekjes, njeriut i lindin në zemër lloj-lloj porosish për t’ua dhënë familjarëve. Por këta njerëz ishin bërë kaq vetëmohues duke qëndruar pranë Profetit Muhammed s.a.v.s., saqë nuk u binte ndërmend as për bijtë e as për gratë e tyre, as për paratë e as për pasuritë e tyre. Atyre u rrinte në zemër vetëm qenia e Profetit s.a.v.s.. Ata e dinin se shpëtimi i botës është i lidhur me të.

Edhe fëmijët e tyre, nëse do të rronin, nuk do të mund të bënin diçka të madhe, por nëse do të flijoheshin duke mbrojtur këtë shpëtimtar, atëherë edhe pse do të largoheshin nga kjo botë, bota do të këndellej falë tyre, ndërsa njeriu i shtrënguar nga kthetrat e shejtanit, do të lirohej. Ata e dinin se jeta dhe shpëtimi i gjithë bijve të Ademit ishte shumë herë më e rëndësishme sesa jeta e tyre dhe e familjarëve të tyre.

Sidoqoftë, Profeti Muhammed s.a.v.s. i mblodhi të lënduarit dhe të martirizuarit. Të parët u mjekuan, ndërsa për të vrarët u organizua varrimi. Atëherë Profeti s.a.v.s. pa që mohuesit mizorë ua kishin prerë hundët e veshët disa muslimanëve dëshmorë. Njëri ndër ata që u ishte bërë kjo mizori, ishte vetë Hamzai r.a., xhaxhai i Profetit s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. u prek shumë nga kjo pamje dhe tha:

“Mohuesit me aktin e tyre vetë e justifikuan atë hakmarrje, që ne e quanim të ndaluar”.

Por, Zoti i Lartësuar i dërgoi shpallje Profetit s.a.v.s. duke thënë:

“Lërini mohuesit të bëjnë atë që dëshirojnë. Ju gjithnjë duhet të vazhdoni të veproni me drejtësi dhe paqe!”[10]

Kthimi nga beteja e Uhudit dhe ndjenjat sakrifikuese të medinasve

Kur ushtria islame po nisej për t’u kthyer, lajmi i martirizimit të Profetit s.a.v.s. dhe i çorientimit të muslimanëve kishte mbërritur në Medinë. Gratë dhe fëmijët vraponin marrëzisht drejt Uhudit. Shumica prej tyre u ndalën gjatë rrugës kur e morën vesh të vërtetën, por, një grua e fisit Benu Dinar, në ecje e sipër, mbërriti deri afër Uhudit. Asaj i ishin vrarë në luftë bashkëshorti, vëllai dhe babai dhe siç përmendet në disa transmetime, edhe i biri. Gjersa po vraponte marrëzisht drejt Uhudit, asaj i thanë se i kishin vrarë babanë. Por, ajo e pyeti kumtuesin: “Më thuaj se si është i Dërguari i Allahut s.a.v.s.?” Ngaqë lajmëtari ishte i sigurt që Profeti s.a.v.s. jetonte, ai i fliste me radhë për vdekjen e vëllait të saj, për vdekjen e bashkëshortit të saj dhe për vdekjen e të birit të saj, por ajo vetëm shprehej:

 beteja e uhudit“O çfarë na bëri i Dërguari i Allahut s.a.v.s.!”

Ka mundësi që kjo shprehje të duket e gabuar. Madje disa historianë kanë shkruar që ajo donte të thoshte se çfarë i kishte bërë Profeti s.a.v.s.. Në të vërtetë shprehja e saj nuk ishte e gabuar, madje shumë e drejtë dhe e ngjashme me shprehjet e grave që thonë në kësi rastesh. Gruaja zakonisht është shumë emocionale në shprehjen e ndjenjave të saj dhe disa herë edhe të vdekurve u drejtohet si të ishin të gjallë. Për shembull, kur i vdes burri apo djali ndonjë gruaje, duke vajtuar ajo i drejtohet dhe flet fjalë të tilla: Me kë më ke lënë? Pse më le në këtë pleqëri? etj. Padyshim që kjo është një shprehje që i del vetvetishëm kur njeriu përjeton ndonjë brengë të thellë.

Kjo ishte edhe gjendja e asaj gruaje kur kishte dëgjuar lajmin e vdekjes së Profetit s.a.v.s.. Ajo nuk ishte gati ta pranonte atë të vdekur, por në anën tjetër, as nuk mund ta mohonte këtë gjë. Prandaj, nga pikëllimi i thellë vazhdonte të thoshte:

“Çfarë na bëri i Dërguari i Allahut s.a.v.s.?!”

Me një fjalë, ajo thoshte se si ka mundësi që një njeri kaq besnik u nda prej tyre.

Kur njerëzit panë që asaj me të vërtetë nuk i interesonte babai, vëllai apo bashkëshorti, e kuptuan se në çfarë gjendje ishte ajo. Dikush i tha:

“Oj nëna e filanit! I Dërguari i Allahut s.a.v.s., me bekimin e Zotit, është në gjendje të mirë”.

Ajo e pyeti:

“Më trego se ku gjendet ai?”

Tjetri iu përgjigj “Shko më tutje se aty e ke”. Ajo vrapoi drejt Profetit s.a.v.s. dhe ia kapi këmishën duke thënë:

“Ty t’u flijofshin prindërit e mi o i Dërguari i Allahut! Nëse ti je mirë, nuk më shqetëson vdekja e askujt”.[11]

Jo vetëm burrat kishin dhënë shembujt e besimit që u përmendën pak më parë, por edhe gratë kishin rrëfyer këtë devotshmëri. Bota e krishterë gëzohet nga guximi i Maria Magdalenës dhe i shoqeve të saj, të cilat fshehurazi kishin mbërritur në mëngjes te varri i Jezusit a.s.. Por, unë u them: Hajdeni dhe shikojini një herë edhe të devotshmit dhe flijuesit e të dashurit tim, se në çfarë rrethanash ata e mbështetën dhe në çfarë situatash e ngritën flamurin e njëshmërisë së Zotit.

Le të shohim një tjetër rast të devotshmërisë së tillë. Pas varrimit të dëshmorëve, kur Profeti s.a.v.s. u kthye në Medinë, gratë dhe fëmijët e prisnin me krahëhapur. Frerin e devesë së tij e kishte mbajtur Sad bin Muadhi r.a., një kryetar i Medinës, i cili ecte krenarisht me hapa të shpejtë. Sikur thoshte: Shikoni se e sollëm të sigurt në shtëpi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.! Pranë qytetit ai pa nënën e tij duke ardhur, të plakur, me shikimin të dobësuar. Në betejën e Uhudit asaj i ishte vrarë djali tjetër, Amr bin Muadhi r.a.. Sad bin Muadhi r.a. tha:

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po vjen nëna ime!”

Ardhtë me bekimet e Zotit të Lartësuar”, u shpreh Profeti s.a.v.s.. Me atë shikim të molisur, e moshuara u përpoq ta kërkonte Profetin s.a.v.s. andej-këtej. U gëzua vetëm kur e njohu fytyrën e tij. Profeti s.a.v.s. tha:

“Nënë! Ngushëllime! Të është martirizuar djali!”

Gruaja e mirë tha:

“Nëse ju ju kam gjetur shëndoshë e mirë, atëherë dijeni se e kam pjekur dhe gëlltitur vështirësinë”.[12]

Çfarë shprehje të bukur ka përdorur ajo në gjuhën arabe: E kam pjekur mirë fatkeqësinë time dhe e kam gëlltitur! Fjalët e saj rrezatojnë ndjenja të thella dashurie. Zakonisht brengë është ajo që njeriun e ha dhe e bren, por kjo plakë, së cilës iu thye mbështetja e pleqërisë, me ç’trimëri e tha se brenga e saj nuk mund të guxonte ta hante atë, gjersa pa që Profeti s.a.v.s. ishte gjallë. Ajo e gëlltiti brengën. Madje, sipas saj, vdekja e djalit nuk do t’i sillte shkatërrim, përkundrazi, ngaqë ai ka vdekur për hir të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. asaj iu shtuan forcat akoma më shumë. O ensarë! U flijofsha për ju! Sa shumë shpërblime keni fituar!

Profeti Muhammed s.a.v.s., në këtë mënyrë, u kthye në Medinë shëndoshë e mirë. Ndonëse shumë muslimanë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në këtë betejë, megjithatë, ajo nuk mund të quhej humbje për ta. Duke marrë parasysh ngjarjet që kam përmendur më lart, rezulton që ajo ishte një fitore madhore, një fitore që mund t’ua shtojë dhe do t’ua shtojë besimin muslimanëve deri në ditën e Kiametit.

Pas mbërritjes në Medinë, Profeti s.a.v.s. nisi sërish misionin e tij kryesor, domethënë, mbrujtjen, edukimin dhe pastrimin shpirtëror, megjithatë, këtë detyrë nuk arrinte ta përmbushte lehtësisht.

Pas ngjarjes së Uhudit, hebrenjtë u bënë më të guximshëm dhe hipokritët filluan të ngrinin kryet akoma më lart. Atyre iu duk sikur shfarosja e Islamit ishte në dorën e njeriut. Hebrenjtë filluan ta shqetësonin Profetin s.a.v.s. në mënyra të ndryshme. Thurnin vargje të pamoralshme ku përmendeshin ai dhe njerëzit e familjes së tij. Një herë atij iu desh të shkonte në kështjellën e tyre për të zgjidhur një grindje. Aty ku qe ulur ai, hebrenjtë planifikuan ta martirizonin duke rrëzuar mbi të një pllakë guri. Por, Zoti i Lartësuar e njoftoi në kohë dhe ai, pa folur fare, u çua dhe u kthye.[13] Më vonë hebrenjtë e pranuan fajin e tyre.

Gratë muslimane gjithashtu, çnderoheshin nëpër pazare. Në një incident të tillë, një musliman humbi jetën. Një herë, hebrenjtë vranë një vajzë muslimane duke e goditur me gur disa herë në kokë. Ajo dha jetën duke u përpëlitur. Prej të gjitha këtyre shkaqeve, muslimanët u detyruan të luftonin edhe me hebrenjtë, por nuk i vranë ata, duke mos vepruar sipas traditës arabe dhe hebraike. Ata i liruan hebrenjtë vetëm me kushtin që ata të largoheshin nga Medina. Kështu që, njëri prej dy fiseve të tyre, mërgoi drejt Sirisë, ndërsa nga fisi tjetër, një pjesë mërgoi në Siri dhe pjesa tjetër në qytetin Khejber, që ndodhej në veri të Medinës. Khejberi ishte qendra e hebrenjve në Arabi në të cilën kishte kështjella shumë të fortifikuara.


[1]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 230-231.
[2]  Buhariu, Kitabul-itisam bil-kitab ues-suneti, bab keulillahi ta’ala “Ue emruhum shura bejnahum”.
[3]  Siret Ibni Hisham, vëll. III, Egjipt, 1936, f. 68.
[4]  Siret Ibni Hisham, vëll. III, Egjipt, 1936, f. 69-70.
[5]  Zekrkani, vëll. II, f. 35.
[6]  Siret Ibni Hisham, vëll. II, Egjipt, 1295 Hixhri, f. 84.
[7]  Siret Ibni Hisham, vëll. III, Egjipt, 1936, f. 88.
[8]  Buhariu, Kitabul-magazi, bab gezueti Uhud; Es-siratul-Halabija, vëll. II, f. 270.
[9]  Siret Ibni Hisham, vëll. III, Egjipt, 1936, f. 100-101.
[10]  Siret Ibni Hisham, vëll. III, Egjipt, 1936, f. 196.
[11]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 265.
[12]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 267-268.
[13]  Siret Ibni Hisham, vëll. III, Egjipt, 1936, f. 199-200.