Beteja e Hunejnit - Betejë me shigjetarët dhe trimëria e Profetit a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
Related Contents from Topics
beteja e hunejnit shigjetarët

Beteja e Hunejnit – Ngaqë Profeti Muhammed s.a.v.s. kishte ardhur befas në Mekë, fiset që jetonin pak larg Mekës, sidomos ato që ishin në jug të saj, e morën lajmin e sulmit mbi Mekën, vetëm kur Profeti s.a.v.s. kishte hyrë në të. Për këtë arsye, ata sakaq filluan të mblidhnin ushtritë e tyre për të luftuar me Profetin s.a.v.s.. Hevazini dhe Thekifi ishin dy fise arabe, të cilat në mënyrë të veçantë e konsideronin veten trima. Menjëherë pasi u këshilluan me njëri-tjetrin, ata zgjodhën Malik ibni Eufin si kryetar të tyre. Më pas, ftuan edhe fise të tjera që jetonin afër, që t’u bashkoheshin. Ndër to ishte edhe fisi Benu Sa’d ibn Bekir. Mëndesha Halima që i kishte dhënë gji Profetit Muhammed s.a.v.s. i përkiste këtij fisi dhe fëmijërinë e tij, Profeti s.a.v.s. e kishte kaluar pikërisht te ta.

Njerëzit e këtyre fiseve u mblodhën dhe u nisën drejt Mekës, jo vetëm, por me gjithë pasuritë, gratë dhe fëmijët e tyre. Kur dikush i pyeti krerët e tyre se përse ishin nisur në këtë mënyrë, ata kishin thënë:

“Që ushtarët gjithmonë të kenë parasysh që nëse do t’ia mbathin, gratë dhe fëmijët e tyre do të burgosen dhe pasuritë e tyre do të zaptohen nga të tjerët”.

Kjo tregon se sa shumë të vendosur ishin ata në synimin e tyre për t’i shkatërruar muslimanët. Ushtria, më në fund, fushoi në lëndinën Rutas, që ishte shumë e përshtatshme për nga strategjia luftarake, sepse aty kishte vende për t’u strehuar, kishte kullotë të mirë për bagëtitë e tyre, edhe toka ishte mjaft e përshtatshme për vrapimin e kuajve, kishte edhe ujë për njerëzit. Kur Profeti s.a.v.s. u njoftua për këtë, ai dërgoi një sahab të quajtur Abdullah ibni Ebi Hudud r.a., për të mësuar të vërtetën rreth kësaj.

Abdullahu, kur u kthye, e njoftoi që me të vërtetë ushtria ishte mbledhur dhe se ajo ishte e gatshme për të luftuar e për të vdekur. Ata ishin shigjetarë të zotë dhe vendi ku ishin vendosur ishte i tillë që luftimi mund të bëhej vetëm në një hapësirë të vogël dhe edhe atje, nëse dilte kundërshtari, shumë lehtë mund të vihej në shënjestër të shigjetave. Profeti s.a.v.s., për këtë betejë, i kërkoi armë së pari kryetarit të Mekës, Safvanit, që ishte tregtar dhe një njeri i pasur. Safvani e pyeti:

“O Muhammed, a dëshiron të ma rrëmbesh pasurinë me forcën e qeverisë sate?”

“Jo, nuk duam të ta rrëmbejmë, por të kërkojmë hua. Jemi gati të të japim garanci”, iu përgjigj Profeti s.a.v.s..

Abdullahu tha: “Atëherë nuk ka problem. Merrini këto”.

Ai dha në mirëbesim 100 parzmore dhe armë të përshtatshme si dhe tre mijë dirhamë borxh. Gjithashtu, po në mirëbesim, Profeti s.a.v.s. i mori tre mijë heshta, djalit të xhaxhait të tij, Neufel ibni Harithit. Kur ushtria po nisej drejt Hevazinit, mekasit i kërkuan Profetit s.a.v.s. që edhe pse ata nuk ishin muslimanë, por ngaqë bënin pjesë tashmë në shtetin musliman, edhe atyre duhet t’u jepej mundësia për të marrë pjesë në këtë luftë. Në këtë mënyrë, bashkë me Profetin s.a.v.s., dy mijë veta u nisën nga Meka.

Rrugës binte Dhat Enuati, një faltore e famshme e Arabisë. Ajo kishte një hide të moçme, që arabët e konsideronin të shenjtë. Trimat arabë kur blinin ndonjë armë, më së pari shkonin atje dhe e varnin në degën e saj, që arma të bekohej. Kur sahabët e Profetit s.a.v.s. kaluan pranë saj, disa prej tyre thanë:

“O i Dërguari i Allahut, ndërtoni një Dhat Enuat edhe për ne”.

Profeti s.a.v.s. u përgjigj:

“Zoti është i Madh. Kjo që po thoni ju është ajo që kishte kërkuar populli i Musaitas. Kur ai po shkonte për në Kanaan dhe rrugës panë fiset e Kanaanit që adhuronin idhuj, atëherë populli i kishte kërkuar: “O Musa, cakto ndonjë idhull edhe për ne, siç i kanë idhujt këta”[1]. Kjo është injoranca. Druaj që disa prej jush të mos bëjnë të njëjtat gjëra, duke u ndikuar nga besëtytnitë e tilla”.[2]

Fisi Hevazin dhe aleatët e tyre kishin ndërtuar një pritë për t’i sulmuar muslimanët, siç përdoren bunkerë apo prita edhe në luftërat e sotme. Ata kishin ngritur mburoja të vogla në të dyja anët për të qëndruar mbrapa tyre. Në mes, rruga ishte e ngushtë. Shumica e ushtarëve ishin fshehur mbrapa mburojave dhe përpara qëndronin vetëm disa, që ishin të rreshtuar mbi devetë e tyre. Muslimanët kujtuan që e gjithë ushtria e armikut ishte ajo që po shikonin.

Ata marshuan përpara për të sulmuar. Kur u ishin afruar mjaft dhe ushtarët që rrinin në pritë panë që gjahu i tyre kishte rënë në shënjestër, atëherë, nga të dyja anët, u shfaqën si dy ushtri më vete dhe i qëlluan muslimanët me breshëri shigjetash. Mekasit që kishin marrë pjesë në këtë luftë, duke menduar se tanimë edhe ata do të rrëfenin trimëri, nuk arritën t’i bënin ballë sulmit të dyanshëm. Ata ia futën vrapit, andej nga kishin ardhur.

Ndonëse muslimanët ishin mësuar me këto vështirësi, kur dy mijë kuaj e deve vraponin të tërbuar drejt tyre, atëherë edhe kafshët, madje e gjithë ushtria zuri t’ia mbathte. Në këtë dyndje, tashmë të treanshme, qëndruan vetëm Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe dymbëdhjetë sahabë të tjerë. Kjo nuk do të thotë se sahabët u arratisën. Afërsisht njëqind prej tyre akoma qëndronin në fushëbetejë, por ishin pak larg nga Profeti s.a.v.s..

Njëri prej sahabëve thotë që shokët e tij ushtronin gjithë forcën që gjithsesi kafshët e tyre të ktheheshin sërish në betejë, por duke parë dy mijë deve që vraponin si të tërbuara në drejtimin e kundërt, edhe ato u trembën. U gjakosën duart duke tërhequr gojëzat që t’i vinin në drejtimin e duhur. Por, devetë dhe kuajt nuk kishin për t’u kthyer. Gjatë tërheqjes, disa herë, koka e kafshës puthitej me shpinën e saj, dhe kur i mëshonin me mamuze, në vend që të kthehej, ajo vraponte akoma më përpara, në drejtimin e gabuar. “Na dridheshin zemrat”, thotë sahabi që rrëfeu këtë ngjarje, “duke menduar së çfarë po ndodhte me Profetin s.a.v.s. që ishte mbrapa. Ishim totalisht të paaftë”.

Kjo ishte gjendja e sahabëve, ndërsa atje, pranë armikut, Profeti s.a.v.s. kishte mbetur vetëm me një numër të vogël burrash. Shigjetat i qëllonin nga e djathta, nga e majta dhe nga para, kurse mbrapa ishte vetëm një rrugë e ngushtë, ku mund të kalonin njëherazi vetëm shumë pak veta. Sidoqoftë, e vetmja rrugë shpëtimi ishte ajo. Atëherë, Ebu Bekri u hodh nga kafsha e tij dhe ia kapi frerin mushkës së Profetit s.a.v.s. dhe iu lut: “O i Dërguari i Allahut, ju lutem kthehuni mbrapa, gjersa të mblidhet ushtria jonë”. “Lërma frerin o Ebu Bekër” e urdhëroi Profeti s.a.v.s., dhe duke i rënë me yzengji vazhdoi të përparonte po në atë rrugë të ngushtë, ku ushtarët e fshehur nëpër prita qitnin shigjeta nga të dyja anët. Profeti s.a.v.s. bërtiti:

انا النبی لا کذب
انا ابن عبد المطلب
Jam profet, nuk jam gënjeshtar
Jam nipi i Abdul Mutalibit[3]

Pra, Profeti s.a.v.s. u thoshte: Jam profet i Zotit, nuk jam gënjeshtar. Por, ta dini se edhe në këtë vend të rrezikshëm jam i mbrojtur nga sulmet e armikut, kjo nuk do të thotë se kam ndonjë element të Zotit. Jam njeri dhe jam nipi i Abdul Mutalibit.

Profeti s.a.v.s. thirri Abasin r.a., që kishte zë të lartë dhe e porositi:

“Thirri me zë të lartë duke thënë:
O sahabë që kishit bërë be nën pemën e Hudebijes dhe o ju që jeni muslimanë që nga periudha e sures El-Bekare, i Dërguari i Zotit ju thërret ju!”

Zëri i Abasit r.a. gjëmonte kur ai dha mesazhin e Profetit s.a.v.s.. Gjendja e sahabëve r.a. mund të merret me mend vetëm nga rrëfimi që ata bëjnë. I njëjti sahab që kam përmendur pak më lart tregon se ndërsa po bënin çdo përpjekje për ta kthyer drejtimin e deveve dhe kuajve, ata dëgjuan thirrjen e Abasit. Ishin çaste kur atyre u duk sikur nuk ishin në këtë botë, sikur të ishte dita e kiametit dhe engjëjt i thërrisnin që të vinin para Zotit për të dhënë llogari. Atëherë, disa prej tyre, morën mburojat dhe shpatat dhe u hodhën nga devetë e frikësuara, që ato t’ia mbathnin ku të donin. Disa të tjerë u therën qafat deveve të tyre dhe vrapuan në këmbë drejt Profetit s.a.v.s..[4]

Sahabi i Profetit s.a.v.s. rrëfen:

“Atë ditë, ensarët vraponin drejt të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në atë mënyrë, siç vrapojnë devetë dhe lopët kur dëgjojnë britmat e këlyshëve të tyre”.

Brenda pak çastesh, sahabët, sidomos ensarët, ishin grumbulluar rreth Profetit s.a.v.s.. Armiku u thye.

Këtu shfaqet edhe një shenjë e fuqisë shpirtërore të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Njeriu që vetëm para pak ditësh ishte armiku i jetës së tij dhe u printe ushtrive që synonin ta rrëzonin atë, pra, e kemi fjalën për Ebu Sufjanin, ditën e betejës së Hunejnit, qëndronte pranë Profetit s.a.v.s.. Ai ishte një njeri shumë i mençur dhe i shkathët. Kur devetë e mohuesve iknin në rrëmujë, ai e kuptoi që edhe kali i tij do të egërsohej, andaj, menjëherë u hodh poshtë dhe duke kapur yzengjinë e mushkës së Profetit s.a.v.s. filloi të ecte në këmbë. Ai rrëfen:

“Kisha shpatë të ngjeshur në dorë dhe betohem për Atë Zot që di fshehtësitë e zemrës, unë po qëndroja pranë mushkës së Profetit s.a.v.s. me vendosmëri të plotë, që askush nuk do t’i afrohej Profetit s.a.v.s. pa më vrarë mua”.

Profeti s.a.v.s. e shikonte i befasuar (ndoshta ai befasohej nga fakti që vetëm para dhjetë a pesëmbëdhjetë ditësh, Ebu Sufjani ishte nisur nga Meka me një ushtri të tërë për ta vrarë atë, por brenda pak ditësh si Zoti i Lartësuar kishte sjellë një ndryshim aq rrënjësor, saqë ky komandant i mekasve, po qëndronte si një ushtar i thjeshtë, duke kapur yzengjinë e mushkës së Profetit s.a.v.s., ndërkohë fytyra e tij fliste qartë se ai donte t’i lante mëkatet e veta me vdekjen e tij). Abasi r.a., kur e pa Profetin s.a.v.s. duke vëzhguar në këtë mënyrë Ebu Sufjanin, tha:

“O i Dërguari i Allahut, Ebu Sufjani është djalë i xhaxhait tuaj, është vëllai juaj. Të paktën sot, gëzohuni nga ai”.

Profeti s.a.v.s. u shpreh: “Zoti i Lartësuar ia faltë të gjitha armiqësitë që kishte me mua”.

Ebu Sufjani thotë: Atëherë Profeti s.a.v.s. m’u drejtua me fjalët: “O vëlla”, e unë, nga dashuria që shpërthente në zemër, zura të puthja këmbën e Profetit që qe në yzengji”.[5]

Pas betejës së Hunejnit, Profeti s.a.v.s. ua ktheu pajimet luftarake pronarëve të tyre, që kishte marrë hua dhe gjithashtu u dha edhe shpërblime e nderime të shumta, gjë që u bëri përshtypje të thellë që i bëri të mendonin se Profeti s.a.v.s. nuk ishte një njeri i thjeshtë. Pikërisht nga kjo, Safvani e përqafoi Islamin menjëherë.

Në histori përmendet edhe një ngjarje e çuditshme e kësaj beteje. Një mekas i quajtur Shiba, i cili ishte caktuar për t’i shërbyer Qabes, rrëfen që edhe ai kishte marrë pjesë në këtë betejë. Por synimi i tij ishte që kur të ndesheshin të dyja ushtritë, të gjente mundësinë për ta vrarë Profetin Muhammed s.a.v.s. Ai e kishte ndarë mendjen që nuk do të vinte në fenë e Profetit s.a.v.s., edhe sikur e gjithë bota ta përqafonte atë, pale arabët a jo arabët. Ai thotë:

“Kur beteja mori zjarrminë dhe luftëtarët e kësaj ane u përzien me luftëtarët e anës tjetër, unë e ngjesha shpatën dhe fillova t’i afrohesha të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Gjatë kësaj përpjekjeje, mu duk sikur midis meje dhe atij po ngrihej një flakë zjarri, e cila ishte gati të më shkrumbonte. Ndërkohë, e dëgjova të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke më thënë – Shiba, afrohu! – unë iu afrova dhe ai më vuri dorën në gjoksin tim dhe u lut:

“O Zot, shpëtoje Shibanë nga mendimet e djallit”.

“Sapo më preku me dorë në kraharorin tim” – vazhdon Shiba, “mua më ishin larguar të gjitha armiqësitë dhe hasmëritë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s., për mua, ishte bërë më i dashur sesa sytë e mi, sesa veshët e mi, sesa zemra ime. Ai më tha: Shiba, vazhdo përpara dhe lufto! Unë vazhdova përpara dhe, atëherë, nuk kisha asnjë dëshirë tjetër në zemrën time, përveçse ta shpëtoja të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke sakrifikuar jetën time. Në atë kohë, sikur babai im të ishte i gjallë dhe të dilte përpara për të më penguar, nuk do të ngurroja për asnjë çast për të shpuar gjoksin e tij me shpatën time”.[6]

Më pas, Profeti Muhammed s.a.v.s. u nis drejt Taifit, drejt atij qyteti, banorët e të cilit dikur e kishin përzënë duke e gjuajtur me gurë. Për pak kohë, Profeti s.a.v.s. e rrethoi qytetin, por disa njerëz e këshilluan të mos humbiste kohën me rrethim, sepse asgjë nuk mund të bënte një qytet i vogël si Taifi në gjithë Arabinë. Kështu që, Profeti s.a.v.s. e ndërpreu rrethimin dhe u kthye, ndërsa banorët e Taifit, pas pak kohe, e pranuan Islamin.


[1]  Kurani Famëlartë 7:139.
[2]  Siret Ibni Hisham, vëll. IV, Egjipt, 1936, f. 84-85.
[3]  Muslimi, Kitabul-xhihadi ues-sejr, bab gezueti Hunejn – Beteja e Hunejnit.
[4]  Siret Ibni Hisham, vëll. IV, Egjipt, 1936, f. 84. – – Beteja e Hunejnit.
[5]  Es-siratul-Halabija. –
[6]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 127-128. – – Beteja e Hunejnit.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp