
Pasi u lirua nga këto beteja, siç veprohej, Profeti Muhammed s.a.v.s. kishte për të shpërndarë në ushtrinë muslimane gjobat e mbledhura prej armiqve të mundur, si dhe plaçkat e lëna në fushëbetejë. Por, këtë herë, Profeti s.a.v.s., në vend që t’ua jepte muslimanëve këto gjëra, ua shpërndau mekasve dhe njerëzve fqinjë. Ata ende nuk e kishin pranuar besimin me zemër, madje shumë prej tyre, akoma kishin besime të mohuesve, dhe edhe ata pak muslimanë që ishin, ishin të porsaardhur në Islam, prandaj, kjo ishte një gjë krejtësisht e re për ta, që një popull u jepte pasurinë e tij, njerëzve të popullit tjetër.
Me shpërndarjen e këtyre gjërave, në vend që të forcoheshin në mirësi e në takua, ata filluan të tregoheshin më shumë ziliqarë. Ata e rrethuan Profetin s.a.v.s. dhe zunë ta shqetësonin duke bërë më shumë kërkesa, derisa, duke e shtyrë, e çuan pranë një peme. Njëri prej tyre i tërhoqi çarçafin e tij me aq forcë, saqë Profetit s.a.v.s., gati iu bllokua fryma. Atëherë ai tha: “Po të kisha edhe ndonjë gjë tjetër, do t’jua jepja edhe atë. Asnjëherë nuk do të më gjeni koprrac apo frikacak”.[1] Profeti s.a.v.s. shkoi te deveja e tij, i shkuli një qime dhe e ngriti lartë duke thënë:
“O njerëz! Nga pasuria juaj nuk kam nevojë as sa kjo qime, përveç asaj një të pestës, që i takon shtetit, sipas ligjit arab. Edhe atë, nuk e shpenzoj për veten, por ajo shpenzohet për punët tuaja. Mbani mend, ai që vjedh diçka nga amanetet, ditën e kiametit, do të poshtërohet para Zotit për shkak të vjedhjes që ka bërë”.
Disa njerëz akuzojnë që Profeti s.a.v.s. synonte mbretërinë. Por, a mund të jetë kjo lidhje vallë e një mbreti me popullin e tij?! A mund të guxojë dikush nga populli ta shtyjë në këtë mënyrë mbretin e tij, madje t’i hedhë një pëlhurë në qafë e ta mbysë atë?! Kush mund të tregojë një model të tillë, përveç të dërguarve të Zotit. Por, pavarësisht nga kjo shpërndarje bujare e pasurisë tek të varfrit, kishte edhe ca zemërgurë, që e quanin të padrejtë këtë shpërndarje. Një njeri i quajtur Dhul Huvejsera, erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe i tha:
“O Muhammed! Kam parë gjithçka që ke bërë sot”. “Çfarë ke parë?”, e pyeti Profeti s.a.v.s. “Kam parë që s’ke bërë drejtësi, por padrejtësi”. Profeti tha: “Më vjen keq për ty! Nëse nuk do të bëj drejtësi unë, kush do ta bëjë në këtë botë?”
Sahabët r.a. u çuan të zemëruar. Kur ai po dilte nga xhamia, disa prej tyre thanë: “O i Dërguari i Allahut, ky njeri meriton dënimin me vdekje. Na lejoni ta vrasim”.
Profeti s.a.v.s. u përgjigj: “Derisa ai zbaton ligjin, nuk kemi të drejtë ta vrasim”.
“O i Dërguari i Allahut”, e pyetën sahabët, “nëse një njeri hiqet ndryshe nga jashtë dhe ndryshe është nga zemra, a nuk meriton të dënohet?”
Profeti s.a.v.s. tha: “Zoti nuk më ka urdhëruar të trajtoj njerëzit sipas mendimeve të tyre që mbajnë në zemër. Unë jam urdhëruar t’i trajtoj njerëzit sipas asaj që ata shfaqin së jashtmi”.
Profeci për ngatërrestarët te muslimanët
Profeti s.a.v.s. gjithashtu bëri profeci për akuzuesin:
“Ky dhe shokët e tij, do të rebelohen një ditë kundër Islamit”,[2]
paralajmërim ky që u përmbush në kohën e Kalifatit të Aliut r.a., kur ky njeri dhe njerëzit e fisit të tij udhëhiqnin rebelët, që dolën kundër Aliut r.a. dhe të cilët njihen deri më sot me emrin Khuarixh.
Pasi u lirua nga Hevazini, Profeti s.a.v.s. u kthye në Medinë. Ky kthim, padyshim, ishte një gëzim i ri për medinasit, sepse më përpara, i Dërguari i Zotit s.a.v.s. kishte ardhur në qytetin e tyre i shqetësuar nga mizoritë e mekasve, ndërsa sot, pasi e kishte triumfuar Mekën, kishte ardhur me dëshirën e tij, për të përmbushur premtimin që kishte bërë.
[1] Buhariu, Kitabul-xhihad, bab esh-shuxha’a fil-herb uel-xhubn.
[2] Buhariu, Kitabul-menakib, bab alamatin-nebueti fil-Islam.