
Pozita personale e Profetit Muhammed s.a.v.s. në lidhje me vërtetësinë ishte aq e lartë saqë vetë populli i tij ia kishte vënë emrin “es-sidik” (i vërteti).[1] Edhe xhematin e tij ai gjithmonë e porosiste të tregohej i qëndrueshëm në vërtetësi. Ai përpiqej t’i çonte sahabët e tij në një nivel aq të lartë vërtetësie, i cili të ishte i pastër nga çdo grimë gënjeshtre. Ai thoshte:
“Vetëm e vërteta të shpie drejt mirësisë dhe mirësia të sjell xhenetin. Pozita e lartë e vërtetësisë është ajo që njeriu gjithnjë të vazhdojë të thotë të vërtetën, derisa ai të shkruhet te Zoti si i vërtetë”.[2]
Një herë te Profeti s.a.v.s. u soll një i burgosur, i cili ishte bërë shkak i vrasjes së shumë muslimanëve. Omeri r.a. mendonte se ai person meritonte dënimin me vdekje dhe për këtë arsye vazhdimisht shikonte fytyrën e Profetit s.a.v.s. që ai t’i jepte ndonjë shenjë dhe Omeri ta vriste atë. Kur personi në fjalë u ngrit dhe u largua, Omer r.a. e pyeti i habitur: “O i Dërguari i Allahut, ky do të dënohej me vdekje”. “Përse nuk e vrave atëherë?”, e pyeti Profeti s.a.v.s.. Omeri tha: “Unë vetëm po prisja të bënit ndonjë shenjë me bishtin e syrit dhe isha gati për ta vrarë”. Profeti s.a.v.s. tha:
“I dërguari i Zotit nuk mashtron. Si ka mundësi që unë të këmbeja fjalë të mira me të, e të të bëja me shenjë që ta vrisje?”[3]
Një herë tjetër, dikush erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe i tha se ai kishte tri vese: gënjente, pinte alkool dhe bënte kurvëri. Tha që mjaft ishte përpjekur për t’i larguar ato, por assesi nuk i largoheshin dhe për këtë arsye, i kërkonte Profetit s.a.v.s. ndonjë derman. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: “Më premto të heqësh dorë nga njëri prej tri veseve, dy të tjerat t’i heq unë”. “Ju premtoj”, tha ai, “por nga cili ves të heq dorë?” Profeti s.a.v.s. i tha: “Nuk duhet të gënjesh!”. Kaluan disa ditë që ai njeri përsëri erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe i pohoi që atij i ishin larguar të gjitha veset. Profeti s.a.v.s. e pyeti sesi i kishin ndodhur këto ndryshime. Ai tha: “Një ditë më pihej alkooli. Isha gati të pija, por më ra ndërmend që më përpara kur shokët më pyesnin – mos ke pirë alkool? – unë i gënjeja duke thënë – jo –, por tani s’mund t’i gënjeja, sepse isha betuar para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Po t’u thosha – po kam pirë –, do të më largoheshin shokët, e po t’u thosha – jo –, do ta shkelja betimin duke gënjyer. Atëherë i thashë vetes – hajde se do të pi më vonë. Në të njëjtën mënyrë, një ditë më lindi dëshira për të bërë kurvëri dhe, edhe për këtë kështu jam fjalosur me zemrën time se çfarë do t’u thosha shokëve kur të më pyesnin. Po t’u thosha – po kam shkuar me dikë – ata do të më përjashtonin nga shoqëria, dhe, po t’u thosha – jo – do të gënjeja, por kisha bërë be para Profetit s.a.v.s. që nuk do të gënjeja. Në këtë mënyrë vazhdova për disa ditë me këtë dyluftim të brendshëm dhe më në fund, duke qëndruar larg këtyre dy veseve për një kohë, mua më është larguar mania e tyre nga zemra. Kështu, duke pranuar të them gjithnjë të vërtetën, kam shpëtuar edhe nga veset e tjera”.
[1] Buhariu, Kitabut-tefsir, tefsir suratish-Shu’ara bab keulihi ue andhir eshiratakel-ekrabin
[2] Buhariu, Kitabul-edeb, bab keulilahi ja ejuheladhinet-tekullaha ue kunu m’as sadikin
[3] Ibni Hishami, vëll. II, f. 217.